Nëse kam gabuar, kërkoj falje, nëse gabuan ata Allahu ua dhëntë hakun!
Nëse kam gabuar, kërkoj falje, nëse gabuan ata Allahu ua dhëntë hakun!
Shkrimi i Prof. Dr. Shefqet Krasniqit i publikuar në gazetën "Epoka e Re".
E shtunë, 28 Shkurt 2009 13:21

 














Prof. Dr. Shefqet Krasniqi

Gazeta Epoka e Re - e premte 27 shkurt 2009 


Përpiqen që kimen ta bëjnë buall, apo ndoshta ky skenar i përngjan një njeriu, i cili, nga moskujdesi i tij i duhur, e hedh një bishtuk të cigares diku në rrugë, e pas tij shkon një dashakeq, i cili atyre gacave të mbetura ua hedh një kovë benzinë, me çka shkaktohet një zjarr i madh e pastaj edhe një dëm. A thua, cili e ka fajin më të madh, ai i cili e hodhi cigaren në rrugë, apo ai i cili ia hodhi benzinën?!


Kjo botë dhe jeta në të është shumë interesante.

Kur`ani na tregon se që nga fillimi i jetës mbi këtë sipërfaqe e deri më sot është ndeshur e drejta dhe e shtrembëta, e vërteta dhe e pavërteta. Kjo më së miri tregohet nga jeta e Pejgamberëve të Allahut, të cilët kanë qenë njerëzit më të mirë dhe që më së shumti ia kanë dashur të mirën njerëzimit. Zaten – qëllimi kryesor i tyre ka qenë përmirësimi i gjendjes dhe rregullimi shoqëror, p.sh.: Shuajbi a.s i thoshte popullit të tij: "O populli im… unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj (gjendjen shpirtërore dhe atë njerëzore) aq sa mundem, por këtë mund ta arrijë vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm tek Ai jam i drejtuar!" (Hud: 88) dhe kështu radhazi edhe Pejgamberët e tjerë, deri te Musa, deri tek Isa dhe deri te Pejgamberi ynë dhe i fundit, Muhamedi a.s.

Mirëpo me gjithë qëllimin e mirë të tyre, karakterin e lartë, urtësinë dhe mençurinë e atyre burrave të mëdhenj, atyre gjithherë u paraqiteshin armiq, të cilët u dilnin para dhe me tërë potencialin e tyre përpiqeshin t`i pengonin në realizimin e atij amaneti të marrë nga ana e Allahut xh.sh, e që ishte rregullimi dhe përmirësimi i gjendjes së njerëzimit nga ana shpirtërore dhe ajo trupore. Në të gjithë librat qiellorë e kemi të qartë armiqësinë e faraonit ndaj Musaut a.s dhe misionit të tij, apo më herët Ibrahimit a.s. dhe mbretit të asaj kohe, Nemrutit. Dhe kështu, radhazi deri te Pejgamberi a.s, i cili pati armiq të shumtë, mirëpo çdoherë triumfonte e vërteta, dilte haku në shesh, herët a vonë, ngaqë ata armiq të misionarëve të Allahut xh.sh kishin harruar se me këtë i kanë shpallur luftë Allahut të Madhëruar, se ata i kanë dale para ligjit të Allahut. Për atë Allahu xh.sh. gjithherë i ka mundur, bile shumëkënd nga ta edhe i ka shkatërruar, siç përmendin qartë Bibla dhe Kur`ani.

Një ligj i tillë vazhdoi të mbretërojë edhe tek pasardhësit e Pejgamberëve, tek ata të cilët marrin mbi sipër vazhdimin e rrugës së tyre, e që është nxjerrja e njerëzve nga errësira në dritë, gjegjësisht rregullimi shoqëror. Kështu që, edhe atyre ju shfaqen armiq dhe kundërshtarë, të cilët me çdo mund përpiqeshin ta pengonin atë mision, qoftë me propaganda të ndryshme, qoftë me përhapje të urrejtjes, qoftë edhe me përpjekje të likuidimit të tyre. Thjesht, arsyeja është se shumëkënd e pengon stabilizimi dhe rregullimi i gjendjes shoqërore nga të gjitha këndet. Kështu që, përpiqeshin ta destabilizonin gjendjen për përfitime të caktuara. Kjo është vërtetuar dhe po vërtetohet dita-ditës nga faktorë të ndryshëm, gjithandej nëpër botë, por, mjerisht, edhe te ne, ku më së shumti kemi nevojë për rregullim shoqëror, e më së paku për përçarje vëllazërore apo kombëtare. Është e vërtetë se armiqtë e këtyre misionarëve të sotshëm nuk janë sikur të Pejgamberëve, porse edhe ne nuk jemi sikur Pejgamberët, ne jemi njerëz që gabojmë, sepse siç thotë populli, "kush hanë bukë bën edhe troha", e armiqtë e paqes, të mirësjelljes, e në këtë rast me keqardhje "armiqtë e fesë dhe kombit*", duke xhelozuar këtë përparim të këtij populli në sfera të ndryshme e, fatmirësisht, edhe ne atë fetare, dhe duke qenë të paaftë ta pengojnë këtë përparim, përpiqen që qimen ta bëjnë buall, apo ndoshta ky skenar i përngjan një njeriu, i cili, nga moskujdesi i tij i duhur, e hedh një bishtuk të cigares diku në rrugë, e pas tij shkon një dashakeq, i cili atyre gacave të mbetura ua hedh një kovë benzinë, me çka shkaktohet një zjarr i madh e pastaj edhe një dëm. A thua, cili e ka fajin më të madh, ai i cili e hodhi cigaren në rrugë, apo ai i cili ia hodhi benzinën?!

Njeriu, çfarëdo profesioni të ketë, patjetër se do të ketë hapësirë për ta korrigjuar punën e tij, do të bëjë lëshime dhe ndoshta edhe gabime. Mua, falë Allahut, më njohin njerëzit fort mirë nga Bashkësia Islame e deri te xhemati i thjeshtë, studentë dhe intelektualë të ndryshëm. Më njeh mirë edhe Rrustem Berisha, ish komandant i Brigadës 138, më vonë "Agim Ramadani". Më njihte shumë mirë i ndjeri Sali Çeku, me të cilin patëm kaluar çaste të mrekullueshme në Kosharen e ëmbël. Po ashtu edhe i ndjeri Agim Ramadani dhe shumë të tjerë.

Atëkohë, kur për ta luftuar shkaun, vendosa ta lë doktoraturën dhe jetën e ëmbël në Medinën e Shenjtë, duke i lënë atje gruan me tre fëmijë, e vetë ia mësyva Maleve të Koshares, që me emrin e Allahut të jemi nga burrat që jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht ta çojmë amanetin në vend. E të dalin sot njerëz të cilëve ua kemi sjellë lirinë me gjak e ata duke ndenjur në të terur, të na akuzojnë për tradhti kombëtare, kjo është për çudi! Por në këtë botë çdo gjë ndodh. Jo rrallëherë tradhtari bëhet patriot dhe patrioti tradhtar. Për 50 vjet radhazi kemi mësuar nëpër shkolla se Shaban Polluzha e Tahir Meha dhe shumë të tjerë kanë qenë tradhtarë, ndërsa sot del kryetari dhe e shpall Shaban Polluzhën – Hero të Kombit. Ndërsa në anën tjetër, 50 vjet radhazi e kemi kënduar me çifteli Boron dhe Ramizin dhe shumë të tjerë si heronj, por e vërteta doli në shesh, qoftë edhe pas një kohe. Nuk ka dert. Historia do ta vërtetojë, por edhe vetë populli do ta dëshmojë, se kush është burrë i mire e kush i keq. Fundja-fundjes, Zoti e di, e kjo është e rëndësishmja.

Nëse ka merituar dikush të preket, ngase kinse deklarata ime për Gonxhe Bojaxhiun, e cila nuk po më kujtohet se kur dhe ku e kam thënë apo është skenar i përgatitur nga dikush pa dijen time, ka të drejtë Ipeshkëvia e Kosovës, ngaqë qenka prekur personaliteti i saj, së cilës i kërkoj falje publike, duke i siguruar se nuk kam pasur qëllim fyes e as nënçmues, sepse njerëzit janë të lire në besim, ndërsa për rebelët e fesatxhinjtë e "Ekspresit" të cilët po bëhen më katolikë se Papa, as që mërzitëm e as që shqetësohem ndopak. Jam thellë i bindur se do të vijë koha kur vetë ata, apo disa nga ta, do të ndjejnë keqardhje për këtë huti të shkaktuar, për të cilën më së paku ka nevojë Kosova tani. Neve ka rrezik të na shkojë gjysma e Kosovës e nuk merremi me të, por nxjerrim dhjam nga pleshti!


Allahu ua dhëntë hakun të gjithëve!

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 271226 visitors (1066934 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=