CILI BURIM PO E USHQEN INJORANCËN NDAJ SHAMISË ?!

CILI BURIM PO E USHQEN INJORANCËN NDAJ SHAMISË ?!

 

Shkruan: Imer Pantina (Mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Mesme "Fehmi Agani", në Klinë.)

 

Kur ditët e nxënësve kalohen në vendet ku dija përfitohet për ta mundur errësirën, për ta kaluar në harresë injorancën ndaj qenies njerëzore, atëherë, me përvojën e një mësimdhënësi do të thoja: Mirë se vini në botën ku egërsirat janë të uritura për injorancë! Në përballje me këtë sfidë hidh pak dritë sepse e vërteta jeton edhe përtej vetvetës, edhe përtej mundësisë që ti e mendon, madje, edhe përtej asaj që sot mund të quhet ëndërr! Dhe, kur ditët e udhëtimit me dijen i shoqëroni me sjellje të mirë, me adhurimin ndaj Zotit, atëherë, jo vetëm me përvojën e një mësimdhënësi, por, para së gjithash, me përvojën e një prindi, me krenari do të thoja: Mirë se vjen mrekulli! Lehtësoja barrën e rëndë kësaj toke, që e kanë mbushur njerëzit me mëkate, me mirësinë tënde!

Nuk është hera e parë që shprehja dhe manifestimi i lirë i besimit fetarë mysliman, gjë e cila, të paktën në letër, garantohet me kushtetutë dhe ligje shtetërore dhe ndërkombëtare, në shtetin tonë, bëhet shkak i diskriminimit të shumë nxënësëve femra. Këto ditë, e përjashtuara e radhës nga shkolla, sipas një artikulli gazete, ishte Dashurie Emini, maturante. Në fillim të këtij lajmi lexoj: " "Nxënësja e shkëlqyer e gjiminazit "Kuvendi i Lezhës", në Viti, Dashurie Emini ……me vendim të DKA-së në Viti është larguar nga procesi mësimor për të dytën herë, për shkak të bartjes së shamisë…." Nga pozita e një mësimdhënësi, që mendoj se shkolla është prioritet për të gjithë të rinjtë e të rejat e kësaj shoqërie, pa dallim të bindjeve të tyre fetare, indinjohem me gjeste të tilla të drejtorëve komunalë, dhe, të paktën, shprehi mendimin e lirë që nuk ka mundësi të përjashtohet nga skena shoqërore. Dhe, për këtë nxënëse, shprehi mirënjohjen time për besimin e saj dhe i them: Me shprehjen e lirë të besimit tënd, të asaj që të buron nga zemra, ti vetëm sa i je ofruar edhe më shumë dijes dhe i je larguar përgjithnjë arrogancës dhe nivelit të të qenit rob i dikujt.

 

Keqkuptim juridik apo misionarizëm antiislam?!

 

Qeveritarët, të cilët në fjalime të tyrë e përdorin fjalën evropianizim, sikur për ta dekoruar oratorinë, ende nuk duan ta kuptojnë se në Bashkimin Evropian, asnjë nga shtetet nuk e mohon fenë e vet. Madje, feja atje nuk mësohet vetëm nëpër kisha apo shkolla fetare. Por, në shkollat e tyre e kanë mësimin fetarë si lëndë dhe mësohet ashtu sikurse edhe dijet tjera mësimore. Në shtetin tonë, për të cilin sakrifukuan aq shumë edhe nënat tona me shami, lindën dhe rritën aq shumë heronj luftëtarë, na dhanë aq shumë dashuri dhe edukatë për këtë vend, sot, një pjesë e dinjitetit të tyre, siç është shamija, injorohet.

Nga buron kjo urrejtje ndaj shamisë? Të gjithë ata që marrin vesh sado pak nga feja islame, e dijnë se shamija është obligim fetarë për besimtaret myslimane. Ne, nuk mund ta mohojmë faktin se në Kosovë jemi popullatë me shumicë myslimane. Këtë e di e gjitë bota. Të paktën, në komunikimin legal dhe legjitim, asnjë nga miqtë tanë që na ndihmuan në ndërtimin e shtetit tonë, nuk na e kanë kushtëzuar këtë ndihmë me heqjen dorë nga besimi ynë, apo, me kufizimin e bindjes së femrës në shaminë e saj. (E them këtë, ngase shpeshherë i trumbetohet asaj se bota nuk na ndihmon nëse ne manifestojmë me të madhe besimin tonë fetarë.) Atëherë, nga buron kjo urrejtje ndaj shamisë?! Nëse i referohemi ligjit, ai keqinterpretohet deri në absurd. Askush nuk dëshiron ta interpretojë drejtë se çfarë përmbajtje ka neni 38 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku në paragrafin 2 dhe 3 thuhet: 2. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar. 3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj. Por, misionarët kundër fesë islame këto ligje i lexojnë jo sipas kuptimit real të tyre, por, sipas misionit që kanë: Ta minimizojnë lirinë e shprehjes fetare.

 

Margaritarët japin vetëm shkëlqim

 

Vënia e shamisë nga kjo nxënëse, si vetëdije e shprehjes së lirë të saj ndaj besimit fetarë, si preferencë persnale dhe, mbi të gjitha, si adhurim ndaj të Madhit ZOT, më shtyn të mendoj se prindërit e saj asnjëherë nuk kanë pasur arsye të brengosen se ajo mund të përdorë drogë, alkool, vetëvrasje, e shumë e shumë dukuri tjera negative, që mjerisht, sot i shohim edhe nëpër shkolla. Këtë mund ta di nga fakti i pamohueshëm se forca më e madhe që e gjunjëzon mashtrimin pas këtyrë fenomeneve shkatërruese, është pikërisht edukimi dhe besimi fetarë, pa i mohuar këtu edhe shumë disiplina tjera mësimore. Andaj, nuk është e rastit se sot kemi nxënëse që bëjnë vetëvrasje, që shthuren moralisht duke vrapuar pas kafe bareve, që kanë aq pak njohuri për detyrën e saj të madhe, që në një të ardhme, duhet të jetë nënë. Në afërsi të gjimnazit ku unë jap mësim ka me dhjetëra kafene që shërbejnë alkool dhe që në mbrëmje të lemerisin me muzikën shurdhuese, dhe, për çudi, nuk ekziston asnjë librari e vetme. Këtu, pyes: Cili është kujdesi institucional? Për çudi, akoma nuk kemi udhëheqës të mirëfilltë që do t’i luftonin me seriozitet këto fenomene, dhe, në anën tjetër, fyhen dhe largohen nxënëset shembullore, me sjellje të mirë (gjë që e pohojnë edhe vetë këta), vetëm pse bartin shamija. Eh, i tillë është realiteti ynë, por, fatbardhësisht kemi margaritarë që shkëlqejnë, sikurse nxënësja në fjalë.

 

Injoranca komuniste antife ende në skenë

 

Mjerisht, ne kemi akoma udhëheqës që nuk duan ta kuptojnë se vajzat që mbajnë shamija janë qytetare të Kosovës, janë nga mesi ynë, kanë të drejtën e respektimit të dinjitetit të tyre, madje, familjet e tyrë paguajnë taksat për përkujdesjen shtetërore. Nëse ato e duan shaminë, përpjekja për të depërtuar në dirigjimin e dëshirave të tyre vetëm sa i ndihmon diktatorizimit të shoqërisë sonë. Nga historia e njohim epokën famëkeqe të komunizmit ku nuk kishte vend për tjetër ideologji, prveç asaj që e ushqente një grup i vogël diktatorësh. Feja ishte shpallur armiqësore. Dhe, të gjithë i dijmë dëmet që solli. Madje, edhe sot e kësaj ditë, jo vetëm se kjo ideologji ka lënë gjurmë të mjerueshme, por, botërisht, vendet e përparuara kërkojnë që të miratohen rezoluta ku do të dënoheshin krimet e saja. Sot, disa qeveritarë dëshirojnë që t’i përshtasin në sistemin demokratik pikërisht praktika të tilla. Qëllimi: Të diskriminohet feja islame. Dhe, për realizimin e këtij qëllimi kanë zgjedhur edhe metoda, ku në radhë të parë thirren në rregullore administrative që as nuk ju referohen nxënësëve, dhe, që bien ndesh me vetë ligjet e miratuara dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pastaj, me shantazhe të ndryshme, duke i përjashtuar e duke i kthyer në mësim, e që në këtë mënyrë ushtrohet presion psikologjik ndaj tyre. Pastaj, thirren në laicitetin e shkollave, pavarësisht se vetë ata e dijnë se shkollat laike në Evropë jo vetëm që kanë nxënëse me shamija, por, kanë edhe mësimin fetarë. Mjerisht, akoma nuk duan të kuptojnë këta të mjerë se populli ynë më asnjëherë nuk do të pranojë t’i kthehet asnjë ideologjie që dirigjon shprehjen e lirë të besimit.

 

Pse të prangosemi nën diktatin e imponimit?!

 

Vlerat paqësore të fesë islame nuk janë pronë vetëm e atyre që studiojnë në medresetë apo institucione fetare. Shkëlqimi natyral i Krijuesit, me mëshirën e Vet, ka përfshirë çdo gjë. Nga ky shkëlqim mund të frymojë çdo kush që beson, pa marrë parasysh se a është nxënëse e medresesë apo e ndonjë shkolle publike apo private. Andaj, pse të privohet nga e drejta e shkollimit një nxënëse vetëm pse beson në këto vlera?! Çfarë rreziku po paraqitka ajo për shkollat laike?

Qudia është edhe më e madhe kur ne e dijmë fare mirë se jemi një popull që vetë kemi jetuar nën kushtet e imponimit të lirisë. Madje, edhe ecjet në rrugë i kemi pasur të imponuara, ngase kudo vënin prita xhelatët e Serbisë. Ndërsa, shkollat ishin shënjestra e parë drejt prangosjes së lirisë. Duke e kuptuar se ç’është imponimi dhe mohimi i lirisë, ende mbetëm i habitur se nga buron kjo dëshirë e drejtorëve, (të ushqyer nga politika) për ta praktikuar rolin e diktatorit?! Kisha qenë kurioz të di, të paktën për shkak të njohjes më të mirë të psikologjisë njerëzore, se çfarë ndjenje apo kënaqësie përjetojnë këta kur një nxënëse shembullore e ndërpret mësimin shkaku i tyre (Ngase këta ia kushtëzojnë vazhdimin e mësimit me heqjen e shamisë)?! Çfarë përjetimi njerëzor mund të ketë një mendje e shëndoshë kur një lule nuk ushqehet me dritën e diellit ende pa e dhënë bukurinë e plotë të shkëlqimit.

Dhe, në fund, përderisa urrejtja ndaj shamisë nuk e ka bazën në traditën e popullit tonë, përderisa jemi mësuar që me shami t’i shohim nënat dhe gjyshet tona, shtroj pyetjen që ngrita që në titull: Cili burim po e ushqen injorancën ndaj shamisë?!

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 284395 visitors (1092617 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=