Rëndësia e të ndihmuarit të jetimëve

Rëndësia e të ndihmuarit të jetimëve
 
 
 
   Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu, s'ka kush e humb dhe kë e largon Allahu nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
   Përmes këtyre rreshtave i ftoj të gjithë vëllezërit e mi muslimanë që t’i përgjigjemi thirrjes së Allahut të Madhëruar në bamirësi ndaj jetimëve natën dhe ditën, se me të vërtetë muslimanët janë sikur trupi; nëse sëmuret një organ, edhe pjesët e tjera të trupit shqetësohen dhe mbarë organizmi vuan nga dhembjet, pagjumësia dhe ngritja e temperaturës.
   Duke ndihmuar i forti të dobëtin, i pasuri të varfrin, i dituri të paditurin, do të na kthehet përsëri fama që kishim; populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve.
“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun.” (Ali Imran,110)
   I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Si ta shenjtërojë Allahu një popull, ku i dobëti nuk mund t’i arrijë të drejtat e tij nga i forti vetëm se pa u munduar dhe lodhur?!” Transmeton Ebu Ja’la nga Burejde.
   Si ta shenjtërojë Allahu një popull në të cilin nuk përfillen të drejtat e jetimëve, të cilët nuk kanë te kush të përveç Allahut Fuqiplotë, pasi atyre u mungon babai, u mungon ai që ndien dhimbje për ta, ua fshin lotin dhe ua shuan urinë.
   Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Një njeri duke udhëtuar në një rrugë e kaplon etja e madhe, gjen një pus, zbret në të dhe pi ujë. Pastaj del nga pusi dhe has një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë që ha baltë nga etja. Njeriu thotë: “Këtë qen e paska kapluar etja siç më pat kapluar edhe mua më parë.” Pastaj njeriu zbret në pus dhe mbush këpucën e vet me ujë, pastaj e kap me gojë derisa ngjitet lart dhe i jep të pijë qenit. Allahu për këtë e falënderon dhe ia fal mëkatet.” (Sahabët) I thanë: “O i Dërguari i Allahut, edhe për kafshët kemi shpërblim?” (I Dërguari) Tha: “Në gjithçka që ka mëlçi të lagur ka shpërblim.” Muttefekun alejhi.
   Në transmetimin e Buhariut theksohet: “E falënderon Allahu, ia fal mëkatet dhe e fut në xhenet.” Kurse në një transmetim të Buhariut dhe të Muslimit (ku kjo ngjarje jepet më gjerësisht), theksohet: “Një ditë një qen u soll rreth pusit, pasi etja e kishte kapluar për vdekje. Atë e sheh një lavire dhe horre prej Beni Israilëve, e cila e zbathi këpucën e saj dhe me të i dha ujë qenit derisa e ngopi. Për këtë vepër iu falën mëkatet.”
   Kur i ofron ujë apo ushqim kafshës, shpërblehesh. E, vallë si qëndron puna me atë i cili në dorën e tij mban një pikë ujë apo një kafshatë për fëmijën jetim?!
   O ti që Allahu të ka nderuar me pasuri, mos u bë dorështrënguar, por nxito me pasurinë tënde që ta shpëtosh jetimin nga varfëria dhe pikëllimi. A nuk dëshiron që pasuria jote të të shpjerë në xhenetin e përhershëm dhe të arrish kënaqësinë e Allahut?


Bonjakëria e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është nder për çdo jetim deri në Ditën e Kiametit

   Islami i ka kushtuar rëndësi hakut të jetimit qysh nga fillimi i shpalljes dhe vetë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka qen jetim. Kjo pra është nder për çdo jetim deri në Ditën e Kiametit. Allahu i Lartësuar i thotë: “A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje).” (Duha, 6)
   A nuk ishe, o Muhamed, jetim kur ishe i vogël dhe të dha përkrahje e mbrojtje te xhaxhai yt, Ebu Talibi?
   Ka thënë Ibni Kethiri: “Për arsye se kur i vdiq babai, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ende ishte në barkun e nënës së tij. Kur arriti moshën gjashtëvjeçare i vdiq edhe nëna dhe mbeti nën përkujdesjen e gjyshit, Abdul-Mutalibit, deri në moshën tetëvjeçare, kur i vdiq edhe gjyshi. Pastaj e mori nën përkujdesje xhaxhai Ebu Talibi, i cili vazhdoi ta ndihmonte, mbronte dhe ta ngrinte lart, derisa i erdhi shpallja në moshën dyzetvjeçare. Pastaj Allahu i Lartësuar e porositi: “Pra, mos e përul jetimin!” (Duha, 9)
   Allahu ty të dha përkrahje kur ishe jetim, prandaj edhe ti mos e përul, mos e qorto dhe mos e nënçmo jetimin, por sillu mirë dhe butë me të. Ka thënë Katadeja: “Bëhu i mëshirshëm për jetimin ashtu si babai i tij.”


Shtëpia më e mirë është ajo shtëpi në të cilën ka jetim dhe sillen mirë me të

   Thotë Allahu i Lartësuar: “E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!”
Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!”
Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi) ju nuk përfillnit jetimin.” (Fexhr, 15-17)
   Pra, Allahu Fuqiplotë i jep pasuri atij që e do dhe atij që nuk e do, gjithashtu ia pakëson pasurinë atij dhe këtij, por e rëndësishmja për muslimanin është nënshtrimi ndaj Allahut në të dyja rastet; nëse është i pasur, ta falënderojë Allahun e nëse është i varfër, të bëjë durim.
   “Ju nuk përfillnit jetimin”, është urdhër për përfilljen e jetimit. Për këtë shkak ka thënë Enes ibni Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Shtëpia më e mirë është ajo shtëpi në të cilën ka jetim dhe sillen mirë me të dhe shtëpia më e keqe është ajo shtëpi në të cilën ka jetim dhe sillen keq me të. Njeriu më i dashur tek Allahu është ai i cili ia mëson ndonjë zanat jetimit apo vejushës.”


Kush dëshiron që t’i zbutet zemra dhe t’i realizohen nevojat e tij

   Transmetohet se një njeri u ankua tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për ngurtësimin e zemrës. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “A dëshiron të të zbutet zemra dhe të të realizohen nevojat? Mëshiroje jetimin, lëmoja kokën, ushqeje nga ushqimi yt, të zbutet zemra dhe të realizohen nevojat.” Transmeton Taberani nga Ebu Derda.
   O ti i cili ndien se të është ngurtësuar zemra, mëshiroje jetimin, lëmoje kokën e tij, ushqeje prej ushqimi tënd, sillu me butësi me të dhe me lejen e Allahut do të të zbutet zemra dhe do të të realizohen nevojat.


Kujdestari (i mirë) i jetimit do të jetë së bashku në xhenet me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të

   Transmeton Sehl ibn Sa’di, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Unë dhe kujdestari (i mirë) i jetimit do të jemi së bashku në xhenet kështu”, duke bërë me shenjë me gishtin tregues dhe atë të mesëm dhe duke i ndarë pak.” Transmeton Buhariu.
   Ibën Haxheri në shpjegimin e këtij hadithi thotë: “Ka thënë Ibën Betali: “Secili që dëgjon këtë hadith, duhet të punojë me të që të jetë shoqërues i të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në xhenet. E, kjo është grada më e mirë në ahiret.” Pastaj thotë Ibën Haxheri: “Ky hadith sinjalizon se diferenca mes gradës së të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe kujdestarit (të mirë) të jetimit në xhenet është si diferenca mes gishtit tregues dhe atij të mesëm sikurse në hadith: “Jam dërguar unë dhe Kiameti sikurse këta dy gishta (duke bërë me shenjë me gishtin tregues dhe atë të mesëm)." Transmeton Buhariu.
   Gjithashtu, Ibën Haxheri thotë: “Ka thënë Alai: “Ndoshta urtësia e afërsisë së kujdestarit (të mirë) të jetimit me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në xhenet është se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është dërguar te një popull i cili nuk i kuptonte çështjet e fesë së tyre, në të njëjtën kohë ishte edhe kujdestar, mësues dhe udhërrëfyes i tyre. Po ashtu, kujdestari (i mirë) i jetimit kujdeset për atë i cili nuk i kupton çështjet e fesë së tij si dhe të dynjasë, e mëson atë, e nxit për të mirë dhe për përmirësimin e moralit.”


Nuk e keqtrajton jetimin vetëm se ai i cili e përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër

   Thotë Allahu i Madhëruar: “A e ke parë ti (a e sheh) atë, që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër?” (Maun, 1)
   Pra, a dëshiron ta njohësh atë që e përgënjeshtron llogarinë dhe shpërblimin në ahiret? A e kuptove se kush është ai dhe cilat janë cilësit e tij? Nëse dëshiron ta njohësh: “Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë jetimin.” (Maun, 2)
   Po ai është që e largon vrazhdë jetimin, e përul, e keqtrajton dhe nuk i jep hakun (të drejtën e tij).
   “Dhe që nuk nxit për ta ushqyer të varfërin.” (Maun, 3)


Nuk ushqejnë jetimin përveçse të sinqertët, të cilët trashëgojnë xhenetin

   Thotë Allahu i Madhëruar për të sinqertët: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër.” (Insan,
   Japin ushqim për hir të Allahut, edhe pse e dëshirojnë dhe kanë nevojë për të.
“Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi (dënimit të) Zotit tonë në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë e vështirë.” (Insan, 9-10)
   Prandaj shpërblimi i atij që ushqen jetimin është: “Po Allahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me xhennet dhe me petka mëndafshi.” (Insan, 11-12)
   Eh, sa shpërblim i madh...!

Hasim Krasniqi

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 272655 visitors (1070883 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=