Bija e Preshevës

Bija e Preshevës

Nga: Jeni MYFTARI


Nuk kisha dëgjuar kurrë për Preshevën dhe Luginën e saj, deri në momentin kur së bashku me katër shoqe të miat, motrat e mia të udhës së vështirë të dijes dhe sakrificës, të gjitha nga Tirana, udhëtuam për në Kairo.

Për të gjitha ne, ky ishte largimi ynë i parë nga familja. Ishte fillimi i vitit 1992, kohë kur Shqipëria akoma lëkundej në dallgët e trazirave, për tu shkëputur nga regjimi socialist që e kishte paralizuar vendin për gati 50-të vjet, e për t'u futur në rrugën e demokracisë, aq shumë të dëshiruar nga populli i lodhur tashmë, nga periudha e gjatë e mbylljes dhe izolimit. Pikërisht në këtë kohë të trazuar, ne pesë vajza të reja, pionieret e para të fesë Islame në Shqipëri, lamë atdheun dhe shtegëtuam larg, në kërkim të dijes, atje në Egjiptin e Muhamed Aliut, në tokën ku shqiptarët kishin shkruar historinë për shekuj me rrallë, në vendin e njërit prej universiteteve më të vjetër dhe më të njohur në botë, Universitetit "Al Az'har", në auditorët e të cilit do të uleshim për të mësuar për herë të parë, gjuhën e bukur arabe. Pikërisht këtu u njohëm me Fatime (Ahmedi) Ismailin, bijën e Preshevës, që do të na qëndronte pranë në çdo moment, e gatëshme për të na ofruar ndihmën e saj.

E mbaj mend si tani çastin kur e pashë për herë të parë. Në momentin që hyri në shtëpinë tonë dhe na përshëndeti, kuptuam se ishte shqiptare. Nuk di se ç'ndjeva atë çast! Ai zë i ngrohtë dhe ato fjalë të gjuhës time, më bënë t'a ndieja veten të lehtësuar dhe në një farë mënyre, më dhanë forcë e krahë. Ditët do të kalonin një e nga një dhe miqësia jonë, do të forcohej gjithnjë e më shumë. Përveçse një nënë e mirë dhe një bashkëshorte e denjë, ajo ishte dhe një shoqe e mirë, që më kalimin e kohës do ta ndjeja si motrën time më të madhe, me të cilën diskutoja probleme të ndryshme dhe që dinte të mbarte në vetvete, një pjesë të shqetësimit dhe trazimit tim.

Fatime Ismaili, është e bija e Zihni Ahmedit nga Presheva dhe bashkëshortja e Prof. Dr. Beqir Ismailit, nga Fushë Kosova. Fatimja është një grua e qetë, e qeshur dhe me një shpirt të madh. Kurrë ndonjëhërë nuk e pashë të bezdisej nga njerëzit e shumtë që i vizitonin. Shtëpia e tyre në Kairo, ishte qendra e takimit të studentëve shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, por që u bë e dashur dhe e afërt dhe për ne, studentët e Shqipërisë. Aq shumë njerëz hynin e dilnin në atë shtëpi, saqë shpesh më kujtonte shtëpinë time në Tiranë, ku nuk pushon kurrë zilja e derës. Por gëzimin më të madh në atë shtëpi të "madhe" e të hapur për të gjithë, na e ipnin fëmijët; Mu'mini, të cilin shpesh e zinte gjumi në krahët e mi, pa e dëgjuar deri në fund përrallën që po i tregoja; Shejma, që belbëzimet e para të gjuhës sonë, i mësoi prej nesh; e më pas dhe Sumeja e vogël, e cila lindi në kohën e qëndrimit tonë në Kairo dhe që isha njeriu i parë, që e mbajti në krahë. Nuk mund të le pa përmendur këtu dhe të ëmblin, vogëlushin e kësaj familje, Hakiun, i cili edhe pse ka lindur pas largimit tonë nga ky vend, ka një vend të veçantë në zemrën time.

Preshevën e njoha pikërisht prej kësaj shqiptareje fisnike. Në sytë e Fatimes, Lugina e Preshevës, ishte e gjithë bota. Kur fliste për qytetin e saj të lindjes, të cilin nuk e kishte parë prej vitesh, zëri i dridhej dhe sytë i mbusheshin me lot. E ndërsa Fatimja mbante në duar foton e Preshevës, të cilën nuk e ndante kurrë nga vetja dhe më përshkruante qytetin e saj, imagjinata ime shkonte aty ku futej tregimi i saj, në rrugët e gurta, në ato shtëpi të mbuluara nga dëbora, në fushat e gjera ku syri qetësohej nga gjelbërimi dhe vëzhgonte me vëmendje këtë Luginë, e cila ishte pjesë e tokës sime, por që nuk e kisha parë kurrë dhe kurrë më parë nuk kisha dëgjuar për ekzistencën e saj.
Vitet do të kalonin dhe miqësia jonë do të rritej e forcohej aq sa, tashmë më duket se kam një jetë që e njoh Fatimen. Edhe pse larg –të dyja jetojmë në vende të ndryshme- e ndjej gjithmonë pranë, ashtu siç ndjen njeriu një pjestar të familjes së tij të shtrenjtë. Nuk mundem të harroj kurrë ato ditë të vështira, kur e ngushtuar nga shqetësimet që të sjell largësia nga familja, e zhuritur nga malli për prindërit dhe atdheun, e vendosja kokën në prehrin e saj dhe ndjeja dorën e saj të butë, tek më përkëdhelte lehtësisht. Në çdo lëvizje të dorës, më dukej se më largohej një shqetësim. E kam akoma para syve ndriçimin në fytyrën e Fatimes, kur unë citoja vargjet e këngës "Dy manushaqe në dorën time ja fala njërën arbreshesh sime", në përsëritjen e këtyre vargjeve unë thoja: "…. ja fala njërën preshevares sime". Ajo qeshte ëmbël dhe më shtrëngonte në krahët e saj, duke përcjellë kështu dashuri e ngrohtësi motre.
Kështu u lidhëm me një miqësi të pastër e të sinqertë, për të mos u ndarë më kurrë. Ishte feja, gjaku dhe gjuha, ato që më lidhën përjetësisht, me këtë bijë shqiptare, të atyre trojeve të largëta të tokës sime.

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450064 visitors (1413761 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free