El Adhim – El Kebir (Madhështori, i Madhi)

El Adhim – El Kebir (Madhështori, i Madhi)
 
 
 
Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është i Larti, Madhështori.” (Bekare, 255). Gjithashtu thotë: “Ky (dënimi) është pse kur bëhet thirrja për të besuar Allahun Një, ju e mohuat, e nëse i përshkruhej shok Atij, ju besuat, pra i tërë sundimi është në duart e Allahut, të lartit, të madhëruarit!” (Gafir, 12)
Allahu është Madhështori, i Cili përmbledh në vete cilësitë e madhështisë, cilësitë e lavdërimit, nderimit, bukurisë. Atij i përket çdo atribut dhe domethënie që tregon madhështi, ndaj krijesat nuk mund ta lavdërojnë Atë siç meriton Ai, por Ai është ashtu siç e lavdëron Veten.
Domethëniet e madhështisë për Allahun e Lartësuar janë dy llojesh:
1. Madhështia e Qenies dhe e cilësive. Ai është i cilësuar me çdo cilësi të përsosur. E nga kjo përsosmëri Atij i takon më e përsosura, më madhështorja. Atij i përket dituria përfshirëse, fuqia e madhështia. E nga madhështia e Tij qiejt dhe toka janë në dorën e të Gjithëmëshirshmit dhe ato janë të vogla, siç ka thënë ibn Abbasi dhe të tjerë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në Ditën e Kiametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij.” (Zumer, 67). Gjithashtu thotë: “Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken, e nëse zhduken, s'ka askush pos Tij që mund t'i mbajë; Ai është që nuk ngutet, është që fal.” (Fatir, 41)
Ndërsa në hadithin sahih të transmetuar nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, Allahu i Lartësuar thotë: “Krenaria është mbështjellësja ime (rida-pjesa e lartme e ihramit), ndërsa madhështia është petku im (izar-pjesa e poshtme e ihramit). Pra, kush dëshiron të matet me Mua në këto dy gjëra, Unë do ta hedh në zjarr!”
Ndaj, krenaria dhe madhështia janë për Allahun. Janë atribute të cilat thelbin dhe esencën nuk arrin t’i kuptojë kush pos Allahut të Lartësuar.

2. Lloji i dytë: Prej domethënieve të madhështisë së Allahut të Lartësuar është madhështia e nderit në shpirtrat e robërve të Vet. Askush nga krijesat nuk meriton të madhërohet siç madhërohet Allahu i Lartësuar. AI meriton të madhërohet nga krijesat në zemrat e tyre dhe me gjuhët e tyre, me organet e trupit të tyre, duke u përpjekur për njohjen dhe dashurinë e Tij, për t’iu përulur Atij, për t’iu nënshtruar madhështisë së Tij, për të pasur frikë ndaj Tij, për të shprehur falënderim ndaj Tij përmes gjuhës, për ta adhuruar Atë. Prej madhërimit të Tij është edhe të kihet frikë Ai me një frikë të vërtetë, të respektohet e të mos t’i bëhen mëkate, të përmendet e të mos harrohet, të falënderohet e të mos mohohet. Gjithashtu, nga madhërimi i Tij është edhe madhërimi i asaj që ka ndaluar dhe ligjësuar: “Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (Haxh, 32)
“Pra, kështu: Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet.” (Haxh, 30)
Prej madhërimit të Allahut është që të mos kundërshtohet diçka nga ajo që ka krijuar dhe ligjësuar.


El Ganij (I Pasuri)

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari.” (Fatir, 15)
Allahu është i Pasur me Qenien e Vet. Atij i përket pasuria e plotë nga të gjitha aspektet dhe këndvështrimet për shkak të Përsosmërisë së Tij dhe përsosmërisë së cilësive të Tij. Nuk i shfaqet ndonjë mangësi në asnjë aspekt dhe nuk mund të jetë vetëm se i Pasuri, ngase pasuria e Tij është nga domosdoshmëritë e Qenies së Vet, siç është Krijuesi, i Plotfuqishmi, Bamirësi, s’ka nevojë për askë.
Ai është i Pasuri në dorën e të Cilit janë depot e qiejve dhe të tokës, depot e kësaj dhe të botës tjetër, Pasuridhënësi i të gjitha krijesave dhe Pasuridhënësi i robërve të dashur të Tij nga ajo që ka trashëguar në zemrat e tyre.
Nga pasuria dhe bujaria e Tij e përsosur Ai i urdhëron robërit e Vet t’i bëjnë lutje (dua) dhe u premton atyre pranimin e lutjeve të tyre, plotësimin e dëshirave të tyre, u jep nga mirësitë e Veta atë që kërkojnë dhe atë që nuk kërkojnë.
Nga përsosmëria e pasurisë së Tij është edhe ajo se sikur të tuboheshin të gjitha krijesat, i pari dhe i fundit prej tyre në një vend të vetëm dhe t’i kërkojnë Atij, do t’i jepte secilit atë që i kërkoi duke mos iu pakësuar asgjë nga pasuria e Vet.
Gjithashtu nga mirësitë e Tij është edhe ajo çfarë u jep robërve të Vet nga begatitë dhe kënaqësitë e vazhdueshme, mirësi të pandërprera, atë çfarë syri nuk ka parë, veshi nuk ka dëgjuar dhe as që i ka shkuar ndokujt në mend.
Gjithashtu nga pasuria e Tij e përsosur është edhe ajo se Ai nuk ka ortak, as rival, as bij, as të afërm. Ai është i Pasuri me atributet dhe cilësitë e Veta. Ai është Pasuridhënësi i të gjitha krijesave.


El Afuv- El Gafur- El Gaffar (Mëkatfalësi, Falësi)

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu shlyen shumë të këqijat dhe fal mëkatet.” (Haxh, 60)
Gjithashtu thotë: “Pra, Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” (Zumer, 5)
El Afuv, El Gafur, El Gaffar, i Cili vazhdon të jetë i njohur me faljen e mëkateve të robërve të Vet. Secili është i detyruar dhe ka nevojë për faljen e Allahut të Lartësuar, për mëshirën e Tij dhe për bujarinë e Tij. Ai (Allahu) ka premtuar falje për atë që merr shkaqet. Ai thotë: “Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë.” (Taha, 82)
Allahu i Lartësuar vazhdon t’i falë mëkatet secilit që pendohet tek Ai. Në hadith qëndron: “O bir i Ademit, nëse vjen të më takosh me mëkate të mëdha sa toka dhe nëse vjen e më përulesh duke më njohur për të Vetëm, unë do të sjell ty falje po aq të madhe sa toka.”
Sa e gjerë është falja e Allahut të Lartësuar: “S'ka dyshim se Zoti yt është që gjerësisht përfshin me falje...” (Nexhm, 32)
Allahu ka hapur shkaqet për arritjen e faljes së mëkateve përmes pendimit, kërkimit të faljes (istigfarit), besimit (imanit), veprave të mira, bamirësisë ndaj robërve të Allahut, faljes së tyre, mendimit të mirë për Allahun e të ngjashme me këto vepra, të cilat Allahu i Lartësuar i ka bërë afruese tek Ai.


El Karib ( I Afërti)

Allahu i Lartësuar thotë: “S'ka dyshim, Zoti im është afër (me mëshirë), Ai u përgjigjet (lutjeve)!” (Hud, 61)
Ai (Allahu) është i afërt me këdo. Afërsia e Tij është dy llojesh:
1. Afërsi e përgjithshme: Afërsi me secilin me diturinë e Vet, me vigjilencën e Vet, me shikimin e Vet. Ai është më afër njeriut sesa damari (që rreh) i qafës së tij.
2. Afërsi e veçantë: Afërsi ndaj robërve të Vet, atyre që i luten Atij me lutje, atyre që u përgjigjet në lutjet e tyre. Kjo lloj afërsie rezulton në dashuri, ndihmë, ndihmë gjatë lëvizjeve dhe në qetësi, përgjigje lutjeve të lutësve, pranim dhe shpërblim. Kjo lloj afërsie është e përmendur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të.” (Alek, 19) Gjithashtu fjala e Allahut të Lartësuar: “S'ka dyshim, Zoti im është afër (me mëshirë), Ai u përgjigjet (lutjeve)!” (Hud, 61)
“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare, 186)
Kjo lloj afërsie rezulton në përgjigjen e lutjeve të lutësve dhe në realizimin e dëshirave të tyre. Pikërisht për këtë arsye me emrin El Karib (I Afërti) shoqërohet emri El Muxhib (Lutjepranuesi).
Kjo lloj afërsie është afërsi së cilës nuk i dihet realiteti, mirëpo gjurmët e saj shfaqen në butësinë e Allahut ndaj robërve, në kujdesin e Tij ndaj tyre dhe në të ndihmuarit e tyre. Gjithashtu nga gjurmët e saj është edhe përgjigjja ndaj thirrësve (lutësve) dhe shpërblimi i të devotshmëve.


Husejn Serraxh
30.11.2007

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451394 visitors (1419462 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free