Vehap Kola

Osmozis
Supet
Katandisur si nyja drurësh
Nën prangat e tatuazheve
Ngarkuar me një cigare me gjithnjë e më pak duhan
Supet
Duke imituar dredhimin e pabesë të tymit
Dominimi i tymit në mushkëri
Pastaj mbi kokë
Pirueta e tymit tërheq natën
Si një shami e zezë
Koka njerëzish të varura në lakun e saj
Ngjyra e përhime si një rrenë e lezeçme
Që njerëzit e marrin për të vërtetë
Në prehrin e ftohtë të natës hap vrima
Tejshpon barkun e saj pjellor
Një përbuzje idhnake ndaj frymëve që tërheqim
Pavullnetshëm
Ndaj aromave të mira të luleve, të barit,
Kundërmimit të djegur të thatësirës
Vallëzimi befasues i tymit
Pushtimi rëndérës i mjegullës
Thërrmojnë, pastaj tretin
Projeksionin e rrugëve
Më plotshëm se nata
Fshijnë vijëshquesen mes yjeve
Dhe kurrizeve rebele të dallgës
Shtërngime duarsh
Kredhur në humbimin gropues
Të shtëllungave
Ka shumë pluhur në ajrin tim
Grimca erëkeqe njerëzish
Tymi i cigares
Thërrime buke mbetur nga thyerja
Kundërmim tryezash të sharruara
Pikla plazme nga diej të fikur
Dhé tokash të rrahura
Mëvetja m’i lag këmbët me vesë përvëlese
Toka përtyp hijet nën ritmin e çapitjeve
Në cakfundje,
Horizonti resht së ndari detin me qiellin
Në një regres krijues
I rraskapitur nga përdhesja e dritës
Nga fluturimi paqësor i avujve
Nuk mbyll sy
Rrugët shpinojnë njëra – tjetrën
Në një vallëzim të shtangur
Në sytë, zgurdulluar zhgënjyeshëm
Mbi sipërfaqen e shkrifët të tokës
tokë e bërë qilizëm,
arë, varre,
turravrapen drejt qiellit,
tufa përmallës lastarësh
secila syresh rrënjëzuar në varrin e ri të një ëndrre 

........................

Pres

 

Pres
Me duar lidhur
Qyshkuri
Takimin
Që përlotshëm të Festoj
Këndimin dhe vajtimin
Me të njëjtat fjalë
I kam
Në dashuri, në përmallje,
Në lodri, jam ai,
I qëmotshmi
Qoshku shtëpi m’u bë
Balli më ra
Mbi copat e qelqta të zemrës
Përtokur
I ndërlikur, apo i qashtërt
Shtegu peng më rri
Gjembat këmbëzbathur t’i shtyp
Veç derën t’a gjej
Pres
Dera të më çilet
Këtu tek unë
Bota si odë zjarri po piqet
Shtëpi e një pirgu guracakësh
Mbledhur kruspull
Në një akt të turpshëm frikacakërie
Pres
Drita të më diellzojë
Keqanën dhe hijnajën
Në një kthesë gungaçe
Ndjek me sy të ujshëm
Bishtnimet e kalimtarëve që ndanin bukën deri dje
Pres
Hapat e të rinjve
Miqtë e mi të pandarë

............................

Për vete
 

Në qofsha qelq i hedhur

Mos më thyej

Se vetë do shkelësh

Mbi copëzat

Grimcat e mia

Dhe do lëndohesh

 

Në qofsha letër e lexuar

Mos më digj

Se tymi im

Do të të japë erë

Flaka ime do të të përcëllojë

Dhe hiri im

Do të të nxijë

 

Në qofsha shtëpi e braktisur

Mos më ndryj

Se ti, do mbetesh jashtë

Në qofsha dru i shtrembër

Së paku, hije bëj

Mos më shkul nga rrënjët

Se ty, dielli do të të rreshkë 

.......................

 

Rrëzohemi

 

 

Rrëzohemi
Ditën na bien si luspat
Si flokë të shkulura
I varrosim
Rrëzohemi
Dhe diellin
Më shpesh e gëlltisim
Me më shumë uri
Hënën e kafshojmë
Si bukën e pakët
Rrëzohemi
Me një gurë në trajsë
Përditë më të rëndë
Përnatë, krahët
Më pak të fuqishëm
Rrëzohemi
Dhe sa herë biem
Tatëpjetës së pashtruar të kohës
Ndahen, si damarë të shprishur,
Rrugët dhe shtigjet
Rrëzohemi
Duke i falur botës
Shkulmat e fundit të dritës
Dhe pezullit mbi kokë
Frymët ia lëmë
Një nga një
Rrëzohemi
Pa drojë, pa mend
Sikur s’do të thotë gjë
Që zërat na u ngjirën
Nga këngët që shtohen
Përditë
Rrëzohemi
Në luginën e kthimit
Që nis kur lindim

......................



Kalliri

 

Çfarë kam
Dhe imja është
S’është e vërtetë

Çfarë kam
Dhe është e vërtetë
S’është imja

Borxhli ndaj diellit
Borxhli ndaj tokës
As dritë, as dhê
Nuk zotëroj

Ballin si dielli
Me bojë të huajtur
Dhe zemrën si toka
Bukë dhe ujë të falur

Këngën e erës belbëzoj

T’i përzë zogjtë
Nga kallzat e mia
S’kam të drejtë

Udhës sime
Nga toka te dielli
S’jam hiç i sigurtë
Ku do ndalem

Sofër s’shtroj as s’ngre
Unë, bukë për të pangrënin
Më duhet të jem

Çfarë kam
Dhe imja është
Mos e besoni

Çfarë kam
Dhe është e vërtetë
S’është imja 

...........................

 

Mundesh


Mundesh,
Nga bota të mos mahnitesh,
Aq sa s’ka të drejtë,
Të mos përngjajë,
Më e madhe se ç’është e denjë.
Botën, nën këmbët e tua,
Të përmbajtura, ta vësh,
Mundesh.

Ka dhe më tutje,
Rrugë, dhe jo pak,
Shpeshherë.
Paçka se sytë t’u mjegulluan,
Dhe shtegu t’u errëtua,
Nga hijet e harrimtarëve.
S’këputet fryma,
Në kraharorin tënd sovran

Mundesh,
Vetëm të lindesh,
Disa herë,
Pa kryqëzuar rrënjët,
As degët, me kënd;
Të çelesh dhe njëherë;
Të çelesh trëndafil,
Mundesh.

Mundesh,
Luftëtar të bëhesh,
Dhe në u tutsh si lepur;
Hero të zbardhesh, dëshmor të biesh,
Dhe prapë të ngjallesh,
Madje të mos vdesësh,
Asnjë çast,
Dhe në u tutsh si lepur,
Gëmushën ta bësh pritë,
Mundesh.

.......................

 

Kë urrej

Urrej…
Pluhurin e rrugës
Që përditë lëshohet pa zë
Mbi lëkurën time
Dhe tani jam ndryshe
Më ka ndërruar fytyra

Urrej…
Thonjtë e mi
Me të cilët gërvisht fytyrën
Dhe jam shëmtuar
Kam humbur qumështin
Që nëna më mëkoi

Urrej…
Këmbët
Që i ndoqa në baltë
Dhe ashtu u përfunda
U përbalta
S’jam më ai
I papërlyeri

Urrej…
Shtrojën time thërritëse
Aty fle gjatë
Dhe nuk ndjej gjëmimin
E botës që digjet
Dhe zemra e hershme
S’është më ajo
Që të pikojë gjak

Urrej…
Shterrjen e burimit
Ku shuaja etjen
Me zjarrin tim e kam tharë
Në prushin tim po pjek veten
Me tymin tim rrekem të bëj hije
Por është e kotë

Urrej…
Errësirën, që më ra si qiell
Dhe sytë m’i mbuloi
S’e di; jam verbuar përgjithnjë,
Apo do të shoh prapë dritë?

.........................................

Zakon të vdekuri

Mos u lësho, o mik
Në lotë e dëshpërim
Në dëgjofsh se dhashë frymë
E se unë s’jam në fytyrën time
A se sytë e mi s’po të ndjekin
As në nxitimin e ardhjes
As në ikjet hundëpërpjeta
As në bërrylin
Për të cilin
S’e bëra vendin

Mos u pikëllo
Nga shikimi im i ngrirë
Nuk më ka shtangur
As braktisja jote
As ndërrimi yt i beftë
Si pulitja e trembur

S’më ka lënë pa mend
Përcaktimi yt
Për një tjetër udhë
Për zakone
E fjalë të tjera

Gojëhapur, s’mbeta
Nga harrimi i kobshëm
I emrit vëlla


Nuk jam befasuar
Që ma le mua rëndesën
E frikës së përbashkët
Frikës “pa ty”

Mos më vër në sprovë
Nëse s’të flas dot
Se nuk jam hidhëruar
Që sot, më, s’je i lumtur
Që më gjete
Si në fillim
As se s’jam më
Më i shtrenjti
I miri, i madhi vëlla

Nuk të mbaj inat
Që mbi emrin tim
Rrodhe bojë, lumë
Dhe, më, s’duket
Është fshehur, më

Që me fletën time
Ndeze zjarr
Tjetërfar
Dhe mbi hirin tim
Vure gur vatre

Nuk jam zhgënjyer
Pse mblodhe dorën
Pse mbylle derën
Dhe krrummmm!
E përforcove
Me një shul moskokëçarës

Nëse s’të them dot
Se më mori malli
Për mallin tënd
Ky është veç zakon
I të vdekurit

Në më marrsh në krah
Ndale ngashërimin
Edhe kur ngadalë
Tokës, të më kthesh
Se pas
E gjelbërt, e shpejtë
Të pret jeta
Bota, e rrumbullt
Me forma të rrumbullta
Me fytyrë të lëmuar
Të ka hapur krahët
Dhe prehrin e ka ngrohur
Të të mbështjellë

Ashtu, më lehtë
Harrohet miku
Edhe në rrugicat e njëjta
Kafenetë dhe bisedat
Me po ato përgojime

Mbrëmjeve,
Me po aq dritë-hije
Këngët
Argëtojnë njëlloj
Edhe me zëra të tjerë

Nëse s’të harroj dot
E as këtë s’kam gojë ta them
Është veç zakon I të vdekurit 

...........................................
 


Bukën e ndava
 
Shtëpinë time
S’e ndryj as natën
Derën krah më krah
E lë dhe në dimër
Anë vatrës pres
Me zjarr të pashuar
Gjer në agim
Dhe bukën e ngrohur
Në sofër

Rrugicës sime
Një e dy
Heq një gurë
Heq një gjemb
Një e dy zgjas kokën
Në dritare

Në zemrën time
Shfletoj ëndrrat të mira
Dhe mall më mblidhet
Në më të shkurtrin çast

I gëzuar
Si të më kish lindur një vëlla
Aty
Dhe bukën e ndava
Në të ardhmen time
Sado të panjohur Dhe shpatullat i mblodha

...........................................


Vdiq vëllai
Më la krahët jetimë
Dhe vetminë, të ve
M’i la në derë

Vdiq vëllai
Si shkrepëtimë
As amanet s’më la
As qau, as u përpëlit
S’më tha as lamtumirë

Vdiq vëllai
Dhe kufomën e fshehu
Varrit s’i vuri gurë

Vdiq vëllai
S’më del as në ëndërr
Për çudi, ca hije ndjek
Vdiq nga unë, pas tyre

Vdiq vëllai
Gërvishtur nga thonj shtrigash
Vdiq duke gënjyer
Duke thyer udhë
I trembur

...............................

Në fole
Çdo ag
Lëvozhga vezësh gjej
Varem tëposhtë trungut
Ec nën hijen e zogjve të mi

Ç’mirëkuptim!
Si fola, si s’fola
S’ka debat

Aty ku s’jam
Tokën e mbyt dëbora
Aty ku s’ka çati
Strehë, ngrehinë, tendë
Butë dhe bardhë
Përgjon gjurmët

Sa u shtuan gjurmët!
Dëbora m’i rrëfen?
Apo i dendësoi?

Me shiun tim i njom drurët
Më mbyti tymi
Në oxhak
Kështu që nga dielli
Marr prush
Të kuq, të bakërt

Njerëzit
I janë veshur tokës
Pas mëngjesit
Shtegtarë

Zërin tim e njoh lehtë
Edhe po të pëshpëris
Shtratin tim e gjej symbyllur
Pa kureshtje

Ç’vdekje e pakëndshme!
Kur, as rrobat
S’ke kujt ia lë
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450066 visitors (1413821 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free