Vendi i artit ne Islam

Vendi i artit ne Islam

 

 

Hyrje

           

            Hulumtimet mbi artin islam pajtohen se kontributi i tij në familjen e artit botëror është i pavlerësueshëm. Disa dijetarë nga Perëndimi ndonëse theksojnë më tepër ngjashmëritë apo afërsitë e artit islam me mjediset përreth (Bizanti, India etj.)[1] se sa zgjidhjet dhe krijimet e tij burimore, megjithatë kjo nuk zbehë origjinalitetin e artit islam. Por edhe sikur të pranohej një konstatim i këtillë, këta mendimtarë harrojnë përfundimin korrekt të Osvald Spenglerit se “asnjëherë nuk mund të përcillet fryma e një bote, vetëdije, kulture”.[2] Arti islam edhe ka huazuar elemente teknike dhe formative nga mjediset me të cilat ka kontaktuar apo bashkëjetuar, por fryma e Islamit ka qenë postullat i pacenueshëm i frymëzimit dhe veprës së artistëve muslimanë.[3] Islami ndër muslimanët dhe në mjediset përreth nuk ishte fenomen i huazuar dhe i izoluar, por princip dhe kuptim i jetës:

 

-         në pikëpamjen religjioze - bazë e fesë;

-         në pikëpamjen politike - bazë kushtetuese e shtetësisë;

-         në pikëpamjen ekonomike - rregulli i afarizmit;

-         në pikëpamjen etike - stili i mirësjelljes;

-         në pikëpamjen edukative - përmbajtja e arsimimit.[4]

 

 

Vendi i artit në islam

 

Arti, përkundër diskutimeve të gjalla dhe kontraverze, por ende sipërfaqësore, ka vendin e vet në islam. Sipas disave edhe vetë “Kur’ani është vepër artistike”[5] Entuziazmi fetar, i nxitur jo vetëm nga porosia kur’anore, por edhe nga shkrimi dhe gjuha arabe (kur’anore)[6] si e tillë, ka zhvilluar prej artit profan deri te ai sakral, prej femoneneve kozmike deri te fshehtësitë metaempirike, të fshehura në velin e simboleve me qëllim që t’i zbulojë dhe ta bëjë transparente. Pohimi se arti është produkt i shkathtësisë sikur e drejta dhe filozofia që mbështeten në kognitio  nuk qëndron. Konsiderohet se arti është ‘gjetur’ në mësimin islam[7], është burimor në islam dhe i është përkushtuar frymës islame: individi i tillë kurrë nuk do t’i kalojë kufijt që i ka vendosur islami as që do të krijojë art që është i kundërt me religjionin e tij.[8] Me fjalë të tjera nuk ka artist musliman që do të krijojë trupa lakuriqë apo që do ta mirëpresë pornografinë. Ky preokupim shkoi nga piktura e skulptura në drejtim të arabeskës dhe ornamentikës vegjetabile dhe gjeometrike.[9]

Arti islam me shekuj ka ofruar mjedis të atillë në të cilin muslimanët kanë mundur të jetojnë dhe veprojnë në gjendjen e përkujtimit permanent të All-llahut dhe me vizion dhe në kontemplacion të bukurisë e cila përfundimisht mund të vijë prej All-llahut i cili është i Bukur (el-xhemil) në kuptimin absolut dhe skajor.[10] Për dallim prej artit kristian, ku vendi qendror është ikona dhe personi me emrin Jezu, në islam arti lidhet me emrin e librit të quajtur Kur’an, Shkruarja e Kur’anit, d.m.th. kalifgrafia dhe lexim-këndimi melodik i Kur’anit paraqet apogjenë e hierarkisë së artit islam. Vetëm pastaj vjen arkitektura, veçan ajo e xhamisë etj.[11]

Thënë tjetërfare, arti islam, sipas esencës së tij, i përket rrethit kulturor oriental të cilin e karakterizon pikëpamja specifike mbi botën, jetën dhe njeriun. Pa këto karakteristika, arti islam nuk mund të kuptohet, por as të përjetohet në burimësinë e tij.

 

 
Koncepti i lirisë dhe artit

 

            Diskutimi rreth artit dhe preokupimi me artin[12] para së gjithash shtron disa pyetje të pakapërcyeshme: arti - liria dhe artisti - liria. Koncepti i lirisë shumë herët është temë boshte. Në rastin konkret koncepti i lirisë duhet të kuptohet në aspekt të artit dhe të disa hulumtimeve në këtë fushë.[13] Nuk duhet harruar njeriun si qenie të dyfishtë: shpirtërore dhe animale dhe çështjen se sa mund të veprojnë këto dy fusha absolutisht të pavarura, të lira njëra nga tjetra. Eliminimi absolut i njërit aspekt do të thoshte gjymtim i aspektit tjetër. Konceptin e lirisë, sipas mendimit tonë, duhet perceptuar ashtu që eliminimi i cilitdo aspekt mos të dëmtojë atë që paraqet pjesë të qenies sonë.[14]

 

 

Karakteristikat themelore të artit islam

 

            Arti islam është i veçantë. Ai është i paluhatshëm në aspekt të monoteizmit rigoroz. Për dallim nga kristianizmi, arti islam edhe Pejgamberin e Zotit e konsideron njeri si edhe njerëzit tjerë.

Duke analizuar artin islam, Rozhe Garodi vëren disa karakteristika themelore, që artin islam e bëjnë specifik, në krahasim me artet tjera:

            1) Funksionaliteti. – Xhamia si alfa e omega, sipas konstruktit të vet i përgjigjet funksionit të destinuar. Për dallim prej kishës kristiane dhe tempullit grek xhamia nuk shërben për strehimore të fotografisë së Zotit as për dekorimin e ceremonive në xhami. Xhamia është sallë për namaz dhe lutje, dhe varësisht prej vendit të ndërtimit posedon karakteristika lokale, që nuk dalin jashta funksionit fetar.

            2) Abstrakcioni.- Konceptimi islam i botës, i njeriut dhe i Zotit përcakton këtë karakteristik, sepse arti në islam nuk bën bartjen e të pashmes, por dëftimin e abstraktes apo asaj vështirë të sqaruarës, sqarimi i sistemit hyjnopr të kozmosit, të shoqërisë dhe ligjeve precize që përshkojnë të gjitha këto ligjësi. Paull Keli, piktor i madh, për abstrakcionin pohon se ai ka bërë rrugë të gjatë që “të papashmen ta bëjë të pashme”, sepse abstrakcioni nuk manifeston realitretin, por ritmin dhe ligjshmnëritë e vërtetë të tij.

            3) Uniteti ndërmjet sakrales dhe profanes.- Sakralja dhe profanja nuk kanë vijë ndarëse absolute. Çdo krijim artistik në islam çon në xhami, kurse xhamia çon në namaz, në adhurim, në monoteizëm absolut.[15] I pyetur me një rast se ç’është islami, Titus Burckhardt, perëndimori që më së thelli e njohti artin islam, u përgjigj: “Shko dhe shikoje xhaminë e Ibn Tulunit në Kairo.”[16] Me këtë dëshiroi të dëftojë në unitetin ndërmjet sakrales dhe profanes, në apogjenë e krijimit artistik dhe esencën e islamin.[17]

 

 

Raporti ndërmjet artit, filozofisë dhe misticizmit

 

            Pa personifikimin e ideve abstrakte dhe fakteve të rënda në përdorimin e të folurit figurativ në mënyrën e gjuhës metaforike filozofi dhe gnostiku do të mbeteshin të shurdhër, kurse vizionet tanscendente që për ata janë aq reale, do të mbeteshin vetëm për ata. Nëpërmjet simboleve ata vendosin komunikim me të tjerët rreth vetes. Për dallim prej mistikëve, shumica e filozofëve nuk kanë përdorur të shprehurit figurativ dhe metaforik në prezantimin e argumenteve të tyre, që më së shpeshti mbështeteshin në logjikë dhe fakte.[18]

            Raportet ndërmjet artit, filozofisë dhe misticizmit i determinojnë edhe disa faktorë:

 

-         Faktori hapësinor: Islami i shkretëtirës, i qytetit dhe i fshatit;

-         Faktori kohor: Islami i fillimit, i zenitit, i tërësive të individualizuara të shteteve;

-         Faktori ideor: sunnitët si shumicë dhe harixhitët, mu’tezilitët, shi’itët e të tjerë si pakicë;

-         Faktori i traditës tjetërfare: Egjipti, India, Irani, Turqia, Arabia etj. [19]

 

 

Alegoria si manifestim i mendimit abstrakt

           

            Thuajse pa përjashtim konsiderohet se gjuha njerëzore nuk është adekuate që të ballafaqohet me kërkesat reale të të shprehurit. Për shkaqe të ndryshme, mistikët janë detyruar të përdorin simbole, metafora dhe alegori që do t’i përgjigjeshin porosisë së tyre.[20] Edhe vetë Kur’ani dhe Hadithi përdorin shprehje metaforike për të shprehur bukurinë si përjetim estetik.[21]

            Bukuria manifestohet në të vërtetën e Veprës. Kuptimi për të vërtetën ndihmon ta njohim ligjin e krijimit, kurse kuptimi për bukuri ndihmon ta njohim harmoninë e krijimit.[22] Nëpërmjet kësaj, duke përjetuar këtë harmoni të madhe të Veprave, aktivisht marrim pjesë në kënaqësinë e krijimit, me çka shprehja e bukurisë në art bëhet më real dhe më universal.[23]       

  

Tri shkallë të filozofisë

 

Preceset e mendimit të filozofëve në tërësi janë të lidhura në tri mënyra me imagjinatën:

1. Filozofët qartë duhet të ruhen nga mjegullia e imagjinatës, realitetin nuk duhet ta konsiderojnë të mjegulluar dhe mbi shprehjen joreale apo poetike. Rreziku i vetëm që e rrezikon filozofin në këtë rrafsh është qi ai mund të mashtrohet duke akceptuar hijen në vend të thelbit.

2. Filozofi përdor imagjinatën si instrument i cili me shpejtësi mund ta sjellë filozofin në fushën e Realitetit dhe atje t’i tregohet në fotografi të reja, t’i tregohet një përvojë që nuk është e kapshme për filozofët e rinjë.

3. Vetë imagjinata bëhet objekt i diskutimit, analizohet dhe gjykohet në lidhje me vlerat e saj të brendshme.[24]  

Vetëtëhuajësimi

 

Për filozofin nuk mjafton që të arsimohet me terminologji në diskursin filozofik, por ai duhet të depërtojë thellë në shkencën filozofike dhe këtë të mund ta prezantojë nga këndi krejt tjetër. Çdo objekt në botë ka esencën e vet. Edhe njeriu ka esencën e vet e ajo është vetëdija mbi individualitetin e tij. Ka edhe të atillë që identitetin e vet nuk e shohin për të vlefshëm, me ç’gjë vijmë në vetëtëhuajësim. Kur’ani e shpjegon tëhuajësimin si ndikim të djallit, i cili rrënon shikimin e njeriut mbi universumin, duke e paraqitur atë të rrejshëm dhe iritues. Njeriu degradohet kur largohet nga vijëlidhja me Zotin dhe kur i mungon pikëpamja për identitetin vetjak.[25] 

 

Njeriu në raport me Zotin

 

Njohja e pikëfillimit të tëhuajësimit imponon njohjen e kufijve të unit të tij. Nëse pranohet ideja se çka do që është jashta unit duhet të refuzohet, argumenti i tillë do të na çonte deri te përfundimi se meqë Zoti është jashta unit tonë, atëherë edhe Ai do të duhej lënë anash. Besimtari nuk mund ta pranojë këtë konfuzion, pozicionin pa Zotin, por pranon njohjen nëpërmjet Zotit dhe në hijen (manifestimin) e Zotit.[26]

Krijuesi është një, përkatësisht Atij i përket akti burimor i krijimit. Arti nuk është krijues, por i sendërtuar, që imponon karakterin funksional të saj në dy aspekte:

- estetikisht demonstron aktin e krijimit të Zotit sikur edhe pozicionin dhe rolin e krijesës së Zotit dhe;

- kultivimin e jetës duke e humanizuar dhe duke ndjekur modelin e mirësjelljes burimore islame.

Së këndjemi, ideali i tij nuk është as asketizmi as hedonizmi. Asketizmit i kundërvihet ideali i plotënisë së jetës, që e rekomandon Kur’ani dhe Hadithi, kurse hedonizmit i kundërvihet qëllimësia Absolute e krijimit në islam.[27]           

 

Dimensionet

           

            Nëse pranojmë idenë se Zoti është i Gjithëmundshëm atëherë uni ynë do të shkrihet në Të. Nëse dëshirojmë ta ruajmë unin tonë, ne duhet ta braktisim idenë për Zotin Absolut. Analiza e kësaj çështja zbulon se uni posedon disa dimensione. Një dimension sipas natyrës së tij është historik [28] në kuptimin se nëse jemi të vetëdijshëm për prapavijën vetjake historike ne do ta humbim pikëpamjen mbi një aspekt të vetë neve. Nëse nga ana tjetër e neglizhojmë prapavijën tonë kulturore dhe religjioze atëherë do ta humbim pikëpamjen mbi aspektet tjera të rëndësishme të qenies sonë. Në këtë mënyrë nëse nuk jemi në kontakt me artin dhe literaturën e vendit tonë, d.m.th. me faktorin hapësinor  atëherë do të varfërohemi, do të na mungojë ajo gjerësia. Tërë kjo argumenton se pikëpamja që ne kemi për veten është diç krejt tjetër nga e Vërteta. Të gjitha pikëpamjet e tilla rrjedhin në prapavijën tonë sikur përronjtë që rrjedhin në det. Ajo është personaliteti i dikujt kurse Zoti është burimi nga i cili rrjedh çdo fuqi. Mohimi i këtij burimi është mohimi i vetvetes, kurse mohimi i vetvetes është vetëtëhuajësimi.[31] [29][30]

 

Ndikimi i artit islam

           

            Tradita artistike e islamit ka bërë ndikim të madh jo vetëm brenda botës musliamne, por edhe brenda qytetërimeve që e rrethonin. Njëkohësisht, edhe arti islam ishte nën ndikim të caktuar të artit kinez, indus e të tjera, sikur në muzikë, qilimari e aspekte të tjera.[32]

Arti islam ndikoi edhe në Perëndim në aspekte të ndryshme të artit, sikur në muzikë, poezi, arkitekturë, minijaturë etj,[33] jo vetëm në trajtë dhe formë.[34] Ai ndikoi në konceptimin e esencës së islamit dhe është rruga e mesme në përcjelljen e porosisë së tij botës bashkëkohore, islame dhe joislame. 

Përmbyllje

 

Arti islam dhe historia e tij është temë pak e njohur në botën islame dhe tejet e panjohur në Kosovë dhe në tokat shqiptare. Arti te një pjesë e intelektualëve islamë trajtohet si joislam. Pos disa shkrimeve të shkurtëra, të disa aspekteve të caktuara të artit, ai është ‘botë’ ende e panjohur. Mangësia e studimit të artit islam pa dyshim e varfëron historikun e pasur islam si në botë ashtu edhe në tokat shqiptare. Kjo mangësi i varfëron edhe dimensionet e shumta ende të pazbuluara të kulturës dhe qytetërimit islam si në botën islame ashtu edhe në tokat shqiptare. Disa lëvizje në këtë aspekt megjithatë trimërojnë.

 


 

Fusnotat

[1] Në Perëndim është krijuar bindje e gabueshme se arti islam është më tepër dekorativ, artizanat dhe zejtari, mirëpo studimet e ndryshme rreth artit islam konfirmojnë të kundërtën. Shih disa mendime rreth kësaj teme: Richard Ettinghausen, Ambijent stvoren covjekovom rukom, në: Bernard Lewis, Svijet islama, vjera, narodi, kultura, Beograd, 1979, fq. 61.

[2] Sipas: Nerkez Smailagic, Klasicna kultura islama, II, Zagreb, 1976, fq. 159.

[3] M. M. Sharif, A History of Muslim Philosophy, vol. II, Wiesbaden, 1966, sipas: Nerkez Smailagic, op. cit., fq. 397-472; Sejjid Husein Nasr, Vodic mladom muslimanu, sdarajevë, 1998, fq. 135.

[4] Ibid., fq. 159.

            Arti islam sipas R. Garodit shquhet me dy karakteristika:

            a) Islami nuk është kundër fotografisë, por kundër idhujtarisë;

            b) Islami më tepër përcakton stilin e artit se sa lëndën e saj. Sipas: Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1991, fq. 26.

[5] Razgovor o islamskoj umjetnosti, Nur, 2/1992, Beograd, fq. 21.

            Arti islam drejtpërdrejt është i lidhur edhe me formën edhe me frymën e Kur’anit dhe të Shpalljes islame. Ky art përpiqet ta manifestojë Njëjësinë e Zotit, duke theksuar mangësitë e kësaj bote dhe permanencën e botës tjetër. S. H. Nasr, op. cit., fq. 136.

[6] Richard Ettinghausen, op. cit., fq. 64-65: Krhs.: Beshir Ajvazoglu, Islamska estetika, Shkup, 2002, fq. 21 … .

[7] Ndalesa e fotografisë, pikturës, skulpturës në artin islam është në funksion të ruajtjes së monoteizmit të pastër. Çdo gjë që asocon në adhujtari përjashtohet nga preokupimet e krijuesve muslimanë. Shih: Titus Burkhart, Osnove muslimanske umetnosti, në: Delo – revistë mujore për  teori, kritikë dhe poezi, nr. 7/1978, Beograd, fq. 43. Shih studimin serioz: Alija Bejtic, Ideja lijepog u izvorima islama, në: O arapsko-islamskoj kulturi, Sarajevë, 1976, fq. 33-34.

[8] Çdo gjë që krijon artisti islam është në shërbim të të gjallës dhe të të qëllimshmes, qoftë ka të bëjë me ritual fetar apo me ndonjë veprim ose nevojë të përditshme. … Husref Redzic, Islamska umjetnost, Beograd – Zagreb – Mostar, 1982, fq. 19.

            Një njeri, piktor që jetonte në Medine e që sapo kishte pranuar islamin, që merrej me art, pikturë (taswir), iu ankua Abdullah ibn Abbasit, bashkëkohasit të Muhammedit a. s.dhe komentuesit të njohur të Kur’anit se nuk di ç’të pikturoj, kurse ky i sugjeroi se : “Nëse pa tjetër duhet të pusnosh këtë, atëherë paraqite florën (shexher) dhe atë që nuk ka shpirt.” Hadithi i cituar sipas Sahihut të Muslimit në: Alija Bejtic, op. cit., fq. 37; Po ashtu sipas: Titus Burkhart, op. cit., fq. 43.

[9] Skulptura në islam thuajse nuk ekziston. Disa figura nga koha emevite, e edhe më vonë, do të thoshim, janë me tepër raste të izoluara. Sidomos i gjejmë në miniaturë. Shih: Richard Ettinghausen, op. cit., fq. 66-67; Adnan Silajdzic, 40 Hadisa s tumacenjem, Zenicë, pa vit botimi, fq. 172.

            Muhammedi a.s. lidhur me skulpturën dhe artin figural ka thënë: “… Inne’l-bejte’l-ledhi fihi es-suveru la ted’huluh’ul-melaiketu …” – “… Melekët nuk hyjnë në shtëpi ku gjenden fotografitë …”. Sipas: Sahihu i Muslimit, Kairo, 1374 h., Libas, 34.

[10] S. H. Nasr, Vodic …, op. cit., fq. 136.

[11] Shih: S. H. Nasr, Srce islama, Sarajevë, 2002, fq. 291.

[12] Razgovor o islamskoj umjetnosti, op. cit., fq. 20-24.

[13] Alija Izetbegovic, Islam izmedju Istoka i Zapada, Beograd, 1988, fq. 92.

[14] Ibid., fq. 89-115.

            Islami ka nxitur ato forma të artit me të cilat arrihet fisnikërimi i botës dhe forcimi i harmonisë të cilën e kërkon islami. Sepse, njeriu është i lirë aq sa jeton në paqë dhe harmoni me ambientin ku jeton, kontemplon dhe vepron, duke e pasur parasysh transcendencën absolute të Zotit, monoteizmin rigoroz. Shih: Adnan Silajdzic, op. cit., fq. 172.

[15] Shih gjerësisht: Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1991, fq. 27-36.

[16] S.H.Nasr, Srce islama, op. cit., fq. 290.

[17] Richard Ettinghausen, op. cit., fq. 67-71.

            Lexo njësitë enciklopedike arabeska, piktura etj. në: Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq.45, 554, 556 etj.

[18] Arti islam nuk është individual, por mbiindividual. Njeriu me arsye zbulon ligjësitë natyrore, me arsye njeriu zbulon botën të krijuar prej Zotit, me arsye ai zbulon edhe bukurinë. Arsyeja dhe e bukura janë në bazë të veprës artistike … Shih: Husref Redzic, op. cit., fq. 20.

[19] Nerkez Smailagic, op. cit., fq. 159.

[20] Simbolika luan rol të rëndësishëm në artin islam. Ajo lind nga filozofia dhe religjioni islam. Artisti musliman me shprehjen racionale abstrakte përpiqet të përkufizojë unitetin e fenomeneve individuale, për dallim nga artisti bashkëkohor i cili mbështetet në ndërdije dhe në impulset e brendshme individuale. Shih: Husref Redzic, op. cit., fq. 20. Krahaso: Titus Burkhart, op. cit., fq. 45-46.

[21] Kur’an, LIX, 24; XXXII, 7 etj.

Muhammedi a.s. ka thënë: “All-llahu është i bukur dhe e don të bukurën”, sipas Sahihut të Muslimit.

Për të shprehurit hiperbollik, metaforik të nivelit të lartë në Islam shih librin e sidomos kaptinën e parë e Frithjof Schuon (Isa Nuruddin), Dimenzije Islama, Sarajevë, 1996, fq. 27-45: Krhs.: Beshir Ajvazoglu, op. cit., fq. 39 e tutje dhe 71 e tutje.

[22] Shih observimet e shkëlqyeshme rreth artit në veprën tashmë të theksuar të Alija Izetbegovic, op. cit., fq. 90-93.

[23] Shih: Nerkez Smailagic, op. cit., fq. 166.

[24] Razgovor o islamskoj umjetnosti, op. cit., fq. 22.

[25] Ibid., fq. 23.

[26] Ibid., fq. 23. Krahaso: Alija Bejtic, op. cit., fq. 42-53.

[27] Gjerësisht shih: Nerkez Smailagic, op. cit., fq. 164.

[28] Ibid., fq. 162.

[29] Ibid., fq. 159-160.

[30] Ibid., fq. 160-161.

[31] Koncepti perëndimor i artit dhe estetikës nuk pranon ekzistimin e artit jashta aktivitetit të njeriut dhe shpirtit të tij. Ky koncept bukurinë artistike dhe estetike nuk e njeh si artistike, me çka ai mohon llojet tjera të bukurisë: hyjnore, kozmike, bukurinë e natyrës dhe bukurinë e objekteve anorganike si prodhime të njeriut.

[32] Për ndikimet reciproke ndërmjet artit islam dhe atij fqinjësor e më gjerë në art lexo: Richard Ettinghausen, op. cit., fq. 76 dhe 305-316; Beshir Ajvazoglu, op. cit., fq. 33…

[33] Sejjid Husein Nasr, Vodic mladom muslimanu, Sarajevë, 1998, fq. 148-149.

[34] Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, op. cit., e sidomos: fq. 34-36.

 

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 287856 visitors (1100087 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=