Ndryshimi i njerëzve në teuhid

Ndryshimi i njerëzve në teuhid
 
 
 
Teuhidi është gjëja më e mirë, më e lartë, më e pastër, më e kulluar, prandaj gjëja më e vogël e ndot atë dhe lë shenjë në të. Ai është si ajo rroba e bardhë në të cilën një diçka e vogël lë gjurmë në të, apo si ajo femra e kulluar në të cilën gjithashtu lë gjurmë një diçka e vogël.

Dhe pikërisht për këtë atë e çrregullon, qoftë edhe një çast apo një fjalë, apo edhe një ndjenjë e fshehur. Kështu që poseduesi i tij duhet të ketë iniciativën që t’i çrrënjosë këto gjurmë, në të kundërt ato do të mbizotërojnë në të, do të stampohen në të, gjë që e vështirëson heqjen e tyre.

Këto gjurmë (njolla) dhe stampime që ndodhin në të, ka nga ato që formohen shpejt dhe zhduken po shpejt, ka nga ato që formohen shpejt dhe zhduken ngadalë, ka nga ato që formohen ngadalë dhe zhduken shpejt dhe ka nga ato që formohen ngadalë dhe zhduken po ashtu ngadalë.

Teuhidi dhe mëkatet
Por ka nga njerëzit që e kanë teuhidin madhështor, në të cilin zhyten shumë nga ato njolla[1]., por ai e ndryshon atë duke hedhur shumë ujë, me të cilin prek edhe njollën, edhe papastërtinë më të vogël. Nga ana tjetër një njeri që  nuk posedon një teuhid të tillë, ka zili për atë që bëri shoku i tij dhe përzien teuhidin e tij të dobët me atë çka e përzien shoku i tij teuhidin e tij të fortë, por në teuhidin e tij dallohen ato çka nuk dallohen në teuhidin e fortë.

Gjithashtu një vend shumë i pastër ia nxjerr në pah papastërtitë e tij pronarit të tij, aq sa nuk ia nxjerr në pah ato një vend, që nuk e arrin pastërtinë e të parit, pronarit të tij. Kështu që i pari arrin t’i heqë ato papastërti, ndërsa i dyti nuk i vë re.

Gjithashtu, forca e imanit dhe teuhidit, nëse është shumë e madhe, i transformon elementet kundërvënëse dhe i mposht ato, në ndryshim nga forca më e dobët.

Gjithashtu, ai që ka shumë sevape në të cilat zhyten mëkatet e tij, mund të falet aq sa nuk mund të falet një tjetër që ka mbi shpinë po aq mëkate, dhe nuk i ka aq sevape.

Siç thuhet: “Kur i dashuri i Allahut vjen me një mëkat i vijnë sevapet e tij me njëmijë ndërmjetësues.”

Gjithashtu, sinqeriteti në të kërkuar, forca e vullnetit, përsosja në bindshmëri, i ndryshon, i transformon defektet në pozitiven dhe të duhurën e tij, ashtu siç i transformon në të duhurën e saj gënjeshtra, nijeti jo i pastër dhe dobësia në bindshmëri, fjalët dhe veprimet e lavdëruara.

 
Efektet e teuhidit në dynja dhe në ahiret
Teuhidi është strehimi i armiqve dhe i miqve të tij. Për sa i përket armiqve të tij i shpëton ata nga mërzitjet e dynjasë dhe nga ashpërsitë e saj. “Kur ata hipin në një anije, shkëputen nga toka dhe frikësohen, i luten sinqerisht Allahut, e kur i shpëton, ata e dalin në tokë, ja ku ata lusin idhujt (bëjnë shirk).” Ankebut, 65.

Ndërsa miqtë e tij i shpëton nga vështirësitë dhe ashpërsia e dynjasë dhe e ahiretit.

Dhe pikërisht, pse Junusi kërkoi strehim tek teuhidi, e shpëtoi Allahu nga ato errësira dhe po ashtu u strehuan tek Ai ndjekësit e profetëve, të cilët shpëtuan me të nga ajo me çka u dënuan idhujtarët në dynja dhe nga ajo çka iu është përgatitur në ahiret.

Ndërsa kur kërkoi strehim tek Ai faraoni kur pa skenën e shkatërrimit kur i erdhi mbytja, nuk i bëri dobi, sepse besimi në kohën kur e shikon fundin nuk pranohet.

 
Teuhidi, rruga e shpëtimit
Kjo është rruga e Allahut tek robërit e tij. E nuk mund të largohen ashpërsitë e dynjasë me asgjë tjetër siç largohen me teuhidin. Dhe për këtë arsye lutja për largimin e vështirësive bëhet me teuhidin, duaja e njeriut në barkun e peshkut kishte brenda teuhidin, me të cilin nuk ka rob që lutet me të e të mos ia largojë Allahu vështirësitë e tij me anë të teuhidit.

Nga ana tjetër, nuk zhyt asgjë tjetër në vështirësi e brenga ashtu siç zhyt shirku dhe nuk shpëton dot nga ato me asgjë (siç u tha më sipër), përveçse me teuhidin, i cili është strehimi i krijesave, fortifikata e tyre dhe ndihma e tyre.

Teuhidi dhe robërimi
Në “Musned” dhe në “Sahihun” e Ebi Hatem transmetohet hadithi transmetuar nga Abdullah Ibn Mesudi, ku i dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka ndonjë rob që kur e godet ndonjë mërzitje apo brengë dhe thotë: ‘O Allah! Unë jam robi yt, bir i robit dhe i robëreshës Tënde, balli im është në dorën Tënde, tek unë zbatohet gjykimi yt, i drejtë mbi mua është caktimi yt. Të lutem me çdo emër Tëndin me të cilin e ke quajtur veten ose e ke zbritur në librin Tënd, ose ia ke mësuar ndokujt nga krijesat e Tua, ose që e ke ruajtur në dijen Tënde të fshehtë atje tek Ti, që ta bësh Kuranin pranverë të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, largimin e mërzitjes sime, largimin e brengosjes dhe të trishtimit tim!’ e të mos ia largojë Allahu mërzitjen dhe brengosjen duke ia zëvendësuar atë me gëzim.” I thanë: “O, i dërguari i Allahut! Po sikur t’i mësojmë këto fjalë?” Ai tha: “Posi jo, duhet që ai që i dëgjon t’i mësojë ato!”

Ky hadith përfshin disa çështje nga çështjet e njohjes së teuhidit dhe të robërimit. Një nga ato çështje është ajo që lutësi i Allahut e filloi lutjen e tij më thënien: “Unë jam robi yt, bir i robit dhe i robëreshës Tënde” dhe kjo përmbledh të gjithë ato që janë përpara tij: baballarët e tij, nënat e tij, deri tek prindërit e tij Ademi dhe Havaja. Në këtë qëndron nënshtrimi dhe përulja ndaj Allahut dhe pohimi se njeriu është i sunduar prej Tij dhe po kështu edhe baballarët e Tij dhe se robi nuk ka derë tjetër, përveç derës së Zotërisë së tij, përveç mirësisë së Tij dhe bamirësisë së Tij.

Gjithashtu, në këtë thënie del në pah se nëse Zoti i largohet robit ai është i shkatërruar dhe se askush nuk mund ta strehojë përveç Allahut, e kështu ai është në humbje të madhe.

Nën këtë pohim robi pranon: “Nuk mund të jem jashtë nevojës që kam për ty, o Zoti im, as sa lëvizja e qepallave të mia dhe unë nuk kam askënd nga i cili kërkoj ndihmë, përveç Zotërisë tim, rob i të Cilit jam.”

Gjithashtu, i përfshirë në këtë është edhe pohimi se robi është i zotëruar, i drejtuar, i urdhëruar, i ndaluar dhe që vepron nën ligjin e robërimit dhe jo nën ligjin e zgjedhjes për veten e tij. Pra kjo zgjedhje nuk është gjendje e robit, por përkundrazi është gjendja e mbretërve dhe e të lirëve. Skllavi ka gjendjen e qartë e të vërtetë të robërimit, ndërsa robërit e Allahut janë robër të bindjes së të pronësuarit nga Allahu i Lartë, siç është thënia e tij: “Me të vërtetë ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi.” Isra, 65.

Si edhe thënia e Tij: “E robërit e Rrahmanit (Mëshiruesit) janë ata që ecin nëpër tokë të qetë.” Furkanë, 63.

Ata që bëjnë përjashtim nga këta robër janë robërit e detyrimit dhe zotërimit dhe pronësimi i tyre tek Allahu është si pronësimi i të gjitha shtëpive tek Ai[2]. Ndërsa pronësimi i atyre të tjerëve, robërve të bindur ka vlerën e pronësimit të shtëpisë së shenjtë, Kabes, tek Allahu, vlerën e pronësimit të devesë së Tij tek Ai (deveja e dalë nga guri), vlerën e banesës së Tij e cila është xheneti, ka vlerën e pronësimit të robërimit të të Dërguarit të Tij tek Ai, siç thotë: “E nëse keni dyshim për atë çka i zbritëm robit tonë...” Bekare, 23. dhe “I pa të meta është Ai, i cili kaloi robin e Tij në një pjesë të natës.” Isra, 1. dhe “Dhe se kur u ngrit robi i Allahut që ta adhurojë Atë …” Xhin, 9.

 

15.09.2006


--------------------------------------------------------------------------------

[1] Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Mëkatet e shumta me një teuhid të shëndoshë janë më mirë se sa mëkatet e pakta me një teuhid të prishur.”

[2] D.m.th: ajo nuk është pronësi e Allahut e ndërtuar mbi bindjen ndaj Tij, por është pronësi e ndërtuar mbi sundimin dhe fuqinë.
 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 449638 visitors (1412862 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free