Kushtet e bërjes obligim të haxhit

Kushtet e bërjes obligim të haxhit


Dijetarët islamë i kanë cekur kushtet e bërjes obligim të haxhit, me përmbushjen e të cilave njeriut i bëhet obligim haxhi. Nëse njeriu nuk i plotëson ato kushte, nuk i bëhet obligim haxhi. Kushtet e haxhit janë pesë:

   Të jetë njeriu musliman
: Ky kusht vlen për të gjitha ibadetet (adhurimet), sepse ibadetet nuk pranohen nga qafirët (jobesimtarët). Allahu xh.sh. thotë: "Asgjë tjetër nuk pengon që t’u pranohet ndihmesa (lëmosha) e tyre, përveç asaj se ata nuk besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij." (Et-Teube, 54)
   Gjithashtu, këtë e vërteton edhe hadithi i Muadh ibn Xhebelit, kur Pejgamberi alejhi selam e dërgoi për në Jemen dhe i tha: "Ti po shkon te një popull që i është dhënë libri më herët (Ehlul Kitab). Thirri ata në fjalën La Ilahe il-lAllah (dëshmia se nuk ka Zot tjetër që e meriton adhurimin përveç Allahut) dhe se unë (Muhamedi alejhi selam) jam i Dërguar i Allahut. Në qoftë se ata i përgjigjen kësaj, atëherë tregoju atyre se Allahu xh.sh. ua ka obliguar faljen e pesë kohëve të namazit gjatë ditës dhe natës. Në qoftë se ata i përgjigjen kësaj, atëherë tregoju atyre se Allahu xh.sh. ua ka obliguar atyre dhënien e zekatit, e cila merret nga pasuria e pasanikëve dhe u jepet fukarenjve." (Muttefekun alejh)
   Nga ky hadith kuptojmë se jobesimtarëve së pari u bëhet thirrje që ta pranojnë Islamin e pastaj, në qoftë se e pranojnë atë, obligohen me namaz, zekat haxh, etj..

   Të jetë njeriu i mençur dhe moshërritur
: Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Është ngritur lapsi (nuk shkruan lapsi) nga tre persona: Nga personi që është fjetur, derisa të zgjohet, nga fëmija, derisa të hyjë në moshën madhore, dhe nga i çmenduri, derisa të bëhet i mençur.” (Ebu Davudi 4403, shejh Albani ka thënë se hadithi është i vërtetë.)
   Fëmija nuk e ka obligim haxhin, mirëpo nëse shkon në haxh me përgjegjësin e tij, haxhi i tij është i pranuar dhe e ka shpërblimin e haxhit, gjithashtu edhe përgjegjësi i tij ka shpërblim. Transmetohet se një grua e ngriti fëmijën e saj dhe e pyeti Pejgamberin alejhi selam: “A llogaritet haxhi i këtij?” Tha Pejgamberi alejhi selam: “Po, dhe ti ke shpërblim." (Muslimi)

   Të jetë njeriu i lirë
: Pra, për skllavin haxhi nuk është obligim, pasi ai është i zënë me detyrat e zotërisë së tij.

Mundësia për të shkuar në haxh
: Allahu xh.sh. ka thënë: "Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo." (Ali Imran, 97)
   Mundësia për të shkuar në haxh përfshin mundësinë trupore dhe materiale. Mundësia trupore do të thotë që njeriu të jetë i shëndoshë, që i përballon vështirësitë e udhëtimit dhe të riteve fetare.
   Nëse njeriu është i sëmurë nga ndonjë sëmundje prej së cilës ka mundësi të shërohet, atëherë pret derisa të shërohet e pastaj shkon në haxh. Nëse dikush është i sëmurë nga ndonjë sëmundje prej së cilës nuk ka mundësi të shërohet, si p.sh. kanceri vdekjeprurës, etj., atëherë dërgon dikë tjetër (bedel) për t’ia kryer haxhin. Kurse mundësia materiale nënkupton që ai të ketë të holla (para) për të shkuar dhe për t’u kthyer nga haxhi.
   Femrat kushtëzohen që të shkojnë me mahrem në haxh (mahrem është burri i saj dhe gjithashtu të gjithë ata meshkuj moshëritur me të cilët femra e ka haram të martohet, si p.sh. babai, vëllai, djali i vëllait, xhaxhai, daja, etj.), pasi nuk i lejohet gruas të shkojë në haxh pa mahrem.
 
Përgatiti: Eroll Nesimi

 

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 270690 visitors (1064779 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=