
Zyrtarë të lartë të Hamasit bënë të ditur se të dielën kanë shpallur armëpushim të menjëhershëm dhe se i kanë dhënë një javë forcave izraelite të tërhiqen nga rajoni.
Njoftimi për armëpushim erdhi nga zyrtari i Hamasit, Ayman Taha, i cili ndodhet në Kajro për bisedime me Egjiptin rreth marrëveshjes për armëpushim.
Këtij armëpushimi i është bashkangjitur edhe Xhihadi Islamik.
Hamasi po ashtu ka kërkuar që Izraeli t'i hapë të gjitha kalimet kufitare me Gazën me qëllim të depërtimit të artikujve të nevojshëm për popullin e Gazës.
Të shtunën Hamasi kishte bërë të njohur se nuk do ta pranojë armëpushimin e njëanshëm të Izraelit dhe se do të vazhdojë me sulme raketore. Të dielën u hodhën disa granata dhe raketa kundër vendbanimeve izraelite, me ç'rast një grua ishte plagosur.
"Në takim me grupet e ndryshme rezistuese, është vendosur që gradualisht të bie numri i raketave të hedhura deri në ndalimin e tërësishëm. Kjo mund të ndodh brenda pak ditësh, bile edhe brenda pak orësh. Hedhja e raketave ka për qëllim dërgimin e mesazhit se ne jemi ata që vendosim për armëpushim e jo disa vendime njëanshme në Izrael", u deklaruan pjesëtarët e Hamasit.
Grupet e rezistencës palestineze u deklaruan se rreth 100 luftëtarë të tyre kanë rënë dëshmorë gjatë luftimeve tre javësh në Gaza.