Ndryshimi i Tokës

Ndryshimi i Tokës
 
 
 
Medhhebi i xhehmijëve  dhe ata që pajtohen me mendimin e tyre thonë se Allahu subhanehu ue teala i asgjëson Tokën dhe qiejt dhe çka ka në to dhe pas tyre krijon krijesa të tjera. Ky është rezultat që buron nga baza e tyre e  devijuar, e cila thotë se duhet asgjësimi i çdo gjëje, sepse e kundërta është në kundërshtim me njëshmërinë.

Për këtë arsye Ibn Sina mohoi ringjalljen, sepse mendoi dhe u pajtua me rregullin e Xhehmiut që flet për zhdukjen e trupave dhe ringjalljen në trupa të tjerë (krijesa të tjera) në kundërshtim me atë që është transmetuar nga Pejgamberi (alejhi selam) për dënim dhe shpërblim të trupave në Ditën e Gjykimit. Atëherë, sipas tij, dënohen trupat që nuk kanë bërë gjë dhe kështu mohoi ringjalljen duke u bazuar në logjikë.

Allahu subhanehu ue teala thotë: “Ditën kur Toka ndryshohet në tjetër Tokë e edhe qiejt. E ata të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues.” Ibrahim, 48.

Ndryshimi mund të jetë në qenie, sikurse të thuash: kam ndërruar dërhemin me dinar, por mund të jetë në cilësi, p.sh. të thuash: kam ndryshuar hallkën në unazë. Ajeti ka kuptimin e dytë të këtij shembulli.

Dijetarët kanë rënë në mospajtim për ndryshimin e Tokës. Shumica dërrmuese e dijetarëve thotë se ndryshimi në këtë rast është për qëllim ndryshimi në cilësitë e saj, si rrafshimi i saj, ikja e kodrave, shtrirja e Tokës etj.

Transmeton Ibn Mesudi (radiallahu anhu), shënon Ibn Maxhe në “Sunenin” e tij, e ka përmendur Ibn Mubarek në hadithin e Shehr ibn Hausheb se Ibni Abasi ka thënë: “Dhe atë ditë kur Toka të shtrihet si shtrirja e lëkurës dhe zgjerimi i saj shtrohet kështu dhe ashtu, dhe tregoi hadithin.

Gjithashtu, Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Toka ndryshohet në një tokë tjetër dhe ajo shtrihet sikurse lëkurat në Ukadhe[1]. Në të nuk shihet ultësi e as lartësi, pastaj Allahu i nxjerr krijesat dhe ata kur nxirren nuk e kanë ndërruar vendin (edhe pse Toka është ndryshuar). Kush ka qenë në të (i varrosur) mbetet në të e kush ka qenë jashtë saj mbetet jashtë saj (Tokës).” Kurse ndryshimi i qiejve është me mbështjelljen e Diellit dhe Hënës, si dhe shpërndarjen e yjeve. Ibn Abasi ka thënë: “Është thënë se ndryshon gjendja e saj, disa herë bëhet si gjë e shkrirë e disa herë si e ngjyrosur në të kuq.” Treguar nga Ibn el Anbari.

Këtë e vërtetojnë edhe disa hadithe të vërteta të Pejgamberit (alejhi selam) se Allahu subhanehu ue teala i kap qiejt dhe Tokën. Argument për këtë është hadithi, të cilin e transmeton Ibn Umeri, ku thotë se  Pejgamberi (alejhi selam) kur e lexoi fjalën e Allahut subhanehu ue teala në minberin e tij: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në Ditën e Kiametit e gjithë Toka është në Gishtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë.” tha: “Allahu i kap në Dorën e Tij qiejt dhe në dorën tjetër Tokën, pastaj e lavdëron veten e tij duke thënë: ‘Unë jam Sunduesi, Unë jam i Shenjti, Unë jam Paqedhënësi, Unë jam Siguruesi, Unë jam Mbizotëruesi, Unë jam i Gjithëfuqishmi, Unë jam i Madhërishmi, Unë jam Ai i cili e krijova dynjanë kur nuk ishte asgjë, Unë jam Ai i cili e kam kthyer atë. Ku janë sunduesit, ku janë gjigantët, ku janë mendjemëdhenjtë?’” 

Nga Toka dalin trupat e të vdekurve dhe pasuritë e saj. Argument për këtë është fjala e Allahut subhanehu ue teala, ku në suren Zelzele thotë: “Atë ditë, ajo rrëfen tregimet e saj.”

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë se atë ditë ajo i tregon tregimet e veta. Pastaj ka pyetur se a e dini se cilat janë tregimet e saj? Të pranishmit kanë thënë: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.” Tha: “Tregimet e saj janë të dëshmojë për çdo rob ose robëreshë se çka ka punuar mbi të dhe të thotë se ka bërë këtë dhe këtë.” Këto janë tregimet e saj.

Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë në hadithet e të tyre, si dhe Nesaiu nga Enesi se Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Toka do të vijë në Ditën e Gjykimit me çdo punë që është punuar mbi të.” Pastaj Pejgamberi (alejhi selam) ka lexuar ajetet: “Kur të dridhet Toka me dridhjen e saj të fuqishme. Dhe Toka të nxjerrë atë që ka në brendinë e saj. Dhe njeriu të thotë: ‘Ç’ka kjo (që bën këtë dridhje)?’ Atë ditë ajo i tregon tregimet e veta.” E transmeton Ibn Merdeuijeh dhe Bejhakiu.

Allahu subhanehu ue teala thotë: “Dhe të nxjerrë Toka atë që ka në brendinë e saj”. Kjo do të thotë: atë që ka prej të vdekurve dhe të varrosurve dhe atë që e rëndon atë në brendësinë e saj dhe mbi të.

Ebu Abide el Ahfeshi ka thënë: “Kur i vdekuri të jetë në brendësinë e Tokës është rëndë në të e kur të jetë mbi të është rëndë për mbi të.”

Muxhahidi thotë: “Brendësia e saj do të thotë: të vdekurit në të nxirren në herën e dytë (në fryrjen e dytë të surit) dhe është thënë se është për qëllim xhinët dhe njerëzimi.”

Ibni Abasi thotë: “Të rënduarit e saj (e Tokës) janë të vdekurit dhe pasuritë e saj.”

Tirmidhiu shënon nga Ebu Hurejra e ky i fundit transmeton se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Toka i nxjerr gjërat e çmuara të saj si shtylla të arit dhe argjendit dhe vjen vrasësi dhe thotë se për këtë kam vrarë; vjen ai i cili ka ndërprerë marrëdhëniet farefisnore dhe thotë se për këtë kam ndërprerë marrëdhëniet farefisnore; vjen hajduti dhe thotë se për këtë më është këputur (prerë) dora, pastaj e lënë atë dhe nuk marrin prej saj gjë.”

Allahu subhanehu ue teala thotë në Kuranin e Tij famëlartë: “Dhe kur Toka të shtrihet në gjerësinë e saj e të nxjerrë çka ka brenda e të çlirohet.” Inshikak, 3-4.

Gjithashtu, Dielli dhe Hëna bashkohen dhe i fut në xhehenem.

Bashkimi është mbështjellje, por bashkim është thënë edhe poshtërim për ata që i adhuruan përveç Allahut.

Ebu Abideh ka thënë se i bashkon sikurse mbështillet copa e pëlhurës së çallmës.

Rrebi ibn Hajthem ka thënë se mbështjellë do të thotë të hedhësh apo të rrëzosh, ndërsa Katade, Mukatil dhe Kelbi thonë se kjo do të thotë se i humb drita, kurse Muxhahidi tha se ato shuhen.

El Uahidi ka thënë se komentatorët thonë se Dielli bashkohet pastaj mbështillet dhe hidhet.

Si konkluzion i gjithë kësaj që thamë është se fjala bashkim apo mbështjellje ka kuptimin e mbështjelljes së trupit të tyre ose mbështjellje të dritës apo të hedhurit  e tyre në xhehenem.

Transmeton Ebu Hurejra se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Dielli dhe Hëna janë dy dema të palëvizshëm në xhehenem në Ditën e Gjykimit.” Transmeton El Bizari dhe të tjerë si Buhariu. I bën të palëvizshëm, pasi në dynja ishin të lëvizshëm dhe si poshtërim për ata që i adhuruan në vend të Allahut.

Kjo është para ringjalljes dhe llogarisë, sepse Allahu subhanehu ue teala i ringjallë trupat me dërgimin ose zbritjen e një uji të trashë, sikurse sperma e mashkullit, pastaj e ndryshon Tokën dhe qiejt, ndërkohë që krijesat qëndrojnë në një errësirë pranë urës (siratit), pastaj i shpërndan ata në një tokë të bardhë si bukë e mjellosur e pastër.

Muslimi dhe të tjerët shënojnë hadithin e Pejgamberit (alejhi selam) të cilin e transmeton Thubani, ku thotë se një çifut erdhi te i Dërguari i Allahut subhanehu ue teala dhe e pyeti se ku do të gjenden njerëzit në atë ditë kur të ndërrohet Toka në një tokë tjetër? Atëherë Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Në një errësirë pranë urës (siratit).”

Muslimi dhe disa të tjerë shënojnë hadithin që e transmeton Aishja (radiallahu  anha) ku tha se unë jam e para që e kam pyetur Pejgamberin (alejhi selam) për këtë citat kuranor (ajet) dhe i thashë se ku do të jenë njerëzit atë ditë? Më tha se do të jenë në sirat.”

Gjithashtu, në dy koleksionet e sakta gjendet hadithi i Sehl ibn Sad, i cili tha se kam dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) duke thënë: “Njerëzit ringjallen në Ditën e Gjykimit në një tokë të bardhë si një kulaç buke e mjellosur, e pastër  që nuk ka në të ndonjë shenjë.”

Gjithashtu, hadithi të cilin e transmeton Ebi Seidi se i Dërguari i Allahut subhanehu ue tela ka thënë: “Toka do të bëhet sikur një bukë që Allahu e rrotullos me Duart e Tij.”

Kurse mendimi i cili thotë se do të ndërrohet Toka në një tokë tjetër të re, ka për qëllim mbas ringjalljes ose ndryshimit të parë, të cilin e kemi përmendur më herët, duke argumentuar në citatet e lartpërmendura.

Ibni Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

Abdurrezaku dhe Ibn Hamid et Taberi shënojnë në komentimet e tyre të Kuranit, ndërsa Bejhakiu transmeton nga Amër ibn Mejmuneh, nga Abdullah ibn Mesudi se fjala e Allahut subhanehu ue teala: “Atë ditë kur do të ndryshojë Toka në një tokë tjetër” kanë thënë se Toka ndryshohet në një tokë, sikurse argjendi, nuk është derdhur në të gjak haram dhe në të nuk është vepruar ndonjë mëkat.

Imam Taberi transmeton nga Asim, nga Zer ibn Habish, nga Ibni Mesudi se do të jetë tokë e bardhë, sikurse një shufër ari.

Imam Ahmedi transmeton nga Ebu Ejub se do të jetë si një tokë si ar i bardhë. I është thënë se ku do të gjenden krijesat atë ditë? Ka thënë se ata janë mysafirët e Allahut subhanehu ue teala dhe Allahu do t’i japë gjithsecilit vendin e merituar.

Imam Taberi, gjithashtu, tregon nga Senan ibn Sadini nga Enesi se Allahu subhanehu ue teala e ndryshon në një tokë që ngjan si flori dhe që në të nuk janë bërë mëkate. Kurse në transmetimin e Aliut (radiallahu anhu) dhe të Ibn ebi Nexhih nga Muxhahidi transmetohet se do të bëhet në një tokë sikurse argjend. Ndërsa Aliu shton se qiejt do të jenë si ari.

Është mëse e ditur se këto dy mendime nuk përfundojnë te fjala e Xhehmiut në asnjë aspekt dhe se argumentet e mohojnë fjalën e Ibn Sinës në mohimin a ringjalljes. Allahu subhanehu ue teala e di më së miri.

Husein es Serraxh

Përktheu: Fatmir Raçi

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451962 visitors (1422389 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free