Letërsia në Islam

Letërsia në Islam

Islami solli në ekzistencë një qytetërim, në të cilin artet gjithmonë kanë patur dhe vazhdojnë të kenë - në atë masë sa ç’është i gjallë ai qytetërim - një vend me rëndësi qendrore. Mund të thuhet se perspektiva islame mbështetet mbi përmasën e bukurisë në jetë dhe e lidh bukurinë e mirësinë me vetë natyrën e Allahut, siç pohohet në hadīthin e mirënjohur: “Allahu është i bukur dhe e do bukurinë” (Allāhu xhemīlun juhibbu’l-xhemāl). Theksimi i sjelljes së hijshme dhe pastërtisë në jetën fetare e të përditshme si dhe urdhëresat e drejtpërdrejta në Kur’an për ta çmuar bukurinë e krijimit dhe e të gjitha objekteve të krijuara nga Allahu pasqyrojnë interesimin qendror të Islamit për bukurinë. Duke shikuar krijimet e qytetërimit islam, që nga arkitektura dhe planifikimi i qytetit deri te poezia dhe forma të tjera të letërsisë vërehet domethënia e artit - të kuptuar tradicionalisht - në universin islam. Kryeveprat e mëdha të artit islam, si xhamitë e mëdha të Kordovës në Spanjë, Kajravanit në Tunizi dhe Ibn Tulunit në Kajro ose më në lindje ato të Stambollit, Isfahanit e Samarkandit përfaqësojnë drejtpërsëdrejti jo vetëm shpirtin e shpalljes islame, por vetë thelbin e atij shpirti dhe në njëfarë kuptimi sigurojnë përgjigjen më të drejtpërdrejtë e të dallueshme ndaj pyetjes “Çfarë është Islami?”. Në harmoninë, qartësinë, kthjelltësinë dhe paqen e tyre ato kristalizojnë disa prej aspekteve më të rëndësishme të mesazhit islam.

Arti islam ka qenë i aftë të sigurojë ndër shekuj një mjedis, në të cilin muslimanët kanë mundur të jetojnë e të funksionojnë në gjendjen e përkujtimit të Allahut dhe me vizionin e soditjen e bukurisë, e cila në fund mund të vijë vetëm prej Allahut, që është i Bukuri (el-Xhemīl) në kuptimin absolut e përfundimtar. Arti islam lidhet drejtpërsëdrejti si me formën, ashtu dhe me shpirtin e Kur’anit dhe shpalljen islame. Ky art synon të pasqyrojë Unitetin Hyjnor, ndaj edhe shmangia nga ana e tij e çdolloj forme përfaqësuese të Hyjnores. Ai thekson brishtësinë e botës dhe përhershmërinë e çfarë shtrihet përtej saj. Ai kërkon ta lidhë artin me veprimtaritë e përditshme të njeriut dhe s’e ndan atë nga jeta. Në të vërtetë fjalët më të përdorura për artin në arabisht si sinā‘ah dhe fann nuk nënkuptojnë vetëm artin në sensin e sotëm perëndimor të termit, por gjithashtu punimin dhe krijimin e çdo gjëje me korrektesë e bukuri. Për më tepër, Islami e thekson gjithmonë marrëdhënien ndërmjet artit dhe diturisë siç është pohuar tradicionalisht në botën islame nga shumë prej mjeshtërve të mëdhenj të zanateve e artistëve, që kanë theksuar pareshtur se arti vjen nga martesa e fann-it dhe hikmeh-s apo teknikës dhe urtisë.

Forma e jashtme e Kur’anit, bukuria dhe kuptimi i tij i brendshëm vijnë nga Allahu. Po kështu arti islam përfaqëson një mesazh, që ndodhet në zemër të shpalljes islame në forma të cilat gjithashtu pasqyrojnë drejtpërsëdrejti prejardhjen shpirtërore e qiellore të Islamit dhe të cilat shpien tek Allahu. Si shpirti ashtu dhe format e artit islam frymëzohen nga dhe lidhen me shpalljen islame. Një studim tërësor i Kur’anit, i kuptimit të tij të brendshëm si dhe i ritmeve, tingujve, shkronjave, prozodisë dhe fuqisë hipnotizuese së tij mbi shpirtrat e muslimanëve, të kombinuara me studimin thellësor të jetës së Profetit dhe bukurinë e shpirtit të tij të pasqyruar në veprimet dhe thëniet e tij (Hadīth) do të shpalosin se cilat janë burimet e brendshme dhe të përfundme të themeleve të artit islam. Islami, sigurisht, ka huazuar shumë teknika nga qytetërimet e ndryshme si ai persian dhe bizantin në fusha të tilla si arkitektura, thurja e tekstileve, punimet e tunxhit dhe bakrit e shumë lloje të tjera arti. Mirëpo ai e shndërroi materialin që huazoi nga qytetërimet e ndryshme në dritën e shpalljes kur’anore, duke krijuar forma shumë të dallueshme artistike, të cilat mund të shihen në viset që shtrihen nga Lindja në Perëndim.

Megjithëse ekzistojnë ndryshime lokale ndërmjet shkollave të larmishme të artit, që u përkasin rajoneve të ndryshme të botës islame, nga të cilët arti persian përfaqëson mbase më prodhimtarin e më të gjerin, të gjitha llojet dhe shkollat e larmishme brenda qytetërimit islam ndajnë së bashku disa parime bazë. Ky art karakterizohet nga përdorimi i vazhdueshëm i arabeskës, formave gjeometrike dhe kaligrafisë, si simboli i pranisë së kudondodhur të Fjalës Hyjnore. Ai thekson atë që quhet “abstragim”, i cili në të vërtetë do të thotë hapje në botën e kuptueshme dhe stilizimin e përsëritjen e formave, të cilat në njëfarë kuptimi e çojnë njeriun drejt soditjes së të Pafundmit në format e fundme. Të gjitha këto elemente shihen në artin islam, si në atë të Andaluzisë, Egjiptit, Persisë apo gjetkë. Sigurisht, çdonjëri prej grupeve të mëdha etnike të botës islame ka krijuar një art që është dallueshmërisht i tiji, si ai persian, turk, egjiptian, afrikanoverior dhe andaluzian, indomusliman, indonezian, malejzian etj., por uniteti i Islamit pasqyrohet përgjatë të gjitha këtyre traditave të larmishme e të pasura artistike.

 

LETËRSIA


Ndër artet e Islamit, këndimi i Kur’anit është më i rëndësishmi dhe më qendrori. Ai është arti i shenjtë suprem i Islamit. Arti i këndimit të Kur’anit sigurisht kombinohet në shumë kontekste me artin e shkrimit të Fjalës së Shenjtë dhe gjithashtu me recitimin e ndodhive e historive, që gjenden në aq shumë sure të Tekstit të Shenjtë. Këtu qëndron arsyeja e pozitës së epërme që zë letërsia brenda botës kulturore të Islamit. Ndikimi i Kur’anit mbi shpirtin e muslimanëve ishte aq i madh saqë mjedisi kulturor islam iu kthye botës së letërsisë si formë qendrore e të shprehurit artistik, kudo që u përhap Islami dhe u ndje ndikimi i Kur’anit.

Natyrisht gjuha dhe letërsia arabe morën të parat vulën e shpalljes kur’anore, duke qenë se shpallja e kishte shndërruar vetë arabishten, duke e bërë mjetin e përshtashëm për shprehjen e Fjalës së Allahut. Arabët kishin krijuar që më parë vepra madhore letrare në trajtën e poezisë përpara periudhës islame, në epokën e injorancës (el-xhāhilijjeh), por ishte ndikimi i Kur’anit ai që e shndërroi këtë letërsi në letërsi islame. Që në kohën e shokëve të Profetit shohim një kryevepër të tillë letrare si Nehxh ul-Belāgha (“Kulmi i Elokuencës”) e ‘Alī ibn Ebī Tālibit, që përfshin disa nga ligjëratat dhe thëniet e tija, të mbledhura në formën e tanishme në shekullin e katërt islam nga Sejjid Sherīf er-Radī. Ky punim, që shënon një nga kryeveprat e hershme të literaturës fetare në arabisht u pasua nga lutjet dhe përgjërimet e nipit të tij Zejn ul-‘Ābidīn es-Sexhxhādit, Sahīfe es-sexhxhādija e të cilit është quajtur nga shumë njerëz si “Psalmet e Familjes së Profetit”.

Gjatë periudhës së hershme umejjade u shfaqën gjithashtu një sërë poetësh të rëndësishëm që shkruanin në arabisht, të cilët filluan të pasqyronin gjithnjë e më tepër etosin e Islamit në poemat e tyre. Poetë të tillë si el-Farazdāku dhe më vonë el-Hallāxhi shkruajtën poezi qartësisht islame e jo vetëm arabe. Po kështu në prozë, me shfaqjen e shkrimtarëve si el-Xhāhizi, letërsia arabe fitoi një përmasë shumë të dallueshme islame. Edhe në tregime të thjeshta si Njëmijë e Një Netë, të cilat i përkasin erës së vonë ‘abbāside mund të vërehen shumë aspekte të mësimeve të Islamit dhe jetës së shoqërisë islame, të pasqyruara nga letërsia.

Arabishtja është, sigurisht, shumë e pasur në traditën e saj letrare. Në arabisht ekzistojnë të gjitha llojet e punimeve me vlerë të madhe poetike e letrare që nga kasīde-t e Buhturīut dhe poezia morale e didaktike e Mutanabbīut deri te poemat mistike të Ibn ul-Fāridit dhe Ibn ‘Arabīut; që nga esetë e Ebū Hajjān et-Teuhīdīut deri te veprat historike e filosofike me vlerë të madhe si Hajj ibn Jakdhān (“Biri Gjallues i Vigjëluesit”) i Ibn Tufejlit, që kanë vazhduar të shfaqen ndër kohëra. Mirëpo, siç ndodh me të gjitha kombet, jo e tërë letërsia e prodhuar nga arabët kishte karakter të dallueshëm islam, por shumica dërrmuese e veprave në arabisht pasqyrojnë drejtpërsëdrejti etosin e Islamit. Kjo vlen sidomos për veprat e mëdha letrare, të cilat kanë qenë popullore ndër shekuj, si el-Burdeh (“Kënga e Mantelit”) e Būsīrīut, në lavdërim të Profetit. Një vepër e tillë përbën një shembull të qartë të një arti letrar islam të një rendi të lartë, i cili pasqyron si formën ashtu dhe shpirtin e Kur‘anit dhe Hadīthit.

Efekti i ndikimit të Kur’anit mbi letërsinë arabe shihet edhe në gjuhët e tjera islame. Pas arabishtes, gjuha më e rëndësishme e letërsisë në Islam është persishtja, e cila - sikurse arabishtja - u bë një gjuhë universale, në atë që nuk flitej e lexohej vetëm nga persianët por edhe shumë njerëz në botën turke, indiane e madje kineze, fare larg Persisë. Persishtja u zhvillua drejtpërsëdrejti nën ndikimin e Kur’anit, nga bashkimi ndërmjet gjuhëve të mëparshme iraniane të periudhës sasanide dhe fjalorit të arabishtes kur’anore. Poetët e hershëm persianë imituan poetët arabë, gjersa poezia rūdakīe në persisht u mëvetësua. Ndërkohë, disa prej persianëve si el-Hallāxhi shkruanin në arabisht dhe u bënë poetë të shquar të kësaj gjuhe.

Vetë persishtja filloi të zhvillohej me shpejtësi pas shekullit të katërt islam me punime epike nga burra të tillë si Firdeusīu, Shāhname-ja e të cilit u bë eposi kombëtar i Persisë dhe poezinë fetare e mistike të lidhur me emrat e Sanā’īut, ‘Attārit dhe Rūmīut. Këta njerëz shkruajtën disa nga poemat të dashuruara më universalisht në cilëndo gjuhë të botës. Nuk është e rastësishme që Rūmīu, ndikimi i të cilit është i pamatë anembanë Azisë dhe jashtë vetë Persisë, veçanërisht ndër turqit e muslimanët indianë, është quajtur nga shumë njerëz poeti më i madh mistik që ka jetuar ndonjëherë. Persishtja vazhdoi të prodhonte poetë madhështorë edhe pas Rūmīut, që jetoi rreth kohës së pushtimit mongol. Kryesorët ndër ta janë Sa‘dīu dhe Hāfizi, i pari kryesisht një moralist dhe i dyti poeti më i madh i gjuhës perse, memorizues i Kur’anit dhe autoritet i madh i Sherī‘atit, i cili është gjithashtu poeti suprem i dashurisë dhe i botës shpirtërore. Këta poetë i mundësuan persishtes të arrinte kulmin e përsosjes së saj letrare dhe të vepronte e të ndikonte mbi letërsinë dhe poezinë e shumë gjuhëve të tjera.

Letërsia turke qe ndër ato që përjetuan ndikim të thellë si rezultat i kontaktit me persishten. Për shekuj me radhë në botën osmane, figurat e mëdha letrare dinin persisht dhe ç’është e vërteta disa prej të hershmëve shkruanin poezi klasike turke në formën e modeleve klasike persiane. Megjithatë, më vonë poetët turq iu kthyen gjithnjë e më tepër gjuhës së thjeshtë të popullit dhe u krijua një traditë e pasur letrare nga figura të tilla si Ahmed Jesevīu, themeluesi i tarikatit jesevī dhe Jūnus Emrei, i cili është mbase më i madhi i të gjithë poetëve turq, një figurë poezia e të cilit mbetet shumë popullore edhe sot e kësaj dite. Shkrimtarët turq imituan në njëfarë mase edhe modele letrare arabe, por edhe në këto raste ato ishin kryesisht modele tashmë të pranuara në letërsinë persiane.

Mund të thuhet shumëçka mbi gjuhët e tjera të popujve islamë, por duhet të jemi të përmbledhur. Në nënkontinentin indian, gjuhë si sindishtja, kashmirishtja, guxharatishtja dhe bengalishtja e pasqyrojnë të gjitha në thellësi shpirtin e Islamit dhe kanë zhvilluar letërsi të mirështjelluara me karakter islam, zakonisht të ndikuara thellësisht nga persishtja dhe sigurisht nga prania e drejtpërdrejtë gjalluese e Kur’anit. Po ashtu në Indi, që nga shekulli i tetë islam e më tej është zhvilluar gjuha urdishte, e cila u formua nga një kombinim i sanskritishtes dhe persishtes me shtimin e një sërë fjalësh turke dhe e cila u zhvillua gjithnjë e më tepër si gjuhë islame, deri në shekujt XIII e XIV islamë, kur u mëvetësua si gjuhë madhore islame, në të cilën filluan të shkruheshin një mori veprash letrare si në prozë, ashtu dhe poezi. Urdishtja ishte destinuar të bëhej gjuha kryesore e kulturës muslimane në Indi porsa u ndalua persishtja nga sundimtarët britanikë dhe pikërisht kjo gjuhë flitet dhe kuptohet sot nga më tepër muslimanë se cilado gjuhë tjetër, sigurisht me përjashtim të arabishtes së Kur’anit.

Duke iu kthyer Afrikës, vërehet e njëjta dukuri. Në Afrikë, me përhapjen e Islamit, gjuhët vendase filluan të pasqyrojnë shpirtin dhe format e letërsisë arabe dhe jo të asaj persiane. Në këtë kontinent, ndikimi i persishtes ishte i vogël ndërsa i arabishtes qendror. Që nga Afrika Perëndimore ku gjuhët berbere, hauze, fulande dhe gjuhë të tjera madhore të saj zhvilluan letërsi tejet të gjera islame deri në lindje, ku mbizotëruan gjuhë të tilla si somalishtja, harrarishtja e sigurisht suahilishtja, vërehet ngritja ndër shekuj e një tradite madhore letrare në Afrikën e zezë muslimane. Disa prej këtyre letërsive mbetën gojore dhe u shkruan mjaft vonë, shpesh në alfabet latin, ndërsa të tjera përvetësuan alfabetin arab dhe arritën të zhvillonin një letërsi të shkruar mjaft të njohur. Por, qoftë gojore apo e shkruar, letërsia e popujve islamë të Afrikës përfaqëson një tjetër degë madhore të letërsisë islame duke përdorur sërish shpirtin, formën dhe përmbajtjen e Kur’anit dhe modeleve letrare të arabishtes, por duke pasqyruar njëkohësisht jetën vendase të muslimanëve të kontinentit afrikan.

Sa u përket viseve islame në Azinë Lindore, sërish shohim tek malejzianët ndikimin e drejtpërdrejtë të veprave të letërsisë arabe dhe perse nga shekulli i shtattë islam deri tek i dhjetti, çka rezultoi në një sërë figurash vendase si Hamza el-Fansūrīu, el-Sumātrānīu, er-Ranirīu e të tjerë, që filluan të shkruanin vepra letrare në malejzisht të bazuara shpesh mbi ndodhitë e jetës së Profetit ose letërsinë sufiste, nga figura të tilla si Xhāmīu dhe para tij Ghazzālīu, ndërkohë që edhe shumë prej veprave madhore klasike të letërsisë sufiste nga arabishtja e persishtja u përkthyen në malejzisht. Madje edhe ndër muslimanët kinezë lindi një traditë e rëndësishme letrare islame, me referenca të drejtpërdrejta ndaj mësimeve kur’anore dhe historisë së hershme islame, por e cila u zhvillua në mënyrë shumë të veçantë në mjedisin dhe gjuhën kineze, duke vënë në përdorim gjithashtu një mori figurash e trajtash të traditës letrare kineze. Ka shumë forma dhe shkolla të tjera të letërsisë islame në degët e ndryshme të gjuhëve turke, që i përkasin Azisë Qendrore ose gjuhëve të tjera afrikane, të cilat nuk mund t’i përmendim këtu. Ajo që ka rëndësi të kuptohet është se në jetën e vet katërmbëdhjetë shekullore në këtë botë, Islami ka mundur të krijojë një sërë letërsishë madhore si në prozë, ashtu dhe në poezi, të cilat pasqyrojnë etosin, shpirtin dhe përmbajtjen e Kur’anit e Hadīthit.

Në qytetërimin islam vihet theks i posaçëm mbi poezinë, që zë një vend të lartësuar ndër popujt islamë jo vetëm arabët e persianët, por edhe popuj të viseve të largëta që nga Afrika në Azinë Lindore. Megjithatë, disa forma letrare si romani, të cilat mbizotërojnë në Perëndim sot nuk janë zhvilluar kurrë nga muslimanët. Arsyeja është se forma të tilla të letërsisë, sidomos në formën e zhvilluar në shekujt XIX e XX, janë në të vërtetë kryesisht përpjekje për të krijuar një botë subjektive dhe fiktive, ku lexuesi udhëton në harrimin e realitetit të Allahut, një botë që Islami e ka kundërshtuar gjithmonë në parim.

Sa për teatrin dhe dramaturgjinë, në sajë të mungesës së theksimit në perspektivën islame të dramës - kuptuar në sensin burimor grek - nga muslimanët nuk i është kushtuar fort vëmendje dramës greke dhe shumë pak është shkruar që t’i ketë përkitur vërtetësisht teatrit e dramaturgjisë siç kuptohen në Perëndim, ndonëse zhanret letrare islame zakonisht s’janë të zbrazura nga modele apo shembuj, që e kanë njëfarë ngjashmërie si me dramat, ashtu edhe romanet. Në rastin e dramaturgjisë, vijnë ndërmend krijimet prekëse të lidhura me tragjedinë e Qerbelasë. Sa për romanin, mund të përmenden romanet filosofike, sidomos Hajj ibn Jakdhān nga filosofi e mjeku i famshëm andaluzian Ibn Tufejl, veprën e të cilit shumë njerëz e konsiderojnë zanafillën e romanit të parë evropian.

Megjithatë, në përgjithësi vendi i nderit në letërsinë islame i takon poezisë epike dhe fetare nga njëra anë dhe rrëfimeve nga ana tjetër. Të gjitha këto lloje veprash ishin mbarsur me vlerat e përmbajtura në Kur’an e Hadīth dhe plotësuan drejtpërsëdrejti tekstet fetare në jetën e muslimanit tradicional, ku një vepër e tillë letrare ka dhënë e vazhdon të japë mësime të thella morale të rrokshme, të cilat muslimani duhet t’i nxjerrë në udhëtimin e tij mbi dhé. Është e mahnitshme se në ç’masë përbën në të vërtetë letërsia islame një zgjerim të disa thënieve të Profetit ose komente mbi ngjarje të ndryshme të Kur’anit, në mënyrë të atillë që e tërë letërsia e popullit islam u mbars nga

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 287855 visitors (1100058 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=