Për vëllazërimin

Për vëllazërimin
 
 
 
   Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë: “Vërtetë besimtarët janë vëllezër, ndaj bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kijeni frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar.” (El-Huxhurat, 10)
   Ky ajet kuranor na tregon qartë se besimtarët muslimanë duhet të jenë vëllezër të vërtetë mes tyre. Të gjithë muslimanët kudo qofshin në botë i bashkon një gjë e vetme: njësimi i Allahut në besim dhe adhurim dhe për këtë nuk kanë si të jenë ndryshe përveçse vëllezër.
Në të vërtetë vëllazërimi në Islam nuk është thjesht një detyrë fetare, por një parim nga parimet themelore islame. Pikërisht për këtë shohim se Pejgamberi alejhi selam, sapo mbërriti në Medinë, vendosi themelet e shtetit islam. Themeli i parë ishte ndërtimi i xhamisë, faltorja në të cilën do të adhurohej Allahu i vetëm dhe i pashoq, ndërsa themeli i dytë ishte vëllazërimi mes të shpërngulurve nga Meka (muhaxhirëve) dhe banorëve vendas të Medinës (ensarëve).
   Duke u bazuar te kjo mësojmë se vëllazërimi i vërtetë islam është i ndërtuar mbi besimin dhe sinqeritetin, prandaj muslimani duhet të dojë për tjetrin atë që do për vete. Për këtë Pejgamberi alejhi selam thotë: “Nuk ka besuar siç duhet askush prej jush derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe miqësinë që kanë mes tyre është si shembulli i trupit; kur lëngon një organ në të, lëngon i gjithë organizmi.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   “Besimtari me besimtarin janë si ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin (dhe i lidhi gishtat e tij).” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   “Vërtetë prej robërve të Allahut ka disa që nuk janë Pejgamberë, por ua kanë zilinë si Pejgamberët, ashtu edhe shehidët.” I thanë: “Cilët janë ata, që t’i duam.” Pejgamberi alejhi selam tha: “Ata janë njerëzit të cilët janë dashur mes tyre nëpërmjet dritës së Allahut, pa pasur afërsi fisnore me njëri-tjetrin.” (Transmeton Ibn Hibani)
   “Besimtari është pasqyrë dhe vëlla me besimtarin tjetër, e ndihmon atë në jetën e tij dhe po ashtu e ruan dhe e mbron kur ai nuk është i pranishëm.” (Transmeton Ebu Davudi)
   Nga shkaqet të cilat të çojnë drejt dashurisë vëllazërore janë përhapja e selamit në mesin e besimtarëve, bërja e dhuratave, buzëqeshja, të bërit mirë etj.. Pejgamberi alejhi selam thotë: “Pasha atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni dhe s’keni për të besuar derisa të duheni. A t’ju tregoj për diçka që, nëse e veproni, do të duheni mes jush? Përhapeni selamin mes jush.” (Transmeton Muslimi)
   “Shtatë persona do të jenë në hijen e Arshit të Allahut atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç saj”, dhe prej tyre përmendi dy njerëz të cilët duhen në emër të Allahut, që takohen dhe ndahen për këtë.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   “Dhurojini njëri-tjetrit e do të duheni midis jush.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është sadaka.” (Transmeton Tirmidhiu)
   “Kush mund t’i sjellë dobi vëllait të vet, le ta bëjë këtë.” (Transmeton Ibn Hibani)
   “Besimtari i vërtetë është ai që jep dhe merr dashamirësi. Nuk ka mirësi ai që nuk jep dhe nuk merr dashamirësi dhe më i miri ndër ju është ai që u sjell më shumë dobi njerëzve.” (Transmeton Derakutni)
   Vëllazërimi i vërtetë plotësohet vetëm nëse zemrat janë pastruar nga sëmundje si smira, zilia, inati, urrejtja, xhelozia, lakmia, mendjemadhësia, mburrja, egoizmi etj.. Pejgamberi alejhi selam na ka ndaluar në shumë hadithe profetike nga këto sëmundje, pasi ato janë shkaqet kryesore që e prishin vëllazërinë dhe harmoninë mes besimtareve.
Pejgamberi alejhi selam thotë: “Mos u urreni mes jush, mos kini smirë, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos u ndani, por jini robër të Allahut, vëllezër.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   “Ruhuni nga mendimet e këqija (hamendësimet) sepse ato janë mendimet më të rrejshme, mos spiunoni njëri-tjetrin, mos konkurroni mes jush, mos kini smirë, mos u urreni dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, por jini robër të Allahut, vëllezër, ashtu si Ai ju ka urdhëruar. Muslimani është vëlla me muslimanin, nuk i bën atij padrejtësi, nuk e braktis dhe nuk e nënçmon.” (Transmeton Muslimi)
   “A t’ju tregoj se cili është më i miri dhe më i keqi prej jush? Një burrë i tha: “Po, o i Dërguar i Allahut.” Atëherë, Pejgamberi alejhi selam tha: “Më i miri ndër ju është ai prej të cilit shpresohet e mira dhe jeni të siguruar nga e keqja e tij, ndërsa më i keqi ndër ju është ai prej të cilit nuk shpresohet e mira dhe prej tij pritet e keqja.” (Transmeton Tirmidhiu)
“Shembulli i besimtarit të vërtetë është si shembulli i bletës, e cila nuk ha vetëm se të mirën dhe nuk jep vetëm se të mirën.” (Transmeton Ahmedi dhe Ibn Hibani)
   Një burrë i tha Umer ibn Abdulazizit duke e këshilluar: “Konsideroje më të moshuarin e muslimanëve si baba, më të voglin e tyre fëmijë dhe të mesmin e tyre vëlla. Cilit prej tyre do t’i bëje keq?”
Jahja ibn Muadh Er-Razi thotë: “Besimtari duhet të presë prej teje tri gjëra; nëse nuk i sjell dobi, mos i bëj dëm, nëse nuk e gëzon, mos e hidhëro dhe nëse nuk e lavdëron atë, mos e nënçmo.”
   Besimtari i vërtetë gjithmonë është në shënjestër të shejtanit, i cili vazhdimisht nxit për prishjen vëllazërore dhe të harmonisë islame. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Vërtetë shejtani dëshiron që t’ju hedhë në armiqësi dhe urrejtje mes jush.” (El-Maide, 91)
   Për këtë muslimani duhet të jetë gjithnjë vigjilent dhe të mos bjerë pre e shejtanit, por ta luftojë atë duke u vëllazëruar më shumë me muslimanët e tjerë, duke u treguar tolerant dhe mëshirues ndaj besimtarëve. Të përpiqet vazhdimisht të jetë në ndihmë të tyre si dhe të bëjë vazhdimisht lutje për ta. Këto janë virtytet e vërteta të besimtarëve. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Muhamedi është i Dërguari i Allahut e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër ndaj jobesimtarëve dhe të mëshirshëm mes tyre.” (El-Fet’h, 29)
   Pejgamberi alejhi selam thotë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi atij dhe nuk e dorëzon atë. Ai që gjendet pranë vëllait të tij për hallin që ka, Allahu do t’i gjendet pranë në hallin e tij.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   “Kush ia largon një brengë vëllait të tij, Allahu do t’ia largojë një brengë nga brengat e Ditës së Gjykimit. Kush ia lehtëson gjendjen atij që është në vështirësi, Allahu do t’ia lehtësojë gjendjen e tij në dynja dhe ahiret. E, kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu do t’ia mbulojë të metat në dynja dhe ahiret. Allahu është në ndihmë të robit të tij derisa ky të jetë në ndihmë të vëllait të tij.” (Transmeton Muslimi)
   “Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që u sjell më shumë dobi njerëzve. Puna më e mirë tak Allahu është të fusësh një gëzim në zemrën e muslimanit ose t’i largosh atij një brengë, t’i lash borxhin apo t’i largosh urinë. Sikur të eci me vëllanë tim për t’i zgjidhur atij një hall është më e mirë për mua se një muaj itikaf në këtë xhami.” (Transmeton Taberaniu)
   Me gjithë këto argumente që përmendëm mbi vëllazërimin islam, përsëri shejtani mund të gjejë shteg të veprojë e të nxisë për të prishur këtë vëllazërim duke i bërë muslimanët për arsye nga më të ndryshmet që të largohen nga njëri-tjetri, të armiqësohen, të urrehen, të përgojohen, të tregojnë mendjemadhësi e arrogancë mes veti e madje në shumë raste t’i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit. Pejgamberi alejhi selam thotë: “Do ta godasë umetin tim sëmundja e popujve të tjerë; mohimi i së mirës, mendjemadhësia, shtimi i pasurisë, konkurrenca për dynjanë, urrejtja dhe smira, derisa të ndodhë padrejtësia mes jush.” (Transmeton Hakimi)
   Muslimani i vërtetë e i sinqertë nuk duhet të mashtrohet për gjëra të vogla e interesa personale dhe të prishë vëllazërinë e harmoninë mes muslimanëve. Ai nuk duhet të mendojë keq, nuk bën të dyshojë, të hulumtojë e të ndjekë të metat e të tjerëve. Nuk bën të përgjojë e të merret me thashetheme. Kur të shohë se dy muslimanë nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, duhet t’i pajtojë pasi ata janë vëllezër e s’bën që me këtë të kënaqet shejtani, sepse ai është armiku i vërtetë. Allahu në Kuran thotë: “Vërtetë besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve.” (El-Huxhurat, 10)
Në një ajet tjetër thotë: “Ndihmoni mes veti me të mira dhe devotshmëri e mos u ndihmoni në mëkate e në armiqësi.” (El-Maide, 2)
   Pejgamberi alejhi selam thotë: “Nuk i lejohet muslimanit të qëndrojë në hidhërim me vëllanë e tij më tepër se tri ditë, kur takohen, i kthejnë krahët njëri-tjetrit; më i miri është ai që fillon i pari me selam.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
   Në një transmetim tjetër nga Ibn Hibani, Pejgamberi alejhi selam thotë: “Nëse njëri prej të dyve i jep selam dhe tjetri nuk ia kthen, atij që jep selam do t’ia kthejnë selamin melekët, ndërsa tjetrit do t’ia kthejë shejtani.”
   “Kush hidhërohet (nuk i flet) vëllait të tij për një vit, e ka gjynahun sikur ta ketë vrarë atë.” (Transmeton Ebu Davudi)
   “Punët paraqiten tek Allahu çdo të hënë e të enjte dhe Allahu ia fal gabimet çdonjërit që nuk i shoqëron Allahut shok, përveç atij që ka urrejtje dhe armiqësi me vëllanë e tij dhe u thotë melekëve: “Lërini ata të dy derisa të pajtohen.” (Transmeton Muslimi)
   “Të drejtat që ka muslimani ndaj muslimanit janë gjashtë; t’i japë selam kur ta takojë, t’i përgjigjet ftesës kur ai e fton, të jetë i sinqertë e i kulluar kur ai ia kërkon këtë, t’i thotë Allahu të mëshiroftë kur pas teshtimës ai falënderon Allahun, ta vizitojë kur të sëmuret dhe kur të vdesë, ta përcjellë.” (Transmeton Muslimi)
   “Kush i ka bërë vëllait të tij një padrejtësi, le t’i kërkojë hallallin sot, para se të mos vlejë më ari dhe argjendi (Ditën e Gjykimit) dhe t’i merret puna e mirë në sasinë e padrejtësisë dhe nëse nuk ka punë të mira, atëherë merr prej gjynaheve të vëllait të tij.” (Transmeton Buhariu)


Mustafa Tërniqi

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451443 visitors (1419616 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free