Rëndësia e ushqimit hallall


Rëndësia e ushqimit hallall
 
 
 
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Krijuesit të kësaj gjithësie, Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Përshëndetjet më të përzemërta qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin alejhi selam, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij gjer në ditën e Llogarisë.

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Të përkujtojmë të mirat dhe bereqetet që Allahu i Madhërishëm ka dhuruar për robërit e Tij. Të mirat e Allahut nuk kanë të numëruar. Allahu xh.sh. thotë: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu fal dhe mëshiron shumë.”1

Falënderimet ndaj Allahut duhet të jenë të njëpasnjëshme, pasi edhe të mirat që ka dhuruar shtohen dita-ditës. Kjo është mrekullia që Allahu xh.sh. ka bërë për krijesat e Tij. Duke falënderuar Allahun, pa dyshim se do të njohim vlerën dhe rëndësinë e çdo gjëje dhe do të luftojmë që të veprojmë sa më shumë vepra dhe punë të mira.

Vëllezër të respektuar!

Nga dhuratat me të cilat Allahu na ka begatuar janë ushqimi dhe pija. Këto dy elemente janë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut, prandaj duhet të kemi kujdes se si e fitojmë këtë ushqim; a është i lejuar apo i fituar në forma të ndaluara. Të bëhemi të vetëdijshëm se ushqimi haram dëmton edhe ibadetin, dëmton ardhmërinë e familjes, dëmton imazhin e muslimanit. Të mendojmë për shkaqet dhe arsyet e ushqimit hallall. Të mendojmë se si ndihet njeriu kur ushqehet me ushqime haram, me pije të ndaluara, të mendojmë rreth efekteve të konsumimit të ushqimeve dhe pijeve të ndaluara (harame). Le t’u hedhim një shikim argumenteve kuranore që kanë të bëjnë me ushqimin dhe pijet e dedikuara për muslimanët. Është me rëndësi që, si muslimanë që jemi, gjithsesi duhet të ushqehemi me ushqime hallall e mos ta humbim veten në konsumimin e ushqimeve të ndaluara. Njëkohësisht duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë burimit të ushqimit; nga vjen, ku prodhohet dhe ajo që është më me rëndësi, që të mos sjellë dëme në shëndetin tonë.
Në suren En-Nahl, Allahu xh.sh. thotë: “Ju (besimtarë), hani nga të mirat që ua dha Allahu, të lejuara e të pastra, jini mirënjohës për dhuntitë e Allahut, nëse jeni të sinqertë në adhurim vetëm ndaj Tij.”2

Muslimani i mirë duhet t’i kushtojë rëndësi asaj që konsumon në jetën e tij të përditshme, sidomos kur e dimë se çdo gjë që fusim në stomakun tonë do të bëhet pjesë e tij dhe jo vetëm që ka efekte në anën e tij fizike, por edhe në atë shpirtërore. Profeti Muhamed a.s. thotë: "Kush ushqehet 40 ditë me ushqim hallall, Allahu e ndriçon zemrën e tij me dritë dhe e bën atë burim të urtësisë si në mendim ashtu edhe në vepra."

Kur ushqehemi me gjëra të lejuara (hallall) dhe të mira, me këtë muslimani ka treguar falënderim ndaj Allahut xh.sh. për të mirat që ka dhuruar. Zgjedhja e ushqimit të lejuar ndihmon në ngritjen e sjelljeve të mira. Ushqimi hallall e pastron zemrën, e ndriçon atë dhe e aftëson për pranimin e të mirave.

Të marrim shembull mënyrën se si Pejgamberi alejhi selam kryente therjen e kurbanit. Jemi të obliguar që një gjë të tillë ta praktikojmë gjatë therjes edhe në ditët tona dhe të bëhemi sa më të mëshirshëm ndaj kafshës që duhet therur. Duhet të kemi në konsideratë se me kafshët nuk duhet abuzuar e as nuk duhet të lëndohen. Mënyra e drejtë gjatë therjes është që t’i therim në mënyrë të pastër, në qafën e tyre, duke përdorur thikë të mprehtë. Kjo është mënyra e therjes, e cila bën që kafsha të mos e ndiejë aq shumë dhimbjen.

Duhet ta dimë se pas çdo urdhri të cekur në Kuran fshihen arsyet dhe urtësitë, prandaj mos të habitemi kur shohim ndalesat në Kuran, për arsye se Krijuesi ynë e ka ditur se çfarë është e dobishme dhe e dëmshme për krijesat e Tij.

Ushqimet dhe pijet të cilat janë të ndaluara për ne posedojnë edhe arsyet e veta, pasi Allahu xh.sh. ka dashur të na mbrojë nga papastërtitë dhe sëmundjet e panumërta që kanë kapluar botën. Për këtë do të sjellim rastin e zbuluar kohëve të fundit, se mishi i cili nuk është therur sipas normave islame është ndyrë me gjakun e mbetur në barkun e kafshës. Për shumë besimtarë profesioni i therjes së kafshëve, apo thënë më mirë i kasapit kuptohet si një profesion jo me vlerë, mirëpo duhet të kemi frikë Zotin. Në shikim të parë duket shumë i thjeshtë, mirëpo mosnjohja e therjes sipas normave islame me të vërtetë sjell dëme të shumta në shëndetin dhe fenë e muslimanit. Nëse nuk i therim kafshët në venat e qafës së tyre, kjo gjë do të shkaktojë mosdaljen dhe mosshpërthimin e gjakut nga trupi dhe nëse gjaku nuk del nga trupi i kafshës, mishi i tillë do të ndyhet dhe do të rrezikojë jetën e konsumuesit, prandaj duhet t’i kushtojmë rëndësi ushqimit se ku e blejmë, të pyesim shitësin dhe të interesohemi për arsye se me këtë ushqim ushqehemi ne, familja dhe fëmijët tanë. Është vërtetuar se edhe pijet alkoolike e rrezikojnë jetën e njeriut dhe nuk ka dyshim se moszbatimi i normave islame çon në dekadencë dhe degjenerim. Pijet e tilla dëmtojnë mendjen e njeriut, shkaktojnë sëmundje trupore, siç është shtypja e gjakut dhe sëmundje të tjera shoqërore. Mos të harrojmë se personi i dehur është i dëmshëm për të gjithë: për gruan, familjen, rrethin, etj. Si rrjedhim, të dashur besimtarë, kur Allahu xh.sh. na ndalon nga përdorimi dhe konsumimi i ushqimeve dhe pijeve të ndaluara, kjo nuk do të thotë se na kufizon nga kënaqësitë e ushqimit dhe pijes, por në fakt me këtë na mbron nga efektet e dëmshme të ushqimeve të ndaluara.

Të nderuar vëllezër!

Është me rëndësi për ne që të interesohemi rreth ushqimit dhe pijeve. Nëse dëshirojmë të jemi bashkësi islame e shëndoshë shpirtërisht dhe fizikisht, atëherë nga ne kërkohet që të punohet më shumë në këtë drejtim. Shpeshherë ndodh që t’i kushtojmë rëndësi të madhe ushqimeve të lejuara dhe neglizhojmë së menduari nëse është i mirë apo i keq për ne. Allahu xh.sh. thotë: “Të pyesin ty (Muhammed), se çka u është lejuar atyre? Thuaju: U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira...”

Nga ajeti i mësipërm kuptojmë se Allahu xh.sh. jo vetëm që na ka urdhëruar të hamë ushqime të lejuara, por në të njëjtën kohë ato duhet të jenë edhe të dobishme për shëndetin. Fjala vjen, ushqimet që përmbajnë yndyra apo ushqimet me përmbajtje të shumtë të sheqerit dhe kripës shkaktojnë sëmundje si infarkti, sëmundja e sheqerit, problemet e veshkave e shumë e shumë të tjera.

Besimtarë të respektuar, të mos harrojmë se trupi ynë është amanet nga i madhi Allah xh.sh., prandaj Allahu na e ka besuar këtë amanet dhe do të kujdesemi për të në të gjitha mënyrat. Allahu xh.sh. thotë: “Dhe jepni në rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.”3

Duhet të bëhemi muslimanë të mençur, të dimë se si të zgjedhim nga ushqimet dhe pijet e lejuara, të cilat në të njëjtën kohë janë të dobishme për shëndetin. Për të arritur sukses në këtë drejtim, siç e cekëm edhe më lart, nuk ia vlen vetëm të themi se ushqimi duhet të jetë hallall, por i duhet kushtuar rëndësi edhe përmbajtjes së ushqimit, që të mos sjellë dëme në shëndetin tonë, përndryshe nuk jemi kujdesur si duhet ndaj trupit dhe shëndetit që Allahu na ka begatuar. Feja islame me të vërtetë i rregullon të gjitha sferat e jetës së njeriut; ato të jashtme dhe të brendshme. Islami në mënyrë të prerë ka përcaktuar ligjet dhe normat pa të cilat njeriu nuk mund të ketë jetë të rehatshme. Prandaj, le t’u kthehemi fjalëve të Allahut, ligjeve të Tij, të mos mendojmë se nga ushqimet e ndaluara do të ketë dobi, për arsye se dëmet janë më të mëdha dhe fatale.

E lusim Allahun xh.sh. që çdo kafshatë buke që fusim në gojë, të jetë e lejuar (hallall) dhe e lusim të Gjithëmëshirshmin që muslimanët në përgjithësi dhe ata shqiptarë në veçanti t’i japin fund konsumimit të pijeve të ndaluara, shitblerjes së tyre dhe të ushqehen vetëm me ushqime të lejuara!

Në fund, kërkojmë nga Krijuesi që të na shpërblejë për të mirat dhe veprat tona, të na e pranojë agjërimin tonë, të na i falë gjynahet, dhe të na vdesë si muslimanë. Amin!

Përgatiti: Mr. Fehim Dragusha
25.1.2009


--------------------------------------------------------------------------------

1) Kur’an, En-Nahl; 18.
2 Kuran, En-Nahl; 114.
3) Kuran, El-Bekare; 195.

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450064 visitors (1413736 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free