Me çfarë ke kontribuuar për Islamin?

Me çfarë ke kontribuuar për Islamin?
 
 
 
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar Tij. I Dërguar i mëshirës, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi të gjithë shokët e tij e këdo që pason rrugën e tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَقُلِ اعْمَلُواْ فَسَيَرَى اللّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ وَسَتُرَدُّونَ إِلَى عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

“Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”1

I nderuar vëlla! 

Me siguri që mburresh dhe krenohesh para të tjerëve me Islamin dhe je i gatshëm ta ngresh zërin lart para njerëzve se je musliman. Por a je ndalur një ditë për të menduar për këto pyetje:
Vallë, a krenohet me mua Islami ashtu si krenohem unë?
A thua Islami ka me kë të lavdërohet?
Mos ndoshta nuk kam dhënë asnjë kontribut për këtë fe?
A kontribuoj për thirrjen islame dhe a ua mësoj fenë të tjerëve?

Pa dyshim që njerëzit në përgjithësi kanë halle e telashe. A thua çfarë meraku ka zemra jote dhe me çfarë është e angazhuar? Është e mundshme që Islami të jetë brenga jote, por kujdes, shumë kujdes se mos mendon se Islami është barrë me të cilën ti je duke e dënuar veten.

Patjetër duhet të kujtojmë se qëllimi ynë është adhurimi i Allahut dhe për këtë na krijoi Allahu i Lartësuar, që e gjithë jeta të jetë në adhurim. Qëllimi ynë të jetë ta kënaqim Allahun e Lartësuar; nëse e arrijmë këtë, pa dyshim që Ai do të jetë i kënaqur me ne dhe kështu do të jemi të nderuar dhe krenarë.

Nuhu ishte njëri ndër Pejgamberët e vendosur dhe këmbëngulës në thirrjen e vërtetë dhe radhitej në listën e të Dërguarve të quajtur “ulul-azm”. Allahu i Lartësuar e ngushëllon Muhamedin duke i thënë:

فَٱصْبِرْ كَمَا صَبَرَ أُوْلُواْ ٱلْعَزْمِ مِنَ ٱلرُّسُلِ

“Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të Dërguarit e vendosur!”2

Këta të Dërguar u quajtën kështu sepse kishin një hal që dallohej prej halleve të të tjerëve. Allahu i Lartësuar na tregon për Nuhun alejhi selam duke thënë:

قَالَ رَبِّ إِنِّي دَعَوْتُ قَوْمِي لَيْلاً وَنَهَاراً

“Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë...”3

Ai ishte gjithnjë në thirrje duke i ftuar në besimin dhe adhurimin e drejtë të Allahut të Lartësuar, por rezultati ishte:

فَلَمْ يَزِدْهُمْ دُعَائِي إِلَّا فِرَاراً. وَإِنِّي كُلَّمَا دَعَوْتُهُمْ لِتَغْفِرَ لَهُمْ جَعَلُوا أَصَابِعَهُمْ فِي آذَانِهِمْ وَاسْتَغْشَوْا ثِيَابَهُمْ وَأَصَرُّوا وَاسْتَكْبَرُوا اسْتِكْبَاراً. ثُمَّ إِنِّي دَعَوْتُهُمْ جِهَاراً. ثُمَّ إِنِّي أَعْلَنتُ لَهُمْ وَأَسْرَرْتُ لَهُمْ إِسْرَاراً.

“Por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta). Sa herë që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim). Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi.”4

Çfarë do të thotë ky përshkrim i Kuranit për Nuhun alejhi selam? Se ai ishte i vendosur në qëllimin që kishte, i shfrytëzoi metodat e thirrjes si haptas edhe fshehurazi vetëm e vetëm që t’i bindte njerëzit.

Edhe Muhamedi alejhi selam ishte thirrës i palodhur për në rrugën e vërtetë, ai që lexon jetëshkrimin e tij mëson shumëçka. Trembëdhjetë vite thirrje në Mekë, ku përjetoi vuajtje prej më të ndryshmeve së bashku me besimtarët. Kur u ngushtua dhe u ndal thirrja nga idhujtarët, shkoi në Taif për thirrje. Por atje nuk u prit mirë dhe u sulmua ashpër dhe iu vërsulën me gurë, saqë Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, përjetoi edhe përgjakjen e këmbëve.

Allahu i Lartësuar e ngushëlloi duke dërguar engjëllin mbikëqyrës të kodrave duke kërkuar nga ai leje për të bashkuar dy kodrat, që do të thoshte zhdukjen nga harta të qytetit të Taifit. Por ai tha fjalët që shënoi historia: “Jo (shkatërrimin e tyre), por shpresoj tek Allahu që pasardhësit e tyre do të thonë La ilahe ilall-llah.”
Pra, thirrja ishte synim primar për të Dërguarin e Allahut të Lartësuar.

Të nderuar!

Omer bin Abdul Azizi thotë: “Udhëheqja lokale ishte synimi i tij, të cilën e arrita. Pasi që u bëra emir, synoja kalifatin (postin më të lartë në udhëheqjen e shtetit islam) dhe e arrita edhe këtë, u bëra kalif. Kur arrita në pozitën më të lartë, synimi im përfundimtar ishte xheneti i Allahut të Lartësuar.”

Kështu është njeriu, ai patjetër duhet të ketë qëllime, qëllime të afërta dhe qëllime më të largëta. Qëllime të afërta janë ato që mund të realizohen në kohë më të shkurtër dhe më të shpejtë me një angazhim më të vogël. Dhe kështu këto qëllime të vogla të ndihmojnë në arritjen dhe realizimin e qëllimeve të mëdha.

Kur Omer Abdulazizi arriti të bëhej kalif, çfarë bëri?
Që në ditën e parë të detyrës u ul në karrige dhe pas namazit të drekës filloi të pranonte njerëzit dhe të dëgjonte hallet e tyre. I erdhi djali dhe i tha: “O prijës, po sikur ta ndash një pjesë të kësaj kohe për pushim (të çlodhesh)?” Ai iu përgjigj duke i thënë: Po sikur të vdes në këtë kohë? Unë do të mbaj përgjegjësitë e të tjerëve. Kështu ai mendonte për çështjet madhore që kishte synim të realizonte për këtë umet.

Mos harroni që njeriu nuk jeton vetëm për vetveten; nëse ai synon këtë, atëherë ka marrë fund puna e tij. Të jetosh edhe për të tjerët do të thotë të jetosh me thirrjen islame dhe për të. Kështu do të jesh i përkujtuar tek Allahu i Lartësuar me punën dhe angazhimin që ke bërë.
Patjetër duhet të veprohet: punë dhe vetëm punë. Dhe kjo kërkon mund dhe sakrificë, durim dhe vendosmëri.

A ke menduar ndonjë herë që të kontribuosh dhe të punosh për këtë fe?
O njeri, mos lejo që të jesh vetëm numër, por bëhu me vlera, që të jesh i dobishëm edhe për të tjerët.
O njeri, a ke menduar që një ditë t’i mësosh dikujt një ajet dhe hadith, këshillë dhe porosi?
A ke menduar të shkruash ndonjë artikull e të dërgosh një mesazh besimi?
A ke menduar të shpenzosh nga pasuria që ke dhe ta ndihmosh një të varfër e të humbur?
A ke menduar të ledhatosh një kokë jetimi e ta ngushëllosh atë?
O njeri, a ke menduar një ditë të botosh një libër ose një broshurë?
O njeri, a ke menduar një ditë të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh të këqijat?
Apo qëllimi yt është vetëm gruaja, fëmijët dhe arritja e pasurisë?
Allahu të ruajttë! Mendo se çka ke kontribuuar për këtë fe?

Islami të ka dhënë shumë, mjafton që Allahu të ka nderuar me Islam dhe lute Atë që të ta përfundojë jetën në Islam. Allahu nuk ka nevojë për ne dhe për adhurimin tonë, por ne kemi nevojë për Të.
Shurejh el-Kadi kaloi pranë një grupi fëmijësh, i pa duke lozur dhe i pyeti: “Ç’bëni?” I thanë: “Po luajmë sepse kemi kohë të lirë.” Ai i tha: “Nuk jeni krijuar për këtë qëllim, që kohën ta kaloni në këtë mënyrë. Allahu i Lartësuar thotë:

فَإِذَا فَرَغْتَ فَٱنصَبْ

“Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim).”5

Kur të përfundosh çështjet e dynjasë, ngrihu dhe adhuroje Allahun e Lartësuar, pastro nijetin dhe angazhohu në të gjitha llojet e adhurimeve. Kaloje kështu kohën e lirë dhe do të gjesh rehatinë dhe qetësinë shpirtërore, lodhe veten në atë që Allahu e do dhe është i kënaqur.

وَإِلَىٰ رَبِّكَ فَٱرْغَبْ

“...dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!”6

Kërko shpërblim vetëm prej Allahut të Lartësuar për veprat e tua dhe kontrolloji ato që të jenë vetëm për Të. Nga kjo që u tha nuk duhet kuptuar që njeriu nuk ka nevojë për argëtim dhe pushim. Jo, por e gjithë jeta e njeriut nuk duhet të jetë lojë dhe dëfrim. Jo, qëllimi yt nuk duhet të jetë dynjaja dhe ta kërkosh xhenetin pa vepruar. Konsideroje xhenetin si një nuse e cila kërkon mehrin (dhuratën obligative të kurorëzimit), prandaj o njeri je i obliguar që ta përgatitësh mehrin dhe nesër në Ditën e Gjykimit të përfundosh në xhenetin e Allahut të Lartësuar.

Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka bërë një dua për dynjanë duke thënë: “Allahu im! Mos e bëj këtë botë që të jetë qëllimi ynë final!”

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
18.7.2008


--------------------------------------------------------------------------------

1 Teube, 105.
2 Ahkaf, 35.
3 Nuh, 5.
4 Nuh, 6-9.
5 Inshirah, 7.
6 Inshirah, 8.

 

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 261749 visitors (1048148 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=