Leximi i Kuranit nga gruaja lehonë dhe me menstruacione.

Leximi i Kuranit nga gruaja lehonë dhe me menstruacione


Në këtë çështje ka mospajtim mes fukahave islamë, prandaj për të qenë më i lehtë kuptimi i çështjes, më poshtë do të flasim rreth saj në disa pika, duke filluar nga gjërat me të cilat fukahatë janë pajtuar e pastaj do të kalojmë në shtjellimin e vendit të mospajtimit.

Së pari: Thënia e duave (lutjeve) të Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, sikurse lutjet e mëngjesit e të mbrëmjes, duaja e hyrjes në shtëpi, duaja e daljes nga ajo dhe lutjet e tjera të rëndomta, të cilat bëhen gjatë kohëve dhe situatave të ndryshme, të gjitha këto janë të lejuara të thuhen dhe në të nuk ka ndalesë. Madje, preferohet nga gruaja me menstruacione të vazhdojë thënien e lutjeve të këtilla.

Së dyti: Lutjet si:
1. “BISMILAHI RRAHMANI RAHIM” (në shqip: “Në emër të Allahut Mëshiruesit Mëshirëplotit”);
2. “Ina lil-lahi ve ina ilejhi raxhiun” (në shqip: "Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!", Bekare, 156);
3. “Rabena atina fi dunja haseneten ve fil ahireti hasenete ve kina adhabenar” (në shqip: "Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!", Bekare, 201), dhe lutjet e ngjashme, të cilat gjenden në Kuran dhe janë ajete të plota ose pjesë të ajeteve, por përdorën si lutje, janë të lejuara që t`i thotë femra lehonë dhe me menstruacione.

Së treti: Leximi i Kuranit për femrën me menstruacione me qëllim të adhurimit, d.m.th që ajo gjatë këtyre ditëve të ulet dhe të lexojë Kuran si adhurim, ose të përsërisë pjesët të cilat më herët i ka mësuar përmendësh është i diskutueshëm nga dijetarët islamë.

Mendimi i parë: Pjesa dërmuese e ulemave (hanefitë, shafitë dhe hanbelitë) janë të mendimit se kjo është e ndaluar dhe se gruaja gjatë këtyre ditëve duhet të largohet nga leximi i Kuranit, derisa të pastrohet.
Për këtë qëndrim kanë argumentuar me këto argumente:
1. Gruaja e cila është me menstruacione është e papastër dhe është sikurse muslimani i cili bëhet xhunub (pas marrëdhënieve intime), pasi në të dy rastet është i detyrueshëm gusuli (larja e trupit).
Ali b. Ebi Talibi tregon se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ua mësonte Kuranin atyre (gjithmonë) dhe nuk e ndante atë asgjë nga Kurani përveç xhunubllëkut.1

2. Transmetohet nga Abdullah b. Umeri, se i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Ajo që është me menstruacione dhe xhunub mos të lexojë asnjë pjesë nga Kurani.”2

Mendimi i dytë: Një pjesë më e vogël dijetarësh (medh`hebi i Imam Malikut) lejojnë që femra me menstruacione të këndojë Kuran. Ky mendim thuhet se është edhe thënie e Imam Ahmedit, por ajo që është më e vërtetuar nga ai është qëndrimi i parë, i moslejimit.
Sido që të jetë, qëndrimi i dytë është zgjedhur nga një numër fukahash, qofshin më të hershëm, ose që kanë ardhur më pas, si Ibën Tejmija, Sheukani dhe me këtë mendim japin fetva shumë nga dijetarët bashkëkohorë. Kurse argumentet e tyre janë:
1. Argumentimi për t’ia ndaluar gruas me menstruacione leximin e Kuranit duke bërë analogji (kijas) me xhunubin është krahasim ndërmjet dy çështjeve që nuk janë të njëjta, pasi njeriu xhunub ka mundësi në çdo moment të pastrohet, kurse gruaja me menstruacione nuk ka mundësi ta bëjë këtë, madje ajo është e mundur të qëndrojë një kohë të gjatë (prej tri deri në dhjetë ditësh) në atë gjendje. Pastaj njeriu xhunub, qoftë burrë ose grua, është ie obliguar të pastrohet (merr gusul) në momentin kur hyn koha e namazit, për ta falur atë, kurse femra me menstruacione është e obliguar të pastrohet kur të mbaroj koha e menstruacioneve. Prandaj ky kijas nuk është i saktë.
2. Argumentimi me hadithin e lartpërmendur (Ibën Umerit) nuk është i qëndrueshëm, pasi është i dobët dhe nuk mund të argumentohet me të për të ndaluar këtë çështje.
3. Esenca nga e cila duhet të nisemi në këtë çështje është se për t`ia ndaluar gruas me menstruacione leximin e Kuranit duhet të posedojmë argument, me të cilin e ndërtojmë dispozitën e ndalimit (tahrim). Por, kjo nuk është bërë dhe argumentet të cilat janë sjellë nuk janë të qëndrueshme, prandaj mbetet dispozita e përgjithshme, se ajo është e lejuar.
Ibën Tejmija thotë: “Nuk posedojmë argumente të qarta dhe të sakta për t`ia ndaluar leximin e Kuranit gruas me menstruacione.” Ai gjithashtu thotë: “Është e njohur se grave në kohën e Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, u vinin menstruacionet dhe nuk tregohet se ai ua ndalonte atyre leximin e Kuranit, ashtu siç nuk ua ndalonte dhikrin dhe lutjet.”
4. Gjatë kohës së menstruacioneve femra mund të ndeshet në disa situata ku duhet ta mësojë Kuranin, ta përsërisë atë (posaçërisht nëse mëson në medrese ose në fakultet islam) për shkak të provimeve, ose edhe në disa raste specifike si rasti i sëmundjes, i frikës, i rukjes së vetes (fryrjes së vetes me Kuran), etj.. Prandaj, nëse asaj ia ndalojmë këtë, atëherë e kemi ndaluar nga një gjë mjaft e rëndësishme për të dhe e kemi privuar nga shumë dobi për të cilat ajo ka nevojë.

Nga ajo që u tha më lart vërejtëm fuqinë e argumenteve të atyre që thonë se gruas me menstruacione i lejohet të lexojë Kuran, por nëse ajo dëshiron të jetë më e kujdesshme dhe më e matur në këtë, atëherë do të ishte më mirë për të, që ta lexojë Kuranin në këtë kohë (gjatë menstruacioneve) vetëm atëherë kur është e domosdoshme për të dhe kur ajo ka nevojë për të lexuar ashtu siç cekëm në disa raste të lartpërmendura.

Vërejtje: Ajo që do të ishte e nevojshme të përmendet në këtë vend është çështja e prekjes së Kuranit me dorë nga femra me menstruacione. Për shkak se nëse thuhet se asaj i lejohet të lexojë Kuran, nuk do të thotë se asaj i lejohet edhe prekja e Kuranit me dorë gjatë menstruacioneve. Prandaj këto dy gjëra janë të ndara. Prekja me dorë e mus`hafit (Kuranit) për gruan me menstruacione është e ndaluar. Dhe për këtë argumentojmë me ajetin e përgjithshëm, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Atë (Kuranin) nuk e prekin, vetëm se të pastrit.” (Vakia, 79)
Për këtë, kur themi se lejohet leximi, është për qëllim leximi përmendësh, përsëritja ose dëgjimi nga dikush që lexon. Kurse nëse ajo duhet ta përdorë Kuranin gjatë përsëritjes, atëherë duhet të ketë kujdes mos ta prekë drejtpërdrejt me dorë, por të vërë doreza dhe ta shfletojë me dorëza, ose ta shfletojë atë me diçka tjetër.
Por nëse ajo lexon ndonjë libër që përmban ajete të Kuranit, Kuranin me përkthim, ose Kuranin me komentim, atëherë lejohet ta prekë atë, pasi Kurani i ndaluar që të preket nga gruaja me menstruacione është mus`hafi, ku gjendet e përmbledhur vetëm fjala e Allahut dhe jo librat e tjerë, ku kemi edhe shkrime të tjera. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
8.6.2007

 

[1] Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ahmedi, Tirmidhiu e cilëson hadithin si hasen sahih, ndërsa Ibën Haxheri thotë se hadithi është hasen dhe mund të argumentohet me të.
[2] Shënon Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Darekutniu dhe Bejhakiu. Hadithi është i cilësuar i dobët, ashtu si shtjellohet nga Zejleiu në “Nasbu Rraje” dhe Ibën Haxheri në “Telhisu Habir”. Kurse Ibën Tejmija thotë se hadithi është i dobët me pajtimin e dijetarëve të hadithit.

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451388 visitors (1419440 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free