Islami prodhon jetën

Islami prodhon jetën
 
 
 
   Allahu i Lartësuar thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide, 3)
   Allahu sqaron në këtë ajet plotësimin e dhuntisë ndaj robërve të Tij duke përsosur fenë e Tij. Disa dijetarë thonë se ky është ajeti i fundit që i ka zbritur të Dërguarit alejhi selam, ndërsa disa të tjerë thonë se është ajeti i fundit sa u përket ligjeve të Allahut.
   Sido që të jetë, ky ajet sqaron një rëndësi të madhe, e cila është: Sheriati është plotësuar, nuk ka në të as mangësi e as dobësi. Pra, nuk u mbetet njerëzve vetëm se t’i kthehen atij për problemet e tyre jetësore. Allahu ka treguar dhe sqaruar në Librin e Tij çdo gjë.
   Pra, nuk i mbetet rrugë një muslimani që të jetojë jashtë sheriatit të Allahut duke pretenduar se nuk e ka gjetur përgjigjen e ndonjë pyetjeje apo se nuk ka gjetur zgjidhje për ndonjë problem të tij. Ky është edhe qëllimi kryesor për arsye të të cilit është krijuar njerëzimi. Pra, njerëzimi është krijuar për t’u zbukuruar me Islam dhe adhurim ndaj Zotit të tyre duke u bazuar në Sheriatin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata. Allahu është furnizues i madh. Ai Fuqiforti.” (Edh-Dharijat 56-57)
   Islami ka vendosur ligje për të jetuar me to. Pra, ky është sheriati i Allahut, kuptimi i të cilit është plotësuar dhe kufizuar në të kuptuarit e selefit (të parëve) të këtij umeti. Andaj nuk i takon askujt të shkarravisë në tekstet e tij dhe të lakojë rrënjët e tij për të jetuar jashtë udhëzimit që ka zbritur Allahu.
   Nuk ka të re në fe, mirëpo ripërtrirja i kthehet së kaluarës, së vjetrës, d.m.th. të kuptuarit të selefit. Me të vërtetë, Kurani i Madhërishëm zbriti në zemrën e Muhamedit alejhi selam, i cili e pranoi dhe e kumtoi ashtu siç e dëgjoi nga Zoti i Tij, punoi me të në formën më të përsosur, që umeti i tij të kishte mundësi ta pasonte atë, paqja dhe bekimet qofshin mbi të.
   Muhamedi alejhi selam ishte artikulues dhe i qartë në fjalën dhe në punën e tij, në atë që i kishte zbritur nga Allahu i Lartësuar. Allahu i Madhëruar thotë: “(I patëm dërguar) Me argumente e me libra të shenjtë. Ty ta zbritëm Kur'anin që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur'anin).” (En-Nahl, 44)
   Është e logjikshme se kush e ka parë të Dërguarin alejhi selam -ata janë sahabët, shokët e tij– kanë më njohuri për sheriatin e Allahut sesa ata të cilët vetëm dëgjojnë ose lexojnë fjalët e të Dërguarit alejhi selam. Nuk është i njëjtë ai i cili ka qenë i pranishëm dhe ai i cili vetëm ka dëgjuar. Ata ishin gjenerata e cila ka dëshmuar vahjin (shpalljen) nga ana e Allahut, ishin të pranishëm në komentet dhe fjalët e të Dërguarit alejhi selam. Gjithashtu, ata që erdhën pas tyre ishin më të ditur se të tjerët, për arsye se jetonin në kohën e sahabëve, me një fjalë ishin pasues të të pagabueshmit, Muhamedit alejhi selam.
   Kështu që njeriu sa më shumë i afrohet dritës, shkëlqimit të pejgamberisë, i afrohet kuptimit të plotë e të vërtetë të fesë. Sa herë që muslimani kapet pas udhëzimit të të parëve, shoqëruesve të të Dërguarit alejhi selam, është në udhëzim të plotë dhe në fjalë të drejtë.
   Pra, vëlla musliman, Imam El-Evzaiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pasoji gjurmët e selefit, edhe nëse të refuzojnë njerëzit, ndërsa ruaju nga idetë e njerëzve, edhe nëse t’i zbukurojnë me fjalë, se çështja është dinjitoze, kurse ti ji në rrugën e drejtë.”


Përktheu: Eroll Rexhepi

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450066 visitors (1413822 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free