Leximi i Kuranit në banjë

Leximi i Kuranit në banjë


Para se të flasim për leximin e Kuranit në banjë, është mirë të shohim se çka kuptojmë me emrin banjë (hamam). Banjë është vendi në të cilin lahemi me ujë të nxehtë ose të ftohtë1. Pra, me banjë nuk kuptojmë vendin ku kryhet nevoja e vogël apo e madhe, por është vendi që shërben për t’u pastruar me ujë. Por në kohën e sotme në shumicën e shtëpive gjenden së bashku banja, vendi për kryerjen e nevojës (WC), si dhe vendi për larjen e duarve (për marrjen abdest). Prandaj, do të flasim së pari për leximin e Kuranit në banjat e posaçme për pastrim, pastaj do të trajtojmë leximin e Kuranit në vendin ku kryhet nevoja (WC).


Leximi i Kuranit në banjë të posaçme për pastrim

Fukahatë kanë dy mendime për këtë çështje.
Mendimi i parë: Leximi i Kuranit në banjë është mekruh (i urryer) dhe të këtij mendimi janë imam Ebu Hanifja, Ebu Jusufi, imam Ahmedi dhe disa nga nxënësit e tij.
Argumentet e tyre janë: 1. Uji i përdorur në banjë është i papastër, prandaj Kurani duhet të ruhet nga vendet e papastra dhe në këto vende është e urryer të lexohet Kurani.
2. Banja është vend ku zbulohen pjesët e turpshme të trupit, veprim që nuk bëhet në ndonjë vend tjetër, prandaj është mirë që të ruhet Kurani nga këto vende dhe të mos lexohet në të.

Mendimi i dytë: Ky mendim thotë se leximi i Kuranit në banjë nuk është i urryer dhe të këtij mendimi janë Muhamed bin el-Hasen nga dijetarët e medhhebit hanefi, imam Maliku, imam Shafiu dhe disa dijetarë të medhhebit hanbeli.
Argumentet e tyre janë si vijon: Nga suneti i Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, hadithi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka thënë: “Pejgamberi alejhi selam e përmendte Zotin në çdo kohë.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi.)
Mund t`i përgjigjemi kësaj se qëllimi në këtë hadith nuk është vendi, por është koha, prandaj mendimi i parë është mendimi i zgjedhur, duke pasur parasysh respektin që kemi për Kuranin si dhe kujdesi që të mos gjendet në vende jo të pastra, kur dihet se në banjë hyn i rrituri, plaku, fëmija dhe i sëmuri, prandaj ka mundësi të këtë papastërti. Allahu e di më së miri!


Së dyti: Leximi i Kuranit në vende ku kryhet nevoja


Fukahatë edhe në këtë mesele kanë dy mendime.
Mendimi i parë: Është i ndaluar leximi i Kuranit në vende ku kryhet nevoja (WC). Ky është mendimi i malikive dhe i disa dijetarëve të medhhebit hanbeli.
Argumentet e tyre janë: 1. Nga suneti është hadithi të cilin e transmeton Ebu Seid el Huduri, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk bën të dalin dy veta e të flasin kur i kanë të zbuluara pjesët e turpshme të trupit duke e kryer nevojën, sepse Allahu i Madhërishëm e urren atë vepër.”
2
Me këtë hadith argumentojnë duke thënë se Allahu ka urdhëruar që të mbulohen pjesët e turpshme dhe ka ndaluar bisedën gjatë kryerjes së nevojës. E, nëse biseda është e ndaluar, atëherë leximi i Kuranit është edhe më i ndaluar...

Mendimi i dytë:
Është i urryer (mekruh) leximi i Kuranit në vende ku kryhet nevoja dhe ky është mendimi i hanefive (Fetava Hanije 1/162), i shafive (Mexhmu 2/88) dhe i imam Ahmedit (Mesail imam Ahmed 1/6) me disa nga pasuesit e tij.
Argumenti i tyre është: Transmeton Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se një njeri kaloi pranë Pejgamberit alejhi selam, kur ai ishte duke e kryer nevojën e vogël, dhe i dha selam Pejgamberit alejhi selam, kurse ai nuk ia ktheu selamin
3.
Argumentojnë me këtë veprim të Muhamedit salallahu alejhi ue selem duke thënë se Pejgamberi alejhi selam nuk ia ktheu selamin atij njeriu, edhe pse kthimi i selamit është vaxhib, dhe kjo argumenton se është e urryer përmendja e Allahut në vendet ku kryhet nevoja. Mirëpo ajo që shihet nga ky hadith është se kemi më shumë argumente se leximi i Kuranit në vende ku kryhet nevoja është i ndaluar, sepse nëse i Dërguari i Allahut nuk e ktheu selamin, atëherë leximi i Kuranit ka përparësi që të mos bëhet në këto vende, kur dihet vlera e Kuranit dhe respekti që ne duhet të kemi për të si Libër i Shenjtë.
Mendimi më i qëlluar dhe më i zgjedhur duket të jetë mendimi i parë, se është i ndaluar leximi i Kuranit në vendet ku kryhet nevoja dhe Allahu e di më së miri.
 

Alaudin Abazi
20.7.2007

1 “Ennihaje”, Ibën el Ethiri, vëll.I, f. 445 dhe “Essihah”, El Xhevheri, vëll. 5, f. 1904.
2 Shënon Ebu Davudi, Ibën Maxhe, Dhehebiu, Ahmedi dhe Hakimi dhe thotë se hadithi është sahih.
3 Shënon Muslimi.

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 452387 visitors (1422954 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free