I jam mbështetur Allahut

I jam mbështetur Allahut
 

Çdo njeri që kalon nëpër këtë botë dhe e lëshon këmbën e tij në tokë, ka nevojë për ndihmëtar, ka nevojë për dikë që të mbështetet tek ai,  t’i mbështetet atij me gjithë zemër.

Për këtë  arsye mbështetja tek Allahu (Tevekuli)1 në fitimin e të mirave, largimin nga të këqijat, fitimin e riskut, ndihmën ndaj armiqve, shërimin e sëmundjeve e të tjera të ngjashme me to, është nga gjërat më të rëndësishme dhe nga obligimet më të domosdoshme; gjithashtu është prej cilësive të besimtarëve dhe kushteve të besimit sikurse është nga shkaqet e forcimit të zemrës dhe sigurisë e rehatisë së shpirtit. Ajetet kuranore që obligojnë mbështetjen tek Allahu janë të shumta.

Allahu i Madhëruar thotë në suren el-Maide: “…mbështetjuni Allahut, nëse jeni besimtarë…”, Gjithashtu thotë në suren Ali Imran: “ …nëse vendos për diçka, mbështetju Allahut…”. 

Allahu i Lartësuar kur përmend cilësitë e besimtarëve në suren el-Enfal thotë: “Besimtarë të vërtetë janë ata të cilët kur përmendet Allahu u rrënqethen zemrat (nga frika), e kur u lexohen ajetet e Tij (kurani), u shtohet besimi dhe tek Zoti i tyre janë të mbështetur.”

Gjithashtu Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë në hadithin që e transmeton Muslimi nga Imran bin Husain i cili thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Do të hynë në xhenet nga umeti im shtatëdhjetëmijë vetë pa llogari. E pyetën: “Kush janë ata o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Janë ata të cilët nuk kërkojnë të shërohen me rukje2, nuk i ndalon ata pesimizmi3 nga kryerja e asaj pune që e kanë vendosur, nuk shërohen me zjarr (me djegie4 dhe i mbështeten Zotit të tyre.”

Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Na mjafton Allahu, Ai është Mbështetësi me i mirë që rregullon punët e njerëzve; e ka thënë Ibrahimi alejhi selam kur u hodh në zjarr, gjithashtu e ka thënë Profeti Muhamed, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur i thanë: “Me të vërtetë njerëzit (jobesimtarët ) janë mbledhur kundra jush, frikësojuni atyre! Porse atyre, iu shtua besimi dhe thanë:“Na mjafton Allahu, Ai është Mbështetësi më i mirë që rregullon punët e njerëzve.” (Buhariu)

Gjithashtu transmetohet nga Omer bin Khatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse i mbështeteni Allahut të Madhëruar me mbështetje të plotë, do t’ju japë riskun (do t’ju furnizojë juve) ashtu sikurse ia jep riskun zogjve, të cilët dalin të uritur dhe kthehen të ngopur.” (Ahmedi dhe Tirmidhi)
 

Realiteti i mbështetjes në Allahun e Madhëruar (Et -Teuekul)

Ibn Rexhebi. Allahu e mëshiroftë. thotë: “Mbështetja në Allahu e Madhëruar (Et-Teuekul) është: “Sinqeriteti i mbështetjes me zemër ne Allahun e Lartmadhëruar, në arritjen e të mirave, largimin e të këqijave në të gjitha çështjet e dynjasë dhe ahiretit; si dhe besimi se Allahu i Lartësuar është i Vetmi që rregullon punët e robërve të Tij sipas dëshirës së Tij dhe se askush tjetër përveç Tij nuk mund ta ndalojë atë që Ai jep (riskun) e as nuk mund të japë atë që ai e ndalon, as mund të sjellë dëm apo dobi, veçse me lejen e Tij.”

Ibn Kajjimi ka thënë: “Mbështetja tek Allahu i Madhëruar është gjysma e fesë; gjysma tjetër është pendimi (kthimi) tek Allahu. Feja është kërkim i ndihmës (tek Allahu) dhe adhurim. Kërkimi i ndihmës është et-tevekul, ndërsa adhurimi është pendimi (kthimi) tek Allahu i Madhëruar. Pozita e Tevekulit është ndër pozitat më të gjera dhe më përmbledhëse, e cila gjithmonë mbush zemrat e njerëzve dhe i çliron ata nga nevojat e shumta që kanë. Të gjitha krijesat kanë nevojë për mbështetjen tek Allahu i Madhëruar, e veçanërisht besimtarët, ata i mbështeten Allahut në besimin e tyre, në ndihmën e fesë së Tij, në ngritjen e fjalës së Tij “La ilahe ila llah”, në luftimin e armiqve të Tij, në dashurinë e Tij si dhe në përmbushjen e urdhrave të Tij.”
Hasan el-Basriu ka thënë: “Mbështetja e robit në Allahun është që ta dijë se Allahu është më i besueshmi i tij.” Ndërsa Sejjid bin Xhubejri ka thënë: “Tevekuli është i gjithë imani (besimi).” Disa prej selefëve5
thoshin: “Kush dëshiron të jetë nga më të fortët, le t’i mbështetet Allahut.”
Gjithashtu Salim bin Abi Xhad ka thënë: “Më kanë thënë se Isa alejhi selam thoshte: Punoni për hir të Allahut e jo për hir të barqeve tuaja, kini kujdes angazhimin (zënien) me dynjanë, se me të vërtetë zënia (marrja) me dynja është e poshtëruar tek Allahu i Madhëruar. Zogjtë në qiell dalin dhe kthehen e nuk mbajnë nga risku gjë, nuk mbjellin e as nuk korrin, Allahu i furnizon ata. Nëse thoni se barqet tona janë më të mëdhenj se barqet e tyre, egërsirat, lopët, gomarët, etj shkojnë dhe kthehen e nuk mbajnë nga risku gjë, nuk mbjellin e as nuk korrin. Allahu i furnizon ato.
Vëlla musliman!

Dije se mbështetja në Allahun është më e lartë sesa t’i mbështetesh Allahut në kërkimin e pasurisë dhe arritjen e mirësive në këtë botë; ka gjëra më të mëdha dhe më të dobishme por robin.

Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mbështetja tek Allahu është më e gjerë sesa mbështetja në përfitimin e të mirave të kësaj bote, ai që i mbështetet Allahut, mbështetet për rregullimin e zemrës së tij, fesë së tij, mbështetet për ruajtjen e gjuhës së tij, pasioneve (dëshirave) të tij e pa dyshim kjo është ndër gjërat më të rëndësishme. Një gjë të tillë robi e bën kur është në namaz kur i flet Allahut Krijuesit të tij: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe Vetëm tek Ti mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në ç’do kohë dhe për ç’do gjë).” (El-Fatiha, 5)

Kuptimi i gabuar i tevekulit

Ndodh që disa njerëz ta kuptojnë mbështetjen tek Allahu si lënie pas dore e shfrytëzimit të trupit, mosrregullim i zemrës si dhe moskërkim i riskut. Ky është mendimi i injorantëve të cilin e ka ndaluar Islami.

Nuk ka dyshim se lënia e përfitimit të pasurisë nuk është prej tevekulit, por është vepër e dembelëve që e pëlqejnë jetën (rehat) pa brenga të lirë dhe justifikohen me tevekul. Ibn Rexhebi ka thënë: “Dije se realizimi i tevekulit nuk mohon kryerjen e shkaqeve për të arritur atë që të ka caktuar Allahu. Allahu i Madhëruar ka urdhëruar që njeriu ta kryejë punën dhe t’i mbështetet Allahut për rezultatin e saj. Ky është ligji i Allahut për krijesat e Tij.

Pra, kryerja e sebebeve (shkaqeve) me vepra është bindje ndaj Tij, ndërsa mbështetja me zemër është besimi tek Ai. Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran “O ju që keni besuar! Kini kujdes nga jobesimtarët…”. (Nisa, 71)

Gjithashtu thotë: “Përgatituni kundër tyre (armiqve) me të gjithë fuqitë që keni dhe kuajt e luftës” (Enfal, 60)

Gjithashtu thotë: “Pasi të mbarojë falja shpërndahuni në tokë dhe kërkoni nga mirësitë e Allahut.” (Xhumua, 10)

Transmeton Enesi se një person tha: “O i Dërguar i Allahut a ta lidh (devenë) e t’i mbështetem Allahut apo ta lë të lirë e t’i mbështetem Allahut? Tha: "Lidhe dhe mbështetju Allahut.” Tirmidhi.

Muavije bin Kura ka thënë: “Omer bin el-Hattabi takoi disa njerëz nga Jemeni dhe i pyeti: “Kush jeni ju?” U përgjigjën: Ne jemi ata që i jemi mbështetur  Allahut. Tha Omeri r.a: Jo, ju jeni vetëm ngrënës, sepse ai që i mbështetet  Allahut, është ai që e hedh kokrrën (farën) në tokë dhe mbështetet në Allahun e Lartmadhëruar për prodhimin e saj.”

Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Populli i Jemenit bënin Haxhin dhe nuk merrnin me vete ushqim dhe thoshin ne i jemi mbështetur Allahut, pastaj lypnin nga banorët e Mekës,  e pastaj zbriti fjala e Allahut “Përgatituni për udhëtimin (duke marrë ushqim dhe çfarë nevojitet në të), porse përgatitja më e mirë është Takvaja6.”  (Bekare,197) Transmeton Buhariu

Vëlla i dashur!

Mbështetja  e muslimanit tek Allahu, është vepër dhe shpresë, duke qetësuar zemrën, rehatuar shpirtin  si dhe duke qenë i bindur plotësisht se ajo që do Allahu të ndodhë, do të ndodhë, ndërsa ajo që nuk do Allahu të ndodhë, nuk do të ndodhë. Allahu i Lartësuar nuk ia humb shpërblimin atij që bën vepra të mira.
* Njerëzit në tevekul ndahen në tri grupe:
1. Ai që shtiret (hiqet) sikur i mbështetet Allahut, porse në të vërtetë nuk i merr parasysh shkaqet e duhura, ky është në kundërshtim me ligjin e Allahut në Univers .

2. Ai që i merr parasysh shkaqet porse nuk mbështetet në Allahun e Madhëruar. Ky grup janë materialistët dhe ndjekësit e tyre .

3. Ndërsa pasuesit e të vërtetës,  marrin parasysh ç’do shkak pastaj i mbështeten Allahut të Madhëruar. Kjo është mënyra e të Dërguarve dhe Pejgamberëve si dhe e atyre që i ndjekin ata. Këta punojnë për Xhenetin dhe mbështeten tek Allahu, punojnë për të mirën e tyre në këtë botë dhe mbështeten tek Allahu, luftojnë, përgatiten dhe janë të mbështetur fort tek Allahu Fuqiplotë.

Vëlla besimtar!

Ka thënë Pejgamberi (paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të): “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu nga besimtari i dobët, dhe në ç’do njërin ka hair7, kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmë nga Allahu e mos u bëj pesimist, nëse të godet ndonjë gjë mos thuaj sikur të veproja kështu do të ndodhte kështu, por thuaj ka caktuar Allahu, bëri çfarë deshi. Vërtet fjala “sikur” hap punën e shejtanit.” (Muslimi)

Gjithashtu transmeton Enesi r.a. se Pejgamberi, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë:
 
ِباسِم الله تََوكَلتُ عَلى الله, وَلاَ حَولَ وَلاَ قوةََ إِلا بِالله

“Bismilah teuekeltu ala Ll-llah ue la hauele ue la kuete il-la bil-lah”

“Kush thotë kur del nga shtëpia “Bismilah, iu mbështeta Allahut, s’ka fuqi as ndryshim përveçse me Allahun”! I thuhet: U udhëzove, u mbrojte, u mjaftove dhe i përulet atij shejtani”. (Tirmidhiu , Ebu Davud)

Ebu Davudi ka transmetuar në transmetimin e tij: “dhe thotë shejtani: çfarë t’i bëj atij njeriu që është udhëzuar, mjaftuar dhe mbrojtur?”

Lus Allahun të na bëjë nga ata që i mbështeten Atij në mënyrë të saktë, të na furnizojë kthimin (pendimin) tek Ai , bindje dhe nënshtrim ndaj Tij dhe që të kemi nevojë vetëm për Të, nga askush tjetër. Paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
 
Përktheu: Fazli Bunjaku
21.12.2008


--------------------------------------------------------------------------------

1 Et-Teuekul التوكل : është mbështetja tek Allahu i Madhëruar duke i pasur te gjitha shpresat tek Ai, duke qenë i bindur se do të ndodhë vetëm ajo që Ai ka caktuar dhe se askush tjetër përveç Tij nuk mund të ndryshojë atë që Ai e ka caktuar.
2 Rukje رقية : shërimi nga sëmundjet  me Kuran ose lutje të cilat kanë ardhur nga i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut dhe Mëshira e Allahut qoftë mbi të.
3 Et-Tetajurالتطير  (siç ka ardhur në hadith): është moskryerja e një pune pasi shikon diçka (siç besonin e arabët para islamit, kur vendosnin për diçka, n.q.s. shikonin zog të zi, nuk e kryenin atë punë duke besuar se kjo është shenjë e keqe).
4 Shërimi me djegie është një nga llojet e shërimit të disa sëmundjeve.
5 Es-selef: Të parët tanë myslimanë. Sahabët (shokët e Profetit, brezi i parë), Tabiinët (pasardhësit e sahabëve, brezi i dytë) si dhe të gjitha ata që ndoqën dhe ndjekin rrugën e tyre pa devijuar nga ajo. Në këtë rast është për qëllim brezi i dytë i selefëve.
6 Takvaja: Devotshmëria ndaj Allahut të Madhëruar.
7Hajr: mirësi, dobi.

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 270690 visitors (1064802 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=