Zoti ynë

Zoti ynë
 
Nëse do të shfletojmë sadopak literaturë islame, do të shohim se Islami nuk ka lënë aspekt të jetës së njeriut pa ia shpjeguar qoftë dhe në detajet më të imta, me qëllim që njeriu të veprojë më të mirën, e s’ka dyshim se më e mira është ajo që vetë Zoti e cilëson të tillë. Pasi e pamë një gjë të tillë, atëherë dalim në përfundimin se është e pamundur që Islami të ketë lënë pa përmendur gjërat bazë të fesë, siç është njohja e Zotit me argumente bindëse dhe të sqaruara mirë. Do të ishte jo normale që besimi në Zotin, ashtu siç është Ai në realitet, të pranohej si tabu dhe pa u kuptuar, qoftë dhe nga njeriu më i thjeshtë. Kjo gjë nuk ndodh në Islam. Islami është larg përshkrimeve imagjinare, sigurisht jo të sakta mbi Krijuesin e gjithësisë të cilin nuk ka sy që mund ta shohë në këtë botë, rrjedhimisht çdo përshkrim nga njerëzit është i kotë. Më poshtë do të shohim se si Islami ka vendosur rregulla fikse për njohjen e Atij që njerëzit ia kushtojnë adhurimin për të parë se a ia vlen ta adhurosh një Zot të tillë apo jo.

I Dërguari i Allahut, Muhamedi, alejhi selam ka thënë: “Allahu i Madhëruar ka nëntëdhjetë e nëntë emra të bukur, kush i lexon ata (i mëson, i kupton dhe vepron sipas kuptimeve të tyre) hyn në xhenet.”

Abdullah Ibn Mesudi transmeton një hadith ku i Dërguari i Allahut na shfaq shkallën e përgjërimit që duhet të ketë robi me Zotin e Tij:

“Nuk ka ndonjë rob, që kur e godet ndonjë mërzitje apo brengë dhe thotë: “O Allah! Unë jam robi Yt, bir i robit dhe i robëreshës Sate, balli im është në Dorën Tënde, tek unë zbatohet gjykimi Yt, i drejtë mbi mua është caktimi Yt. Të lutem me çdo emër Tëndin, me të cilin e ke quajtur Veten ose e ke zbritur në librin Tënd, ose ia ke mësuar ndokujt nga krijesave të Tua, ose që e ke ruajtur në Dijen Tënde të fshehtë, atje tek Ti, që ta bësh Kuranin pranverë të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, largimin e mërzitjes sime, largimin e brengosjes dhe të trishtimit tim”, e të mos ia largojë Allahu mërzitjen dhe brengosjen duke ia zëvendësuar atë me gëzim.”  I thanë: “O i Dërguari i Allahut! Po sikur t’i mësojmë këto fjalë?” Ai tha: “Posi jo, duhet që ai që i dëgjon, t’i mësojë ato!” Hadithi përcillet në “Musned” dhe në Sahihun e Ebi Hatemit.

Ja disa nga emrat dhe cilësitë e Allahut të vërtetuara nga Kurani dhe tradita profetike:

1. Rab:  Allahu është Sunduesi, të Cilit në sundimin e Vet nuk i krahasohet askush. Ai vepron çdo gjë që dëshiron dhe është Rregulluesi i çdo gjëje në gjithësi.

2. Dhul Xhelal: Ai është i cilësuar me të gjitha cilësitë e plota dhe që nuk kanë mangësi.

3. El Kebijr:  Ka madhështinë absolute si Krenar dhe vetëm Atij i takon kjo cilësi.

4. El Khalik:   Përcaktuesi i ndodhjes së gjithçkaje.

5. El Barriu:  Krijuesi që krijon ekzistencën nga asgjëja.

6. El Musairu: Krijues i gjërave me veçori dalluese të shumllojshme, e çdo dy prej tyre jo njëlloj.

7. El Euelu:  Ai është i Pari para të Cilit nuk ka gjë, i Pari pa fillim.

8. El Ahiru:  Ai pas të Cilit nuk ka gjë, i Fundit pa mbarim.

9. Edh Dhahiru:  Ai, Lartësia e të Cilit është mbi çdo gjë.

10. El Batinu: Dija e Tij përfshin çdo gjë, duke qenë më afër krijesave se ata vetë në çdo gjë.

11. El Ehadu:  I Vetëm në të gjitha pikëpamjet, s`ka të barabartë, s`ka të përngjarë ose shëmbëlltyrë dhe as ortak.

12. El Kadiru:  I Plotfuqishëm, nuk ka gjë që nuk mund ta bëjë, e nëse dëshiron të bëjë diçka, i thotë asaj “Bëhu!”  dhe ajo në moment bëhet.

13. Es Samed:   Ai të Cilit çdo krijesë i drejtohet për ndihmë dhe i përgjigjet lutjes së besimtarit. Ai nuk është i lindur dhe as nuk lind.

14. El Berru:  Është i Butë, i Mëshirshëm ndaj krijesave të Veta.

15. El Kerijm:  Bujar dhe i Drejtë në premtim.

16. El Muhejminu:  Mbikëqyrësi mbi robërit e Tij dhe Dëshmitari për punët e tyre.

Njohja e Zotit arrihet me njohjen e rregullave të emrave dhe cilësive të Tij, të cilat dijetarët e mëparshëm muslimanë i kanë paraqitur në formën e mëposhtme.

I. Bazat e besimit  në emrat dhe cilësitë e Allahut:

a) Pohimi i gjithçkaje që Allahu ia ka vërtetuar Vetvetes, dhe i gjithçkaje që i Dërguari, alejhi selam, ia ka vërtetuar Atij. Pa shëmbëllim e pa përshkrim. 

b) Mohimi i gjithçkaje që Allahu ia ka mohuar Vetvetes dhe i gjithçkaje i Dërguari, alejhi selam, ia ka mohuar Atij  pa ndryshimin e kuptimit real dhe pa ua zhvlerësuar kuptimin. Siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: "Asnjë nuk është i ngjashëm me Të dhe ai është Dëgjuesi, Shikuesi." ( Shura, 11) 

   Duke ua besuar domethënien origjinale termave bashkë me kuptimin e tyre.

Ky ajet është i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës, e mohon ngjashmërinë dhe  i pohon cilësitë.

Allahu i Madhëruar ka shumë emra dhe cilësi, disa janë të njohura për ne e disa jo. E kemi detyrë t'i besojmë këto emra dhe cilësi të argumentuara me argumente të sakta, pa shtuar e as pakësuar nga logjika jonë.

Pohimi i emrave dhe i cilësive Allahut të bëhet me dy kushte:

a) Pa temthil  (shembëllim, njëllojshmëri ), pra pa thënë se cilësitë e Allahut janë si  ato të krijesave. P.sh. të themi se shikimi i Allahut është si shikimi ynë etj.

b) Pa tekjif ( përshkrim ) pa thënë “është kështu apo ashtu”, “në këtë mënyrë apo atë mënyrë”, duke e futur logjikën tonë.

Mohimi i emrave dhe  i cilësive Allahut të bëhet me dy kushte:

a) Pa tahrif  (devijimin e kuptimit real), p.sh. pa thënë se Dora e Allahut nënkupton fuqi.

b). Pa ta’ëtil  (të besosh termin, por t’i mohosh, zhvlerësosh domethënien), p.sh. pa thënë “Shikues pa shikim”, “Dëgjues pa dëgjim”.

II. Shëmbëllimi dhe zhvlerësimi i domethënies së emrave të Allahut dhe cilësive të Tij është kufër, ndërsa devijimi nga kuptimi real, të cilin bidatçinjtë e quajnë teuiil (shpjegim), mund të jetë:

a) kufër, si shpjegimi i batinijëve të cilët thonë se e dukshmja ka dhe të padukshmen, e këtë të fundit e shpjegojnë si të duan.

b). bidat, humbje, si shpjegimi i mutezilëve të cilët thonë se me fjalën Dorë nënkuptohet Fuqia.

c). gabim, si shpjegimi i disa muslimanëve që i bëjnë hadithit për kohën, duke e marrë atë si emër të Allahut, kur dihet se qëllimi është se Allahu është Ai që e kontrollon kohën.

III. Besimi në uihdetil uxhud (se çdo gjë është Zot, Allah); në hulul, se Allahu I Lartësuar është i shkrirë në ndonjë prej krijesave të Tij, apo se Ai është njësh me to (krijesat). Të gjitha këto besime janë kufër që të nxjerrin nga feja. Ky është besimi panteist, sipas të cilit Allahu qenien e Tij e ka të shpërndarë nëpër krijesat e Tij, duke thënë se në çdo send është një pjesë e Allahut të Madhëruar, ose se një send i caktuar është vetë Allahu.

1. Emrat dhe cilësitë e Allahut i vërtetojmë apo i mohojmë vetëm me argument nga Kurani dhe tradita e saktë profetike.

2. Çdo emër tregon cilësi, p.sh. emri “Shikues” tregon se sheh, d.m.th cilësitë e të parit, por jo çdo cilësi është emër.

3. Çdo cilësi ka domethënien e vërtetë, e cila lidhet me madhështinë e Allahut. Kjo domethënie e vërtetë kuptohet nga kuptimi i parë i fjalës.

Si duhet të ndikojë besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut të treguara më sipër në jetën e një besimtari?

Njohja e Atij që ti adhuron është faktori kryesor në shtimin e bindjes ndaj Tij, në shmangien e veprimeve të ndaluara si dhe në përfitimin e mirësive që vijnë nga ky adhurim.

Le të marrim disa shembuj:

Nëse njeriu beson dhe është i bindur se Zoti i tij është EL BASIRU, Shikuesi, Vëzhguesi, atëherë ai do t’u shmanget në maksimum veprimeve të ndaluara se e di që Zoti i tij e shikon çdo gjë që vepron njeriu.

Nëse njeriu e di dhe është i bindur që Zoti i tij është  ES SEMIU, Dëgjuesi i gjithçkaje, patjetër do t’u shmanget fjalëve të ndaluara se është i bindur se Zoti i tij Dëgjues e dëgjon.

Nëse njeriu e di që Zoti i tij është ERR RREZAKU, Furnizuesi i pamasë, atëherë nuk ka pse t’i mërzitet jeta për varfërinë e momentit që e ka kapluar e ta kërkojë rrizkun në forma të ndaluara apo duke kërkuar mbarësi nga njerëzit mashtrues, e aq më tepër për të ndërmarrë veprime ekstreme si vetvrasje për shkak të borxheve a diçkaje tjetër. Ai është i sigurtë se Zoti i tij është në gjendje ta ndihmojë dhe ta furnizojë, mjafton që ai të jetë në rregull me Të e në mos sot nesër, ajo që është caktuar për të do t’i vijë patjetër.

Nëse njeriu e di se Zoti i tij është  EL MUIDI, Rikrijuesi nuk e thyen urdhërin e Tij se e di se Zoti i tij do ta ringjallë atë përsëri. E po kështu e di që Zoti i tij EL HASIBU, Llogarimarrësi  prandaj i ruhet ditës që do të qëndrojë para Tij për të dhënë llogari për çdo gjë ka vepruar.

Nëse njeriu e di se Zoti i tij është EL HAJUL KAJUMU, i Gjalli dhe i Përjetshmi, nuk ka pse t’u mbështetet krijesa që janë sot e nuk janë nesër, por i mbështetet Atij që është i Përjetshëm dhe ka mundësi absolute për ta ndihmuar vazhdimisht.

Nëse njeriu e di se Zoti i tij është EL KHALIKU, Krijuesi i çdo gjëje dhe sunduesi i Vetëm në gjithësi, nuk ka pse ia kushton dikujt tjetër adhurimin e tij, sepse ai i takon vetën atij që të ka krijuar e të ka përsosur.

Po të vazhdonim me një logjikë të tillë do t’i përfshinim të gjitha emrat dhe cilësitë e Allahut për të cilat me të drejtë i Dërguari, alejhi selam, ka thënë : “Allahu i Madhëruar ka nëntëdhjetë e nëntë emra të bukur, kush i lexon ato (i mëson, i kupton dhe vepron sipas kuptimeve të tyre) hyn në xhenet.”

Nga kjo që u tha më sipër kuptojmë se teuhidi (njësimi i Allahut) me të tri llojet e tij është dituria më praktike që kërkon nga muslimani që i beson ato të veprojë në përputhje me to se kjo është në të mirën e tij në këtë botë e në botën tjetër.

 

Përgatiti: Erion Sula

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 290803 visitors (1107090 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=