Islami, feja e Allahut

Islami, feja e Allahut
 
 
 
Falënderimi i takon Allahut për mirësinë e Islamit. Sikur vetëm këtë të na kishte dhuruar do të mjaftonte ajo si mirësi. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut i Vetëm dhe i pa shokë dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar Tij. Profeti i mëshirës, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij të pastër dhe ndaj të gjithë shokëve të tij e çdo kënd që pason rrugën e tij.

O besimtarë, robër të Allahut!

A e dini se mirësitë e Allahut ndaj nesh janë të shumta e të mëdha. Nëse do të dëshironim t’i llogarisim e numëronim nuk do të mundeshim, ashtu sikurse dhe falënderimi që bëjmë ne për to nuk mjafton. Dëgjojeni fjalën e Begatuesit të Madhëruar në lidhje me këtë: "Dhe sikur (të mundoheni) t’i numëroni Mirësitë e Allahut, kurrë nuk do të ishit në gjendje t’i radhitni ato..." Nahl, 18.

Dijeni, o robër të Allahut!

Përkujtimi i mirësive që na janë dhuruar është nga falënderimi i tyre, ndërsa harresa e tyre është mohimi që tregohet për to. Ndaj le t’i kërkojmë Allahut mbrojtje që të mos na bëjë nga ata që i mohojnë të mirat, sepse shfaqja e saj është shkak për largimin e tyre dhe e çon personin në fatkeqësi dhe shkatërrim.

O muslimanë, robër të Allahut!

Vërtet nga mirësitë më të çmueshme e më të mëdha, me të cilën Allahu ka begatuar njerëzit, është mirësia e Islamit, me të cilën Allahu na zgjoi nga kufri (mohimi) e na ruajti nga përjetësia në zjarr. Por, pyetja e cila me të drejtë ngrihet o besimtarë, është: A e kemi njohur ne këtë mirësi ashtu siç duhet, në mënyrë që të bëhet e lehtë për ne falënderimi i Allahut për të e të qëndrojë ajo tek ne gjithmonë, kështu që të jetojmë si falënderues, krenarë, të pastër, të lumtur e të sigurt? Vërtet, Islami është feja e Allahut, veç të cilës nuk pranon tjetër, sikurse thotë dhe vetë Allahu dhe fjala e Tij është më se e vërteta: "Dhe kush kërkon fe tjetër veç Islamit, nuk do ti pranohet atij dhe ai në ditën e gjykimit do të jetë i dëshpëruar." Ali Imran, 58.

Ky është lajm i vërtetë nga Allahu, i Cili i ka konsideruar të kota të gjitha fetë, përveç Islamit, ndaj as feja çifute, as krishterimi, fe në të cilat besojnë shumë njerëzit sot, nuk janë fe që duhet të ndiqen, porse i ka hedhur Allahu ato poshtë më urtësinë e Tij të madhe. Ai ligjëroi në vend të tyre Islamin dhe premtoi për përsosmëri dhe lumturi ndaj çdo person, i cili e beson Allahun me të. Kështu që, e adhuron Allahun të vetëm pa shok me atë që fton feja e Tij islame, qofshin këto nga: adhurimet, ligjet, edukata, morali etj.

Robër të Allahut, o besimtarë!

Vërtet, hyrja në Islam do të thotë që njeriu t’ia dorëzojë veten e tij, qoftë me zemër e gjymtyrë Allahut, kështu që ai nuk vepron asnjë vepër që të dalë jashtë bindjes së Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Edhe gjymtyrët, gjithashtu, janë të dorëzuara ndaj Allahut dhe kërkojnë vetëm kënaqësinë e Tij. Ndaj gjen që syri nuk shikon, veshi nuk dëgjon, dora nuk prek, e këmbët nuk ecin vetëm se atje ku do Allahu dhe kënaqet.

Robër të Allahut!

Ky është realiteti i Islamit dhe mirësia me të cilën jemi begatuar. Po a e kemi njohur tani atë? A jemi falënderues të saj? A jemi dorëzuar me atë që ajo fton? Islami, o robër të Allahut, është i formuar nga pesë shtylla. Dy dëshmitë, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e shtëpisë së shenjtë. Por, nëse bie njëra nga këto shtylla, atëherë bie ndërtesa dhe shkatërrohet dhe nuk ngel për personin ndërtesë e as vendbanim. Ndaj nuk ka Islam për atë që i bën shok Allahut në adhurim e as për atë që refuzon ndjekjen e profetit të Allahut, Muhamedin (alejhi selam) e as për atë që mohon namazin dhe shtyllat e tjera të tij, pasi i janë bërë të qarta dhe i ka kuptuar ato siç duhet dhe nuk e pengon atë për besimin dhe kryerjen e tyre asgjë, vetëm se ai nuk dëshiron t’i besojë e kryej ato.

Vërtet, robi, o vëllezër muslimanë, nëse hyn në Islam dhe përmirësohet në të mirë, e gjithë jeta e tij shndërrohet adhurim për Allahun, nuk vepron ky njeri asnjë vepër jashtë adhurimit të Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Kështu tregtari në dyqanin e tij, bujku në tokën e tij, punëtori në fabrikë janë njësoj si ai i cili agjëron ditën e falet natën, pra të gjitha këto janë adhurim ndaj  Allahut e në kërkim të kënaqësisë së Tij. Kjo është ajo me të cilën e ka urdhëruar Allahu profetin dhe populli i tij të cilët janë pasues të tij në fjalën e Allahut të Lartësuar. "Thuaj! Sigurisht, falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e Aleminit (njerëzve, xhindeve dhe gjithçkaje që ekziston). Ai nuk ka asnjë shok e të barabartë me Të dhe për këtë unë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Vullnetit të Tij si musliman.” En'am,162-163.

O muslimanë!

Islami është feja e Allahut veç së cilës nuk pranon tjetër, dhe siç e mësuat, ajo është e ndërtuar në pesë rregulla. Dy dëshmitë, namazi, agjërimi, zekati dhe vizita në shtëpisë e lashtë Kaben. Duhet të dini se kjo është rrugë e plotë, të cilën e ka vendosur Zoti ynë në mënyrë që njeriu të jetë sa më i plotë e i lumtur. Një gjë të tillë e argumenton edhe fakti se në të ka vepra të brendshme, me të cilat merret zemra, ka fjalë që shprehen haptazi, me të cilat merret gjuha, e edhe për gjymtyrët ka në të punë të mira. Ndaj është detyrë, o robër të Allahut, për atë i cili hyn në Islam të dijë me anë të pyetjeve e të mësuarit punët e zemrës në mënyrë që t’i veprojë zemra e tij ato, e të largohet nga çdo vepër tjetër. Gjithashtu, të dijë fjalët e mira nga ato të këqijat që të përdorë gjuha e tij të dobishmet e të largohet nga fjalët e këqija, po ashtu, duhet të dijë punët e mira e si t’i kryejë ato, të njohë dhe të këqijat e si të largohet prej tyre. Allahu i Madhëruar thotë: "Kështu që pyetni ata që dinë, në qoftë se ju nuk e dini." Nahl, 43.

 A e dini se musliman i vërtetë është ai prej të cilit janë të qetë njerëzit nga dora dhe gjuha e tij? Ai nuk i shan myslimanët, nuk i përqesh ata, nuk i akuzon dhe nuk e përdhos nderin e tyre. Po ashtu, nuk i dëmton me dorën e tij, si t’i godasë apo të derdhë gjakun dhe nuk ua merr pasurinë pa të drejtë. Profeti (alejhi selam) ka thënë: "Musliman i vërtetë është ai prej dorës dhe gjuhës se të cilit muslimanët janë të qetë." Buhariu dhe Muslimi. 

Bledar Haxhiu

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450072 visitors (1414020 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free