Porositë më madhështore në Kuran

Porositë më madhështore në Kuran
 
   Frikësohuni Allahut, o muslimanë, e tregohuni të devotshëm ndaj Tij, ashtu siç tregohet i devotshëm ai që e di se Allahu e dëgjon, e shikon, e di të fshehtën dhe të dukshmen dhe e shpërblen për punën e tij në dynja dhe ahiret.

   O robërit e Allahut! Porosia më e madhe është porosia e Allahut, pastaj porosia e të Dërguarit të Tij e pastaj porosia e robërve të mirë të Allahut. Me porositë dhe këshillat e Allahut ngjallen zemrat, pastrohen veprat, duke punuar sipas tyre njeriu lartësohet, jeta rregullohet me to dhe shtohet shpërblimi në banesën e përhershme. Porositë më madhështore në Kuran janë tre ajete në suren En`am: (ky është komentimi i ajeteve) “Thuaj! Ejani t’ju lexoj atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj, të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë juve dhe ata, të mos u afroheni veprave të shëmtuara të hapta apo të fshehta qofshin, mos e vrisni atë që e ndaloi Allahu, përveçse me të drejtë. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë. Mos iu afroni pasurisë së jetimit (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrën më të mirë, derisa ai të arrijë pjekurinë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën, Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flisni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit, dhe zotimin e dhënë Allahut plotësojeni. Këto janë ato me ç`ka Ai ju porosit kështu që të përkujtoni. Dhe me të vërtetë kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), prandaj pasojeni atë e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, me shpresë se do të tregoheni të devotshëm.” (En`am, 151-153)

   Ato tre ajete Allahu i zbriti pas ajeteve tek të cilat përmendi rrugën e humbjes që ndiqnin idhujtarët arabë, përrallat e tyre dhe gënjeshtrat që shpiknin për Allahun në lidhje me ndalimin e ngrënies së mishit të disa kafshëve, të mbjellave dhe frutave.

   Ajeti i parë flet për teuhidin, parimin madhështor tek i cili kthehen të gjitha urdhërat dhe ndalesat e tek ai bazohen sheriatet e të gjitha feve. Pa teuhidin nuk bën dobi asnjë vepër. Në këtë ajet flitet për ndalimin e të gjitha llojeve të shirkut, i cili është gjynahu të cilin nuk ia fal Allahu atij që vdes në të. Ajeti porosit për respektimin e prindërve që janë baza e familjes, prehri ku rriten brezat dhe bërthamat e shoqërisë. Ajeti ndalon padrejtësinë ndaj foshnjave dhe kujdeset për të drejtën e tyre, sepse fëmijët janë forca e umetit. Ajeti ndalon nga veprat e shthurura qofshin ato të shfaqura apo të fshehta që të përhapet pastërtia, dhe morali i lartë, të mbrohet e mira dhe të varroset e keqja, të mbrohet nderi dhe të drejtat. Ajeti flet për ndalimin e vrasjes padrejtësisht të dikujt që shoqëria islame të largohet nga shkatërrimi që sjellin luftërat dhe kryengritjet.

   “Thuaj! Ejani t’ju lexoj atë që, me të vërtetë, ju ndaloi Zoti juaj!” Ejani e drejtohuni këndej që t`ju tregoj dhe t`ju lajmëroj për ato që, me të vërtetë, ju ka ndaluar Zoti juaj e jo për hamendje, përkundrazi ju lajmëroj për shpalljen që zbret nga Zoti juaj dhe urdhërin prej Tij. “të mos i shoqëroni Atij asnjë send” mos të lutni përveç Zotit tuaj askënd në qiell apo në tokë. Allahu i Madhëruar ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “Dhe (mua më shpallet) me të vërtetë xhamitë janë veçant për të adhuruar Allahun, e mos adhuroni në to askënd tjetër me Allahun!” (Xhin, 18) Mos i shoqëroni Atij askënd në lutjen që është adhurim dhe as në lutjet e tjera, as në therjen e kurbanit e as në premtime, as në kërkimin e mbrojtjes e as në kërkimin e ndihmës, as në mbështetje, shpresë, frikë dhe tavaf në shtëpi tjetër përveç shtëpisë së Tij (Kabes), as në frikërespekt, sexhde, ruku, dashuri dhe madhërim, përkundrazi adhurojeni Zotin tuaj të vetëm me të gjitha llojet e adhurimit e duke iu larguar të gjitha llojeve të shirkut.

   Ky ajet urdhëron për të gjitha llojet e adhurimit të Allahut ashtu siç tregohet edhe në shumë ajete të tjera. Muhammedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush vdes duke mos i bërë shirk Allahut, hyn në xhenet.” Transmetoi Muslimi.

   “të silleni mirë me prindërit” Pra ju ndaloi juve kundërshtimin e tyre dhe ju porositi që të tregoheni bamirës ndaj tyre, e bamirësia ndaj tyre tregohet me bindjen ndaj tyre aty ku nuk ka kundërshtim të Allahut, tregohet duke i nderuar ata, duke i bërë të ndihen të gëzuar, mëshirimi dhe butësia me ta, veprimi i gjithçkaje që i rregullon ata, biseda e mirë me ta, lutja për ta kur janë gjallë dhe pasi të vdesin, t’u dhurosh atyre vepra të mira pasi të kenë vdekur, mbajtja e lidhjeve me të afërmit dhe miqtë e tyre pasi ata të kenë vdekur.

   “të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë juve dhe ata” Disa prej idhujtarëve arabë i vrisnin vajzat e porsalindura nga frika e turpit, disa të tjerë vrisnin djalin e porsalindur nga frika e varfërisë, prandaj Allahu i Madhëruar i ndaloi nga ky zakon i keq dhe i lajmëroi se Ai është përgjegjës për rizkun e fëmijëve dhe baballarëve. Në këtë ndalesë përfshihet edhe dështimi i qëllimshëm i fëmijës nga frika e varfërisë ose përdorimi i tabletave kundër shtatzanisë, por nëse ka ndonjë domosdoshmëri lejohet përdorimi i tyre për aq sa e kërkon kjo domosdoshmëri si në rastin kur gruaja nuk mund ta mbajë dot shtatzaninë për ndonjë shkak shëndetësor apo kur shtatzania e njëpasnjëshme dëmton fëmijën e lindur më parë.

   “të mos u afroheni veprave të shëmtuara të hapta apo të fshehta qofshin” atyre veprave që janë të shpifura dhe shumë të këqija sipas logjikës dhe natyrshmërisë së njeriut e për ndalimin e të cilave kanë qenë të një mendimi të gjitha fetë qiellore. Allahu i Madhëruar i ka cilësuar disa nga këto vepra. “Mos iu afroni imoralitetit (zinasë) se ajo është një vepër e shëmtuar dhe rrugë e keqe.” (Isra, 32) “Përkujto kur popullit të vet Luti i tha: A punoni të shëmtuaren, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush.” (A`raf, 80) Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “I mallkuar është ai që vepron veprën e popullit të Lutit, i mallkuar është ai që vepron veprën e popullit të Lutit, i mallkuar është ai që vepron veprën e popullit të Lutit!”

   Por, të shëmtuara quhen edhe të gjitha gjynahet e tjera dhe ndalimi nga afrimi tek këto vepra është ndalim më i plotë sesa ndalimi nga veprimi i tyre. Ndalimi nga afrimi tek një gjynah është ndalim nga shkaqet dhe rrugët që të çojnë tek ai gjynah, është ndalim nga kënaqja me imagjinimin e atij gjynahu, sepse vetja njerëzore mund të mashtrohet nga gjynahet, prandaj sheriati ndaloi veçimin me një grua të huaj dhe bisedat me gratë.

   “të hapta apo të fshehta qofshin” Pra, Allahu ndaloi të gjitha gjynahet që bëhen haptazi ose fshehtas, ato gjynahe që kryhen me gjymtyrë e janë të dukshme dhe ato gjynahe që janë të fshehta në zemër si: mendjemadhësia, smira, mashtrimi, hipokrizia si dhe urrejtja e asaj që do Allahu dhe dashuria e asaj që e urren Allahu.

   “mos e vrisni atë që e ndaloi Allahu, përveçse me të drejtë” Allahu ka ndaluar vrasjen e muslimanit, të jobesimtarit të cilit i është dhënë besa nga prijësi musliman dhe jobesimtarit që nuk lufton kundër muslimanëve. Transmeton Buhariu dhe Muslimi se Muhammedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk lejohet gjaku (vrasja) i muslimanit përveç tre rasteve: i martuari që bën imoralitet, ai që vret dikë dhe ai që e lë fenë e tij dhe ndahet nga xhemati.” “Kush vret një muahed (jobesimtar të cilit i është dhënë besa nga prijësi musliman) nuk do ta ndiejë erën e xhenetit.” “Muslimani vazhdon të jetë i lirë në fenë e tij përderisa nuk ka derdhur gjak të ndaluar, e nëse e bën këtë do të zihet ngushtë.”

    “Këto janë porositë e Tij” Premtim mes jush për ato që ju lexoi dhe ju urdhëroi që t`i mësoni dhe të punoni sipas tyre. “kështu që të mendoni thellë.” E të dalloni se kush është e dobishmja dhe kush është e mira e të veproni atë që është e mirë e të largoheni nga ajo që është e keqe. E keqja e këtyre veprave të ndaluara njihet nga llogjika nëse thellohesh në to, ndërsa sheriati sqaroi me hollësi të këqijat e këtyre veprave të ndaluara. Ai që mendja e tij e largon nga këto vepra të ndaluara, me të vërtetë që është i logjikshëm, ndërsa ai që mendja e tij nuk e largon nga këto vepra të ndaluara është mendjelehti që nuk ka logjikë. E kush mund të jetë më i shëmtuar dhe gjynah më i madh sesa shirku, mosrespektimi i prindërve, veprat e shëmtuara dhe vrasja e atij që e ka ndaluar Allahu?

   Ajeti i dytë flet për mëshirimin, ndihmesën dhe kujdesin shoqëror mes muslimanëve dhe kujdesin për të dobëtit dhe të pamundurit. Ajeti gjithashtu ndalon shkeljen e të drejtave, urdhëron për plotësimin e marrdhënieve mes njerëzve, drejtësinë në shkëmbimin e sendeve pa e tepruar dhe pa pakësuar gjë, ndalon nga zullumi dhe padrejtësia në gjykim, dëshmi dhe fjalë edhe nëse kanë të bëjnë me njerëzit e dashur apo të urryer, urdhëron për drejtësi në gjithçka.

   “Mos iu afroni pasurisë së jetimit (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrën më të mirë, derisa ai të arrijë pjekurinë” Pra, mos iu afroni pasurisë së tij veçse me atë mënyrë që është më e dobishme për të, mos iu afroni pasurisë së tij veçse duke e mbrojtur atë, duke punuar për ta shtuar atë, mos e hani atë e mos e lini të prishet e të humbasë kot apo të pakësohet. Përpiquni për edukimin e jetimit, ndërsa udhëzimi i tij është detyrë më parësore që ai të bëhet një tullë e përshtatshme për ndërtimin e shoqërisë. “derisa ai të arrijë pjekurinë” pra derisa të mbushi moshën e pjekurisë e të jetë i aftë për ta mbajtur si duhet pasurinë e tij, në këtë rast i jepet pasuria që ta përdorë vetë.

 “zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën” pra ju ndaloi shkeljen e të drejtave dhe mosplotësimin si duhet të marrdhënieve. Plotësojini si duhet të drejtat pa mangësuar prej tyre. “Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij.” Prej mëshirës së Allahut është se Ai nuk urdhëron e nuk ndalon përveçse për atë që është e mundur. “Kur të flisni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë” Pra nëse gjykoni ose dëshmoni ose nëse futeni për të rregulluar mes dy personave që kanë mosmarrveshje, ose nëse lavdëroni ose përmendni të këqijat e dikujt për ndonjë qëllim të bazuar në Sheriat, atëherë mbani drejtësi, edhe nëse ai që gjykohet, ai për të cilin ose kundër të cilit dëshmoni është prej të afërmve tuaj e njësoj me të është edhe i huaji apo ai që urreni.

   “dhe zotimin e dhënë Allahut plotësojeni” Zotimi i dhënë Allahut përmbledh urdhërat, ndalesat dhe ligjet e Tij. Allahu i Madhëruar i tha beni israilëve (ky është komentimi i ajetit) “dhe zbatoni premtimin që më keni dhënë Mua. Unë zbatoj atë që ju premtova” (Bekare, 40) Në këtë zotim përfshihen edhe marrëveshjet dhe premtimet e dhëna mes njerëzve nëse nuk janë në kundërshtim me sheriatin e kur bëhen për hir të Tij, se Ai na urdhëroi për mbajtjen dhe plotësimin e tyre.

   “Këto janë ato me çfarë Ai ju porosit, kështu që të përkujtoni.” Pra, të përkujtoni këto porosi nëse lini pas dore zbatimin e tyre me qëllim ose pa qëllim qoftë. Nëse përkujtohet njeriu për detyrimin e përkujtimit të tyre atëherë ai fillon t`i zbatojë ato.

   “Dhe me të vërtetë kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), prandaj pasojeni atë e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, me shpresë se do të tregoheni të devotshëm.” Pra ju ndaloi shmangien nga rruga e drejtë e shkuarjen majtas e djathtas e ju bëri detyrë pasimin e rrugës së drejtë, e rruga e drejtë është i gjithë Islami.

   Ndërsa fjala “të tregoheni të devotshëm” është përmendur sepse vazhdimësia në rrugën e drejtë i përket vetëm atyre që janë të devotshëm. Të treja ajetet e përmendura kanë edhe shembuj të tjerë në Kuran dhe Sunet. Abdullah ibn Mesudi ka thënë: “Kush dëshiron të shikojë porosinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) le të lexojë këto ajete (dhe përmendi këto të treja). Sa këshillues i madh që është Allahu, sa porosi madhështore që është ajo e sa i lumtur do të jetë ai që vepron sipas asaj porosie. Fillimi i kësaj rruge është në dynja, ndërsa fundi i saj është në xhenet, ndërsa largimi nga rruga e drejtë duke pasuar epshet dhe dynjanë ose duke bërë bidate, kufër ose hipokrizi e ka fillimin në dynja ndërsa fundin në xhehenem, në dynja mbytet në epshe dhe vuajtje, në varr zhytet në errësirat e tij ndërsa pas ringjalljes në xhehenem.

   Sikur çdo musliman të vepronte sipas këtyre porosive, atëherë Allahu do të ishte me të, do t`i jepte sukses në çështjet e tij, e ai do të ishte bamirës me veten e tij, do të ishte bamirës me krijesat e njerëzit do të shpëtonin nga e keqja e tij.

   Allahu i Madhëruar ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “Bindjuni Allahut dhe të dërguarit e kini kujdes (mos kundërshtoni). E nëse refuzoni, atëherë pra, dijeni se obligim i të dërguarit Tonë është vetëm komunikimi i qartë.” (Maide, 92)

 

Shejh Ali Abdurrahman el Hudhejfi

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 256190 visitors (1038530 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=