Shpresa

Shpresa
 
Shpresa është qetësim nga pritja e asaj çka i pëlqen njeriut. Por kjo shpresë, patjetër duhet të ketë një shkak, sepse nëse nuk ka ndonjë shkak, ajo ndjenjë quhet urim (d.m.th. e uron një gjë, por nuk e shpreson). Dynjaja është fermë e ahiretit, zemra  është si  toka e kripur, në të cilën nuk rritet fara. Dita e Kiametit është dita e korrjes, e nuk ka ç’të  korrë ai që nuk ka mbjellë, por të mbjellat nuk  rriten, përveç kur fara e tyre është imani. Por, është  e vështirë që të bëjë dobi imani në një zemër të pistë e me moral të keq, ashtu siç nuk rritet fara në një tokë të kripur. Pra, shpresa e robit për falje, duhet të matet me shpresën e bujkut për të mbjellat e tij. Çdokush që kërkon një tokë të mirë, hedh në të një farë të mirë, pastaj ia hedh në kohën që ka nevojë dhe heq nga toka gjembat dhe barërat e këqija dhe pastaj pret mirësinë e Allahut që bima të rritet dhe të arrijë maksimumin në zhvillimin e saj, pritja e saj quhet shpresë. Ndërsa pritja ose shpresa e një bujku për rritjen e bimës së tij, ndërkohë që farën e saj e ka mbjellë  në tokë të kripur, të lartë, që nuk arrin uji  etj., quhet  pritje prej budallai dhe nuk quhet shpresë. Pra, e njëjta gjë ndodh  edhe me njeriun e tillë që shpreson të korrë atë që nuk është munduar ta rrisë. Siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuran :

“E pas tyre erdhi brezi që trashëgoi librin. Këta merrnin mjete të pavlera të kësaj bote e thonin : Do të na bëhet falje.”  (Araf, 109)

“Dhe nuk besoj se do të bëhet Kiameti, por nëse bëhet të kthehem tek Zoti im, padyshim që do të gjej ardhmëri edhe më të mirë sesa  kjo.”  (Kehf, 36)                                                                                                                                         

I njohuri El Kurhij ka thënë: “Shpresa jote për mëshirën nga ajo që ti nuk je i bindur, është ulje dhe budallallëk.” E për këtë ka thënë Allahu i Lartë :

“Ata të cilët besuan, ata të cilët u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e Allahut, ata janë që e meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij.”   (Bekare, 218)

Pra, theksohet: “Ata që e meritojnë të shpresojnë” dhe nuk theksohet ekzistimi i shpresës, sepse edhe të tjerët gjithashtu shpresojnë. Shpresa ose optimizmi ndaj mëshirës së Allahut, është diçka e lavdëruar, sepse ajo është nxitëse për të punuar, ndërsa pesimizmi të largon nga puna.

Transmeton Muslimi se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të !) ka thënë :

“Kurrsesi të mos vdesë dikush nga ju, pa qenë duke menduar mirë për Allahun.”

Ndërsa Dautit (alejhi selam0 Allahu i shpalli : “Më duaj Mua, duaje atë që më do Mua dhe më bë të dashur te krijesat e Mia !” Ai tha : “O Zot, e si të të bëj të dashur tek krijesat e Tua ?”

Allahu i tha: “Më përmend Mua në formën më të mirë e më të bukur dhe përmend begatitë dhe mirësitë e Mia.”

Në lidhje me humbjen e shpresës ndaj mëshirës, dallohen dy raste :

1. Kur njeriun e mund pesimizmi, aq sa e lë edhe adhurimin.

2. Kur njeriun e pushton frika, aq sa dëmton veten dhe familjen e tij.

Këshilluesi i këtyre njerëzve, duhet të jetë i butë dhe të shikojë llojin e sëmundjes.

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë : “Dijetar është ai që nuk e humb shpresën e njerëzve ndaj mëshirës së Allahut të Lartësuar dhe nuk i siguron ata nga ndëshkimi i Allahut.” Nga shkaqet e formimit të ndjenjës së shpresës, është ajo çka vjen ndërmjet rrugës së meditimit rreth begative dhe mrekullive të Allahut të Lartësuar, si dhe ajo çka vjen nëpërmjet lajmeve të sjella nga Kurani  dhe Hadithi.

Në lidhje me shkakun e parë mund të themi: Nëse njeriu arrin të kuptojë dashamirësinë e Allahut të Lartë ndaj robërve të Tij në dynja dhe mrekullitë e mençurisë së Tij, me të cilat e ka nderuar njeriun dhe nëse arrin të mësojë se dashamirësia nuk ka munguar në rregulluesit e tij (robit) më të detajuar, atëherë si mund të jetë i kënaqur Allahu me drejtimin e njerëzve për në shkatërrim të përjetshëm? Pra, ai që është favorizuar në dunja, favorizohet edhe në ahiret dhe favorizues është një, Allahu. Ndërsa, shkaku tjetër për formimin e shpresës, është edhe informacioni që vjen në lidhje me këtë, siç është fjala e Allahut të Lartë :

“Thuaj! O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet, Allahu  i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues.”  (Zumer, 53) 

“…Ndërkaq, engjëjt vazhdimisht madhërojnë (bëjnë tesbih) duke falenderuar Zotin e tyre dhe kërkojnë falje të mëkateve për ata (besimtarët) që janë në tokë.”  (Shura, 5)

Po kështu, Allahu i Lartë tregon se ka përgatitur për armiqtë e Tij zjarr, ndërsa miqtë e Tij  i frikëson me zjarrin e thotë: “ Se ata do të kenë shtresa të zjarrit edhe sipër edhe për fundi. Me këtë Allahu i frikëson robërit e Vet.”   (Zumer, 16) 

“Ruajuni zjarrit që është përgatitur për jobesimtarët.”   (Ali Imran, 131)

“ Unë u kam tërhequr vërejtjen për zjarrin e ndezur fort. Që aty nuk hyn tjetër, përveç atij që është më i prishuri, i cili përgënjeshtroi dhe u zmbraps.”   (Lejl, 14-16) 

Transmetohet nga Ebu Hurejre se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “ Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nëse nuk do të mëkatonit, Allahu do t’ju hiqte juve dhe do të sillte të tjerë që mëkatojnë dhe i kërkojnë falje dhe Allahu i fal.”   Transmeton Muslimi.

Transmeton Ebu Sejid el Hudrij se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë : “Allahu i Madhëruar, Ditën e Kiametit thotë : “ O Adem, ngrihu dhe dërgoi ata që dërgohen në zjarr.” Ai thotë : “ Si urdhëron, të përgjigjem e hajri është në dorën Tënde. O Zot, e kush janë ata që dërgohen në zjarr?” Allahu thotë : “ Në çdo 1000 (njerëz ), 999.” Atë ditë thinjet fëmija. Allahu i Lartësuar thotë :

« Çdo shtatzënë e hedh para kohe barrën e saj, ndërsa njerëzit duken të dehur, por ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.”  (Haxh, 2) 

Njerëzit u ngushtuan shumë për këtë, saqë ndryshuan fytyrat e tyre dhe thanë : “ O Resulullah ! Cili do të jetë ky i vetmi nga ne që do shpëtojë?” Atëherë Resulullahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha : “Nga jexhuxhë-mexhuxhët 999, e nga ju 1.” Njerëzit thanë : “Allahu Ekber.” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha :

 “ Pasha Allahun, unë shpresoj që të jeni 1/4 e xhenetit. Pasha Allahun, unë shpresoj që të jeni 1/3 e xhenetit. Pasha Allahun, shpresoj që të jeni sa 1/2 e banorëve të xhennetit.” Njerëzit bënë tekbir, kurse ai tha : “Ju s’do të jeni tjetër atë ditë, veçse si një qime e bardhë në rrobën e zezë, ose si një qime e zezë në  rrobën e bardhë.” Ja si  e  ndërthur ai shpresën me frikën, njëherë solli frikën dhe kur u shkaktoi shqetësim, solli butësinë. Pra, kur zemrat të jenë të qetësuara me kënaqësi dhe epshe, duhet të shqetësohen dhe kur shqetësimi i tyre të ashpërsohet, atëherë duhet që të qetësohen, që të arrijnë në gjendjen normale. Ibn Mesudi ka thënë : “Allahu i Madhërishëm do të japë Ditën e Kiametit një falje, të cilën as që e ka menduar njeri.” Transmetohet se një mexhus  (zjarrputist) e ftoi Ibrahimin (alejhi selam) e ai nuk pranoi dhe i tha : “Nëse pranon Islamin, do ta pranoj ftesën.”Ai refuzoi e u zmbraps. Atëherë, Allahu i Lartë i shpall atij : « O Ibrahim, që prej 70 vjetësh e ushqej Unë atë, duke qënë kafir (jobesimtar). E ç’bëhet për ty, nëse i shkon musafir një natë? » Ibrahimi (alejhi selam) nxitoi drejt atij dhe i tregoi çfarë i kishte ndodhur dhe ai u magjeps nga butësia e Allahut të Lartë dhe pranoi Islamin.

Pra, përmendëm disa shkaqe me të cilat fitohet shpirti i shpresës tek zemrat e njerëzve të frikësuar e pesimistë. Ndërsa, për sa iu përket mendjemëdhenjëve dhe mburravecëve, nuk duhet të dëgjojnë asgjë nga këto fjalë, por të dëgjojnë shkaqet e  frikësimit.

 

 Përgatiti: Erion Sula

Advertisement
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 269007 visitors (1060515 hits) klikime.=>
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=