Mes`hu mbi çorapë

Mes`hu mbi çorapë


Mendimet e dijetarëve në lidhje me këtë:

1. Lejohet mes`hu mbi çorapë, por vetëm mbi ato që janë nga lëkura dhe ky është qëndrimi i malikive
1.
2. Lejohet mes`hu mbi çorapë, por me kusht që poshtë saj të jenë lëkurë. Pra, nuk është kusht që e tëra të jetë lëkurë, por vetëm pjesa e poshtme. Ky është mendimi i parë i Ebu Hanifes para se ta ndryshonte mendimin ashtu si do të shohim më poshtë. Dhe ky është mendimi të cilin e përmban Shafiu në librin “El`um”
2.
3. Lejohet mes`hu mbi çorapë edhe nëse nuk janë nga lëkura, por nëse ato janë të trasha. Ky është qëndrimi i dy nxënësve të Ebu Hanifes, Ebu Jusufit dhe Muhamed Hasenit
3. Vërtetohet se në këtë qëndrim është kthyer edhe Ebu Hanifja në fund të jetës, kur u sëmur. Dijetari i njohur hanefit imam Serhesiu në librin “El-Mebsut” thotë: “Tregohet se Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë) në fund të jetës së tij i ka dhënë mes`h çorapëve dhe u thoshte atyre që e vizitonin: “Kam vepruar një gjë që i kisha ndaluar njerëzit të veprojnë”. Dhe me këtë kanë argumentuar se ai është kthyer nga qëndrimi i parë4. Gjithashtu ky është qëndrimi më i përzgjedhur te shafitë dhe ky është mendimi i medhhebit hanbeli.
4. Lejohet mes`hu mbi çorapë edhe nëse nuk janë të trasha. Neveviu tregon se kjo të ketë qenë thënia e Omerit, Aliut, Is`hakut, Davudit. Ai në librin “Mexhmu” thotë: “Tregojnë njerëzit tanë se transmetohet nga Omeri dhe Aliu (Allahu i mëshiroftë) se kanë lejuar dhënien mes`h çorapëve edhe nëse janë të holla
.5

Sqarim: Kur kemi folur rreth mes`hut në fillim, kemi thënë se ai është lehtësim (ruh`se) për besimtarin. Me lehtësim nënkuptojmë se fërkimi nuk është esencë gjatë abdestit, por larja është esencë kurse mes`hu është zëvendësues. Me fjalë të tjera, në mes`h kalohet vetëm në rastet kur i kemi përmbushur kushtet që e lejojnë atë.
Në anën tjetër, kur fukahatë e kanë trajtuar këtë lehtësim, atëherë tek ata është dalluar forma e vështrimit që ia kanë bërë se për çfarë arsye është lejuar të kalohet në shfrytëzimin e këtij lehtësimi.
Disa nga ata e kanë shikuar mes`hun nga këndvështrimi se në të kalohet gjatë kohës së të ftohtit, kur mbajmë çorapë e këpucë të trasha dhe kur është vështirë dhe dëm për besimtarin zbathja nga të ftohtit.
Kurse disa të tjerë e kanë shikuar nga një këndvështrim tjetër rreth motivit dhe arsyes se pse është përligjur ky lehtësim. Ata kanë thënë se arsyeja e lejimit të mes`hut është vështirësia e zbathjes së tyre gjatë abdestit, pastaj edhe mbathja e tyre dhe kjo është evidente edhe gjatë verës, edhe gjatë dimrit si me çorapet e holla, edhe me të trasha.
Nëse kuptohen këto dy këndvështrime të dallueshme mes tyre me të cilat janë nisur fukahatë, atëherë është shumë lehtë të kuptohen edhe arsyet e ekzistimit të mospajtimit në këtë. Pasi të gjithë ata, kur kanë thënë se lejohet, respektivisht nuk lejohet mes`hu mbi çorapë, qëndrimi i tyre ka qenë rezultat i formës së qasjes që ia kanë bërë këtij lehtësimi të përligjur nga Allahu i Lartësuar.

Përzgjedhja e mendimit të saktë
Ne nuk do të zgjerohemi në sjelljen e argumenteve, pasi kjo kërkon zgjerim, por themi se qëndrimi i përzgjedhur në këtë është se lejohet t`u japim mes`h çorapëve edhe nëse janë të holla, pasi qëllimi i mes`hut është lehtësim dhe besimtari kur ka të mbathur çorapë, pa marrë parasysh të holla
6 apo të trasha, ai ka vështirësi në zbathjen e tyre dhe i lejohet ta shfrytëzojë këtë lehtësim nga Allahu i Lartësuar. Kurse çdo kushtëzim (sikurse trashësia, apo që të jenë mestet prej lëkure, etj.) i cili nuk është i bazuar në argumente të shëndosha nuk është e drejtë të merret.
Kësaj mund t`ia shtojmë edhe atë se kemi një numër transmetimesh ku tregohet se Muhamedi u ka dhënë mes`h çorapëve dhe këto transmetime duke i përmbledhur arrijnë shkallën e argumentimit me to
7.
Ebu Davudi tregon se mes`hu mbi çorapë ka qenë praktikë e një numri sahabësh. Ai thotë: “Çorapëve u kanë dhënë mes`h Ali Ibën Ebi Talibi, Ibën Mesudi, Bera ibën Azibi, Enes Ibën Maliku, Ebu Umame, Sehl Ibn Sadi, Amër ibën Huvejrithi, gjithashtu transmetohet një gjë e tillë edhe nga Omeri e Ibën Abasi.
8
Gjithashtu kjo është edhe përzgjedhje e një numri të ulemave si Sufjan Thevriu, Abdullah ibën Mubareku, Atau, Hasan el Basriu, Seid Ibën Musejibi dhe të një numri ulemash të tjerë.


Çfarë e bën mes’hun të pavlerë

Mes’hu prishet me njërën nga këto gjëra:
1. Kalimi i afatit të caktuar. E pasi afati i mesteve është i caktuar, atëherë nuk lejohet shtimi i kësaj kohe. Mirëpo këtu duhet ta kemi të qartë se nëse ne jemi me abdest, që e kemi marrë para kalimit të afatit të caktuar, atëherë nuk prishet abdesti nëse kalohet afati, por ai abdest vlen derisa nuk prishet. E kur të prishet, atëherë nuk lejohet dhënia mes`h.
2. Xhunubllëku. Safvani thotë: “Resulullahu salallahu alejhi ue selem na urdhëronte që kur jemi në udhëtim mos t’i nxjerrim mestet tona tri ditë e tri net, përveç nëse ishim xhunubë, kurse sa i përket nevojës së madhe, urinës dhe gjumit, nuk ka nevojë të hiqen mestet.
9


A prishet abdesti me zbathjen e mesteve

Nëse besimtari ka marrë abdest duke i dhënë mes`h mesteve dhe në këtë gjendje i zbath mestet, a prishet abdesti apo jo? Në këtë ka mendime te fukahatë:
1. I mjafton atij t`i pastrojë vetëm këmbët pasi t`i ketë zbathur mestet, edhe nëse pas zbathjes kalon një kohë dhe ky është mendimi i hanefive
10 dhe i një grupi shafish. Ata nisen nga esenca se nuk është kusht gjatë abdestit të pastrohen pjesët e abdestit një pas një, por lejohet të ketë ndërmjet tyre ndarje. Kështu që ai numërohet se i ka pastruar të gjitha pjesët e abdestit përveç këmbëve, pasi atyre u ka dhënë mes`h. Kur i zbath ato, atëherë duken pjesët të cilët nuk i ka pastruar, ai i pastron ato dhe me këtë konsiderohet se e ka plotësuar abdestin.
2. Nëse i pastron këmbët menjëherë si i zbath, atëherë nuk llogaritet se e ka prishur abdestin, por nëse i vonon, atëherë duhet ta përsërisë abdestin nga fillimi. Ky është qëndrimi i malikive, ashtu si vërtetohet nga Imam Maliku.
3. Nëse i zbath duke pasur abdest, atëherë nuk prishet abdesti dhe ky është mendimi i Ibën Hazmit dhe këtë e përzgjedh Ibën Tejmije dhe disa fukaha të tjerë si Ibën Uthejmini.
4. Abdesti prishet nëse mestet zbathen dhe ky është mendimi i hanbelive dhe i një grupi hanefish dhe shafish. Kështu thotë Ibrahim Nehaiu, Tavusi Atau dhe Katade.
Këto janë qëndrimet e fukahave dhe të gjithë janë nisur nga një numër argumentesh, qofshin të drejtpërdrejta ose të përgjithshme.
Mendimi i përzgjedhur është se abdesti nuk prishet nëse zbathen mestet, pasi për këtë kemi një hadith ku Ali ibën Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të) mori abdest duke iu dhënë mes`h mbathjeve dhe kur hyri në xhami i zbathi ato dhe e fali namazin duke qenë imam
11.
Gjithashtu argument për këtë është edhe duke bërë analogji me mes`hun mbi kokë. Ata thonë nëse i japim mes`h kokës dhe më pas e rruajmë kokën, atëherë nuk prishet abdesti edhe pse duket një pjesë e cila nuk i është dhënë mes`h më parë.
Por megjithëkëtë më mirë do të ishte të lihet praktikimi i kësaj, pasi është më sigurt që nëse zbathen mestet ai të marrë abdest dhe këtë qëndrim e përmbajnë një grup fukahash. Gjithashtu, kësaj mund t`ia shtojmë edhe atë se thënia se zbathja e mesteve nuk prish abdestin mund të shpjerë që njeriu të ketë abdest gjatë gjithë kohës pa i pastruar këmbët.
Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
2.11.2007

 

1 “El Mudvene”, vëll.1, f. 143.
2“Mebsut”, vëll.1, f. 102.
3“Ahkamul Kuran” ElXhasas, vëll.2, f.494; “Mebsut”, vëll.1, f. 102
4 “Mebsut”, vëll.1, f. 102. Gjithashtu shih: “Bedaiu Sanai”, vëll.1, f.10. edhe Zejleiu vërteton kthimin e tij në librin “Tebjinu Hakaik”, vëll. 1, f. 51.
5 “Mexhmu” Neveviu vëll.1, f. 527.
6 E sakta është se çorapeve me të cilat duket këmba (të tejdukshme) nuk lejohet t'u jepet mes`hi, pasi ato nuk mbulojnë këmbën.
7 Prej këtyre haditheve sjellim hadithin e Mugire Ibn Shu’be ku thotë: “Muhamedi salallahu alejhi ue selem mori abdest dhe u ra mes’h çorapeve dhe nallaneve.” Shënon Ebu Davudi. Kurse Ubejd Ibn Xhurejxhi thotë: “I është thënë Ibn Umerit radijallahu anhu: “Po të shohim se je duke bërë diçka e që askend përveç teje nuk e kemi parë duke e bërë.” E ai tha: “Ç’është ajo?” I thanë: “Po të shohim se mbath nallane sebtijje”, e ai tha: “E kam parë Resulullahun salallahu alejhi ue selem me këso nallanesh, merrte abdest me to dhe u jepte mes’h.” Për më gjerësisht rreth transmetimeve të këtilla, “Ahkamu Mes`h Ala Hail”, f. 53-82.
8 “Fikhu Ibadat”, vëll.1, f.66.
9 Shënon Tirmidhiu.
10 “Bedai Sanai”, vëll.1, f.12; “Mebsut”, vëll.1, f.102-103; “Tebjin Hakaik”, vëll.1, f.51.
11 Shënon Ibën Ebi Shejbe, dhe Bejhikiu dhe hadithi ka zinxhir të saktë transmetimi.

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451379 visitors (1419281 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free