Allahu 'trokiti' në zemrën time

Ne Emer te Allahut, Meshiruesit, Meshireberesit




Gjashtë muaj më parë, Elizabet L, e diplomuar për shkenca politike, me prindër britanikë të cilët ishin njerëz me ndikim, hipi në Malin Sinai gjatë një nate për të parë lindjen e diellit në shkretëtirë nga maja e këtij mali.
“Ai ishte vendi më paqësor që kam parë”, thotë ajo. “I ndieja ndjenjat e mia teksa rilindnin brenda meje dhe në një moment surreal gjithçka u duk se u bashkua në një.”
Të premten e kaluar, në orën 4.45 të pasdites, Elizabeta shkoi në xhaminë Regent’s Park në Londrën qendrore dhe u konvertua në Islam.
Nuk ishte e vështirë. Së bashku me dy meshkuj muslimanë dhe nëntë miq të tjerë të saj, ajo shkoi në zyrën e imamit dhe shqiptoi në arabisht fjalët e shehadetit, të cilat i kishte mësuar një ditë më parë nga një kasetë. Këto fjalë ajo do t’i përsërisë tani pesë herë në ditë për pjesën tjetër të jetës së saj: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij.”           
Por përse u konvertua ajo?  “Ngjan si klishe, por Allahu ‘trokiti’ në zemrën time. Kështu e kam ndier. Është përtej fjalëve, një ndjenjë e pashpjegueshme”, shprehet ajo.
Elizabeta nuk është e vetme, pasi shtimi i konvertimeve në Islam ka qenë i madh vitet e fundit, në Britani, në Evropë dhe në SHBA. Një qendër islame në Holandë pretendon se ka dhjetëfishuar numrin e besimtarëve, ndërkohë që një projekt islam, New Muslims Project, me seli në Leicester dhe që drejtohet nga një ish-murgeshë katolike, raporton një numër të vazhdueshëm të konvertuarish. Disa nga të konvertuarit më befasues në Islam e kanë zgjedhur Islamin shpesh duke ballafaquar paragjykimet e tyre dhe të familjeve të tyre në këtë proces. Ata janë shumë tolerantë dhe shumë të arsimuar. Ata janë Njerëz si Ne, “por jo si ne”. Janë muslimanë. Ata falen pesë herë në ditë, agjërojnë Ramazanin dhe shpresojnë të shkojnë në Mekë për haxh përpara se të vdesin. Kur flasin në telefon, u përgjigjen përshëndetjeve me fjalët “selam alejkum”. Ata janë njerëz si Elizabeta, si Lucy Bushill-Matthews, një 30-vjeçare e diplomuar në Newnham College, Cambridge, e cila e gjeti Islamin “kaq të thjeshtë dhe logjik, saqë nuk mund ta largonte më prej vetes”; si “Jahja”, babai i të cilit është një shtyllë e establishmentit anglez, i cili ndien se Islami i “shkon për shtat traditës britanike”; njerëz si Joe Ahmed-Dobson, djali i ish-ministrit laburist Frank Dobson, i cili beson se Islami e ka transformuar jetën e vet shpirtërore dhe e ndihmoi të shkëlqejë në universitet.
Kemi parë edhe raste të tjera të pranimit të Islamit nga njerëz të shquar britanikë të klasave të larta. T. E. Lawrence u dashurua pas romancës dhe altruizmit të Islamit, saqë i mishëroi ato për brezat e mëvonshëm, por pa e pranuar Islamin. Gai Eaton, një ish-diplomat britanik, tani në vitet 70-të të jetës së tij, u konvertua në Islam. Vepra e tij me ndikim “Islam and the Destiny of Man” është bërë ndër veprat “e detyrueshme” për t’u lexuar nga anglo-saksonë të rinj që pranojnë fenë islame, shpesh si shenjë pakënaqësie ndaj një kulture perëndimore që duket se u ka ofruar atyre gjithçka.
Matthew Wilkinson bëri bujë kur u konvertua në Islam dhe e ndërroi emrin e tij në Tarik në vitin 1993. Ai ishte nxënës në kolegjin Eton. Ai dhe Nicholas Brandt, një tjetër nxënës në këtë kolegj dhe bir i një bankieri, i shkëmbyen fatet e tyre si pasardhës të elitës drejtuese me ambiente më modeste. Djali i Lordit Birt, Jonathan, u konvertua në vitin 1997 dhe nisi një doktoraturë mbi Islamin britanik. Po kështu u konvertua edhe një djalë dhe një vajzë e Lordit Justice Scott, kryetar i hetimit për armët drejtuar Irakut. Po kështu veproi edhe Jemima Khan. “Vendimi im ishte krejtësisht zgjidhje e imja dhe nuk qe i ngutur,” u shpreh vajza 21-vjeçare e miliarderit James Goldsmith pas sugjerimeve se ajo ishte konvertuar për t’u martuar me Imran Khanin, ish-kapitenin e ekipit të Pakistanit në kriket. Ajo gjithashtu deklaroi se motrat e Imranit ishin të gjitha profesioniste të arsimuara. Fjalët e saj janë një përpjekje për të bindur jomuslimanët se konvertimi nuk do të thotë dorëzim i pavarësisë së tyre.
Për Lucy Bushill-Matthews konvertimi kishte një rrjedhë tjetër. “Kur shkova në Cambridge, iu bashkova shoqërive të krishtera dhe islame dhe të tre partive politike sepse desha të eksploroja të gjitha mundësitë dhe t’i hidhja poshtë ato”, tregon ajo. Ajo e mendon veten si një pragmatike dhe jo aq shpirtërore dhe si e tillë për të Islami ishte “i parezistueshëm”. “Islami është i thjeshtë, rruga e thjeshtë për të besuar në Zot.” Bashkëshorti i saj është me origjinë anglo-iraniane, me të cilin ajo u martua pas konvertimit në Islam. Yahja, gjithashtu, e zgjodhi Islamin në mesin e një game të gjerë fetare. Ai u rrit në një familje të klasit të lartë londinez, e cila për shkak të pozitës së babait të tij nuk mund të favorizonte publikisht njërën fe mbi të tjerat. Jahja më vonë përfundoi universitetin në degën e feve krahasimtare dhe Islami fitoi. “Është monoteizëm i kulluar,” thotë ai. “Ka një sistem moral të qartë. Asnjë Shkrim i Shenjtë nuk e shpreh mesazhin e njëshmërisë së Zotit si Kurani. ” Tani ai është 33-vjeçar dhe është në Oxford duke shkruar një doktoraturë për Islamin britanik.
Paqartësi dhe enigma të lidhura me Trinitetin dhe Mëkatin Origjinal e shtynë Batool Al-Toma, ish-katoliken që tani ofron përkrahje për të konvertuarit e rinj në New Muslims Project në Leicester, që të pranonte Islamin. 
“Islami nuk është në  përgjithësi një fe misionare”, shprehet ajo.
Me mbi një miliard besimtarë e gjithnjë në rritje, historia tregon se Islami nuk ka nevojë të jetë edhe aq misionar. 
Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 258708 visitors (1044030 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=