Mënyrat e faljes së namazit të vitrit
Namazi i vitrit një rekat
Argument për faljen e namazit të vitrit një rekat është hadithi të cilin e transmeton Muslimi, ku i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Vitri është një rekat nga fundi i natës." (Muslimi 752)
Po ashtu transmeton Buhariu dhe Muslimi, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Namazi i natës është dy nga dy (rekate). E, nëse frikësohet ndokush prej jush se mos po hyn sabahu, le të falë një rekat vitër." (Buhariu 911, Muslimi 749)
Namazi i vitrit prej tre rekatesh ka dy mënyra
1. Përfundohet namazi i vitrit (tre rekate) me vetëm një ulje (të fundit)
Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: "E ka falur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem vitrin dhe nuk ka dhënë selam në rekatin e dytë." Dhe në një thënie tjetër: "I ka falur tre rekate vitër dhe nuk është ulur deri në uljen e fundit." (Nesaiu 3/234 me sened hasen dhe Bejhakiu 3/31me sened sahih)
2. Mënyra e dytë është të falësh dy rekate dhe të japësh selam, pastaj të falësh vetëm edhe një rekat.
Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai i falte dy rekate dhe jepte selam, pastaj falte vetëm edhe një rekat. Ai ka thënë: "Kështu ka vepruar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem." (Ibn Habbani 2435; ka thënë Ibn Haxheri në El-Fet'h, 2/482, senedi i tij është i fortë.)
Namazi i vitrit pesë ose shtatë rekate
Nëse e fal vitrin pesë ose shtatë rekate, atëherë duhet që të falen të gjitha së bashku pa ndërprerë dhe nuk ulesh deri në uljen e fundit (d.m.th. në rekatin e pestë nëse e fal pesë rekate vitrin, apo në rekatin e shtatë nëse e fal shtatë rekate).
Argument për këtë është thënia e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: "I ka falur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem trembëdhjetë rekate namaz të natës, pesë prej tyre i ka falur namaz vitër. Nuk është ulur në asnjërin rekat, përveç në të fundit." (Muslimi 737)
Transmetohet nga Umu Selemi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka falur vitrin pesë dhe shtatë rekate dhe nuk i ka ndarë rekatet me selam apo bisedë. (Ahmedi 6/290, Nesaiu 1714. Ka thënë Neveviu se senedi i tij është i mirë dhe shejh Albani e ka bërë sahih.)
Namazi i vitrit nëntë rekate
Nëse e fal vitrin nëntë rekate, atëherë këto rekate duhet të falen të gjitha së bashku pa ndërprerë, mirëpo duhet të ulesh në uljen e parë në rekatin e tetë, pastaj të ngrihesh (pa dhënë selam) për të falur rekatin e nëntë dhe pastaj të japësh selam. Transmetohet nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka falur nëntë rekate dhe nuk është ulur në asnjërin, përveç në rekatin e tetë. E përkujtonte Allahun, e falënderonte dhe e luste Atë, pastaj ngrihej dhe nuk jepte selam. Ngrihej dhe falte rekatin e nëntë, pastaj ulej, e përkujtonte Allahun, e falënderonte dhe e luste Atë dhe jepte selam me zë të lartë, saqë e dëgjonim edhe ne." (Muslimi 746)
Përktheu: Eroll Nesimi
|