Na e shëmtuat 7 marsin

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Robër të Allahut!

Islami është një fe, që respektin për krijesat e Allahut e ka moto të përhershme. Ne respektojmë të vjetrit, të rinjtë, gratë, burrat, sidomos ata që na bëjnë mirë, e në këtë kontekst, në radhë të parë, mësuesit dhe mësueset tona. Ata na mësuan rrugën drejt diturisë, rrugën drejt shpëtimit nga injoranca dhe humnera e saj, dhe bazuar në këto shërbime që ata bënë për ne, humbja fizike e tyre konsiderohet kërcenim dhe rrezik për stabilitetin moral e shkencor të shoqërisë. Ka thënë Muhammedi, alejhi's selam: "Allahu nuk e nxjerr diturinë me nxjerrje konkrete por e nxjerr-largon me vdekjen e dijetarëve, kështu që kur nuk mbeten dijetarët, njerëzit jepen pas injorantëve, të cilët i pyesin dhe të cilën përgjigjen pa dituri dhe kështu shkaktojnë humbjen e vetvetes por edhe të tyre". [1]
Besimtarë të nderuar!
Sot është 7 marsi, Dita e Mësuesit, që për ne, muslimanët, kësaj radhe është më e hidhur se kurrë më parë. Sot kur nxënësi merr një lule dhe ia dhuron mësuesit apo mësueses së vet, neve na duhet të marrim një shami - mindil dhe t'i fshijmë lotët që nuk dinë të ndalur si shkak i të sharave, ofendimeve, fyerjeve dhe shqetësimeve që i bëhen mësuesit tonë, mësuesit të njerëzimit, Muhammedit, alejhi's selam!
Edhe pse kjo datë kështu siç është nuk është fetare, ngase tek ne festat janë të caktuara me ligj, dhe ne, mësuesin nuk e duam një ditë por e duam tërë jetën, megjithatë koincidenca e rënies së datës së lindjes së Muhammedit, alejhi's selam pas pak ditësh, në një anë, dhe ofendimi i tij, pra mësuesit më të madh të njerëzimit, në anën tjetër, disi rizgjojnë ndjenjat e dhembshurisë, kroin e lotëve nga syri e trazojnë fuqishëm, dhe zemrën, e cila vuan shumë, e lëndojnë edhe më.

Të nderuar vëllezër!

Sikur kulminacionin e këtyre paturpësive e arritën me botimin e karikaturave fyese, për të satën herë me radhë, që personalitetin e Muhammedit, alejhi's selam, njeriut që Allahu e dalloi prej të gjitha krijesave, njeriut të cilin Allahu në Kur'an e nominoi me epitetin "Moral të lartë", e përshkruajnë me të meta, me shpifje, me akuza, me tirani, me dhunë, që ai është i pastër prej tyre! Thotë Allahu: "Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!". [2]
Pastaj, Allahu rrëfen edhe për atë që armiqtë e tij ndiejnë në zemër për të. "E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukin ty me shikimet e tyre, kur e dëgjuan Kur'anin, e (nga inati) thanë: "Ai është i marrë!". [3]

Xhematlinjë të nderuar!

Sot kur botës më së shumti i duhet paqja, kur njerëzimit i duhet më së shumti lumturia dhe mirëqenia, sot kur njeriu ka mbërritur edhe në planetë tjerë jashtë planetit tonë, sot kur insistohet në "unifikim qëllimesh dhe idesh" për një botë të qetë e të lumtur, një grup i caktuar njerëzish (lexo: popujsh) duan ta rrënojnë këtë dëshirë, duan që të skllavërojnë dhe robërojnë kultura dhe qytetërime duke sharë, fyer e ofenduar ato, e aq më keq, duke sharë një kulturë dhe fe, e cila i është dedikuar tërë njerëzimit. Sharja dhe ofendimi i Muhammedit, alejhi's selam, profetit të fundit dhe vulës së tyre, është një dukuri që rrënon dialogjet ndërkulturore, rrënon iniciativat për pajtim qytetërimesh, është një dukuri që ujkut ia heq nga sipër lëkurën e qengjit. Me një fjalë, është një skenar që na tregon se qëllimet me moto e iniciativa të tilla janë vetëm për shkatërrimin e fesë islame. Nuk mund të flitet për transparencë dhe liri kur shahet i dërguari i Allahut, i cili asnjëherë nuk thirri në dhunë, asnjëherë nuk ofendoi, asnjëherë nuk nxiti për sharje apo përdhosje të asnjë feje. Ai ftonte vetëm në një gjë: Adhurojeni Allahun dhe mos i përshkruani shok!
Thotë Allahu: "Thuaju (o i dërguar): "O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos All-llahut"! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: "Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)"!". [4]

Vëllezër besimtarë!

Muhammedi, alejhi's selam ishte mësuesi ynë, i cili nuk nxiti e urdhëroi vetëm për mësimin e shkronjave për lexim të abetares apo librit, por na mësoi edhe shkronjat e leximit të së vërtetës. Ai na mësoi shkronjat që përshkruajnë rrugën e paqes, lumturisë, mirëkuptimit, mirëqenies, shkronjat që përshkruajnë ilaçin e zemrës, shkronjat që flakin errësirën e idhujtarisë dhe injorancës dhe sjellin agimin e monoteizmit dhe diturisë. Ai na mësoi se profeti i asnjë feje, e sidomos atyre qiellore, nuk bën të shahet për faktin se, para së gjithash, ata janë dërguar pejgamberë nga Allahu dhe se baza e feve të tyre është Një. Muhammedi, alejhi's selam thoshte: "Unë më së shumti nga njerëzit kam të drejtë ne Isain, të birin e Merjemes, në këtë dhe botën tjetër, ngase pejgamberët janë vëllezër prej një babai (e kanë një fe) por nënat i kanë të ndryshme (ligjet fetare të ndryshme). Feja e të gjithë atyre është e njëjtë". [5]
A thua vallë, të nderuar vëllezër, meriton të shahet e të ofendohet njeriu i cili ndaloi kamatën, prostitucionin, vjedhjen, plaçkitjen, vëllavrasjen, padrejtësinë, mashtrimin, korrupsionin. ...Si kanë zemra të luajnë me figurën e këtij burri, i cili për asnjëherë nuk lejoi të shkelet nderi i njeriut. Morali i tij kishte kaluar përmasat njerëzore. Ai këshillonte që të sillemi ndershëm edhe ndaj kafshëve, duke paraparë shpërblime për të sjellshmin dhe dënime për ata që shkel këtë norme morali.

Besimtarë të respektuar!

Këtë ligjëratë të kësaj xhumaje preferova ta përmbylli me ca kërcënime kur'anore për ata që përdhosin emrin dhe dinjitetin e Muhammedit, alejhi's selam. Allahu i madhëruar ka thënë: "S'ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen". [6], dhe "E s'ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur". [7]

***

O Zot i qiejve dhe tokës, të lusim që Ti me fuqinë Tënde ta pa krahasuar, të hakmerresh ndaj atyre që nëpërkëmbin nderin e pejgamberëve Tu!
I Madhi Allah! Kjo botë kalimtare është mbushur përplot padrejtësi, tiranizëm, dhunë, jo siguri, andaj Zoti ynë, tërë ata që i kontribuojnë së keqes dënoji ashtu siç e meritojnë!
Sot kur të lusim, njerëzit shënojnë 7 marsin, një ditë që përkujtojnë respektin që duhet bërë mësuesve, ne të lusim që popullin tonë t'i bësh t'i respektojnë mësuesit e tyre gjithnjë, çdo ditë dhe çdo here e jo vetëm këtë ditë!
O Zot i Madheruar! Këtë popull që tani sapo ka dalur nga zgjedha e robërisë sllave, bëje prijatare të diturisë, shkencës, kulturës e arsimimit të mirëfilltë! Nga këta njerëz nxirr gjenerata, që në radhë të parë, të adhurojnë Ty e pastaj janë të dobishëm për shoqërinë!
Fëmijëve dhe pasardhësve tanë dhurojua shëndetin dhe mendjen e kthjelltë që të të njohin Ty e të besojnë, t'i njohin pejgamberët e t'i respektojnë, ta mësojnë moralin e me të jetën ta lulëzojnë, ta praktikojnë të vërtetën dhe vendin përpara ta çojnë!
Zot i gjithësisë! Ne dëshmojnë sinqerisht Njëjësinë Tënde, shprehim adhurimin dhe nënshtrimin tonë për Ty, besojmë në Muhammedin dhe në të gjithë pejgamberët, andaj të lusim që me mëshirën Tende të na mëshirosh dhe në Ditën e Llogarisë, të jemi në grupin e atyre që Ti iu bën hije ku nuk do të ketë hije përveç hijes së Arshit Tënd!





[1] Buhariu
[2] el-Kalem, 4
[3] el-Kalem, 51
[4] Ali Imran, 64
[5] Buhariu
[6] el-Hixhr, 95
[7] el-Keuther, 3

 

 

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 254597 visitors (1035396 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=