Të shpeshtuarit e veprave të mira dhe kalimi i kohës në to

Të shpeshtuarit e veprave të mira dhe kalimi i kohës në to
 
 
 
Ky është ilaçi me ndikimin më të madh për zemrën e sëmurë dhe ndikimi i tij në forcimin e imanit është i madh dhe i dukshëm. Shembullin më të mirë na e jep Ebu Bekër Es-Sidiku, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur Pejgamberi alejhi selam i pyeti sahabët e tij: "Kush nga ju ka agjëruar sot?” Ebu Bekri tha: "Unë". Pastaj Pejgamberi salallahu alejhi ue selem pyeti: "Kush nga ju ka përcjellë sot ndonjë xhenaze?” Përsëri u përgjigj Es-Sidiku. Pastaj Pejgamberi alejhi selam pyeti: "Kush nga ju sot ka ushqyer ndonjë të varfër?”Sërish u përgjigj Ebu Bekri. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem pyeti: "Kush nga ju sot ka vizituar ndonjë të sëmurë?” Edhe kësaj radhe u përgjigj Ebu Bekri dhe tha "Unë." Për këtë Pejgamberi alejhi selam tha: "Këto asnjë njeri nuk do t'i mbledhë e që mos ta fusin në xhenet."1

Ky hadith na tregon për atë se Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të  i ka kushtuar rëndësi të posaçme shfrytëzimit të kohës në vepra të mira dhe në përfshirjen e llojeve të ndryshme të ibadeteve. Pejgamberi alejhi selam, kur i pyeti sahabët, rastësisht e shtyu Ebu Bekrin të tregojë që ditët e tij ishin të mbushura me ibadete. Selefët kanë arritur mjaft duke bërë vepra të mira dhe kanë shpenzuar mjaft kohë për t'i kryer ato. Një fjalë e urtë që e kanë përmendur paraardhësit tanë të mirë është një shembull i mirë, siç është Hamad ibn Seleme, për të cilin Abdurrarhman ibn Mehdiu ka thënë: "Sikur t'i kishin thënë Hamad ibn Selemes se nesër do të vdiste, nuk do të kishte mundësi të shtonte asnjë vepër tjetër të mirë.”

Muslimani për të kryer vepra të mira duhet t'i kushtojë rëndësi këtyre gjërave:

-Të nxitojë në bërjen e veprave të mira, sepse Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës."2

Dhe thotë: "Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetin, që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës."3

Domethënia e këtyre ajeteve i ka shtyrë sahabët që të shpejtojnë për të bërë vepra të mira. Muslimi në Sahihun e tij, nga Enes ibn Maliku, transmeton rastin nga lufta e Bedrit, kur mushrikët janë afruar dhe Pejgamberi ka thënë: "Ngutuni drejt xhenetit, hapësirat e të cilit janë sa hapësirat e qiejve dhe tokës.” Për këtë, Umejr ibn el-Hamam el-Ensariu ka pyetur: "O i Dërguari i Allahut, Xheneti hapësirat e të cilit janë sa hapësirat e qiejve dhe të tokës?” I Dërguari tha: "Po.” Umejri tha: "Buh, buh.4” Pejgamberi alejhi selam e ka pyetur: "Çka të shtyn t’i thyesh këto fjalë?” Ai tha: "Pasha Allahun, o i Dërguar i Allahut, nuk më shtyu asgjë tjetër përveç shpresës që të jem unë një ndër banorët e tij.” I Dërguari tha: "Ti je një ndër ata." Pastaj Umejri i nxori disa hurma dhe filloi t'i hajë e tha: "Por, a do të jetoj aq sa t'i ha këto hurma? Kjo është jetë e gjatë për mua.” I hodhi hurmat, u ngrit, filloi të luftojë derisa ra shehid.”5

 Dikur Musai alejhi selam është ngutur që ta takojë Zotin e tij: "...unë u nguta te Ti, o Zoti im, që të jesh i kënaqur ndaj meje!”6 Duke lavdëruar Zekerijan alejhi selam dhe familjen e tij i Lartësuari ka thënë: "Ata përpiqeshin për punë të mira, Na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh. "7

Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Nuk ka të ngutur, përveç në punë për ahiret.” E në versionin tjetër thuhet: "S’ka ngutje përveç në të bërit mirë.”8

-   Vazhdueshmëria në të bërit e veprave të mira:

Allahu i Lartësuar në hadith kudsij ka thënë: "Robi im nuk do të ndalet duke m’u afruar me nafile, derisa nuk do ta dua…"9

Ky hadith na nxit në vazhdimësinë e kryerjes së nafileve. Në hadithin tjetër qëndron: "Bashkoni në mes të haxhit dhe umres”, d.m.th. i bashkoni me vepra të mira, që gjithashtu na udhëzon në vazhdueshmërinë e veprave të mira. Ky princip është mjaft i rëndësishëm për forcimin e imanit dhe ruajtjen e shpirtit që të mos asgjësohet, që të mos prishet dhe që mos ta mundë pesimizmi. Vepra e vogël në të cilën përqendrohesh është më e mirë sesa vepra e madhe e cila kryhet shumë rrallë.

Pejgamberi alejhi selam është pyetur  për veprën më të dashur tek Allahu për të cilën ka thënë: "Ajo e cila bëhet vazhdimisht, qoftë edhe e vogël."10

Përqendrueshmëria në të bërit e veprave të mira e forcon imanin. Kështu ka vepruar Pejgamberi alejhi selam, pra kur ka bërë ndonjë vepër është përqendruar në të.11

-    Të dhënit mund për vepra të mira

 Shërimi i ngurtësisë në zemër nuk duhet të jetë i karakterit të përkohshëm, sikur imani të përmirësohej vetëm përkohësisht, pas së cilës do të rikthehej dobësia e vjetër. Por është e nevojshme që ai shërim të jetë i përhershëm, gjë që nuk arrihet pa një angazhim të madh në ibadete. Allahu i Lartësuar në Kuran na jep shembuj për robërit e Tij të afërm, të cilët kanë qenë të përqendruar në ibadete. Nga ato ajete përmendim: "Argumentet tona i besojnë, në të vërtetë, ata që kur këshillohen me to, bien në fytyra (bëjnë sexhde), që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe ata nuk bëjnë kryelartësi. Anët e shtatit të tyre braktisin për të lutur Zotin e tyre në frikë e shpresë: ata shpenzojnë (në mirësi e për çështjen e Allahut) nga ato (begati) të cilat ua kemi dhuruar Ne."12

Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: "Ata qenë të cilët pak flinin natën. Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet. Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp)."13

Duke lexuar mbi angazhimin e selefëve për të arritur përqendrim në të nënshtruarit, na shpie në hutim, si p.sh: ata një të shtatën e Kuranit e kanë lexuar çdo ditë, namazin e natës e kanë falur rregullisht edhe në luftëra, kanë adhuruar Allahun dhe janë falur deri në thellësi të natës, edhe po të ishin në burgje. Kanë qëndruar në safa të bashkuar këmbët e tyre, lotët u rridhnin nëpër fytyrat (faqet) e tyre. Kanë menduar mbi krijimin e qiejve dhe tokës, i mashtronin gratë e tyre ashtu siç e mashtron nëna fëmijën e saj: pasi ato (gratë) i zinte gjumi, ngriheshin nga shtrati dhe falnin namaz nate. Natën e kanë ndarë për vete dhe familjen e tyre, kurse ditën e kalonin me agjërim, mësim, mësimdhënie, përcjellje të xhenazes, vizitën e të sëmurëve dhe duke i ndihmuar të tjerët. Disa nga ata, me vite të tëra nuk e kanë lëshuar tekbirin fillestar me imam në xhemat. Zemrat i kanë pasur të lidhura me xhaminë, kanë pritur namazet njërin pas tjetrit, i kanë mbajtur familjet e njëri-tjetrit vite me radhë pas vdekjes së shokëve të tyre. Me këto lloj veprimesh imani pa dyshim se rritet.

- Mosshqetësimi i vetes

Përqendrimi në vepra të mira, duke u munduar në kryerjen e tyre nuk do të thotë të nënshtruarit e trupit në mundime për të cilën ai nuk është i aftë dhe sjellja e shpirtit në kufi të mërzisë, nga të cilat ajo do të bëhej e pakujdesshme në kryerjen e ibadeteve. Qëllimi është që ibadeti i zakonshëm të mos ndërpritet. Principi i të mbajturit të njeriut në një drejtpeshim në mes dy ekstremeve është që ibadeti i tij të jetë në kufi të aftësive të tij, njëkohësisht duke e inkurajuar veten për të kryer më tepër ibadete.

Kur ndihet shpirtërisht i fuqishëm, do t'u dorëzohet ibadeteve, e kur ndien plogështi (dobësi) do të jetë mesatar duke mos iu afruar minimumit. Në të kuptuarit e këtillë na udhëzojnë hadithe të shumta të Pejgamberit të Allahut, si për shembull: "Feja është e lehtë dhe askush në të nuk e ka tepruar, e që ajo nuk e ka mundur, prandaj mbahuni rrugës mesatare."14 

Në versionin tjetër qëndron: "...bëhuni mesatarë dhe do të arrini atë që dëshironi."15

Imam Buhariu në kapitullin mbi atë që është e papëlqyer prej teprimit në adhurim transmeton hadithin nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

"Ka ardhur Pejgamberi alejhi selam dhe ka parë një litar të lidhur mes dy shtyllave dhe ka pyetur: “Ç’është ky litar?” I thanë: “I takon Zejnebes. Kur ajo lodhet gjatë të falurit, kapet tek aji.” Për këtë ai tha: "Mos veproni ashtu. Zgjidheni litarin dhe faluni (duke qëndruar në këmbë) kur jeni të çlodhur, e kur të lodheni, uluni.”16

Kur Pejgamberi alejhi selam ka marrë vesh se Abdullah ibn Amr ibn Asi tërë natën e kalonte në namaz dhe agjëronte çdo ditë pa ndërprerë, ia ndaloi një gjë të tillë duke ia sqaruar: "Nëse vazhdon kështu, do t'i dobësosh sytë e tu dhe do ta lodhësh trupin.”

 I Dërguari alejhi selam në një hadith tjetër thotë: "Obligojeni veten aq sa keni mundësi të punoni, sepse me të vërtetë i Lartësuari Allah nuk lodhet, derisa ju të lodheni e në të vërtetë tek Allahu i Lartësuar më të pranuara janë veprat në të cilat përqendrohesh (i bën vazhdimisht), qofshin ato edhe të vogla.”17

-    Plotësimi i ibadeteve të lëshuara

  Nga Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
“Atë që e zë gjumi natën kur ai zakonisht lexon Kuran, ose në një pjesë të saj, dhe e lexon (atë çka ka pas ndërmend ta lexojë natën) në kohën mes sabahut dhe drekës, do t'i shkruhet sikur ta kishte lexuar gjatë natës.”18

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke folur për ibadetin e Pejgamberit alejhi selam thotë: "Kur falte ndonjë namaz (nafile), e falte atë vazhdimisht, e kur i kalonte namazi i natës, për arsye se e kaplonte gjumi ose ndonjë dhimbje, e plotësonte atë duke i falur dymbëdhjetë rekate ditën."19 Në një transmetim tjetër: "Kur e zinte gjumi natën ose ishte i sëmurë do t'i falte ditën dymbëdhjetë rekate."20

Kur  pa Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur me të, se falte dy rekate pas ikindisë, e ka pyetur: “Pse e bën këtë?” e ai iu përgjigj me fjalët: "O bija e Ebu Umejes, më pyet për dy rekate pas ikindisë. Më ka ardhur një grup njerëzish nga fisi i Abdul Kajsit, kam qenë i zënë dhe kam lëshuar dy rekate të cilat falen pas dreke, pra këto janë ato dy rekate."21 

"E kur i kalonin katër rekate të sunetit që falen para farzit të drekës, i falte më vonë.”22

Këto hadithe na udhëzojnë në atë se sunetet e forta falen kaza. Ibn Kajimi Allahu e mëshiroftë, duke folur mbi agjërimin e Pejgamberit alejhi selam në muajin Shaban, në të cilin ka agjëruar më shumë se në muajt e tjerë, përmend tri mundësi për shkakun se pse ka vepruar kështu. Prej tyre është se Pejgamberi alejhi selam ka agjëruar tri ditë të çdo muaji dhe ndoshta në ndonjë muaj i ka lëshuar pa agjëruar tri ditë, kështu që ka agjëruar në muajin Shaban më tepër për t‘i  plotësuar për nga tri ditë për çdo muaj, para Ramazanit."23

  Çdo Ramazan, Pejgamberi alejhi selam dhjetë ditët e fundit i kalonte në itikaf dhe kur një herë nuk ka pasur mundësi të hyjë në itikaf për shkak të udhëtimit, këtë e ka kompensuar vitin e ardhshëm duke ndenjur në itikaf njëzet ditë të Ramazanit.24

-    Shpresa se veprat e mira do të pranohen dhe frika se ka mundësi që të mos pranohen

Pas dhënies së mundit gjatë bërjes së veprave të mira, duhet shpresuar se ato do të jenë të pranuara e njëkohësisht duke pasur frikë që të mos pranohen. Nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: "E kam pyetur Pejgamberin alejhi selam për ajetin: "Edha ata të cilët nga ajo që u jepet e shpërndajnë dhe zemrat e të cilëve janë plot me frikë...”

“A janë nga ata që pinë verë dhe vjedhin?” Tha: “Jo, o bija e Sidikut, janë ata që agjërojnë, falen, japin sadaka dhe frikësohen se ndoshta nuk do t'u pranohen janë ata të cilët garojnë për të bërë vepra të mira.”25 Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Sikur të isha i sigurt se Allahu i Lartësuar do të ma pranonte një namaz, do të isha më i kënaqur sesa për tërë dynjallëkun dhe gjithçka në të, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Me të vërtetë, Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve.”26

Nga vetitë e besimtarëve është që të jenë të nënshtruar para Allahut të Lartësuar dhe urdhëresave të Tij. Pejgamberi alejhi selam thotë: "Sikur njeriu të qëndrojë në sexhde që nga dita e lindjes së tij e deri në momentin e vdekjes në një pleqëri të thellë, për ta arritur kënaqësinë e Allahut, kjo do t’i ishte dukur pak në Ditën e Gjykimit."27

Kush e njeh Allahun dhe veten e tij, do t'i bëhet e qartë se e gjithë ajo çka ka punuar është e pamjaftueshme, edhe sikur të kishte bërë sa të gjithë njerëzit dhe xhinët së bashku, por Allahu i pranon veprat vetëm nga përsosmëria e Tij, dhurueshmëria, mirësia e Tij, për të cilat gjithashtu edhe shpërblen.


Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu: Eroll Nesimi
19.10.2008


--------------------------------------------------------------------------------

1 Muslimi, 1028.
2 Ali Imran, 133.
3 El-Hadid, 21.
4 Fjalë e cila përdoret tek arabët për çështje madhështore.
5 Muslimi, 1901.
6] Ta-Ha, 84.
7El-Enbija, 90.
8Ebu Davud, 5/157.
9Buhariu, 6137.
10 Buhariu, Fet'h el-Bari, 11/194.
11 Muslimi, 746-14.
12 Sexhde, 15-16.
13 Edh- Dharijat, 17-19.
14 Buhariu, 39.
15 Buhariu, 6099.
16 Buhariu, 1099.
17 Fet'h el -Bari, 3/38.
18 Sahih el-Xhami, 1228.
19 Ahmedi, 6/95.
20 Muslimi,1/515.
21 Fet'h el-Bari, 3/105.
22 Et-Tirmidhiu, 426.
23 Tehdhib es-Sunen, 3/318.
24 Fet'h el- Bari, 4/285.
25 Et-Tirmidhiu, 3175.
26 El Maide; 27  Tefsir Ibn Kethir, 3/67.
27 Ahmedi, 4/185.

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450069 visitors (1413920 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free