O zgjim, o fjalë tjetër s'ka!

O zgjim, o fjalë tjetër s'ka!

'Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.' Kur'an, 33:35

 

Shkruan: Avni Tafili

 

Po afrohet muzgu i lindjes së diellit. Të jesh i sigurt se pak njerëz në këtë gjendje presin lindjen e diellit…

 

S'ka zgjidhje tjetër për muslimanin, që ende musliman i thotë vetes! Ashtu siç s'ka zot tjetër përveç Allahut, ashtu edhe s'ka asgjë që mund ta shtynte muslimanin të dyshojë në Zotin e qiejve dhe të tokës e çka në to, Allahut të Gjithëpushtetshëm! Jo, s'ka rrugë tjetër, përveç rrugës drejt zgjimit, drejt rikthimit të identitetit islam në zemrat dhe mendjet tona!

 

Jo, nëse musliman ende i thua vetes, s'ke kthim mbrapa! Po ktheve kokën mbrapa, po ngadalësove lëvizjen, po zure këmbët njëra me tjetrën, po ndalove hapat, ke zënë në zjarr! Jo, ke hyr në pranga!! As përpara e as mbrapa, s'ke miq, që të duan, ke njerëz që vrullin ta shuajnë. Jo, ke njerëz të papërgjegjshëm e të hutuar. Ti vendos, Allahun ke që për ty përkujdeset!

 

O musliman! Bindu e thuaj: o Zgjim, o fjalë tjetër s'ka! Këtë ngule thellë në mendje, e mos të të vijë turp! Le të ta përsërisë kujtesa jote kudo që gjendesh! Mos ia humb këtë të drejtë vetvetes sate. Bëji mirë vetes! E prej kujt vallë trembesh të mbrosh të drejtën tënde, të sigurosh zgjimin tënd! Çka të bën të pasigurt, kur ti ke Zot, Siguruesin! Pse të ndjehesh i pandihmës, kur ke Allahun më të mirin Ndihmëtar!

 

Të tjerët përtacë. Jeta po gëlltitë. Pasuria po huton. E shoqëria po cytë! E ti s'ke çka nën hijen e tyre pret lëvizje. Çdo gjë bën të veten, e ti zgjedh zgjimin, e dëbo agoninë! Gjithçka, çfarëdo qoftë, s'ka përfundim tjetër, veçse te Zoti, Sundimtari i Ditës së Fundit! E pra ti, musliman i dashur, zgjohu me Atë që s'fle kurrë, e as kota s'e merr fare hiç!

 

Braktis shtratin e ngrohtë në pjesën e tretë të natës! Zgjohu tri orë para se dielli të shndris. Pastrohu, dhe dy rekate namaz fali, dhe mos u ngrit nga toka, ku e ke vënë ballin e fytyrën, veçse duke qenë i përlotur. Allahu po të vështron! E ç'të mësoi sesi Allahu robërit e Tij i vështron! E kur Krijuesi i shpirtit, mendjes, zemrës, trupit, e tërë qenies sate të shikon! Ah nuk ka ndjesi më të ngrohtë e më të ëmbël. Nuk ka ndjesi më të përshkueshme e më të fuqishme!

 

E, pasi shtratin braktise, e Allahut, Zotit të zemrave, iu përule dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkove, mendove dëshirën që ia shtrove të Gjithëpushtetshmit? Mendo! Kapu për trung, e jo për degë. Mos kërko gjëra të imta, e gjëra jetëshkurtra, por kërko, njëmend!

Kërko udhëzimin e Tij! Kërko faljen e Tij. E kur ti udhëzohesh me udhëzimin e Udhëzuesit, je udhëzuar për gjithçka të mirë. Tani, pasi kreve namazin, ngrihu, rri pak në qetësi, e medito rreth vetvetes, rreth familjes, rreth të nesërmes, rreth shoqërisë me të cilët shoqërohesh…Mendo! Nëse në mendje të vërtiten mendime të liga, kërko mbrojtjen e Allahut!

 

Tani, kthjellu prej hutesë! Dil prej mjegullës së mendimeve të mbrapshta! Ngrit kokën në qiellin e hapur, vështro hapësirën dhe pastërtinë, e falëndero njëherë e me gjithë mend Zotin e qiejve! Shiko tokën sesi të mban, e shtrirë, me ujë e ajër, megjithëse ishe i padrejtë! Falëndero me plot sinqeritet Zotin e tokës!

 

Po afrohet muzgu i lindjes së diellit. Të jesh i sigurt se pak njerëz në këtë gjendje presin lindjen e diellit, e kush janë ata pak njerëz! Janë ata që Allahu i ka udhëzuar! E tani, ndjehu vërtetë i udhëzuari, dhe dëshmo!

 

Deklaro edhe njëherë dëshminë e të udhëzuarve: nuk adhuroj - nuk admiroj, nuk i mbështetem, nuk kërkoj, nuk i përgjërohem, nuk e lartësoj, nuk e madhëroj, nuk shpresoj, nuk i dorëzohem, nuk i frikësohem, nuk respektoj, nuk dëgjoj -, askënd përveç ALLAHUT, TË VETMIN, I PASHOQ, SUNDUES, I GJITHËPUSHTETSHËM, dhe tek Ai është kthimi im!

 

E këtë deklaratë që dhe, dëshmoje duke ia argumentuar vetvetes! Që sot!

 

O Allah! Ti je Udhëzuesi, na udhëzo ashtu siç di Ti!

 

Ve-l-hamdu lilahi rabbi-l-alemin

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451943 visitors (1422354 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free