Ndarja e umetit

Ndarja e umetit
 
 
 
   Në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, është vërtetuar se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Çifutët janë ndarë në shtatëdhjetë e një grupe, të krishterët në shtatëdhjetë e dy grupe, ndërsa umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe; të gjitha do të jenë në zjarr, përveç njërit.” I kanë thënë: “Kush janë ata, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “Ata janë ata të cilët janë në atë në çka jam unë dhe shoqëruesit e mi.”
   Ndërsa në disa transmetime qëndron se “ata janë xhemati”. Shënon Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi dhe thotë (ky i fundit) se hadithi është sahih sipas kushtit të Muslimit. Ndërsa sa i përket transmetimit: “...të gjitha janë në xhenet, përveç njërit”, konsiderohet si i shpifur ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të. Shejhul Islam Ibn Tejmije thotë: “Sa i përket këtij hadithi, ai nuk ka ndonjë bazë, por është i shpikur dhe gënjeshtër, sipas pajtimit të dijetarëve të hadithit, dhe atë nuk e transmeton askush nga dijetarët e shquar të hadithit. Ndërsa hadithi i cili është i njohur në librat e suneneve nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, është kështu: “Umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe, njëri do të jetë në xhenet dhe shtatëdhjetë e dy në zjarr.”
   Ndërsa sa i përket kuptimit të fjalës “umeti im”, është thënë se ka për qëllim umetin i cili do t’i përgjigjet, siç ka theksuar Mubarekfuri në veprën e tij “Tuhfetul Ahvedhi”. Umeti i cili do t’i përgjigjet do të thotë se kanë ata që kanë përqafuar Islamin.


Shpjegim i kësaj

Në mesin e atyre që do t’i përgjigjen të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, do të ketë që do të jenë të shpëtuar e do të ketë të shkatërruar (të humbur), prandaj nuk nënkuptohet se secili që do t’i përgjigjet atij do të jetë i shpëtuar. Dijetarët islamë kanë folur rreth këtyre grupeve dhe rreth arsyes së ndarjes së tyre nga e vërteta.
   Gjithashtu është thënë se qëllimi i fjalës “umeti im” në këtë hadith ka për qëllim umetin e thirrjes, gjë që përfshin të gjithë ata tek të cilët është dërguar Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ata që i kanë besuar dhe ata që kanë mohuar.
   Një grup dijetarësh kanë thënë se ata nuk ndahen nga xhemati dhe nuk dalin nga e vërteta (haku), vetëm nëse kundërshtojnë në çështjet që kanë të bëjnë me esencën e besimit.
   Prandaj në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me njohjen e Allahut të Lartësuar në njëshmërinë dhe cilësitë e Tij, në njohjen e të Dërguarve, të shenjave dhe të mrekullive të tyre, në çështjet e Ditës së Fundit, të përcaktimit të Allahut (kaderit), ata që kanë devijuar nga rruga e sahabëve dhe kundërshtojnë citatet konsiderohen se kanë dalë nga xhemati dhe i përkasin ndonjë grupi, siç ka thënë Shehristani në veprën e tij “El milel ven nihal”: “Nëse e tërë feja ndahet në dy pjesë, në tevhid dhe sheriat, dhe se tevhidi është esencë (bazë), ndërsa sheriati si dytësor, atëherë kush flet rreth gjërave të tevhidit quhet usulij, ndërsa ai që flet rreth gjërave të sheriatit quhet si dytësor, sekondar.”
   Nga ky këndvështrim ai vë në dukje se ai që flet rreth gjërave dytësore në fe i përket ndonjë medhhebi, ndërsa ai që flet rreth bazave të fesë dhe i kundërshton të vërtetët në këtë, ai është prej ndonjë grupimi.
   Këtu duhet të ndalemi. Ibn Tejmija, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sa i përket bërjes së dallimit dhe emërtimit të çështjeve të usulit dhe llojit tjetër dhe emërtimit të tij me çështjet dytësore, ky dallim dhe kjo ndarje nuk ka ndonjë bazë prej sahabëve e as prej tabiinëve e as prej imamëve të shquar islamë, mirëpo është marrë nga mutezilitë dhe të ngjashëm me ta dhe fukahatë e kanë përmendur në librat e tyre. Kjo lloj ndarjeje (ndarja e fesë në tevhid dhe në sheriat) është kundërthënëse, ngase atij që bën këtë lloj ndarjeje i themi se cili është kufiri i çështjeve të tevhidit në të cilat mëkatari bën kufër dhe ku qëndron pika ndarëse në mes tyre dhe mes çështjeve të sheriatit (çështjeve sekondare. Nëse përgjigjet se çështjet e usulit janë çështjet e besimit ndërsa të tjerat janë çështje veprore, në këtë rast i themi se dijetarët kanë mospajtime në atë se a e ka parë Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, Allahun apo jo, se a është më i mirë Uthmani apo Aliu. Pastaj kanë mospajtime rreth shumë domethënieve të Kuranit, rreth saktësimit të disa haditheve dhe pa dyshim se të gjitha këto çështje kanë të bëjnë me besimin e me konsensusin e dijetarëve nuk ka kufër në to.” (Mexhmu Fetava 13/ 125)
   Disa dijetarë lidhur me këtë qëndrim të Ibn Tejmijes, i cili ka përmendur në disa vende në librat e tij se e mohon këtë ndarje, kanë thënë se nuk është për qëllim mohimi i kësaj ndarjeje në esencë, mirëpo ai mohon gjykimet dhe vendimet e kota të bidatxhive, të cilat dalin prej kësaj ndarjeje.
   E vërteta është të thuhet se çështjet e fesë janë dy llojesh:
1- Çështje në të cilat ka mospajtime e për të cilat kemi argument ose argumente nga Kurani ose Suneti, të cilat tregojnë për vërtetësinë e ndonjërit prej mendimeve. Në këtë rast është obligim pasimi i argumentit dhe kundërshtimi i atij që nuk pajtohet dhe justifikimi i muxhtehidit që ka gabuar.
2- Çështje në të cilat ka mospajtime e për të cilat nuk kemi argument. Këto quhen “çështje ixhtihadije”, ngase secili prej dijetarëve ka vepruar ose ka dhënë fetva sipas asaj që ka arritur në përfundim nga përpjekja dhe angazhimi i tij. Ndërsa në këto çështje nuk ka kundërshtim dhe ndonjë që nuk pajtohet me atë mendim nuk duhet ta obligojë tjetrin të pasojë mendimin e tij, ngase asnjëri prej tyre nuk ka kundërshtuar ndonjë citat, por ka kundërshtuar ixhtihadin e ndonjë muxhtehidi.

   Dijetarët kanë dy mendime rreth domethënies së fjalisë: “të gjitha janë në zjarr, përveç njërës”:
1- Nëse me fjalën “umet”, e cila ka ardhur në fjalën e të Dërguarit: “do të përçahet umeti im” ka për qëllim “umetin i cili do t’i përgjigjet atij, ndërsa ata janë muslimanë”, atëherë nga kjo kuptojmë se të gjitha ato (grupime) do të futen, përveç palës së shpëtuar. Mirëpo nuk nënkuptohet se ato do të jenë përgjithmonë në zjarr, ngase mëkatarët e këtij umeti nuk qëndrojnë përgjithmonë në zjarr përveç nëse del prej Islamit me bidatin e tij, siç janë dijetarët islamë unanimë rreth kufrit të xhehmive [këtë e përmend (për kufrin e xhehmive) Buhariu në veprën “Krijimi i veprave të robërve”, gjithashtu e pëmend edhe Ebu Kutejbe Ed Dejnuri].
2- Nëse ka për qëllim me fjalën “umet”, që përfshin në vetvete umetin e thirrjes, atëherë në emërtimin e umetit futen muslimanët dhe të tjerët. Ndërsa kuptimi i “të gjitha janë në zjarr” do të ishin jobesimtarët, ndërsa pala e shpëtuar do të ishte umeti që do t’i përgjigjej atij. Dhe këtë e argumenton fjala e të Dërguarit: “Nuk do të dëgjojë për mua nga umeti im, çifuti, i krishteri e pastaj nuk më beson, atëherë do të futet në zjarr.” (Në këtë rast edhe çifutët edhe të krishterët konsiderohen prej umetit të të Dërguarit, sipas këtij mendimi të dytë.)

   Por mendimi më i saktë është mendimi i parë. Hadithi qartazi vërteton për shpëtimin e palës së shpëtuar, ndërsa në zjarr futen mëkatarët dhe jobesimtarët (mëkataret muslimanë nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në zjarr, por varësisht nga mëkatet që kanë bërë), prandaj kuptimi sipas mendimit të parë është më i përgjithësuar dhe më kuptimplotë sesa mendimi i dytë.
   Ndërsa sa i përket fjalës së të Dërguarit: “...do të ndahet ky umet në shtatëdhjetë e tre grupe”, dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kuptimit të numrit. Disa prej dijetarëve kanë thënë se numri këtu ka për qëllim një numër të madh e jo përkufizimin dhe se në këtë umet do të shtohet ndarja. Argument për këtë kemi hadithin e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ku i Dërguari ka bërë një rrugë të drejtë me dorën e vet e më pas rrugica të shumta e më pastaj ka thënë: “Në çdo rrugicë ka nga një shejtan, i cili thërret në to.” Pastaj lexoi: “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij.” (En’am 153).” E, dihet se rrugët e shejtanit nuk janë të përkufizuara me numër. Ky është një komentim i mirë, mirëpo shumica e dijetarëve kanë thënë se numri në hadith është i menduar (i qëllimshëm).
   Edhe në qoftë se numri rritet më shumë se shtatëdhjetë e tre grupe, themi se ato (pra 73) janë më të rrezikshme dhe më të këqija. Disa prej dijetarëve kanë thënë se numri i grupimeve është i përkufizuar në numër, mirëpo nuk ka ardhur sqarimi rreth përcaktimit të tyre nga frika e shfaqjes së risive të grupeve të tjera brenda tyre e më pastaj të mendohet se nuk janë risi. Prandaj duke u bazuar mbi këtë mendim dijetarët janë thelluar në përcaktimin e grupimeve të humbura varësisht nga përpjekjet e tyre (ixhtihadi).
   Imam Shatibiu përzgjedh mendimin e parë për arsye të mosekzistimit të argumentit rreth përcaktimit të numrit dhe se logjika tregon për këtë. Nëse thuhet se a dihen bazat e këtyre fraksioneve nëse nuk mund të përkufizohen në numër, themi se Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, sa i përket përcaktimit të fraksioneve të shkatërruara ka thënë se i pari që ka folur rreth shkatërrimit dhe humbjes së tyre është Jusuf b. Esbati e më pas Abdullah b. Mubareku dhe se ata të dy janë imamë të muslimanëve. Ata kanë thënë: “Bazat e bidatxhive janë katër: rafiditë, havarixhët, kaderitë dhe murxhitë.
Abdullah b. Mubarekut i kanë thënë: -Po xhehmitë? Është përgjigjur se ata nuk janë pjesëtarë të umetit të Muhamedit. Dhe thoshte: “Ne rrëfejmë fjalët e çifutëve dhe të të krishterëve dhe nuk mund të rrëfejmë fjalët e xhehmive.”
   Këtë që ka thënë më pas e kanë pasuar një grup dijetarësh nga shoqëruesit e Imam Ahmedit dhe të tjerët dhe kanë thënë: “Xhehmitë janë jobesimtarë dhe ata nuk futen në grupin e shtatëdhjetë e dy grupimeve siç nuk futen në atë grup munafikët (hipokritët), të cilët fshehin mosbesimin dhe shfaqin Islamin.” (Mexhmu Fetava vëll III.)
   Ndërsa në vijim po përmendim bazat prej të cilave janë ndarë këto fraksione nga Ehli suneti dhe xhemati:

Havarixhët:

   Havarixhë dhe veidije është çdokush që del kundër udhëheqësit të vërtetë për të cilin xhemati janë dakord. Veidije janë fraksion brenda havarixhëve dhe bindjet e tyre janë se e bëjnë jobesimtar kryesin e mëkatit të madh. Pohojnë gjithashtu edhe qëndrimin e gjithmonshëm në zjarr të atij që bën mëkat të madh, mohojnë shefatin (ndërmjetësimin) dhe gjithashtu i bëjnë jobesimtarë Uthmanin edhe Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të dy.

Shiitët:

   Shiitët janë ata që e ndihmuan Aliun. Ata veçohen me doktrina si “imamati (udhëheqja), “el-ismetu” (mbrojtja nga mëkatet), tukja etj.. Gjithashtu besojnë se udhëheqja nuk del nga djemtë e Aliut, por nëse del e largohet prej tyre, atëherë kjo konsiderohet padrejtësi ndaj tyre nga të tjerët.
   Gjithashtu thonë se imamllëku nuk është çështje interesash që e zgjedh dhe e cakton masa e gjerë, por ajo konsiderohet çështje thelbësore dhe se është kusht i fesë dhe nuk duhet anashkaluar kjo nga ana e Profetëve dhe nuk i duhet dorëzuar kjo çështje masës së gjerë.

Kaderitë:

   Kaderitë kanë edhe emra të tjerë, si: pronarët e drejtësisë dhe të tevhidit, adlije dhe mutezilitë. Besimi i mutezilitëve mund të përmblidhet në) mohimin e cilësive të Allahut, mohimin e shikimit të Allahut me sy në botën tjetër dhe këtë bindje të tyre e quajnë tevhid.
   Ata me unanimitet thonë se robi ka mundësi dhe është krijues i veprave të veta të mirat dhe të këqija dhe këtë e quajnë drejtësi. Gjithashtu janë unanimë se besimtari nëse del nga kjo botë me nënshtrim dhe pendim ndaj Allahut, ai e meriton shpërblimin dhe kompensimin, ndërsa nëse del duke mos u penduar nga ndonjë mëkat i madh që ka bërë, ai e meriton përjetësinë në zjarr dhe këtë e quajnë premtim dhe kërcënim.
   Fasiku nuk është as në xhenet e as në xhehenem dhe këtë e quajnë vend në mes të dy vendeve. Thonë se është obligim për umetin të dalë kundër udhëheqësit nëse bën padrejtësi dhe këtë e quajnë urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.

Murxhitë:

   Fjala irxha ka dy kuptime: vonim, shtyrje si fjala e Allahut të Lartësuar: “(Paria) Shtyje atë dhe vëllanë e tij (çështjen e tyre) për më vonë.” (Shuara, 36). Ngase ata e shtynin punën nga qëllimi. Gjithashtu thonë: “Mëkati nuk sjell dëm me imanin (besimin) siç nuk sjell dobi nënshtrimi (respekti) me kufr (mosbesim).”
   Po ashtu fjala irxha është thënë se ka kuptimin e vonimit, të shtyrjes së gjykimit ndaj bërësit të mëkatit të madh deri në Ditën e Gjykimit dhe se nuk gjykohet për atë në këtë botë se a është nga banorët e xhenetit apo të xhehenemit. Prandaj murxhitë dhe veidije janë dy fraksione të kundërta.

   Ndërsa sa i përket fjalës së të Dërguarit në fund të hadithit: “...ata janë ata të cilët janë në atë në çka jam unë dhe shoqëruesit e mi”, në disa transmetime thuhet xhemati. Fjala xhemat ka ardhur e shquar me nyjën shquese (el), gjë që tregon se ai është xhemat i posaçëm, ka kushte e norma.
   Imam Shatibiu ka studiuar qëndrimet e dijetarëve rreth fjalës xhemat dhe thotë se numri i tyre arrin në pesë:
1- Me xhemat nënkuptojmë shumicën e muslimanëve. Në këtë grup futen muxhtehidët e umetit, dijetarët, pasuesit e sheriatit dhe të ngjashëm me ta. Prandaj secili që del nga xhemati i tyre konsiderohet kundërshtar. Këtu futen të gjithë bidatxhitë, ngase ata janë kundërshtues të të gjithë atyre paraardhësve të umetit dhe se ata nuk futen në këtë grup. Ky është qëndrim i Ebu Mesud El Ensarijut dhe i Ibn Mesudit.
2- Xheamati është një grup dijetarësh muxhtehidinë. Ata janë argument i Allahut mbi krijesat e Tij. Për ta i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Umeti im nuk do të bashkohet në humbje”. Ky është qëndrim i Abdullah b. Mubarekut, Ibn Rahujes.
   Abdullah b. Mubarekut i është thënë: -Cili është xhemati që duhet ndjekur? Tha: -Ebu Bekri, Omeri dhe… dhe …dhe vazhdon t’i numërojë derisa arriti tek Muhamed b. Thabiti dhe Hysejn b. Vakidi. I kanë thënë: -Po ata kanë vdekur! Kush janë prej të gjallëve? Atëherë tha: -Ebu Hamza Es Sukerij.
   Në këtë mendim nuk bën pjesë ai që s’është dijetar dhe gjithashtu nuk bëjnë pjesë bidatxhitë (thamë se me xhemat nënkuptohen dijetarët muxhtehidinë, ngase bidatxhitë nuk janë dijetarë muxhtehidinë dhe çdokush tjetër që nuk është dijetar del nga ky mendim. Ky është sqarimi.)
3. Me xhemat nënkuptohen muslimanët dhe nëse ata (muslimanët) bien dakord për diçka, të gjithë të tjerët obligohen t’i pasojnë ata (muslimanët).
4- Xhemati janë sahabët. Këtë qëndrim e mban Omer b. Abdulazizi. Për këtë dëshmon transmetimi: “...në atë në çka jam unë dhe shoqëruesit e mi”.
5- Xhemati i muslimanëve. Nëse mblidhen rreth një udhëheqësi, i Dërguari i Allahut ka urdhëruar dëgjimin e tij.

   Ashtu siç ka mospajtime në mesin e dijetarëve rreth komentimit të fjalës xhemat, gjithashtu ka mendime të shumta rreth komentimit të palës së ndihmuar deri në Ditën e Gjykimit.
   Imam Neveviu thotë: “Për sa i përket kësaj pale, Imam Buhariu ka thënë se ata janë dijetarët.” Ndërsa Ahmed b. Hanbeli, Allahu i mëshiroftë, ka thënë: “Nëse nuk janë dijetarët e hadithit, atëherë nuk di se kush tjetër mund të jetë…”
   Kadi Ijadi duke komentuar thënien e Imam Ahmedit thotë se Ahmedi këtu ka për qëllim Ehli sunetin dhe xhematin dhe ata që kanë besim sikurse të dijetarëve të hadithit.
   Imam Neveviu thotë: “Kjo palë është e ndarë dhe gjendet tek disa lloje të besimtarëve, prej tyre ka që janë trima e luftëtarë, fukahatë, dijetarët e hadithit, asketët, urdhëruesit për të mirë dhe ndaluesit për të keqen dhe shumë lloje të tjera të mirësisë dhe se nuk është e domosdoshme të jenë të bashkuar në një vend, por mund të jenë të shpërndarë në vise të ndryshme të botës.”


Husejn Serraxh
Përktheu: Almedin Ejupi
4.4.2008
 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 449622 visitors (1412812 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free