Shkëlqimtari i njerëzimit

Shkëlqimtari i njerëzimit
 
 
 
   Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
   Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

I Dërguari i lavdisë, i shkëlqimit, i shpirtmirësisë, i udhëzimit,
në çdo trajtë të shkëlqimit emri yt Muhamed është parësi.

 

Të nderuar besimtarë!

   Allahu i Lartësuar e zgjodhi Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, që të jetë përmbyllës i mesazhit hyjnor dhe shembull mjaft i mirë dhe i kompletuar për realizimin e misionit me karakteristika të veçanta universale.
   “Tashmë pa dyshim që tek i Dërguari i Allahut (Muhamedi) ju keni një shembull mjaft të mirë për ta ndjekur, për atë që shpreson në (takimin me) Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe që e kujton Allahun shumë.”1
   Atëherë, nuk është çudi publikimi dhe prezantimi i jetëshkrimit të shëmbëlltyrës së njerëzimit, i cili e meriton të ndiqet. Jeta e të Dërguarit Muhamed, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, është e zbuluar, e hapur, e çiltër, e kthjellët dhe e zakonshme për t’u parë nga të gjithë. Atë e njeh miku dhe armiku, burri dhe gruaja, i madhi dhe i vogli, i afërti dhe i largëti. Të gjithë kanë njohuri të sakta dhe detaje nga jeta, aktiviteti, personaliteti i tij, etj..
   Nga jetëshkrimi (sireja) i tij ne kemi njohuri për jetën e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në shtëpi, në udhëtim, për mënyrën e të ushqyerit dhe gjëra të tjera. Nuk është aspak e tepërt nëse themi se ne dimë për të Dërguarin e Allahut edhe më tepër sesa për veten tonë. Kur e themi këtë, le të kujtojmë se shumë prej nesh kemi bërë edhe veprime impulsive e të vetvetishme. Nëse pyetemi pse e bëre këtë, përgjigja është: Nuk kam qenë i kujdesshëm!

Të nderuar besimtarë!

   Sa për ilustrim po veçojmë një aspekt, duke qenë se po flasim për imtësi dhe hollësi. Shokët e Muhamedit bisedonin mes tyre për moshën e tij, siç është rasti i Enesit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në kokën dhe në mjekrën e tij nuk kishte më tepër se njëzet qime të bardha.”2
   Sahabët i numëruan edhe qimet e zbardhura! Kështu, dijetarët e umetit islam e ruajtën dhe e përcollën jetën profetike me kujdes, me vëmendje dhe me interes të pashoq. Dijetarët islamë i raportuan me përgjegjësi hollësitë duke renditur vargun transmetues dhe duke seleksionuar transmetuesit, saqë kemi afro pesëqind mijë emra në disiplinat e shkencës së hadithit. Të gjitha këto u bënë në të kaluarën, kur nuk kishte kompjuter e shtypshkronja. Pa dyshim që kjo u bë për më të zgjedhurin dhe udhëzuesin e njerëzit.
   Biografia e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, është plot dashuri. Po të ndalesh edhe në pjesën e jashtme të portretit të tij, si pamja, fytyra, bukuria, veshja, do të ndiesh shkëndijat e shpirtit plot iman në zemrën tënde. Ndërsa morali dhe sjellja e tij me njerëzit është edhe më çudibërëse. Çdo gjë te Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, jep mesazh dashurie. Zaten edhe prej shenjave të imanit është që të jetë i Dërguari i Allahut më i dashur se çdokush tjetër.
   Kjo dashuri shtohet dhe përforcohet duke lexuar biografinë e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Kështu, çdo njeri duhet t’i caktojë vetes një orar për të lexuar çdo ditë nga librat e ndryshëm që përshkruajnë jetën e të Dërguarit të Allahut.
   Një pjesë e të rinjve të hutuar pas teknologjisë informative kanë njohuri për yjet e artit, të filmit, të muzikës e të sportit, të cilëve u kushtohet vëmendje dhe u ndiqen lëvizjet dhe arritjet hap pas hapi. Sot një i ri apo e re, edhe pse i takon një rrethi dhe familjeje fetare, ai dhe ajo imitojnë artistin dhe artisten, këngëtarin dhe këngëtaren, po ashtu parapëlqejnë gjuhën e komunikimit të tyre.

Të nderuar muslimanë!

   Kemi për obligim që t’i orientojmë të rinjtë tanë drejt historisë së bujshme islame, veçanërisht me jetëshkrimin e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.
   Kush e lexon jetëshkrimin e të Dërguarit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, menjëherë do të vërejë modestinë dhe thjeshtësinë. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (Muhamed): “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim dhe unë nuk jam prej atyre që bëjnë trillime.”3
   Udhëheqësi në portretin e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, gjen modelin e drejtësisë, të zbatimit të ligjit, të gjykimit të drejtë dhe të vënies së rendit.
   Dijetari e ka shembull të Dërguarin e Allahut për sa i përket mënyrës së shpërndarjes së diturisë, të shkencës, të edukatës, etj..
   Babai e ka shembull Pejgamberin e Allahut në ndërtimin dhe respektimin e marrëdhënieve bashkëshortore dhe në edukimin e fëmijëve. Kështu me radhë i pasuri dhe i varfëri, i shëndoshi dhe i sëmuri, fitimtari dhe humbësi, jetimi, mësuesi, punëtori, të gjithë e gjejnë veten në jetëshkrimin profetik.
   Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, i shijoi të gjitha format dhe llojet e sprovave jetësore dhe vetëm ai e meriton të pasohet. Ky Pejgamber i Allahut është dhuratë e mëshirës jo vetëm për muslimanët, por edhe për të tjerët; jo vetëm për arabët, por edhe për të tjerët.
   “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (Muhamed) veçse si përkujtim mëshire për gjithë alemin (për njerëzit, për xhinët dhe për gjithë ç’është krijuar në gjithësi).”4
 


Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
14.3.2008


--------------------------------------------------------------------------------

1 Ahzab, 21.
2 Buhariu, Muslimi dhe Termidhiu.
3 Sad, 86.
4 Enbija, 107.

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 256190 visitors (1038529 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=