Aspekti psikologjik i namazit

Aspekti psikologjik i namazit

 

 

 

Prim.dr.med.sc.Ali F. Iljazi

 

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë: "Ti lexo atë që të shpallet nga Libri (Kurani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat..." (1) 

Të gjitha lëvizjet e jashtme gjatë faljes së namazit janë jo komplete për besimtarin, nëse vet forma e namazit nuk kompletohet me qëllimin që besimtari dëshiron të arrijë, e ky është përjetimi shpirtëror i prezencës së Allahut të Madhërishëm.

Kjo gjendje e lartësuar e besimtarit përjetohet vetëm në momentin e vetëdijes sonë që dëshirojmë para Krijuesit tonë. Mu kjo fuqi shpirtërore e namazit i ndihmon besimtarit në qetësimin e tundimeve dhe presioneve të jetës.

Lënia e namazit e kthen njeriun nga "forma më e bukur" (ah'senut-takvim) në "nivelin më të ulët"(esfelus-safilin).

Vetëm nëpërmes namazit shpirtrat përkujtojnë besën e paralashtësisë (kontratës në mes Zotit dhe njeriut) që ia dhanë Krijuesit të vet, para se të krijohej bota. Vetëm nëpërmes namazit njeriu kthehet në natyrën e tij, në gjendjen e lashtësisë (fitretullah, e kjo është gjendje e vetëdijes së Krijuesit të vet).

 

Abdesi

Abdesi është kusht themelor i njeriut në takimin me Allahun e Madhërishëm. Fjala arabe vudu' e cila përdoret në kuptimin e abdesit, konoton edhe kuptimin e pastërtisë, bukurisë dhe shkëlqesisë. Pra, vetëm me këtë mënyrë besimtari mund të hyjë në komunikim të jashtëzakonshëm me Krijuesin e tij. Ndërsa rezultat i këtij komunikimi nuk është asgjë tjetër përveç bukurisë dhe pastërtisë së shpirtrave tanë.

Takimi i besimtarit me Allahun e Madhërishëm është i përafërt. Ai nënkupton pastërtinë e trupit dhe shpirtit. Parakusht për pastërtinë e brendshme që e arrijmë në namaz është pastërtia e jashtme që besimtari e arrin me abdes. Abdesi është gjendje e përgatitjes së besimtarit që ta pranoj dhe kuptoj dhuratën e Zotit e dedikuar vetëm për njeriun. Ja, pse besimtari e merr Kuranin në dorë me abdes.

Pejgamberi, s.a.v.s ka thënë që ummeti i tij do të thirren me emër të parët e shndërrimshëm (gurren muhaxhxhelin) për shkak të gjurmëve të abdesit, andaj abdesi është armë e besimtarit dhe pjesë e besimit.

Vërseti kuranor: "Ngjyrosje e Allahut, e kush ngjyros më mirë se Allahu. Ne vetëm Atë e adhurojmë." (2)

Sipas disa komentuesve ka kuptimin që Allahu i Madhërishëm i ka dhuruar pastrim që i është veçuar vetëm për njeriun. Fjala "sibgah" në versetin e cituar ka kuptimin ngjyrosje, pastrim. Pra, Krijuesi ynë, na ka pastruar me një shenjë të veçantë të pastërtisë (sibgatullah) e kjo është pastërtia më e bukur me të cilën kemi ardhur në këtë botë. Abdesi është mundësi dhe gjendje e shkëlqesisë së besimtarit në këtë botë për të arritur kuptimin e pastërtisë metahistorike të njeriut.

Abdesi ka në vete një simbolikë të thellë. Shumë versete e orientojnë vëmendjen tonë në shiun i cili zbrit si bekim Hyjnor mu sikur që ka zbritur Shpallja (për këtë arsye në traditën tonë islame është gabim të thuhet "po bie shiu" sepse bereqeti "zbret" e nuk "bie"). Shpallja dhe shiu janë "tenzil", zbritur, dërguar poshtë, edhe uji edhe Shpallja janë të paraqitura si Mëshirë Hyjnore që i mundësojnë dhe i ofrojnë njeriut jetë, gjallërim. Uji si mëshirë ka veprim serioz edhe në shpirtin e njeriut përveç që pastron trupin. Të gjithë e kemi përjetuar fuqinë trupore e shpirtërore pas larjes kur jemi të molisur nga puna. Mos të harrojmë se Ejjubit a.s. i ishte urdhëruar që të pastrohet me ujë që gurgullon nën këmbët e tij për tu shëruar nga sëmundja e rëndë që e kishte kapluar vite me radhë.

 

Dobitë e namazit në kohën e sotit

Një prej emrave të Allahut të Madhërishëm është edhe RABB. Përveç kuptimin Zot, ka edhe "Edukues" , dhe nga kjo rrjedhë fjala "terbije" të cilën e njohim nëpërmes sintagmës, "terbijetun-nefs" -edukim i egos. Allahu si edukues shërbehet me mënyrën e edukimit direkt dhe indirekt me ne, duke na treguar në një qëllim të edukimit të myslimanëve. Qëllimi direkt i komunikimit të Tij, janë fjalët e Tij: ".fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat." (3)

Mjeti me të cilin Allahu i Madhërishëm dëshiron të na tregoj për të na larguar nga të këqijat, dhe e neveritura është namazi. Duke falë namazin myslimani orientohet kah jeta pa vese të këqija dhe të neveritura. Ky është shembull i komunikimit direkt dhe i qëllimit të namazit.

Mënyra indirekte e komunikimit të qëllimit të namazit është në vërsetin kur'anor: ".namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët." (4)

Pra, përveç karakterit edukues të namazit paraqitet edhe komponenti plotësues si mjet ndihmës me të cilin Allahu i Madhërishëm, besimtarëve ju tregon rrugën deri te caku. E kjo është lidhja e namazit me "kohë të caktuar". Pra, namazi është shtyllë e islamit e përcaktuar me kohë. Katër prej kushteve të islamit (përveç shahadetit) janë të lidhura me kohë. Agjërimi është obligim në ramazan, zekati me nisab, haxhi në muajin dhul-hixhe.

Duke ju tërhequr vërejtjen myslimanëve për kohën si edukues të tyre, Allahu i Madhërishëm shërbehet me lidhjen e riteve qendrore islame me kohë dhe me atë lidhë varshmërinë dhe vlefshmërinë e këtyre obligimeve.

Ai i cili falë namazin e sabahut në kohën e akshamit, namazi nuk është i drejtë. Apo nëse dikush agjëron muharremin në vend të ramazanit ka bërë mëkat, apo nëse dikush shkon në haxh në muajin e ramazanit nuk mund të ketë dobi. Nëse krahasojmë jetën e një myslimani mesatar dhe marrëdhënien e tij me kohën do të shohim një dallim të madh. Edhe pse namazin që falim, zekatin që japim, ramazanin që agjërojmë, Qabenë që e vizitojmë, do të duheshin të ndikojnë në kuptimin tone të kohës, si komponentë me të cilën është përcaktuar jeta jonë, vërehet tejet qartë se myslimanët sot janë më të pasaktë në marrëdhëniet me kohën. Me një fjalë, kohët e ibadetit nuk kanë komponentin e edukimit në jetën tonë, jo vetëm që nuk na largojnë nga "të shëmtuarat" dhe "të irrituarat", por nuk kemi arritur të kuptojmë marrëdhënien reale ndaj kohës. Shkakun për këtë duhet kërkuar në faktin që ibadetet (e namazi në radhë të pare) i kryejmë mekanikisht, pa menduar. Në finesa kemi mësuar mekanikën e namazit, e se në çfarë duhet të ndikoj namazi tek ne, këtë nuk e kemi arritur, e as që mendojmë shumë për këtë.

Njerëzit dëshirat e tyre i orientojnë kah gjërat që ju mungojnë. Vlerën e shëndetit njeriu fillon ta çmoj vetëm kur të sëmuret, vlerën e pasurisë kur varfërohet, vlerën e syrit kur verbohet etj. Nuk ka bela (fatkeqësi) më të madhe që do t'i gjejë njerëzit se pyetja para Allahut të Madhërishëm në Ditën e Gjykimit

"Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjini, dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, por ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër." (5)

Dhe cila është ajo gjë që njeriu do ta lusë Allahun në këtë situate, kur Allahu i Madhërishëm vendos që ndonjëri prej nesh (na ruajt Allahu nga ky përfundim) të përfundon në zjarr? Kjo është KOHA!

Allahu në Kuran tërheqë vërejtjen: "Apo, kur ta shoh dënimin të thotë: 'Sikur të isha kthyer edhe njëherë e të isha bërë prej atyre bamirësve!'" (6)

Me fjalë tjera, në këtë moment njeriu lutet për kohë-amanet të cilin sot e ka me bollëk. Nuk e di çfarë të ka përcaktuar Allahu i Madhërishëm dhe kur do të mbaroj nafaka, andaj shfrytëzoje në atë që Allahu është i kënaqur. Mos e kalo në gjëra që nuk ke dobi.

Në hadithin më të saktë që transmeton Buhariu dhe Muslimi, Muhammedi, a.s. thotë që namazi i besimtarit me xhemat është më i mirë se namazi individual, 27 herë. Gjegjësisht, nëse harxhon dhjetë minuta për falje të namazit me xhemat, kjo është sikur me u falë 270 minuta (4,5 orë) vetëm. A nuk është kjo një optimizim i kohës, për të cilën sot flasin arsimtarët në shkolla, shefat në punë, etj.

Pejgamberi, s.a.v.s. na edukon që si nëpërmes namazit ta pasurojmë kohën tonë, kështu nga një minutë e jetës sonë t'i bëjmë 27 minuta-që në këtë mënyrë kthehemi të karakteri edukues i namazit.

Imam Ibnul-Kajjim në një vepër të tij , pyetjes se cila vepër është më e vlefshme i përgjigjet se kjo varet nga koha në të cilën njeriu gjendet. Nëse dominon uria (varfëria) vepra më e mirë ( koha e shpenzuar më mirë) është të ushqej të uriturin.

Jetojmë në kohën për të cilën i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë që do të vij koha kur "as më të diturit tuaj nuk mund të gjinden", dhe çdo përgjigje konkrete në pyetjen: "në çfarë me e depozituar kohën sot?" në rend të parë kërkon analizë të thuktë të situatës në të cilën gjinden myslimanët sot. Mungesa e sistemit në jetën e myslimanëve (i cili do të pengohej sikur ta mësonin leksionin për namazin, që e praktikojmë pesë here në ditë) sjellë deri te kaosi të cilin në pjesë të madhe ne e kemi shkaktuar. Në këtë proces duhet pasur ndërmend që dekadenca e myslimanëve nuk është proces i cili ka filluar dje, por i vjetër disa shekuj. Për këtë edhe është iluzion të besohet që zgjidhja e problemit mund të ndodhë gjatë natës. Por mund të bëjmë hapin e parë dhe që punën tonë mos ta lidhim me rezultate.

Për këtë secili prej nesh të analizoj vetën dhe situatën në të cilën gjendet. Lidhur me kuptimin e realitetit, do të vijmë deri te konkludimet e ndryshme në çfarë duhet shfrytëzuar kohën. Por rëndësia e posedimit të "frymës së gjatë" në këtë rrugë detyrimisht dhe pandërprerë duhet potencuar.

Në pyetjen drejtuar Aishës dhe Ummu Selemës: "Cila ka qenë vepra më e dashurePejgamberit, s.a.v.s.? kanë thënë: 'Vepër e vogël por e vazhdueshme'"

Njerëzit që humbasin çdo mundim për namaz për shkak të pasimit të epsheve të tyre, do të përjetojnë dështim të plotë në këtë botë. Në Kuranin fisnik thuhet: "E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore) e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (në Goja)." (7)

Duke pare të kqijat e sotit që e rrethojnë njeriun në botën e diturive moderne, jeta shpirtërore e njeriut është e vetmja shpresë dhe shpëtim në këtë shthurje të përditshmërisë në mes qëllimeve që ofron kjo kohë dhe mundësive reale të njeriut. Ndërsa jeta shpirtërore në islam është e bazuar në fuqinë shpirtërore në namaz. Dobitë e namazit janë të shumta në vërdallat e kohës së sotme.

Profesor Nasr në veprat e tij ka shënuar një mendim lucid. Kështu ai vëren për problemet që shkakton njeriu modern duke harruar dimensionin transcendent të jetës. Burgosja e qenies së tij në kafazin e botës materiale dhe kufizimin e horizontit të tij në aspektin e pastër trupor, mund ta zgjidhë vetëm me njohjen se njeriu është i pavdekshëm ndërsa inteligjenca e tij është krijuar për të arritur te Gjithëkrijuesi Absolut.

Për të kuptuar realisht mendimet e cekura mund të na ndihmojnë klithmat e zëshme, si dhe pyetjet-çfarë sot mund të kënaq shpirtin tonë në këtë botë, të formave, dhe çfarë mund të plotësoj boshllëkun? Namazi, pa dyshim i ndihmon njeriut të lirohet nga burgu i ekzistencës materiale, duke u kthyer në lashtësinë e tij.

Nëse njeriu dëshiron përsosmëri shpirtërore duhet të hyjë në formën e cila shprehë gjendjen e tij shpirtërore. Në këtë botë të formave pa shpirtëroren njeriu është pa kokë. Mjerisht sot njeriu në botën moderne nuk pushton natyrën me diturin e tij por humbë vetën dhe botën e tij të vetme autentike. Njeriu sot gjithnjë e më shumë ndihet i vetmuar, i humbur pa shpirt dhe kuptim, i mbushur me shpresa dhe iluzione të rrejshme. Mund të themi se njeriu sot më së shumti vuan nga mungesa e shpirtërores. Për këtë profesor Nasr thotë se njeriu duhet të jetë përherë në namaz sepse në këtë mënyrë vendos harmoninë në mes njeriut dhe tokës. Në realitet, njeriun e sotëm të depersonalizuar, namazi ia kthen integritetin që ia ka shkatërruar kultura moderne. Namazi e përmbledhë njeriun në bindje kozmike ndaj Allahut të Madhërishëm. Kështu Kurani fisnik thotë: ".gjithçka i është nënshtruar Atij." (8) "Të gjithë e dinë dhe janë të udhëzuar për lutje ndaj Tij dhe për madhërimin ndaj Tij." (9)

Nëse Dielli me lindjen dhe perëndimin e tij i nënshtrohen Krijuesit të vet, edhe secili njeri në nivelin biologjik i nënshtrohet Krijuesit, p.sh. me lindjen dhe vdekjen e tij, në çdo frymëmarrje të tij. Andaj, është e natyrshme që njeriu me vetëdije t'i nënshtrohet Krijuesit të tij në jetën e vet. Nuk është e natyrshme që të mos i nënshtrohet, sikur që nuk është e natyrshme që njeriu të mbyllë gojën dhe hundën të mos marrë frymë.

Namazi mbron njeriun në këtë botë të dukshme nga të gjitha adhurimet që nuk janë Transcendentale. Allahu xh.sh. ka mbjellë në zemrën e secilës qenie njerëzore mallëngjimin për Transcendencë. Për këtë ai që falë namazin i bënë sexhde vetëm Allahut të dashur.

Natyrisht njeriu në dynja është i përfshirë në mes dashurisë së Allahut dhe ndaj kësaj bote. Pra njeriu ballafaqohet me luftë të brendshme. Ai ka zgjedhjen në mes lirisë apo humbjes së vetvetes. Duke liruar shpirtin e tij nga barra e kësaj bote, musal-liu liron vetveten.

Në Kuranin fisnik përmendet shpirti me inspirim të dyfishtë, për të keqën dhe ndjenjën e afërsisë me Zotin: "Pasha njeriun dhe Atë që krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij." (10)

Dynjaja thërret shpirtin të pasoj epshet. Shpirti i namazliut thërret njeriun në mirësi. Andaj namazi na ndihmon të hyjmë në një botë reale krejt tjetër, e cila përbëhet nga tre nivele:

1. niveli i përkujtimit (në namaz duke përmend Allahun ne përkujtojmë pozitën tonë reale në këtë botë).

2. niveli me udhëheqjen e kohës (namazi kryhet në kohë të përcaktuar saktë)

3. aspekti shoqëror dhe individual i cili arrihet me namaz (me namaz arrijmë jo vetëm dobi individuale të theksuar më parë, por me namazin e përbashkët ne mësohemi me jetë shoqërore).

Për këtë arsye, në ditët e sodit me qenë namazli d.m.th. me qenë me Zotin e dashur, me shfrytëzuar në mënyrë të drejtë kohën që është në dispozicion, me e kontrolluar dashurinë ndaj pasurisë, me i zhvilluar ndjenjat e dashurisë ndaj të tjerëve. Në këtë dritë na zbulohet edhe kuptimi i vërsetit kur'anor: "Ti lexo atë që po të shpallet nga Libri (Kurani), fal namazin, vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve). Allahu e di ç'punoni ju." (11)

Përkujtimi në namaz është shprehja më e lartë e bindjes dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit tonë.

Namazi ka edhe fshehtësitë e tija të cilat i arrijnë vetëm besimtarët e sinqertë. Qëndrimi në këmbë (kijam), përulja (ruku') dhe sexhdeja janë pjesë përbërëse të namazit por edhe ibadete në vete. Këto kanë kontinuitetin që nga Ademi a.s. e deri te Muhammedi a.s. Shejtani është vazhdimisht në pritë që ta largojë njeriun nga sexhdeja dhe nga namazi, i nxitur nga zilia që namzliu do të bisedoj me Allahun e Madhërishëm. Për këtë arsye njerëzve ju tërhiqet vërejtja që të kërkojnë shpëtim në sexhde: "O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhuroni. Bëni punë të mira (të dobishme) se do të gjeni shpëtim." (12) "Po ti madhëroje me falënderim Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke falur). Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)." (13)

Siç thotë Pejgamberi, s.a.v.s. namazi është miraxh i besimtarit, ngritje unikale shpirtërore e njeriut në këtë botë. Me namaz njeriu anon kah njohja e vetvetes, ndërsa pa namaz bie në greminat e kurtheve të dynjasë. Rrugë tjetër nuk ka, ngritje apo rënie. Është vështirë që me dituri e me fjalë të paraqitën fshehtësitë e namazit. Përvoja e secilit namzli është e veçantë dhe vetëm e tij.

Mesazhi i Kuranit fisnik është preciz dhe i saktë për secilin individ: "Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet". (14)

 

 

.
(1) El Ankebutë, 45
(2) El Bekare, 138

(3) El Ankebutë, 45
(4) En Nisaë, 103

(5) El Haxhxh, 2
(6) Ez Zumer, 58

(7) Merjem, 59
(8) El Bekare, 116

(9) En Nurë, 41
(10) Esh Shems, 7-8

(11) El Ankebutë, 45
(12) El Haxhxh, 77

(13) El Hixhr, 98-99
(14) E'A'ëla, 14-15

 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 449610 visitors (1412785 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free