Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk godet vetëm ata që bënë mizori prej jush

Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk godet vetëm ata që bënë mizori prej jush
 
 
 
Sipas akides së ehli sunetit dënimi i Allahut është i mundur t`i përfshijë edhe njerëzit e mirë, nëse e keqja përhapet shumë.

Dijetarët thonë se kur Allahu i Lartësuar e zbret një dënim ndaj një populli, për shkak të veprave të këqia që i kanë bërë, është e mundur që me këtë dënim të goditet edhe ai që është prezent me ata që e bëjnë atë të keqe, por ai personalisht nuk është pjesëmarrës me ta dhe nuk pajtohet me këtë të keqe. Pastaj Allahu në Ditën e Gjykimit i ringjallë në bazë të qëllimeve të tyre, kush ka qenë i mirë do të shpërblehet për këtë, e nëse jo, atëherë do të dënohet, kështu që dënimi i zbritur për të mirët është pastrim nga mëkatet dhe ngritje, kurse për mëkatarët hakmarrje.

Transmetohet në “Sahihun” e Ibn Hibanit nga Aishja se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur Allahu i Lartësuar zbret fuqinë e Tij ndaj atyre që u hakmerret, e në mesin e tyre ka njerëz të mirë, edhe ata i godet fatkeqësia së bashku me të tjerët (të këqijtë). Ata do të ringjallën sipas qëllimeve dhe veprave.”  Këtë e shënon edhe Bejhakiu. Kurse në një transmetim tjetër nga Hasen ibn Muhamed ibn Ali ibn Ebi Talib thuhet: “Nëse paraqitet e keqja në Tokë, Allahu i Lartësuar e zbret dënimin e Tij ndaj tyre. “Disa nga të pranishmit e pyesin:  “O i Dërguar i Allahut! Edhe pse në mesin e tyre ka njerëz të mirë (që e adhurojnë Allahun)?” Ai thotë: “Po. Pastaj ata do të ringjallën në mëshirën e Allahut.” (shënon Ibën Hibani)

Në sahihun e Buhariut transmetohet nga Zejneb bint Xhahsh e cila e pyet Profetin (salallahu alejhi ue selem):  “A do të shkatërrohemi kur në mesin tonë ka njerëz të mirë?” Ai tha: “Po, nëse shtohet e keqja.”

Edhe hadithi i Aishes tregon të njejtën ku tregohet: “Një grup i njerëzve të umetit tim do të bashkohen me qëllim të shkatërrimit të Qabesë, kështu që duke qenë ata në shkretëtirë (rrugës për të shkuar në Qabe) Allahu do ta rrënoj tokën nën ta (do t’i shkatërrojë).” Aishja tregon se e kanë pyetur Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ndoshta në atë rrugë mundet të jetë edhe dikush që nuk është me ta dhe çfarë do të ndodhë me të. Ai thotë: “Po në mesin e tyre (të shkatërruarve) do të ketë njerëz mendjemprehtë, të detyruar (tu bashkohen atyre, pra jo me qëllim), udhëtarë, e Allahu i shkatërron të gjithë së bashku, pastaj i ringjallë në bazë të qëllimeve të tyre.” (Transmeton Muslimi)

Gjithashtu, transmeton Muslimi se Umi Seleme e pyet Profetin (salallahu alejhi ue selem) se çfarë do të ndodhë me atë që ka qenë i detyruar (nuk janë pajtuar me ato të këqija) Allahu do t’i shkatërrojë edhe ata, por pastaj i ringjallë ata Ditën e Gjykimit, sipas qëllimit të tyre.”

Transmeton Muslimi në një hadith nga Xhabiri se Allahu i Lartësuar do ta ringjallë çdo rob (njeri) në atë me të cilën ka vdekur.

Ajo që duhet të kihet parasysh këtu është se nuk do të thotë se nëse ata do të vdesin së bashku dhe me të njëjtën formë se ata do të bashkohen edhe në shpërblim apo dënim në Ditën e Gjykimit, por secili nga ata do të shpërblehet në bazë të veprave që i ka bërë dhe nijetit të tij.

Dijetarët kanë thënë: “Shkaku i përgjithësimit të të mirëve në dënim është për shkak të heshtjes së tyre në urdhërimin për të mirë dhe ndalimi nga e keqja. E kush urdhëron dhe ndalon, të tillët janë besimtarët e denjë dhe ndaj tyre Allahu i Lartësuar nuk zbret dënim, por me ta Ai largon dënimin.

Në hadithin e saktë nga Ebu Bekër Sidiku tregohet se ai e ka dëgjuar Resulullahun (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Vërtet, njerëzit kur ta shohin një të keqe dhe nuk e ndryshojnë (nuk ndalojnë nga ajo) ata janë në skaj të përgjithësimit të dënimit.” (Hadithin e transmeton Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe e cilëson të saktë Ibën Hibani)

Këtë hadith e vërteton edhe më shumë thënia e Allahut të Lartësuar: “...Ne nuk shkatërruam vendbanime, po vetëm kur banorët e tyre ishin zullumqarë.” (Kasas, 59)

Gjithashtu edhe ajeti tjetër ku thuhet: “Po Allahu nuk do t'i dënojë ata, derisa ti (Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t'i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfarë).” (Enfal, 33)

Kurse ajeti që aludon në përgjithësimin në dënim edhe të atyre që nuk ndalojnë nga e keqja edhe nëse ata personalisht nuk e veprojnë atë të keqe, është thënia e Allahut të Lartësuar: “Juve u është shpallur në librin (Kuranin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kurani i Allahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër, përndryshe ju do të jeni si ata. Allahu do t'i tubojë tradhëtarët dhe jobesimtërët që të gjithë në Xhehenem.” (Nisa, 140)

Nga ky ajet nënkuptojmë edhe mos banimin me jobesimtarët dhe zullumqarët, pasi të qëndruarit me ta është ekspozim i vetes në shkatërrim.

Kjo është kështu, nëse ai nuk u ndihmon atyre në këto vepra apo nuk është i kënaqur me to, kurse ata që u ndihmojnë dhe janë të kënaqur me veprat e tyre janë nga ata.

Kurse ringjallja e tyre, sipas veprave të tyre, vërteton kulminacionin e drejtësisë, për shkak se për veprat e mira të tyre do të shpërblehen Ditën e Gjykimit, por në këtë botë pa marrë parasysh se çfarë sprove dhe vështirësie përjetojnë, ajo është pastrim nga veprat e këqia që i kanë vepruar. Kështu që, dënimi i zbritur nga Allahu ndaj atyre që kanë bërë vepra të këqia është përfshirës edhe të atyre që kanë qenë me ta, por që nuk i kanë ndaluar nga ajo e keqe dhe kjo është për ta dënim, për shkak se ata ishin servil ndaj tyre. Pastaj Ditën e Gjykimit do të ringjallen në bazë të veprave.

Allahu i Lartësuar na tregon ngjarjen e fshatit të beni israilëve ku thotë: “Dhe pyeti ti (Muhamed) për fshatin që ishte në breg të detit e ata e shkelën rendin e të shtunës (që e kishin të ndaluar peshkimin), kur në të shtunën e tyre peshqit u vinin sheshazi mbi ujë, e në ditën që nuk festonin nuk u vinin. Ja, kështu i sprovuam ata, ngase ishin mëkatarë. Dhe kur një grup prej tyre thanë: "Përse këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose dënojë me një dënim të ashpër?" Thanë (këshilluesit): "Arsyetimi para Zotit tuaj dhe me shpresë që t'ju largohen gabimeve".E kur braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që pengonin nga të këqiat, ndërsa ata që kundërshtuan i kapëm me një dënim të fortë, ngase ishin të shfrenuar.E kur ata tejkaluan me arogancë të hapët, nga ajo që ishin të ndaluar, Ne i shndërruam në majmunë të përbuzur.” (Araf, 164-166)

 

Husein es Serraxh

Përktheu: Alaudin Abazi

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 287935 visitors (1100366 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=