Gënjeshtra mes bashkëshortëve

Gënjeshtra mes bashkëshortëve

Gënjeshtra është një veçori e urryer, një cilësi e keqe, një vepër e poshtëruar, por fatkeqësisht edhe fenomen i përhapur pothuajse në të gjitha mjediset shoqërore; në biseda të lira, takime, punë, marrëdhënie të ndryshme ndërnjerëzore, shkollë, studime, etj.. Është bërë e pamundur që asaj t`i shpëtojnë i vogël e i madh, mashkull e femër dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi, përveç atyre që Allahu i begatoi me mirësinë e Tij. Gënjeshtra u shndërrua në pronën (mall shitjeje) e tregtarëve, bashkëshortëve, studentëve, shkrimtarëve, masmediave, atyre që merren me art... dhe është bërë e pamundur që njeriu të kuptojë se kush nga këta është i sinqerti.
   Në Islam gënjeshtra është e ndaluar dhe konsiderohet si një ndër mëkatet e mëdha. Si gënjeshtër përkufizohet çdo thënie që kundërshton realitetin (të vërtetën). Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Mallkuar qofshin gënjeshtarët!” (Dharijat, 10)
   Ja edhe disa hadithe që vërtetojnë shëmtinë e gënjeshtrës. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë:
“Gabimet më të shumta të birit të Ademit (njeriut) janë ato që shkaktohen nga gjuha.” Shënon Taberaniu.
“Gënjeshtra është krim dhe që të dyja (edhe gënjeshtra edhe krimi) të dërgojnë në zjarr.”
“Gënjeshtra shpie në prishje, kurse prishja shpie në xhehenem (ferr). Me të vërtetë njeriu vazhdon të gënjejë në çdo punë derisa tek Allahu shkruhet gënjeshtar." Shënon Buhariu dhe Muslimi.
   Se gënjeshtra është e keqe dhe se është e ndaluar nuk është vërtetuar vetëm në mësimet islame, por ajo trajtohet si e keqe dhe e papranuar pothuajse në të gjitha fetë dhe civilizimet. Urtësia në këtë (pra se gënjeshtra është e ndaluar) është se Allahu i Lartësuar ka dashur që marrëdhëniet njerëzore të ngrihen mbi themele të çiltërsisë dhe të sinqeritetit, në të kundërtën çdo formë tjetër e raportit që mund të ndërtohet mbi hipokrizi dhe tradhti, edhe nëse mund të ekzistojë si e tillë, nuk është e ndershme dhe jetëgjatë.
   Por pasi Islami në ndalimin e gjërave dhe në urdhërimin e të tjerave synon objektivat me të cilat ruhet dinjiteti i njeriut dhe realizohet arritja e përsosmërisë së tij, ekzistojnë disa raste në të cilat tejkalohet kjo ndalesë dhe gënjeshtra bëhet e lejuar. Para se t`i përmendim rastet në të cilat lejohet gënjeshtra, dëshirojmë të bëjmë një vërejtje të rëndësishme në këtë drejtim. Ajo është se shkaku pse Islami e fali gënjeshtrën në këto raste nuk është pa ndonjë qëllim, por ajo me vete sjell objektiva mjaft të rëndësishme, disa nga të cilat edhe do t`i përmendim, posaçërisht kur të flasim rreth gënjeshtrës ndërmjet bashkëshortëve.


Rastet në cilat lejohet gënjeshtra në përgjithësi

Sipas shënimit të Muslimit, Umu Kulthumi, njëra nga sahabiet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk kam dëgjuar se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, ka lejuar në ndonjë rast gënjeshtrën, përveç këtyre tre rasteve: pajtimin ndërmjet njerëzve (të ngatërruar), në luftë apo burri ta gënjejë gruan e tij dhe gruaja burrin e saj.”
   Nga hadithi i lartpërmendur mund të përmbledhim se gënjeshtra është e lejuar në këto raste:

1. Gjatë luftës, domethënë kur muslimanët janë në luftë, atëherë kanë të drejtë të mos jenë të sinqertë me armiqtë e tyre, pasi me këtë nuk arrihet luftimi i tyre. Është e njohur për ne se kur Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, përgatiste në Medinë ndonjë ekspeditë për të dalë në luftë kundër armikut, ai nisej me paralajmërimin se shkonte drejt perëndimit, por ia mësynte lindjes e kështu me radhë. Por në këtë gënjeshtër të lejuar nuk përfshihet rasti kur vendosim marrëveshje me armikun (nënshkrim i paktit për ndonjë çështje të caktuar si p.sh. armëpushim, etj.) dhe pastaj ta tradhtojmë atë. Kjo në asnjë formë nuk është e lejuar.

2. Rasti tjetër kur lejohet gënjeshtra është atëherë kur dikush ndërmjetëson mes dy të ngatërruarve dhe mundohet t`i pajtojë ata. Në këtë lloj gënjeshtre kalohet vetëm në rast të domosdoshmërisë dhe aq sa është e nevojshme kjo, sikur t`i thuash njërit prej të ngatërruarve se tjetri ka mendim të mirë për ty, ose flet mirë, ose është i interesuar të pajtohet dhe gjëra të këtilla. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Nuk është gënjeshtar ai i cili pajton ndërmjet njerëzve dhe nxit në këtë ose e thotë ndonjë fjalë të mirë.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

3. Rasti i tretë se kur lejohet gënjeshtra është ndërmjet bashkëshortëve. Ky është rasti për të cilin do të zgjerohemi më shumë pasi ndodh më shpesh. Çdo musliman e muslimane në moshë të rritur e ka të nevojshme ta kuptojë këtë ashtu siç duhet, me qëllim që në martesë të mos bëjë mëkat ose padrejtësi ndaj partnerit tjetër, me pretekstin se ai me këtë është duke aplikuar një lehtësim me të cilën është i liruar nga mësimet islame.


Martesa dhe sinqeriteti

   Në fillim të kësaj duhet të kemi parasysh se marrëdhëniet ndërmjet burrit dhe gruas duhet të jenë të ndërtuara mbi sinqeritetin dhe çiltërsinë. Për këtë, çdo formë e bashkimit të tyre duke e përdorur gënjeshtrën është e ndaluar dhe e papranuar, prandaj edhe jo pak herë dëgjojmë për ndonjë çift të pasuksesshëm se shkak i prishjes së martesës së tyre ishin gënjeshtrat dhe premtimet e bëra gjatë fushatës paramartesore.
   Por meqë Islami në ligjet e tij të përcaktuara si objektiv të rëndësishëm ka ruajtjen e pasardhësve dhe të nderit ose të themi më qartë ruajtjen e familjes, atëherë gënjeshtra ndërmjet burrit dhe gruas nganjëherë konsiderohet përjashtim nga ndalesa e përgjithshme. Me fjalë të tjera, gënjeshtra ndërmjet burrit dhe gruas është e lejuar në rastet kur ajo (gënjeshtra) ndalon ndonjë të keqe më të madhe apo realizon një dobi më të përgjithshme.
   Mirëpo ajo që duhet të dimë me këtë rast është se ky lejim i gënjeshtrës në Islam nuk nënkupton se ndërmjet burrit dhe gruas është e lejuar gënjeshtra pa asnjë kriter dhe ai që mendon kështu nuk e ka kuptuar domethënien e hadithit të sipërpërmendur. Madje ajo që është edhe më e keqe, ky keqkuptim ka mundësi t`i sjellë bashkëshortët në situata që ta humbin besimin e ndërsjellë dhe të arrihet deri te ndarja e tyre. Prandaj është e nevojshme të qartësohet domethënia e hadithit të sipërpërmendur.
   Hadithi në fjalë nuk lejon që gruaja të kryejë ndonjë vepër të ndaluar, si p.sh.: dalja nga shtëpia e burrit pa dijen e burrit dhe pastaj ta gënjejë atë, ose burri me anë të gënjeshtrave të realizojë interesat personale duke e shpërfillur dhe shfrytëzuar gruan e tij. Të gjitha këto janë të ndaluara dhe në asnjë formë nuk nënkuptohen nga hadithi i sipërpërmendur.


Cila është gënjeshtra e lejuar ndërmjet bashkëshortëve

   Gënjeshtra e lejuar nuk është ajo që nënkupton mundësimin e kryerjes së ndonjë ndalese apo tejkalimin kufijve të përcaktuar, por është ajo gënjeshtër të cilën do ta thoshte burri, respektivisht gruaja, me qëllim që të ndërpriste ndonjë mospajtim të panevojshëm, ose do të shuante urrejtjen dhe shtonte dashurinë e ndërsjellë ose do të largonte hidhërimin dhe do të sillte gëzimin, pastaj ajo gënjeshtër me të cilën burri nuk do ta informonte gruan apo anasjelltas për të gjitha sekretet personale ose edhe kryerja e ndonjë vepre e cila nuk është e ndaluar, por nuk e pëlqen burri, respektivisht gruaja, etj.. Po përmendim edhe disa shembuj që të kuptohet më qartë kjo:

1. Nëse burri nuk është i kënaqur në martesë ose në një periudhë nuk ndien dashuri ndaj gruas dhe anasjelltas. Kur pyetet ai ose ajo për këtë, ai ose ajo përgjigjet në kundërshtim me realitetin.

2. Bashkëshortit i ka pëlqyer ndonjë femër para martesës dhe ka qenë i interesuar të martohej me të para gruas që ka tani. Nëse ai pyetet për një gjë të tillë nga ana e gruas dhe ai e di se pohimi i një gjëje të tillë do ta mërziste gruan dhe do të nxiste xhelozi, atëherë lejohet të heshtë për këtë realitet. E njëjta gjë vlen edhe për gruan.

3. Nëse burri blen një dhuratë që ta gëzojë gruan, por kjo, edhe pse do t`i pëlqente gruas, ka çmim të ulët, atij i lejohet ta shtojë vlerën e çmimit që tek ajo të shtohet dashuria dhe respekti.

4. Nëse familja e gruas flet keq për burrin dhe gruaja thotë të kundërtën me qëllim të afrimit ndërmjet tyre.

5. Është e mundur që gruas mos t`i pëlqejë familja e burrit apo forma e shtëpisë, mobiliet, etj., por ajo deklaron të kundërtën.

   Këta janë disa nga shembujt që tregojnë se cilat janë rastet kur i lejohet burrit ta gënjejë gruan dhe anasjelltas. Kjo formë e gënjeshtrës është ajo e lejuara në Islam dhe disa e quajnë këtë edhe “gënjeshtër e bardhë”. Pra shumë qartë vërehet se cili është qëllimi me këtë gënjeshtër: ndërprerja e mospajtimeve të panevojshme, që janë shumë të ndjeshme ndërmjet burrit dhe gruas, pastaj shtimi i dashurisë me fjalë të ëmbla dhe të këndshme, të cilat është e mundur të mos jenë edhe aq të vërteta.
   Një studim që është kryer në Universitetin e Kalifornisë vërteton se është e mundur që sinqeriteti i plotë (absolut) ndërmjet bashkëshortëve të jetë më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm në martesë. Suzi Kenith, udhëheqësja e këtij studimi, thekson se përfundimet e këtij studimi vërtetojnë se ekzistojnë disa të vërteta të dëmshme që do të mund ta shkatërronin jetën bashkëshortore.
   Në anën tjetër, ajo vërteton se janë disa gjëra të tjera në të cilat nuk bën dobi gënjeshtra ndërmjet bashkëshortëve. Duke mos hyrë në analizën e këtij studimi themi se Islami shumë kohë më parë e ka vërtetuar një gjë të tillë, ashtu siç kuptuam nga hadithi i mëparshëm. Gjithashtu, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e këshillon një grua duke i thënë: “Nëse ndonjëra nga ju (gratë) nuk e do burrin e saj, mos t`ia shprehë këtë atij, pasi që jo të gjitha familjet ndërtohen mbi themelin e dashurisë.”
   Qëllimi i Omerit nuk ishte mënjanimi i një kriteri të rëndësishëm, që është dashuria, por ai i këshillon ato që për ta ruajtur jetën bashkëshortore disa gjëra duhet të heshten. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar i këshillon bashkëshortët të cilët nuk ndiejnë dashuri ndaj grave të tyre dhe i urrejnë ato, që të bëjnë durim dhe të mos nxitojnë t’i shkurorëzojnë, pasi dashuria është relative dhe në periudha të caktuara mund të dobësohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i urreni ato (gratë tuaja), bëni durim pasi është e mundur ju të urreni diçka, ndërsa nga ajo Allahu të japë shumë të mira.” (Nisa, 19)
   Kurse gënjeshtrat me të cilat bëhet thyerja e premtimeve të dhëna, realizohen interesa personale në llogari të bashkëshortes dhe gjëra të ngjashme janë të ndaluara dhe pa dyshim përhapja e gjërave të tilla i bën partnerët të humbin besimin e ndërsjellë. Prandaj është e domosdoshme ta kuptojnë bashkëshortët qëllimin e gënjeshtrës në këto raste, që është forcimi i lidhjes ndërmjet partnerëve, për shtimin e dashurisë së ndërsjellë, për ruajtjen e jetës bashkëshortore dhe për ndalimin e rrënimit të saj e në asnjë mënyrë për përligjjen e padrejtësive që i shkakton burri gruas dhe anasjelltas për arsyetimin e neglizhencës në llogari të tjetrit dhe gjëra të ngjashme.
   Në lidhje me këtë Ibën Haxheri në librin “Fet`hu Bari” thotë: “Dijetarët janë pajtuar se gënjeshtra (e lejuar) ndërmjet bashkëshortëve është ajo që nuk cenon të drejtën e burrit gjegjësisht gruas dhe ajo (gënjeshtër) që nuk e bën ta marrë burri atë që nuk është e tij ose gruaja atë që nuk është e saj.”
   Neveviu, nga ana tjetër, gjatë komentimit të pjesës së hadithit të lartpërmendur: ”...ta gënjejë burri gruan e tij apo gruaja burrin e saj”, në koleksionin e Muslimit thotë: “Gënjeshtra e burrit ndaj gruas së tij dhe anasjelltas është me qëllim të shprehjes së dashurisë dhe fjalës me të cilën ai nuk është i obliguar dhe gjëra të ngjashme. Kurse mashtrimi për të larguar obligimin nga vetja si për burrin ashtu edhe për gruan apo marrjen e një gjëje që nuk i takon atij/asaj është haram me konsensus të muslimanëve.”
 

Alaudin Abazi

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450064 visitors (1413718 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free