El Hamid (I Falënderuari)

El Hamid (I Falënderuari)
 
 
 
Argument për këtë emër kemi fjalën e Allahut të Lartësuar: “O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari.” (Fatir, 15)
Allahu është i falënderuari në Qenien e Vet, në emrat, në cilësitë dhe në veprat e Veta. Emrat e Tij janë më të mirë, cilësitë e Tij më të përsosura, veprat më të plota e më të mira. Veprat e Allahut sillen mes dhuntisë dhe drejtësisë.
I falënderuar është Allahu për shkak të shumë cilësive të Tij falënderuese. Allahu është i falënderuar në dy aspekte:
1. Të gjitha krijesat shqiptojnë falënderimin e Tij, Çdo falënderim nga banorët e qiejve dhe të tokës, të parët e të fundit prej tyre, në këtë dhe në botën tjetër, çdo falënderim që nuk është shqiptuar e që ka qenë i përcaktuar dhe i obliguar në çdo kohë e moment. Pa dyshim se Allahu e meriton nga shumë aspekte, ndër to: Allahu është Ai që i ka krijuar, i ka furnizuar, u ka dhuruar begati të dukshme e të padukshme të asaj e të kësaj bote, ka larguar nga ata fatkeqësi dhe sprova, ngase çdo begati është prej Allahut dhe vetëm Ai largon fatkeqësi. Për këtë arsye Ai meriton ta falënderojnë në çdo kohë e moment.
2. Ai falënderohet për emrat e Tij të bukur dhe cilësitë të larta e të përsosura. Të gjitha falënderimet dhe cilësitë fisnike e të bukura Atij i takojnë. Çdo cilësi prej cilësive të Tij meriton falënderim të përsosur. Atij i takon falënderimi për Qenien e Tij, falënderim për cilësitë e Tij, për veprat e Tij, për krijimin, për ligjet e Tij, kozmologjike dhe të sheriatit, për dispozitat e shpërblimit për këtë botë dhe për botën tjetër. Por gjithë ajo për të cilën Ai meriton të falënderohet nuk është e kapshme nga mendjet dhe nuk mund ta bëjnë llogari lapsat.

El Hajjij (I Turpshmi), Es Sittir (Mbuluesi)
Për këto dy emra kemi si argument fjalët e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i cili thotë: “Allahu është i turpshëm, turpërohet nga robi i tij kur i zgjat duart tek Ai (që t’i kërkojë diçka), që t’ia kthejë ato të zbrazura.” (Shënon Ebu Daudi dhe Tirmidhi dhe thotë se hadithi është hasen sahih)
Gjithashtu thotë: “Allahu është i turpshëm, mbulues (i mëkateve), dhe e do turpin dhe mbulesën. Kur të pastrohet ndokush prej jush, le të mbulohet.” (Shënon Ebu Daudi dhe Nesaiu në “Sunenin” e tij)
E gjithë kjo është nga mëshira e Tij, bujaria, përsosmëria dhe butësia e Tij. Robi shfaqet me mëkatet e tij haptas me gjithë nevojën e madhe që ka për Të, madje ai nuk ka mundësi t’i bëjë mëkat Atij vetëm se duke u përforcuar me begatitë e Allahut të Lartësuar. Allahu me gjithë pasurinë e Tij dhe nuk ka nevojë për asnjë krijesë të Tij, me bujarinë që ka, turpërohet ta ekspozojë dhe ta shfaqë e ta turpërojë. Ai e mbulon atë dhe e fal. Bëhet i dashur tek ata duke u ofruar begati të shumta, ndërsa ata bëhen të urryer tek Ai me mëkate. Mirësitë e Tij për çdo çast zbresin, ndërsa të këqijat e tyre tek Ai ngrihen.
Mëkatet dhe çdo gjë e keqe e tyre vazhdon të ngrihet tek Ai, ndërsa Allahu turpërohet ta dënojë një njeri që është thinjur në Islam dhe ta kthejë me duar të zbrazura një njeri që shtrin duart te Ai. I thërret robërit e Tij që ta lusin dhe u premton përgjigje.
Ai është i turpshëm, mbulon (mëkatet) shumë, i do ata që turpërohen dhe që mbulojnë të tjerët. Kush mbulon një musliman, Allahu atë do ta mbulojë në këtë dhe në botën tjetër. Për këtë, është gjë e urryer për një musliman që kur bën ndonjë të keqe, ta përhapë atë, por duhet të pendohet tek Allahu dhe ai mëkat ngel mes Allahut dhe robit dhe nuk e shfaq te njerëzit.
Ndër njerëzit më të urryer tek Allahu është një njeri i cili bën mëkat, e kalon natën, Allahu ia mbulon atij e ky, kur zgjohet në mëngjes, e përhap atë që Allahu ia ka mbuluar.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënim i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk dini.” (Nur, 19)


El Alim (I Gjithëdituri), El Habir (I Gjithinformuari)
El Alim, El Habir është Ai dituria e të Cilit ka përfshirë të dukshmet e të padukshmet, fshehtësitë e jo fshehtësitë, gjërat e domosdoshme (të obliguarat), të pamundshmet e të mundshmet, botën e lartësuar e të poshtme, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, të Cilit nuk i fshihet asgjë.
El Alim, El Habir: Dituria e Tij ka përfshirë:
a) të domosdoshmet (të obliguarat)- Allahu di për Veten e Tij të Ndershme, cilësitë e shenjta e të mëdha, ekzistenca e të cilave është e domosdoshme.
b) të pamundshmet- Ai di për gjëra të pamundshme në kohën e pamundësisë së ndodhjes së tyre, gjithashtu di për pasojat në rast të ndodhjes së tyre, siç thotë i Lartësuari: “Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin.” (Enbija, 22). Gjithashtu thotë: “Allahu nuk ka marrë për veten kurrfarë fëmijë (as nga engjëjt e as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër) atëherë secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar dhe do të dominonte njëri mbi tjetrin!” (Muminun, 91)
c) të mundshmet- Allahu di për gjërat e mundshme; ato janë që lejohet të ndodhin ose mos të ndodhin, ato që kanë ndodhur ose që nuk kanë ndodhur, e tërë kjo me urtësinë e Allahut të Lartësuar. Ai është i Gjithëdituri, dituria e të Cilit ka përfshirë botën e lartësuar e të poshtme. Çdo vend dhe çdo kohë është në dijeni të Allahut. Ai di për gjëra të fshehta e të qarta, të dukshme e të padukshme. Thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (Bekare, 282)
Dituria dhe njohuritë e krijesave, sado të shumta e të ndryshme të jenë, në krahasim me diturinë e Allahut të Lartësuar është e fikur, e zhdukur. Gjithashtu fuqia e tyre nuk mund të përpjesëtohet me fuqinë e Allahut të Lartësuar në asnjë aspekt, ngase Allahu është Ai i Cili u mësoi atë që nuk e dinin dhe u dha fuqi për atë që nuk patën mundësi.


Husejn Serraxh

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 449636 visitors (1412843 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free