Ju keni tek i Dërguari i Allahut shembullin më të mirë
بسم الله الرحمن الرحيم
Falenderimet i takojnë vetëm Allahut paqja dhe nderimet e Tij qofshin mbi vulën e profetëve Muhamedin salallahu alejhi ue selam, familjen e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.
Sigurish që çdo musliman i cili dëshiron të pasojë profetin patjetër duhet ta njohë atë.
Askush nuk mund të jetë musliman i mirë nëse nuk e njeh dhe e pason Profetin Muhamed salallahu alejhi ue selam.
Allahu i madhëruar i ka urdhëruar besimtarët që ti binden dhe ta pasojnë të dërguarin në çdo gjë nëse duan të jenë të shpëtuar. Allahu thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَلا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ
" O ju që keni besuar! Binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit (Muhammedit) dhe mos i çoni kot veprat tuaja." Muhammed 33
Në një ajet tjetër Allahu ka thënë:
قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمْ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ
" Thuaj (O Muhammed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” Al-Imran 31
Ebu Hurejre transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:" Largohuni nga të gjitha gjërat që ju kam ndaluar, dhe mundohuni të kryeni sa të mundeni prej atyre gjërave që ju kam urdhëruar, sepse shumë popuj që kanë jetuar para jush u shkatërruan për shkak të pyetjeve të shumta dhe mosbindjes ndaj profetëve të tyre." Buhari dhe Muslimi
Po ashtu Mulimanët janë të urdhëruar që në çdo grindje dhe mosmarrëveshje të tyren të drejtohen tek Profeti salallahu alejhi ue selam, dhe Allahu ka vënë në dukje se ata nuk do të jenë besimtarë përderisa nuk e kryejnë një vepër të tillë e më pas të ngelen të kënaqur nga gjykimi i tij. Allahu për këtë thotë:
فَلا وَرَبِّكَ لا يُؤْمِنُونَ حَتَّى يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لا يَجِدُوا فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجاً مِمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيماً
"Por Jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar." Nisa 65
Ndërsa pas vdekjes së profetit kjo realizohet duke u kthyer tek syneti i tij.
Nuk ka dyshim se besimi i çdo muslimani është i varur me dashurinë e Profetit salallahu alejhi ue selam pra ai nuk mund të jetë besimtar derisa ta dojë atë.
Allahu thotë:
النَّبِيُّ أَوْلَى بِالْمُؤْمِنِينَ مِنْ أَنْفُسِهِمْ وَأَزْوَاجُهُ أُمَّهَاتُهُمْ
"Pejgamberi është më afër besimtarëve se sa vetë ata me vetveten, dhe bashkëshortet e tij janë nënat e tyre." Ahzab 6
Po ashtu Allahu në një ajet tjetër thotë:
قُلْ إِنْ كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَاؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا أَحَبَّ إِلَيْكُمْ مِنْ اللَّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُوا حَتَّى يَأْتِيَ اللَّهُ بِأَمْرِهِ وَاللَّهُ لا يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ
" Thuaju (O Muhammed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë Vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin kryeneç.” Teube 24
Ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:" Nuk ka për të besuar askush nëse unë për të nuk jam më i dashur se fëmija i tij, prindi i tij dhe të gjithë njerëzit." Buhari dhe Muslimi
Ndërsa në një hadith tjetër Profeti ka treguar se dashuria e tij është shkak që muslimani të shijojë ëmbëlsinë e besimit.
" Tre gjëra nëse gjenden tek muslimani ka për ta shijuar ëmbëlsinë e besimit: Të jetë Allahu dhe i dërguari i Tij më i dashur se çdo gjë tjetër, ta dojë ndokënd vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në kufër sikurse urren të hidhet në zjarr." Buhari dhe Muslimi.
Njohja e Profetit Muhamed është një nga themelet bazë të fesë Islame, çdo kush do të pyetet kur të hyjë në varrin e tij me këto pyetje: Kush është Zoti yt, kush është feja jote dhe kush është Profeti i cili është dërguar tek ty.
Kështu që çdo musliman duhet ta njoh të dërguarin e tij.
Është me interes që këtu të përmendnim Gjenealogjinë e të dërguarit tonë Muhamedit salallahu alejhi ue selam
Gjenealogjia e Profetit Muhamed salallahu alejhi ue selam:
Muhamed i biri i Abdullahit i biri i Abdul Mutalibit, i biri Hashim, i biri Abdu Menaf, i biri i Kusaj, i biri i Kelab, i biri i Murra, i biri i Kab, i biri i Luej, i biri i Galib, i biri i Fihr, i biri i Malik, i biri i Nadër, i biri i Kinane, i biri i Khuzejme, i biri i Mudrike, i biri i Iljas, i biri i Mudër, i biri i Nezar, i biri i Mad, i biri i Adnan, i cili është nga nipërit e Ismailit i biri i Ibrahimit
Për këtë degë të Gjenealogjisë (prejardhjes) së profetit Muhamed kanë rënë dakord të gjithë dijetarët, dhe këtë e ka përmendur imam Buhari në librin e saktë të tij. Ndërsa nga Adnani deri tek Ismaili dijetarët nuk kanë një mendim të përbashkët për emrat e tyre, porse ajo që është e rëndësishme është fakti se Adnani është nga nipërit e Ismailit i biri i Ibrahimit babait të Profetëve alejhi selam.
Emrat me të cilat është emërtuar Profeti Muhamed salallahu alejhi ue selam.
1- Muhamed =) Ky emër rrjedh nga folja hamd që do të thotë falënderim.
Profeti Muhamed ka qenë njeriu që e falënderonte dhe e madhëronte më tepër se çdo kush Allahun e Madhëruar.
Po ashtu mban kuptimin i lavdëruar, Profeti Muhamed është i lavdëruar nga Allahu, i lavdëruar nga Melaiket, nga vëllezërit e tij të dërguar, dhe nga të gjithë njerëzit e tokës. Nuk ka njeri me mendje të shëndoshë edhe nëse nuk beson në të të mos e lavdërojë dhe ta ketë zili Profetin Muhamed.
Jo më kot profeti kur e ka cilësuar veten e tij ka thënë: Un jam zotëria i bijve të Ademit dhe nuk krenohem, jam i pari i cili do të dalë nga varri, jam i pari që do të lejohet për ndërmjetësim dhe i pari që do të ndërmjetësoj." Muslimi
2- Ahmed
3- Mahi =) Fshirës. Dijetarët në lidhje me këtë kanë thënë: Këtu Profeti ka pasur për qëllim një nga dy gjërat.
Se Allahu me ardhjen e tij do të fshijë kufrin, ose do tu fshijë gjynahet e mëparshme atyre të cilët e pasojnë atë. Neueuiu në sherh Muslim.
4- Hashir =) I pari që do të ringjallet.
5- Akib =) Profeti i fundit
Të gjithë këto emra Profeti i ka përmendur në hadithin që transmeton Xherir bin Mut'im ky nga i ati i tij se Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:
" إنَّ لي أسماءً, أنا محمد و أنا أحمد و أنا الماحي الذي يمحو الله به كفر و أنا الحاشر الذي يحشر الناس على قدمي و أنا العاقب "
" Un kam disa emra. Unë quhem Muhamed, dhe Ahmed dhe Mahi (fshirësi) me të cilin Allahu fshin kufrin. Unë jam Hashir (i pri që do të ringjallem) në këmbët e të cilit do të ringjallen njerëzit (d,m,th, do të ringjallen pas meje), unë jam Akib, Profeti i fundit pas të cilit nuk ka më të dërguar." Tirmidhi
6- Mustafa =) I zgjedhur, Profet të cilin e ka zgjedhur Allahu.
7- Nebiju Rrahme =) Profeti i mëshirës
8- Nebiju Teube =) Profet i pendimit.
9- Nebiju Melheme =) Profeti i luftërave.
Ju keni tek i Dërguari i Allahut shembullin më të mirë
Allahu në lidhje me këtë thotë:
لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَنْ كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الآخِرَ وَذَكَرَ اللَّهَ كَثِيراً
" Tashmë padyshim që tek i Dërguari i Allahut (Muhammedi) ju keni një shembull mjaft të mirë për ta ndjekur, për atë që shpreson në (takimin me) Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe që e kujton Allahun shumë." Ahzab 21
Sigurisht që çdokush i cili dëshiron të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe lumturinë në dy botët patjetër që duhet të pasojë Profetin salallahu alejhi ue selam dhe duhet ta marrë atë shembull në çdo çështje.
E si të mos e marrim ne për shembull atë i cili pikëllohet për besimtarët dhe ndaj tyre është i mëshirshëm. Allahu thotë në Kuranin Famëlart:
لَقَدْ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مِنْ أَنفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُمْ بِالْمُؤْمِنِينَ رَءُوفٌ رَحِيمٌ
" Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar (Muhammedi) nga vetë ju (të cilin ju e njihni fare mirë). Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim e vështirësi. Ai (Muhammedi ) është i merakosur dhe i dëshiruar për ju dhe për besimtarët ai është i ndjeshëm, mëshirues." Teube 128
1- Profeti salallahu alejhi ue selam ka qenë njeriu më i devotshëm dhe ai i cili ishte më i mbështeturi tek Allahu,
Allahu thotë në Kuran:
إِلاَّ تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الَّذِينَ كَفَرُوا ثَانِيَ اثْنَيْنِ إِذْ هُمَا فِي الْغَارِ إِذْ يَقُولُ لِصَاحِبِهِ لا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا فَأَنزَلَ اللَّهُ سَكِينَتَهُ عَلَيْهِ وَأَيَّدَهُ بِجُنُودٍ لَمْ تَرَوْهَا وَجَعَلَ كَلِمَةَ الَّذِينَ كَفَرُوا السُّفْلَى وَكَلِمَةُ اللَّهِ هِيَ الْعُلْيَا وَاللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ
" Në mos e ndihmofshi (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar Allahu; kur ata që nuk besuan e nxorën atë vetë të dytin; kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vet: "Mos u pikëllo (friko), Allahu është me ne!" E Allahu zbriti qetësi (në shpirtin e) tij, e fuqizoi me një ushtri që ju nuk e patë; e fjalën e atyre që nuk besuan e bëri më të poshtëruarën, kurse fjala e Allahut (është) më e larta. Allahu është më i fuqishmi, më i urti." Teube 40
Ndërsa Ebu Bekri radijallahu anhu tregon se kur ishim në shpellë dhe u afruan afër saj idhujtarët i thashë Profetit salallahu alejhi ue selam: O i dërguar i Allahut nëse ndonjëri prej tyre do të uli shikimin tek këmbët e tij do të na shoh. Profeti iu përgjigj: O Ebu Bekër çmendim ke ti për dy persona i treti i të cilëve është Allahu."
Kështu duhet të jetë dhe besimtari të marrë për shembull profetin dhe ti mbështetet vetëm Allahut.
Subhanallah sa njerëz gjen që me një sprovë të vogël që i bie menjëherë drejtohen tek falltarët e vendet të ashtëquajtura të mira.
Besimtari i vërtetë mbështetet vetëm tek Allahu dhe e lidh zemrën vetëm me Atë duke qenë i sigurt se Allahu nuk i lë mënjanë ata që i mbështeten Atij.
Allahu thotë:
وَمَنْ يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ
"Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij " Talak 3
Ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:" Kush shkon tek fallxhorët dhe beson në ato që thotë vërtet ka mohuar në atë që ju ka zbritur Muhamedit."
2- Profeti shembullor në Adhurim.
Profeti salallahu alejhi ue selam ka qenë adhuruesi më i madh edhe pse Allahu ia kish falur të gjitha gjynahet qofshin ato para profecisë apo pas saj.
Aishja radijallahu anha transmeton se namazi i Profetit gjatë natës ka qenë dy nga dy, dhe mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre."
Aq shumë falej Profeti salallahu alejhi ue selam natën saqë i çaheshin thembrat nga qëndrimi në këmbë.
Kur e pyeti Aishja se përse Profeti bënte gjithë këtë adhurim ai i përgjigjet:" Po a nuk meritoj të jem un rob falënderues."
Megjithatë Profeti salallahu alejhi ue selam ishte i mesëm dhe nuk e tepronte, dhe ja jepte hakun çdo gjëje. Njëherë erdhën tre burra për të pyetur se si ishte adhurimi i Profetit, kur morën vesh për të njëri prej tyre tha: Unë do të falem gjithë natën, tjetri tha unë do të agjëroj pa ndërprerë, ndërsa tjetri tha unë nuk do të martohem kurrë. Kur mori vesh Profeti se ç'kishin thënë këta doli ke njerëzit dhe tha: Ku janë ata që pyetën për mua. Këtu jemi o i dërguar i Allahut u përgjigjën ata. Atëherë Profeti tha: Unë jam që i frikësohem Allahut më shumë se ju, porse unë falem dhe fle, agjëroj dhe ha si dhe fle me gratë, kush nuk vepron me synetin tim nuk është prej meje."
3- Profeti Muhamed prijës dhe komandant i pa shok.
Vërtet Profeti Muhamed ka qenë prijësi më shembullor që ka parë njerëzimi, e si të mos ishte shembullor kur Allahu e ka zgjedhur që të jetë profet për gjithë njerëzimin.
Profeti salallahu alejhi selam gjithmonë kur dërgonte çeta apo ushtri për mision luftarak të parët e çetave dhe ushtrive i këshillonte të kishin frikë Allahun, të mos sulmonin në befasi një popull, por fillimisht ti publikonin atyre islamin e nëse refuzonin. atëherë të jepnin xhizjen, taksë kjo të cilët e japin popujt e librave të mëparshëm në mënyrë që të jenë të sigurtë dhe të ruajtur si dhe të mund të praktikojnë ritet e fesë së tyre.
Gjithashtu Profeti salallahu alejhi ue selam, porosiste që të mos vriteshin pleqtë, gratë, fëmijët, ata që nuk mermin pjesë në luftë dhe qëndronin në shtëpitë e tyre, si dhe adhuruesit në faltoret e tyre.
Subhanallah sa ndryshim ka midis këtij prijësi dhe atyre të cilët urdhërojnë që objektet e para për shënjestër të jenë xhamitë, fëmijët, gratë dhe pleqtë, dhe në fund nuk mjaftohen me kaq por deklarojnë se kanë vrarë kaq e kaq terrorrista.
Ç'do kush që sheh në historinë Islamë dhe luftërat çliruese të cilat i kanë ndërmarrë Mulimanët shikon qartë dallimin e madh që ka mes tyre dhe kryqëzatave, dhe çdokush e din historinë e kryqëzatave dhe metodat çnjerëzore që kanë përdorur ata, megjithatë askush nuk thotë se ata kanë qenë terroristë. Atëhere a nuk janë ata më të meritueshëm për ato që shpifin ndaj profetit dhe fesë tonë?
4- Profeti Muhamed i mëshirshëm me Mulimanët dhe zemërgjerë me injorantët.
Ç'do musliman duhet të pajiset me virtytet e profetit salallahu alejhi ue selam, të jetë i mëshirshëm ndaj vëllezërve të tij dhe ti justifikojë ata nëse bien në ndonjë gabim, subhanallah po kush shpëton nga gabimi!
Enesi radijallahu anhu Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë : Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, por gabimtari më i mirë është ai i cili pendohet. " Tirmidhiu dhe Ibnu Maxha, e ka bërë të mirë hadithin shejh Albani.
Kur Profeti donte të sulmonte kurejshët në hapjen e Mekës e la lajmin sekret dhe atyre që e dinin i porositi të mos i tregonin askujt. Hatib ebi Belta radijallahu anhu dërgoi një shkresë tek paria e Mekës me anë të një gruaje, porse Allahu i dërgoi Profetit Xhibrilin i cili i tregoi se ç'kish ngjarë. Atëherë Profeti salallahu alejhi ue selam dërgoi Aliun dhe Zubejr bin Auamin dhe i tha se do ta gjenin gruan ne filan vend, pasi sahabet e morën letrën erdhën tek profeti dhe kurja atje gjendej: Nga Hatib ibën ebi Belta tek filan nga të parët e kurejshëve, ku i lajmëronte për planin. Profeti u drejtua nga Hatib dhe i tha: Çështë kjo o Hatib: Ai u përgjigj: Mos u nxito në çështjen time o i dërguar i Allahut! Unë besoj në Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe nuk kam dezertuar e as kam kthyer, porse ju e dini që unë nuk kam njerëz që të më mbrojnë familjen në Mekë dhe doja që ata të ishin të siguruar nga keqtrajtimet e Kurejshëve. Kur dëgjoi një gjë të tillë Umeri tha më jep leje o i dërguari Allahut ti a heq kokën këtij munafiku, më avash o Umer ia ktheu profeti! A nuk e din ti se ai ka marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Allahu ka thënë për luftëtarët e Bedrit:" Punoni ç'të doni se ju janë falur gjynahet. Atëherë sytë e Umerit rrodhën lot dhe tha: Allahu dhe i Dërguari i tij e dinë. Buhari me kuptim
Ndërsa në lidhje me zemërgjerësinë e profetit mjafton vetëm ndodhia me arabin i cili urinoi në xhami.
Enesi radijallahu anhu transmeton se një arab hyri në xhaminë e të dërguarit dhe urinoi në një cep të saj, sahabet kur e panë të gjithë filluan ti flisnin dhe shpejtuan ta ndalonin, në këtë kohë Profeti u tha lëreni atë e mos e ndërprisni, kur mbaroi urinën arabi Profeti e thirri dhe i tha: Xhamitë janë vend falje dhe adhurimi për Allahun dhe nuk janë vend për të tilla gjëra. Buhari, Muslimi
Në disa transmetime të tjera të këtij hadithi gjendet:" Pasi arabi pa veprimin e profetit tha: O Zot më fal mua dhe Muhamedin e askënd tjetër.
A e shikoni sa shumë kemi ne nevojë të edukohemi me edukatën e Profetit salallahu alejhi ue selam.
Po vallë a tregohemi ne kaq të mëshirshëm me vëllezërit tanë, kur bien në gabime të vogla apo, menjëherë e hapim lajmin për ta dhe i përçmojmë sikur të mos e kemi dëgjuar hadithin e Profetit i cili ka thënë:" Nuk beson askush nga ju përderisa nuk dëshiron për vëllain e tij atë që dëshiron për vete."
5- Profeti Muhamed bashkëshort shembullor.
Muslimani i mirë e merr për shembull profetin në çdo gjë, qofshin ato në aspektin e adhurimeve apo në aspektin e të jetuarit.
O ju që dëshironi të jetoni një jetë të lumtur dhe të qetë me bashkëshortet tuaja, pasha Allahun ju e keni shembullin më të mirë tek i dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selam.
Profeti ka qenë bashkëshorti më shembullor dhe ka ditur si të sillet edhe në situata kritike, po ashtu ai ka qenë i dobishëm për familjen e tij, dhe jo si sot ku gjen disa që janë përtac në kulm, të cilët nuk dinë vetëm se të urdhërojnë dhe ti gjejnë gjërat të gjitha llokum. Shikoni tek profeti dhe merrni shembull në të.
Transmetohet nga Aishja se profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:" Më i miri ndër ju është ai i cili është më i mirë me familjen (bashkëshorten e tij) dhe unë jam më i miri juaj për familjen." Tirmidhi 3895, Ibnu Maxha 1977, dhe ka thënë Tirmidhi: Hadithi është i mirë i saktë (hasen sahih).
Si të mos ketë qenë Profeti më i miri për familjen kur ai ishte i pajisur me moral dhe virtyte të pa shembullta?
Ai nuk është mjaftuar me kaq por ka porositur besimtarët të sillen mirë me gratë.
Në dy librat e saktë transmetohet se profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë:" Silluni mirë me gratë, vërtet gruaja është krijuar nga brinja e burrit, dhe pjesa më e përkulur tek brinja është pjesa e sipërme e saj. Nëse do të mundohesh ta drejtosh atë, do ta thyesh, dhe nëse nuk do ta luash atëherë do të mbetet ashtu e shtrembër, ndaj silluni mirë me gratë." Ndërsa në transmetimin e Muslimit gjendet:" Nëse do të përpiqesh ta drejtosh, do ta thyesh atë dhe thyerja, është divorci i saj."
Profeti alejhi selatu ue selam ka ditur se si të sillet kur ndonjë nga gratë e tij gabonte.
Aishja tregon: Një ditë profeti ishte me disa shok të tij në shtëpinë time. Zejneb bintu Xhahsh, dërgon një pjatë me bukë dhe mish për profetin dhe miqtë e tij. Kur pa atë Aishja, e kapi xhelozia dhe e qëlloi pjatën dhe e rrëzoi atë.
Imagjinoni nëse një vepër e tillë ndodh në shtëpinë e ndonjërit prej nesh, e imagjinoni vet se çmund të ndodhë.
Ndërsa profeti veproi krejt ndryshe, ai nuk e shau, nuk i bërtiti në sy të njerëzve dhe as nuk e qëlloi atë. Përkundrazi e mblodhi ushqimin që kish pjata e thoshte duke e justifikuar gruan e tij:" e kapi xhelozia nënën tuaj, dhe këtë e përsëriti dy herë." Buhari 2349.
Aishja ka thënë:" Profeti salallahu alejhi ue selam nuk i ka qëlluar me dorën e tij askujt, përveç se kur luftonte në rrugë të Allahut..." Muslimi 2328
6- Profeti salallahu njeriu më i thjeshtë
Ai i cili hedh vështrimin në historinë e Profetit Muhamed gjen se ai ka qenë njeri i thjeshtë edhe pse Allahu e kishte nderuar me shpallje. Profeti ka jetuar një jetë normale, bile mund të thuash që shpesh herë edhe të vështirë, ai nuk jepej pas kësaj bote dhe nuk i bënin përshtypje bukuritë e saj.
Kur vinin njerëzit në Medine për të pranuar Islamin, hynin në xhaminë e Profetit që ta takonin atë dhe nuk e dallonin atë nga të tjerët, saqë shumë prej tyre pyesnin: Kush është Muhamedi. Ai vishej si visheshin njerëzit, kur kish ndonjëherë grumbullim ulej atje ku gjente vend. Nuk jetonte nëpër pallate përrallore e as që kishte frone madhështore. Nëse dikush hynte në shtëpitë e tij kish mundësi ta prekte tavanin e tyre.
Një herë Umeri radijallahu anhu hyri tek profeti, dhe kur pa gjurmët që kish lënë rrogozi në shpinën e profetit, sytë filluan ti pikonin lot dhe tha: O i dërguar i Allahut mbretërit e Romakëve dhe Persëve janë në kufër dhe jetojnë një jetë luksoze, përse nuk e lut Allahun të dhuroj dhe ty diçka të tillë? Profeti salallahu alejhi ue selam iu përgjigj:" Akoma je në dyshim o Umer, po a nuk dëshiron ti që ata të kenë dynjanë e ne Xhenetin?
Profeti salallahu alejhi ue selam nuk e kish frikë varfërinë. Një herë një arab vjen tek i Dërguari i Allahut dhe e kap prej këmishe e i thotë: Më jep nga ajo që të ka dhënë Allahu. Profeti buzëqeshi dhe i tha shko merr ç'të duash dhe lër ç'të duash.
Kur shkoi tek populli i tij ky arab u tha: o populli im kam ardhur nga një njeri që është shumë bujar dhe që nuk e ka frikë varfërinë.
Profeti alejhi selatu ue selam sa herë që i binte në dorë pasuri e shpërndante atë tek të varfrit.
Njëri prej sahabeve tregon e thotë: Para se të pranoja Islamin Profeti ka qënë njeriu që e urreja më shumë dhe ai më dha disa deve, porse unë akoma e urreja dhe ai përsëri më jepte derisa u bë njeriu më i dashur në zemrën time.
7- Profeti Muhamed ka qënë thirësi më i suksesshëm dhe më i vendosuri.
Si të mos ishte ai i tillë, kur Allahu e inkurajonte me shpallje dhe i kish dhuruar urtësi.
Thjirja e tij ka qënë praktikë e fjalës së Allahut:
خذ العفو وأمر بالمعروف و أعرض عن الجاهلين
" Mere të lehtën dhe fto në të mira e largoju injorantëve" Araf 7
Nuk e pengonin atë mundimet dhe keqtrajtimet nga ftesa e njerëzve në fenë Islame. Ai asnjëherë nuk e la thirrjen edhe pse u mundua shumë. Njëherë të parët e Mekes erdhën tek xhaxhai i Profetit dhe filluan ti thoshin atij: Nëse dëshiron të bëhesh i pari i Arabëve ne do të bëjmë të parin e tyre. Nëse dëshiron ndonjë grua ne do të të martojmë me vashën më të bukur që kanë kurejshët.
Nëse do pasuri ne do të bëjmë të pasur vetëm që të heqësh dorë nga thirja që u bën njerëzve në Allahun Zotin e vetëm. Ai pasi dëgjon i qetë dhe me gjithë krenarin që gjen në vetvete thotë: sikur diellin të ma vini nga e djathta dhe hënën nga e majta nuk kam për të hequr dorë nga ftesa për në fenë e Allahut!
8- Profeti Muhamed ka qënë edukatori dhe mësuesi më i mirë.
Një gjë e tillë shpaloset qartë në mesazhet dhe këshillat që ai u jepte shokëve të tij.
Muadh bin Xhebel transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selam i ka thënë: "Kije ndërmend Allahun kudo që të jesh. Të keqen pasoje me të mirë sepse ajo do ta fshijë atë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë." Tirmidhiu dadithi është i saktë
Ndërsa në një hadith tjetër ai ka thënë: "Unë i premtoj një shtëpi në fillim të Xhenetit atij i cili i lë debatet edhe nëse është në të vërtetë, i premtoj një shtëpi në mes të Xhenetit atij që e lë gënjeshtrën qoftë dhe me shaka dhe i premtoj një shtëpi në Xhenetin më të lartë atij që e ka moralin e mirë."
Gjëja e parë që dëgjuan njerëzit nga goja e profetit kur erdhi në Medine ishin: "O njerëz përhapeni selamin, ushqeni të varfërit dhe faluni natën kur njerëzit të flenë të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj me paqe."
Përgatiti: Bledar Haxhiu |
|
 |
|