Thojuni njerëzve fjalë të mira

Thojuni njerëzve fjalë të mira
 
 
 
   Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar robërit e Vet që të zgjedhin shprehjet më të mira, fjalët më të bukura, kur bisedojnë njëri me tjetrin, në mënyrë që të përhapet dashuria dhe miqësia mes tyre dhe të largohen shkaqet e shkëputjes së raporteve familjare dhe urrejtja. Allahu i Lartësuar thotë: “E ti robërve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut.” (Isra, 53)
   Abdurrahman Sadi thotë: “Allahu nga butësia e Tij ndaj robërve të Vet i urdhëron ata të përdorin fjalët më të mira, të kenë moral të mirë, fjalë dhe vepra që janë motivuese për lumturinë në këtë dhe për në botën tjetër dhe ka thënë: “E ti robërve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira” , pra ky është urdhër për çdo fjalë që të afron tek Allahu, si përmendje e Tij, urdhërim për të mirë, ndalim nga e keqja, fjalë të mira dhe të buta me krijesat, me të gjitha kategoritë dhe pozitat e tyre. Ndërsa nëse çështja sillet mes dy të mirave, atëherë obligohet besimtari të zgjedhë më të mirën, nëse është i pamundur bashkimi i të dyjave. Fjala e mirë është shtytëse për çdo moral të mirë, vepër të mirë, ngase kush e zotëron gjuhën e vet, ka zotëruar çdo gjë.
   Ndërsa fjala e Allahut: “pse djalli ndërsen mes tyre,” do të thotë se ai mundohet të fusë mes robërve përçarje dhe t’ua prishë fenë dhe dynjanë e tyre.
   Ilaçi i kësaj është të mos dëgjohen në fjalë jo të mira, në të cilat i nxit shejtani, ngase ai konsiderohet si armik i vërtetë i tyre, prandaj duhet ta luftojnë atë në atë që i nxit: “Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.” (Fatir, 6)


Çdo fjalë është e ruajtur dhe e regjistruar

Ky është një fakt që Kurani e ka rrënjosur dhe e ka përmendur në disa vende, në mënyrë që njeriu të llogarisë veten dhe gjuhën e vet. Ai thotë: “Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf, 18)
   Gjithashtu, Allahu i Madhëruar, kur flet për çifutët dhe fjalët e tyre, thotë: “Allahu ka dëgjuar fjalën e tyre që thanë: “Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!” Ne do të shënojmë atë që thanë ata dhe që i mbytën Pejgamberët pa kurrfarë faji e do t’u themi: “Vuajeni mundimin e djegies së zjarrit.” (Ali Imran, 181)
   Siç ka lajmëruar gjithashtu se melekët llogarisin dhe regjistrojnë çdo fjalë të njeriut: “A mendojnë se Ne nuk dëgjojmë ndjenjën e fshehtë të tyre dhe bisedën midis tyre? Po, e dëgjojmë dhe të dërguarit tanë (engjëjt përcjellës), që janë pranë tyre, shkruajnë.” (Zuhruf, 80)
   Ajetet kuranore në këtë drejtim janë të shumta, porse qëllimi është vetëm tërheqja e vërejtjes robërve, që të kenë kujdes nga ajo që thonë dhe se ajo regjistrohet ose në favor të tyre ose kundër tyre, prandaj njeriu duhet të kujdeset gjithmonë dhe në çdo gjendje në regjistrin e tij të regjistrohen vetëm të mira, që t’i gëzohet kësaj në Ditën e Gjykimit.


Ushtro gjuhën tënde për fjalë të mira

   Islami i nxit njerëzit që t’i përzgjedhin fjalët e mira të cilat fusin gëzim tek njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe njerëzve u thoni fjalë të mira.” (Bekare, 83)
   Allahu nuk u lejon robërve të vet publikimin e shprehjeve të këqija vetëm se në raste të caktuara, si në rastin kur i është bërë padrejtë. Ai thotë: “Allahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija, përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtë. Allahu është dëgjues, i dijshëm.” (Nisa, 148)
   Jahja b. Muadhi thotë: “Besimtari le të ketë hise te ti tri cilësi, në mënyrë që të jesh prej bamirësve: Nëse nuk i sjell atij ndonjë dobi, mos e dëmto, nëse nuk fut gëzim tek ai, atëherë mos e pikëllo dhe nëse nuk e lavdëron, atëherë mos e nënçmo.”
   Të parët tanë i ushtronin gjuhët e tyre dhe kujdeseshin për zgjedhjen e shprehjeve dhe të fjalëve për të cilat nuk do të pendoheshin. Një burrë u ngatërrua me Ahnef b. Kajsin dhe i thoshte këtij të fundit: “Nëse thua vetëm një fjalë, do t’i dëgjosh dhjetë.” Atëherë Ahnef b. Kajsi i tha: “Mirëpo ti, pasha Allahun, nëse i thua dhjetë nuk do të dëgjosh asnjë fjalë.”
   Isai alejhi selam pa një ditë një derr dhe tha: “Kalo në paqe.” Atëherë i kanë thënë: “Këtë po i thua derrit?” U përgjigj: “Po e ushtroj gjuhën time me fjalë të mira.”
   Njerëzit më të denjë që meritojnë që ti të sillesh me ta me këtë moral janë prindërit, për të cilët Allahu ka urdhëruar të jemi bamirës ndaj tyre. Allahu thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre ose që të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” (Isra, 23)
   Shumica e të parëve, kur flisnin me nënat e tyre, gati nuk u dëgjohej fare zëri nga kujdesi i madh i tyre që të ulnin zërin nga edukata e tyre. Disa prej tyre, kur kalonin pranë tyre, çdo ditë thoshin: “Zoti im! Mëshiroji ata të dy sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.”
   Kurse ne sot çuditemi nga gjendja e të rinjve dhe e të rejave se si sillen vrazhdë me prindërit e tyre, duke ngritur zërat, i qortojnë, i shajnë. Sikur një njeri të mos ketë njohuri se ata janë prindërit e tyre, do të mendonte se ata janë shërbëtorë që punojnë tek ata nga vrazhdësia e tepërt dhe nga fjalët që përdorin fëmijët me prindërit e tyre.


Bashkëshortët

   S’do mend se baza mbi të cilën duhen ndërtuar shtëpitë është mëshira dhe dashuria. Allahu thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Rum, 21)
   Bashkëshortët kanë nevojë të zgjedhin fjalët më të mira kur flasin njëri me tjetrin dhe të shfaqin dashurinë dhe mëshirën e ndërsjellë. Lexo këtë bisedë në mes të Dërguarit alejhi selam dhe nënës së besimtarëve, Aishes, kur i thotë asaj: “Unë di kur je e kënaqur me mua dhe kur je e hidhëruar me mua.” Ajo i tha: Si e di këtë? Ai i tha: “Kur je e kënaqur thua: Jo, pasha Zotin e Muhamedit, ndërsa kur je e hidhëruar thua: Jo, pasha Zotin e Ibrahimit.” Aishja tha: “Po, është e vërtetë o i Dërguar i Allahut, nuk e heq vetëm se emrin tënd. Çfarë mëshire është kjo?!”
   Ndërsa nevoja shtohet edhe më shumë për këtë moral të bukur në rastet e hidhërimit. Sa bukur i ka thënë Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, bashkëshortes së tij: “Nëse më sheh të hidhëruar, më kënaq dhe më qetëso, ndërsa nëse të shoh të hidhëruar, të qetësoj, ndryshe do të ndahemi.”
   Kësisoj, vëllezër të nderuar, muslimani duhet ta ushtrojë gjuhën e vet që të flasë vetëm mirë. Allahu thotë: “Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E, kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh.” (Nisa, 114)
   Lusim Allahun e Lartësuar të na japë sukses!


Përktheu: Almedin Ejupi

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 271588 visitors (1067775 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=