Mjaft, kur gjithçka merret!

Mjaft, kur gjithçka merret!

'Dhe kur fletushkat të jenë shpaluar,Dhe kur qielli të jetë hequr, Dhe kur xhehennemi të jetë ndezur fort, Dhe kur xhenneti të jetë afruar,Atëbotë njeriu do ta dijë se çka ka ofruar (të mirë ose të keqe).' –

Kur'an, 81:7-14

 

Shkruan: Avni Tafili

 

E atë ditë, ç'lloj drejtësie do të pretendosh, vallë! Mos ndoshta mendon se atë ditë do të ketë ryshfete! Apo, do të të flas gjuha! Ndërsa gjuha mezi pret atë ditë…

 

Kur çdo gjëje do t'i jepet të folurit, njerëzve, që folën e nuk vepruan, e thanë e gjë s'bën, atë ditë të folurit me gjuhët, urdhrin e vullnetit të tyre, do të harrojnë! Jo, do t'u merret! Memec bëhesh! Askush s'mund të flas kurrë, përveç atij që Sundimtari i Ditës së Premtuar leje i jep. Njeriu pra ka harruar se gjithnjë nuk mund të pretendojë; gjithnjë nuk mund të supozojë; ashtu siç caktoi Krijuesi i jetës gjumin për t'u prehur zemrat e mendjet, përcaktoi atë ditë, që gjuhët të heshtin më, e të zbatohet drejtësia absolute e Allahut, Sundimtar!

 

Pse çuditesh, ti edhe tani i paaftë në të folur je! Kur e vërteta cenohet, ti memec bëhesh. E atë ditë memec edhe ndaj vetvetes do të jesh. Jo më, mjaft! Mjaft fole e ndaj të folurës ishe i papërgjegjshëm! Mjaft pëshpërite, e me pëshpëritjet tua të tjerëve gropën ua çelje! Mjaft më, s'e ke më aftësinë e të folurës, në ditën kur ti do të doje me shpifje e rrena të shpëtoje. Mjaft, t'u dha të folurit, e ti nuk e mbroje hakun!

 

Mjaft, sot, je i paforcë! Je njëmend me aftësi të kufizuara. Ti në dunja ishe i plotë, lëvizje duart e këmbët, por i detyroje të bënin atë, për të cilën s'ishin krijuar! E pra i paaftësove të bënin atë që duhej të bënin, e sot, je njëmend i paaftë! Nuk ke më as vullnet e as forcë të lëvizësh as kapakët e syve! Atë ditë edhe zemra kundër teje do të ngrihet. S'respektojnë më urdhrat tua.

 Ti ndaj tyre ishe i padrejtë, e sot u erdhi edhe atyre çasti të dëshmojnë padrejtësitë; kur çdo gjëje do t'i jepet të folurit!

 

O krijesë e Zotit! Zoti të dha të pamirit, e ti i verbove. Të dha të dëgjuarit, e ti i shurdhove. Të dha zemër të gjallë, e ti e vdiqe. Të dha gjuhë, e ti e paaftësove. Të dha mendje, e ti e errësove. Të dha trup të pastër, e ti e ndyte. E atë ditë, ç'lloj drejtësie do të pretendosh, vallë!

Mos ndoshta mendon se atë ditë do të ketë ryshfete! Apo, do të të flas gjuha! Ndërsa gjuha mezi pret atë ditë, që kundër teje të dëshmojë! Jo, edhe sikur në krahët tu të vendoseshin qiejt e toka, e çka në to, nuk do të të vlente asnjë fije fare, që ndaj teje të ndërmjetësojnë!

 

Assesi! Sepse ti ende nuk je i vetëdijshëm se nuk je krijuar kot më kot. Sa të mençur e mendon veten, e atë ditë sa naiv do të të duket vetja. Jo, atë ditë aq shumë do ta urresh këtë vetvete, saqë pluhur e asgjë do të dëshiroje të bëheshe!

 

O shpirt prej Zotit i frymuar! Ende në tokë të Sundimtarit je! Je i gjallë në tokë! E kur pra, ti asaj gjuhe do t'ia japësh të drejtën të lëvizë natyrshëm e të thotë të vërtetën, para se njëmend të paaftësohet të flas! E kur ti zemrës sate do t'ia japësh të drejtën të mos përkujtojë askënd e asgjë, përveç Krijuesit të saj, Allahun e Madhëruar, para se të shkëputet e kundër teje të dëshmojë! Deri kur ti me ato dy këmbë, që t'u krijuan për të ecë në tokë, e me ato dy duar për t'u shërbyer, do të orientohesh kah janë thirrur nga Krijuesi të frymojnë, para se të ndahen e ndaj teje dënuese të jenë!

 

Kurrsesi! Ti edhe në këtë jetë vetveten je duke e dënuar! Ti në krijimin tënd nuk mendon. Ty gjithçka lojë e dëfrim të duket! E derisa pra të vijë çasti, kur ai çast afrohet, të pamirit mprehen, e të dëgjuarit hapen, e të ndijuarit zgjerohen, e zemra sheh atë që kurrë nuk ka parë!

 

Ku po ikë! Prej Zotit tënd po shurdhohesh, e po verbohesh, ndërsa Ai është Gjithëpërfshirësi! Po shmangesh, e pa kurrfarë dyshimi vetvetja jote Atij do t'i kthehet! Ai është Sundimtari! Por, i shkëputur pjesë-pjesë, i pavullnet, i pashpresë, i dëshpëruar, i harruar, i hutuar.

 

Çfarë të shtyri Zotin tënd bujar ta kundërshtosh! Çfarë të bëri ndaj Zotit tënd falënderues të mos jesh! Po çfarë të bën sot për Zotin tënd, Krijues, të Gjithëpushtetshëm, Jetëdhënës e Jetëmarrës, të Mëshirshëm, e ndaj Këtij Zoti të Butë e të Dashur të mos jetosh!!!

Të dha gjithçka, e ti gjithçka mohon. Të dha jetë, e ti dëshiron vdekje. Vdekje të zemrës e të shpirtit ndaj Atij që është i Gjallë e i Pavdekshëm!

E pra, dije!, se kthimi yt, të pëlqeu apo s'të pëlqeu, te Sundimtari ka për të qenë!

 

Mpreh të pamirit, hapi të dëgjuarit, zemrën shkëpute prej idhujtarisë e kotësisë, para se t'u vijë çasti!

Çasti i pavullnetit tënd! Çasti i paaftësisë! Kur gjithçka të merret. Sot i ke të gjitha, përgjegjësi imja është të ta përkujtoj!

 

O Allah! O Sundimtar i Ditës së Gjykimit! Ne jemi të dobët, e Ti je i Fuqishëm, ne jemi të varfër, e Ti je i Pasur e Sovran, na ruaj nga sprovat e Kohës së Fundit, na mbroj nga cytjet e cytësve të çasteve të fundit të Kijametit! Amin!

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 449607 visitors (1412767 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free