Thirrja (daveti) në Islam është një përgjegjësi e madhe


Thirrja (daveti) në Islam është një përgjegjësi e madhe
 
 
 
Shumica e muslimanëve janë të informuar se Islami është fe universale, e zbritur dhe e destinuar për mbarë njerëzimin. Allahu i Madhërishëm është Zoti i mbarë gjithësisë, kurse muslimanëve u është besuar dhe u është lënë në dorë që këtë detyrë, gjegjësisht përhapjen e fjalës së Allahut, ta mbartin te mbarë njerëzimi. Mjerisht, sot shumica e muslimanëve janë bërë të pashpirt dhe pa ndjenja karshi kësaj përgjegjësie! Përderisa ekziston pranimi dhe miratimi i fesë islame si rruga më e mirë e jetës sonë, shohim se një numër i madh prej nesh nuk dëshiron që këto njohuri t’i ndajë me ata të cilëve mesazhi (shpallja) ende nuk u ka arritur.

Fjala apo nocioni davet është fjalë e gjuhës arabe, që ka kuptimin thirrje apo ftesë. Në kontekstin islam, termi në fjalë ka për qëllim përpjekjet për të përhapur dhe propaganduar fenë islame te të tjerët.

Në Kuranin Famëlartë Allahu Fuqiplotë, thotë: “....A e dini ju më mirë apo Allahu? Kush është më mizor se ai, që e ka dëshminë e Allahut pranë vetes dhe e fsheh. Allahu nuk është i panjoftuar me veprimet tuaja.”1


Njëzet pyetjet më të shpeshta të jomuslimanëve rreth fesë islame

Në mënyrë që ta përhapim mesazhin islam, debati dhe bashkëbisedimi bëhet i pashmangshëm. Ja se çfarë thotë Allahu i Madhërishëm në Kuran: “Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.”2

Përgjatë mbartjes së mesazhit islam tek jomuslimanët nuk është e mjaftueshme që atyre t’u tregojmë dhe t’u nënvizojmë vetëm imazhin pozitiv të Islamit. Kjo për faktin se shumica e jomuslimanëve nuk janë të bindur rreth së vërtetës islame, për shkak se pas mendjes së tyre fshihen disa pyetje rreth Islamit, të cilat kanë ngelur pa përgjigje.

Ata mund të pajtohen me pohimet tuaja mbi natyrën dhe karakterin pozitiv të Islamit, mirëpo në të njëjtën kohë do të thonë: “Ah! Por ju jeni si muslimanët e tjerë, të cilët martohen me më shumë së një grua. Jeni të ngjashëm me ata të cilët i kanë vënë gratë nën kontrollin e tyre duke i mbajtur ato pas mbulesës. Jeni fundamentalistë, etj.”

Unë personalisht jomuslimanëve do t’u parashtroja pyetje ballë për ballë, duke pasur parasysh njohuritë e tyre të kufizuara, të sakta apo të gabuara qofshin ato, pa marrë parasysh se prej cilitdo burimi të jenë ato (njohuri), me një fjalë, t’i pyes se çfarë i bën ata që në Islam të shohin gjëra të gabuara (të papranuara për logjikën e tyre). Nga ata kërkoj dhe i stimuloj që të jenë të hapur dhe tejet të sinqertë, njëherazi t’i bind jomuslimanët se jam i gatshëm të pranoj kritikat e tyre rreth Islamit.

Para disa vitesh, përgjatë eksperiencës sime si thirrës në rrugën e Allahut, arrita të kuptoja se ekzistojnë përafërsisht njëzet pyetje ndër më të shpeshtat, të cilat çdo jobesimtar i thjeshtë i zotëron në mendjen e tij. Sa herë që të pyesësh ndonjë nga jomuslimanët, “çfarë të bën të ndjesh se në Islam ka gjëra të gabuara?”, ai ka pesë apo gjashtë pyetje të cilat pa ndonjë ndryshim bëjnë pjesë në grupin e njëzet pyetjeve më të shtruara nga ana e jomuslimanëve.


Përgjigjet logjike mund ta bindin masën

Njëzet pyetjet më të shpeshta rreth Islamit mund të gjejnë përgjigje me të drejtë përmes logjikës së njeriut. Shumica dërmuese e jomuslimanëve janë në gjendje të binden duke gjetur përgjigje në këto pyetje, të cilat do t’i lexoni në vazhdim të temës. Po qe se muslimani i mëson përmendësh apo thjesht i kujton këto përgjigje, me vullnetin e Allahut ai do të jetë i suksesshëm në këtë drejtim, po nuk arriti t’i bindë jomuslimanët rreth së vërtetës islame në tërësi, atëherë do jetë në gjendje që sado pak të largojë keqkuptimet rreth Islamit si dhe të neutralizojë mendimin e gabuar (negativ) rreth Islamit dhe muslimanëve që jomuslimanët tashmë e kanë. Një numër i vogël i tyre mund t’u kundërpërgjigjet këtyre përgjigjeve, prandaj kërkohet që debatuesi musliman të sjellë argumente të tjera më bindëse në mënyrë që palës tjetër t’i flejë zemra dhe më pas të bindet plotësisht.


Keqkuptimet si rezultat i mediave

Keqkuptimi më i shpeshtë rreth Islamit është ndërtuar në shumicën e mendjeve të jomuslimanëve për shkak se ata vazhdimisht janë të keqinformuar dhe të bombarduar më keqkuptime të tilla mbi Islamin. Mediat ndërkombëtare janë kryesisht të mbikëqyrura nga bota perëndimore, pa marrë parasysh faktin se a janë ato programe të huaja satelitore, radio, gazeta, revista apo libra.

Kohëve të fundit interneti është bërë një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm. Ndonëse ky i fundit nuk është i kontrolluar nga askush, prapëseprapë shohim një numër të madh informatash propagandistike në internet që helmuese dhe virulente rreth Islamit.

Natyrisht se edhe muslimanët janë duke e përdorur internetin si mjet për të paraqitur imazhin e vërtetë të Islamit dhe muslimanëve, mirëpo duke e krahasuar mundin e tyre me propagandat që jomuslimanët janë duke bërë kundër Islamit, shohim se muslimanët kanë mbetur shumë prapa. Shpresoj se përpjekjet e muslimanëve do të rriten dhe do të vazhdojnë edhe më tutje.


Keqkuptimet ndryshojnë me kalimin e kohës

Pyetjet më të shpeshta rreth Islamit ndryshojnë varësisht nga vendi dhe rrethi. Grupi i njëzet pyetjeve më të shpeshta është i bazuar në kohën e sotme. Dekada më parë, grupi i pyetjeve ishte krejtësisht ndryshe, gjithashtu edhe i dekadave të fundit. Grupi i pyetjeve mund të ndryshojë varësisht nga mediat, se si ato e projektojnë fenë islame.


Keqkuptimet kudo në botë janë të njëjta

Kam bashkëvepruar me njerëz nga vende të ndryshme të botës, ndaj dhe kam hasur se njëzet pyetjet më të rëndësishme dhe më të shpeshta rreth Islamit janë të njëjta në çdo vend. Ka mundësi që disa pyetje shtesë të ndryshojnë, varësisht nga kultura, rrethi dhe ambienti ku ata jetojnë. Për shembull, në Amerikë, si pyetje shtesë është: "Përse feja islame ndalon marrjen dhe dhënien e kamatës? Midis këtyre njëzet pyetjeve më të shpeshta kam futur edhe ca pyetje jashtëzakonisht të kërkuara nga ana e indianëve jomuslimanë. Fjala vjen; "Përse muslimanët ushqehen me ushqime jovegjeteriane (me mish)? Qëllimi pse kam futur një pyetje të tillë, ka qenë si rezultat i numrit të madh të indianëve, të cilët janë të shpërndarë kudo në botë, ndaj dhe përbëjnë 20%, respektivisht 1/5 të popullsisë globale. Si rrjedhojë pyetjet e tyre po shpeshtohen dhe po shtrohen nga ana e jomuslimanëve përreth globit.


Keqkuptimet e jomuslimanëve "studiues" të Islamit

Ekziston një numër i madh jomyslimanësh të cilët e kanë studiuar fenë islame. Shumica prej tyre kanë lexuar libra mbi Islamin, libra këto të shkruara njëanshmërisht, gjegjësisht libra me frymë kritike mbi Islamin. Këta jomuslimanë posedojnë edhe një grup shtesë të njëzet keqkuptimeve më të shpeshta rreth Islamit. Për shembull, jomuslimanët pretendojnë se kinse kanë zbuluar kontradikta në Kuran, të tillët debatojnë se Kurani është joshkencor, etj. Për këto keqkuptime ekziston një serë përgjigjesh shtesë, të cilat definojnë njëzet keqkuptimet të pranishme në mesin e jomuslimanëve, të cilët e kanë studiuar Islamin nga burime të shtrembëruara.
Gjatë ligjëratave të mia publike dhe në librin "Përgjigje ndaj pyetjeve të shpeshta të jomuslimanëve mbi Islamin, me njohuri të kufizuara mbi fenë islame", u jam përgjigjur njëzet pyetjeve paksa më të shpeshta ndër jomuslimanët.

1. Poligamia


Pyetja:
Përse mashkullit në fenë islame i lejohet që të martohet me më shumë së një grua?
Përse poligamia është e lejuar në Islam?

Përgjigjja

1. Përkufizimi i poligamisë:
Poligamia nënkupton një sistem martese, përmes së cilës një person e ka të lejuar që të ketë më shumë së një bashkëshorte. Poligamia mund të jetë dy llojesh. Njëra quhet poligoni, ku një burrë martohet me më shumë se një grua, kurse lloji i dytë i poligamisë është poliandria, ku një grua (në të njëjtën kohë) martohet me më shumë se një burrë. Në Islam, poligonia e kufizuar, juridikisht është e lejuar, kurse për sa i përket poliandrisë, ajo është rreptësisht e ndaluar. Tani të ndalemi të pyetja jonë, se përse mashkullit i lejohet që të martohet më shumë se me një grua.

2. Kurani është libri i vetëm hyjnor në këtë botë, në të cilin shkruan: “martohu vetëm me një”
Libri i shpallur, Kurani, është libri i vetëm në faqen e kësaj gjithësie, në të cilin shkruan: "martohuni me një grua"1. Nuk ekziston asnjë libër tjetër hyjnor i ngjashëm me Kuranin, i cili e porosit njeriun që të martohet vetëm me një grua.

Në asnjë libër tjetër të shenjtë (hyjnor) nuk ka mundësi që dikush të gjejë shtrëngim apo frenim kur është në pyetje numri i grave, pa dallim, qoftë ai i Vedas, Ramayan, Mahabarat, Geta, Talmudi apo Bibla. Bazuar në citatet e librave të sipërpërmendur, çdo mashkull ka të drejtë të martohet me sado që ai dëshiron. Vetëm më vonë, shohim se klerikët hindus dhe kishat e krishtera bënë një kufizim duke e shtrënguar martesën vetëm me një grua. Personalitete dhe figura të shumta fetare hinduse kanë pasur shumë gra. Sipas librave të tyre hyjnor shohim se ata e kishin të lejuar një gjë të tillë, për shembull Mbreti Dashrat, babai i Rama’s, kishte më shumë se një grua. Gjithashtu edhe Krishna kishte shumë gra.

Në kohët e hershme, meshkujve të krishterë u lejohej që të martoheshin me aq sa ata dëshironin, kjo natyrë manifestohej pasi Bibla nuk posedonte ndonjë kufizim apo rregull se sa gra mund të ketë mashkulli në të njëjtën kohë. Ndalimi i martesës me shumë gra apo përkufizimi i martesës vetëm me një grua haset vetëm disa shekuj më parë, kur Kisha ndaloi një gjë të tillë, dukë e kufizuar martesën me shumë gra dhe duke caktuar që mashkulli e ka të lejuar që të martohet vetëm me një.

Në Judaizëm, poligonia është e lejuar. Sipas jurisprudencës së Telmudit, Abrahami (Ibrahimi) kishte tri gra, kurse Solomoni (Sulejmani) posedonte njëqind gra. Ky zakon vazhdoi të praktikohej deri në kohën e Rabbi Gershom bin Jehudah (960 C.E deri në 1030 C.E), i cili lëshoi një dekret (urdhër) për ndalimin e këtij zakoni. Komuniteti sefardik jehud, të cilët jetonin në shtetet islame, vazhduan ta praktikonin zakonin e martesës me shumë gra gjer në vitet e fundit, gjegjësisht deri në vitin 1950, deri kur akti nga prijësi kryesor i rabinëve të Izraelit, përhapi urdhrin mbi ndalimin e martesës me më shumë se një grua.

*Shënim më rëndësi: Sipas regjistrimeve të përgjithshme (censusit) të Indisë, në vitin 1975 hindusët kishin qenë më shumë poligonues sesa muslimanët, d.m.th praktika e martesës me shumë gra ishte më e madhe tek hindusët sesa te vetë muslimanët.
Raporti i Këshillit për Pozitën e Gruas në Islam, ‘Committee of The Status of Women in Islam’, i publikuar në vitin 1975, në faqet 66 dhe 67, tregon se përqindja e poligamisë përgjatë viteve 1951 dhe 1961 ishte 5.06% nga ana e hindusëve, kurse vetëm 4.31% nga ana e muslimanëve. Bazuar në ligjin e Indisë për të drejtën dhe legjitimitetin e poligamisë, vetëm muslimanët janë të lejuar të kenë më shumë se një grua. Në shtetin e Indisë është jolegjitime për jomuslimanin që të ketë më shumë se një grua. Pavarësisht nga ndalesa (ilegaliteti) e këtij fenomeni, hindusët kanë shumë gra në krahasim me muslimanët. Kohë më parë, ndalesa për sa i përket numrit të grave nuk ishte e pranishme as për hindusët, me një fjalë atyre u lejohej poligamia. Vetëm në vitin 1954, me Aktin për Martesën Hinduse – Hindu Marriage Act – u bë ilegale që një hindus të ketë më shumë se një grua. Ç’është e vërteta, një ndalesë e tillë vjen nga legjislacioni indian, i cili e ndalon mashkullin të martohet me shumë se një grua, e jo citatet e shenjta hinduse (Hindu Scriptures).

Le të zbërthejmë tani arsyen se përse Islami i lejon mashkullit poligaminë.

3. Kurani lejon poligaminë e kufizuar
Siç kam thënë edhe më lart, Kurani është libri i vetëm hyjnor në sipërfaqen e Tokës, në të cilin Allahu i Madhërishëm thotë: “martohu vetëm me një”. Në lidhje më kontekstin në fjalë, vijon ajeti kuranor i sures Nisa:
“Në qoftë se frikoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, me tri e me katra. E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni.”4

Limiti për poligaminë - para zbritjes së Kuranit - nuk ishte i përkufizuar, thënë më mirë, martesa me shumë gra nuk kishte ndonjë limit të caktuar, ndaj dhe shumë meshkuj kishin shumë gra, madje kishte burra që në pushtetin e tyre numëronin njëqind gra. Islami erdhi duke vënë përkufizimin deri në katër gra. Islami legjitimoi për mashkullin që të martohet me dy, tri apo katër gra, mirëpo një gjë e tillë lejohet vetëm atëherë kur plotëson kushtin, që ndaj tyre të mbahet drejtësi, d.m.th. mes grave tuaja të jeni të drejtë. Allahu i Plotfuqishëm, në të njëjtën sure na tregon rreth pamundësisë së mbajtjes së drejtësisë në mes tyre:

“Ju kurrsesi nuk do të mund ta mbani drejtësinë mes grave edhe nëse përpiqeni, pra mos anoni plotësisht nga ndonjëra e të lini tjetrën si të varur. E nëse përmirësoheni dhe ruheni se (padrejtësisë), Allahu ju fal dhe ju mëshiron.”5

Prandaj poligonia nuk është një parim, por është një përjashtim i lejuar. Shumë njerëz janë të sunduar nga keqkuptimi se poligonia (poligamia) është e domosdoshme për muslimanin, d.m.th. se muslimani është i detyruar që të ketë më shumë se një grua.

Më gjerësisht, Islami ka pesë kategori të të lejuarave dhe të ndaluarave
(i) ‘Farz’, e detyrueshme apo obligative.
(ii) ‘Mustehab’, e pëlqyeshme apo inkurajuese.
(iii) ‘Mubah’, e lejueshme apo e pranueshme
(iv) ‘Mekruh’, e papëlqyeshme, joinkurajuese
(v) ‘Haram’, e ndaluar apo diçka jolegjitime.

Meqë përmendem kategoritë, shohim se poligamia hynë në rangun e gjërave të lejuara, por assesi të obliguara – që medoemos duhen aplikuar -, si rrjedhojë, nuk mund të thuhet e as të pretendohet se ai që ka dy, tri apo katër gra është musliman më i mirë se ai i cili ka vetëm një grua.

4. Jetëgjatësia mesatare e grave është më e madhe se ajo e burrave

Nga natyrshmëria meshkujt dhe femrat janë të lindura përafërsisht me një proporcion të njëjtë. Foshnja e gjinisë femërore posedon më shumë imunitet se ajo e gjinisë mashkullore. Foshnja e gjinisë femërore është në gjendje t’i luftoj mikrobet dhe sëmundjet e tjera shumë më mirë sesa foshnja mashkull. Për këtë shkak, përgjatë moshës se pediatrisë, gjejmë se vdekja merr më shumë foshnje të gjinisë mashkullore në krahasim me numrin e vogël të foshnjave femra.

Gjithashtu, gjatë luftërave gjejmë se numri i meshkujve të vrarë në luftë është më i lartë se ai i grave. Po ashtu, më shumë burra vdesin në krahasim me gratë si rezultat i aksidenteve dhe sëmundjeve, si rrjedhojë jetëgjatësia mesatare e grave është më e madhe se ajo e burrave dhe secili nga ne është në gjendje të gjejë dhe te konstatojë se numri i të vejave është më i lartë sesa numri i vejanëve.
 


Mr. Feim Dragusha
26.10.2008


--------------------------------------------------------------------------------

Burimi: ANSWERS TO NON – MUSLIMS’ COMMON QUESTION ABOUT ISLAM (Spreading the Truth of Islam) Islamic Research Foundation.
1 Në lidhje me këtë, Allahu Fuqiplotë thotë: “Në qoftë se frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakëve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri, e me katra, e nëse keni frikë se nuk do të jeni të drejtë, atëherë martohuni me një grua ose me atë që e keni në pushtetin tuaj. Në këtë mënyrë më së lehti do t’i ruheni padrejtësisë” (Kurani, En-Nisa 4). Duhet ta përmend se ajeti i sipërshënuar ka zbritur pas betejës së Uhudit, në të cilën ranë shehid një numër i madh muslimanësh. Shumë gra të dëshmorëve kishin mbetur të veja, prandaj në mënyrë që edhe këtyre grave t’u sigurohej jeta, u lejua edhe poligamia, e cila për kohën të cilën po e jetojmë është më se e nevojshme për shkak se kjo ndalon nga imoraliteti (zinaja). Të gjithë ata që thërrasin për moslejimin e martesës me më shumë se një grua, i gjejmë të kenë lidhje jolegjitime me vajza, apo gra të tjera. Një numër jashtëzakonisht i madh i vajzave tani kanë mbetur të pamartuara si rezultat i emigrimit të të rinjve tanë. (shën. i përk).
2 Kur’an, En-Nisa, 3.
3 Kur’an, En-Nisa, 129
4 Kur’ani, El-Bekare: 140
5 Kur’ani, En-Nahl: 125.

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451372 visitors (1419140 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free