Sinqeriteti në jetën e muslimanit

Sinqeriteti në jetën e muslimanit
 
 
 
Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të dërguarin Muhamed, familjen e tij, shokët tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sinqeriteti në jetën e muslimanit është një mjet i domosdoshëm për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun më një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.” Bejine, 5.

Që vepra e muslimanit të jetë e pranuar tek Allahu i Madhëruar, duhet që ai të jetë i sinqertë në kryerjen e obligimeve fetare, ashtu siç na obligon Allahu Fuqiplotë. Besimtari duhet të jetë i bindur se çdo vepër në të cilën zë vend sinqeriteti, ajo nuk refuzohet tek Allahu i Lartësuar dhe për të do të shpërblehet.

Në një hadith Pejgamberi (alejhi selam) thotë:

“Sinqeriteti shpie në mirësi, kurse mirësia shpie në xhenet. Vërtet, njeriu i cili vazhdimisht është i sinqertë (në besim dhe në të folur), tek Allahu shkruhet besimtar i vërtetë. Gënjeshtra shpie në prishje (morale), kurse prishja shpie në xhehenem. Njeriu që gënjen vazhdimisht më në fund tek Allahu shkruhet si gënjeshtar i madh.” Mutefekun alejhi.

Kur besimtari i frikësohet Allahut të Madhëruar në çdo vepër që e bën gjatë jetës së tij duke e kryer atë sipas parimeve të Islamit, zemra e tij do të jetë e pushtuar nga sinqeriteti.

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë, frikësohuni Allahut dhe jini me ata që janë të sinqertë.”

Frika ndaj Allahut arrihet kur robi largohet nga gjërat me të cilat nuk është i kënaqur Allahu dhe i dërguari i Tij (alejhi selam).  

Pejgamberi (alejhi selam) në një hadith thotë:

“Largohu prej gjithçkaje që është e dyshimtë e përmbahu asaj që nuk është e dyshimtë. Vërtet, sinqeriteti në besim është siguri, kurse gënjeshtra është dyshim.” Transmeton Tirmidhiu. 

Që veprat tona të jenë  të pranuara tek Allahu i Lartësuar duhet që të gjithë atë sinqeritet që e kemi, të jetë në përputhshmëri me sunetin e Muhamedit (alejhi selam).

Në librin e dijetarit të njohur Islam Ibën Tejmije “Të qenët rob i Allahut” përmendet Fudejl ibën Ijad, i cili në lidhje me ajetin: “…Për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë…” kishte thënë: “Ka kuptimin më i sinqerti dhe më i sakti.” E për këtë ishte pyetur: O Ebu Ali, çfarë nënkupton më këto? Ai ishte përgjigjur: “Nëse vepra është e sinqertë, por nuk është e saktë, nuk është e pranuar. Nëse vepra është e saktë, por jo e sinqertë, sërish nuk është e pranuar. Dhe nuk është e pranuar, vetëm nëse është e sinqertë dhe e saktë,”

Neve na mbetet që të punojmë me fjalën e Allahut dhe të dërguarit të Tij, Muhamedit (alejhi selam), duke u ruajtur kështu nga syefaqësia dhe nga gjërat e tjera të dyshimta, të cilat mund ta zbehin sinqeritetin në zemrat tona.

Dashtë Allahu i Madhëruar që këto pak ajete dhe hadithe që i morëm nga burimi i pashtershëm i Islamit, të ndikojnë sado pak në zbutjen e zemrave tona, duke na shtuar sinqeritet, i cili, pa dyshim, do të na ndihmojë të fitojmë kënaqësi në këtë botë dhe shpërblim në botën tjetër. Këtë temë po e përfundojmë më një thënie të dijetarit  të gjeneratës së tabiinëve Hasan el Basriut, i cili kishte thënë:

“Të gjithë njerëzit janë në humbje, përveç atyre që punojnë;nga këta që punojnë të gjithë janë në humbje, përveç atyre që janë të ditur; nga këta të diturit të gjithë janë të humbur, përveç atyre që janë të sinqertë dhe të sinqertit janë para një rreziku të madh.”

Përgatiti grupi i studentëve “Ali ibën Ebi Talib”


 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451014 visitors (1415757 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free