Ndihma e Allahut xh.sh.

Lavd - falënderimi i takon All-llahut të madhërishëm, Krijuesit të gjithësisë, përshëndetjet dhe salavatet për Profetin Muhammed s.a.v.s., familjen e tij të pastër dhe shokët e tij besnik, si dhe të gjithë ata që ndoqën dhe ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër!

Bota islame në përgjithësi është duke përjetuar momente të vështira, me luftra të ndryshme, përndjekje e persekutime të llojllojshme, andaj shejtani i mallkuar në këto momente e gjen rastin të depërtojë tek ato zemra të dobëta nga imani duke bërë pyetje:
Ku është ndihma e All-llahut?

Ku është premtimi i All-llahut, i cili ka thënë në Kur'an se Zoti do t'i ndihmojë robërit e Tij besimtarë? Shikoni zullumqarët, kriminelët, tiranët nëpër vende të ndryshme të botës ecin kryelartë dhe luajnë si të duan me besimtarët, andaj ku është ndihma e Zotit për ta? Pse nuk i shkatërron zullumqarët (tiranët) për shkak të tiranisë dhe armiqësisë së tyre? Me kësi lloj pyetjesh, shejtani gjen rrugë për të depërtuar në mendjet e muslimanëve, duke bërë cytje tek ata në këto rrethana të vështira që po përjeton bota islame në përgjithësi. Andaj gjatë këtyre minutave , do të mundohem që t'i përgjigjem këtyre pyetjeve. Së pari duhet të përmendi ligjet, normat, rregullat e All-llahut xh.sh.(të madhërishëm) për robërit e vet, ashtuqë me këtë të na shtohet besimi në Zotin e Madhëruar, e jo të na fut shejtani në ngatërresa dhe dyshime. All-llahu i Madhërishëm, jobesimtarëve (shtypësve) u jep afat, por assesi nuk i le pas dore, nuk i le në harresë. Ky është ligj i kahershëm i All-llahut xh.sh. për robtë e vet , prej krijimit e deri në Ditën e Kijametit.

A nuk e keni dëgjuar fjalën e All-llahut xh.sh. në suren Kalem: "Pra më lë Mua dhe ata që e mohojnë këtë Kur'an. Ne do t'i afrojmë ata dalëngadalë te denimi prej nga nuk e presin. Dhe atyre Unë u jap afat, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë".

A nuk e keni dëgjuar fjalën e All-llahut në suren Haxh: "Shumë fshatra që ishin në rrugë të gabuar, Unë ua pata shtyrë denimin për një kohë, e pastaj i zura me dënim dhe fundi i tyre është tek Unë".

Shumë fshatra, shumë vende, shumë popuj, janë rebeluar dhe kanë bërë shkatërrime të mëdha në tokë, por Zoti xh.sh. nuk ngutet, dhe ta dini se shtyerja e dënimit të tyre nuk do të thotë se ata do t'i shpëtojnë dënimit.

Në suren Ibrahim, All-llahu xh.sh., thotë: "E ti kurrsesi mos e mendo All-llahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur)".

Lexoni ngjarjet, tregimet, ndodhitë në Kur'an të atyre popujve të cilët bënë zullum dhe shkatërrime të mëdha në tokë si: populli i Nuhut a.s., populli i Salihut a.s., populli i Lutit a.s., a thua Zoti xh.sh. për shkak të tiranisë, zullumit dhe sjelljeve të tyre të fëlliqura i shkatërroi menjëherë? Jo, por u dha afat deri në një kohë të caktuar. Lexoni tregimin e gropuesve të hendeqeve në suren Buruxh, As'hab Uhdud ose të zotët e hendeqeve, ishin sundues që i mundonin besimtarët dhe i digjnin në hendeqe, por All-llahu xh.sh. nuk i shkatërroi brenda një nate.
Sa qëndroi Nuhu a.s. me popullin e tij, të cilët bënin padrejtësi, shtypje dhe gjëra shumë të këqija, por Nuhu a.s. duroi, e urdhëroi Zoti me sabër (durim), derisa erdh koha e caktuar që nuk e di askush pos All-llahut të Madhërishëm dhe i shkatërroi.

"E kur erdhi urdhri ynë dhe nga furra doli ujë, Ne thamë: (mashkull dhe femër) nga çdo lloj, familjen tënde dhe besimtarët, përveç atyre për të cilët është marrë një vendim i përhershëm. Por, përveç një pakice, shumica nuk besoi >".

Mos e harroni këtë ligj të All-llahut xh.sh. Mësoni nga ndodhitë e popujve gjatë historisë. Sa e munduan idhujtarët Pejgamberin a.s. në Mekke, sa muslimanët i torturuan dhe i mbytën, sa prej tyre i lanë në rrezet përvëluese të diellit siç e dini, por kur erdh koha e caktuar në diturinë e All-llahut, i shkatërroi mizorët dhe i shpëtoi besimtarët. Kut ta kemi të qartë këtë ligj hyjnor, atëherë shejtani nuk mund të depërtoj dhe të fut huti në zemrat dhe mendjet tuaja.

Në këtë afatizimi që ua jep Zoti xh.sh. jobesimtarëve ka shumë urtësi (mençuri) që nuk na mjafton koha t'i përmendim të gjitha. Prej tyre është se kjo zgjatje e afatit të mizorëve është rast i mirë për ata të cilët e kanë humbur rrugën, që të zgjohen dhe të kthehen rrugës së All-llahut të Madhërishëm. Të pendohen sinqerisht për veprat e tyre. Këto sprova dhe vështirësi që po i përjetojmë ne muslimanët janë fryt i veprave tona, rezulltat i sjelljeve tona të këqija në raport me All-llahun xh.sh. Duhet ta dimë këtë të vërtetë, prandaj nuk lejohet assesi që t'i drejtojmë shikimet tona kah zullumqarët dhe mizoritë e tyre, pa menduar thellë për gjendjen tonë të nderë.

Kështuqë të gjitha këto fatkeqësi dhe sprova janë reflektim dhe pasqyrim i gjendjes tonë të keqe që kemi brenda shoqërisë. Sikur Ummeti islam të ishte kompakt dhe i bashkuar dhe sikur të kapeshim fort për litarin e All-llahut, a do të ndodhte kjo fortunë dhe tragjedi? Assesi, por ne i kundërshtuam urdhrat e All-llahut xh.sh. dhe u larguam nga Sheriati (ligji hyjnor) i Tij, andaj të tillë e kemi gjendjen ne sot. Është e vërtetë se All-llahu xh.sh. ka thënë:

Ai kurrsesi nuk e then premtimin e Vet, por është obligim yni që ta përmirësojmë gjendjen tonë shpirtërore, dhe t'i kthehemi rrugës së Tij.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, në Irak jetonte një njeri, prej robëve të devotshëm të All-llahut xh.sh., me emrin Ibrahim Rravii. Ai kishte parë në ëndërr dy ushtri të mëdha. Njëra e muslimanëve, e tjetra e armiqve të Islamit. Ibrahim Er -ravi thotë: < E pashë Resulullahun a.s. i cili qëndronte në mesin e dy ushtrive. U afrova tek ai e përshëndeta me Selam dhe e pyeta? O Pejgamber i Zotit, ky është Ummeti yt? A nuk po i ndihmon? A nuk po bashkohesh me ta?> I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. u përgjigj:"Unë kam ardhur t'i ndihmoj Ummetit tim, po shikoi djathtas e majtas dhe nuk e di se cili prej dy grupeve(ushtrive) është Ummeti im!" Nëse e ka parë këtë Ibrahim Er-ravi gjatë shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, atëherë çfarë kishte me thënë Pejgamberi a.s. për muslimanët e ditëve tona!?

Vëllezër të ndershëm!Muslimanët nuk duhet të nguten dhe të kërkojnë fitore dhe triumf. All-llahu xh.sh. përgjigjet, por në kohën kur Ai dëshiron, jo në kohën kur dëshirojmë ne. Kjo është një, e dyta, Zoti xh.sh. hakmerret ndaj zullumqarëve dhe i shkatërron ata në momentin kur Ai dëshiron, jo në momentin kur dëshirojmë ne.

Muhammedi s.a.v.s ka thënë: >Të gjithë ju jeni mëkatar. Më i miri prej mëkatarëve është ai që pendohet.<

 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450064 visitors (1413744 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free