Gjërat kryesore që duhet t’u sqarohen njerëzve në mënyrë sa më të qartë

 
 
 
Gjërat kryesore që duhet t’u sqarohen njerëzve në mënyrë sa më të qartë

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Krijuesit të gjithësisë, Udhëzuesit të njerëzisë, Gjykuesit në Ditën e Llogarisë. Paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, më të nderuarin e Profetëve dhe të Dërguarve, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Çështja kryesore në të cilën ftohet dhe për të cilën obligohen thirrësit t’ua sqarojnë njerëzve, siç e kanë sqaruar të gjithë të Dërguarit, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta, është ftesa në ndjekjen e rrugës së drejtë, në rrugën e Allahut, e cila është Islami.

Islami është feja e vërtetë e Allahut

Ky është qëllimi dhe mejdani i thirrjes. Allahu i Madhëruar thotë: “Fto në rrugën e Zotit tënd…” (Nahl, 125)

Por cila është rruga e Allahut? Rruga e Allahut është Islami, është feja e drejtë për të cilën dërgoi të Dërguarin e Tij Muhamedin, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Kjo është ajo gjë në të cilën është obligim të ftohen njerëzit.

Jo në rrugën (medhhebin) e filanit apo në menhexhin e filanit. Rruga është ajo që ka zgjedhur për ne Allahu dhe menhexhi është ai që ka vendosur i Dërguari i Tij Muhamedi, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Rruga në të cilën na drejton Kurani dhe Suneti i pastër i Profetit, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Por cila është më kryesorja brenda kësaj rruge?

Më kryesorja dhe më e rëndësishmja është thirrja në besimin (akiden) e pastër me sinqeritet vetëm për hir të Allahut të Madhëruar, në njësimin e Tij, në bindjen dhe adhurimin e Tij, në besimin në engjëjt, të Dërguarit dhe librat e Tij, në besimin në Ditën e Gjykimit (ditën e llogarisë), në besimin se çdo e mirë dhe e keqe vjen vetëm me caktimin dhe dijeninë e Tij (Allahut, që është pa të meta dhe i Lartmadhëruar) si dhe në çdo gjë për të cilën na ka lajmëruar i Dërguari i Tij Muhamedi, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Këto janë bazat dhe themelet e rrugës së drejtë.
Gjithashtu nga gjërat parësore dhe të rëndësishme në këtë rrugë është thirrja në dëshminë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, e cila është baza e teuhidit.

Gjithashtu përfshihet thirrja në besimin e çdo gjëje që na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në lidhje me këtë botë dhe botën tjetër si dhe në ato gjëra që do të ndodhin në kohën e fundit (ekhiru zemen).

Obligohet thirrësi të ftojë në kryerjen e atyre gjërave që i ka urdhëruar Allahu i Lartësuar, si: falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit, të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja, të luftosh me çfarë ke mundësi në rrugën e Allahut si dhe zbatimi i atyre gjërave që i ka caktuar Allahun në pastërti, në namaz, në mirësjellje me prindërit, në mirësjellje me të tjerët, në martesë, në ndërtimin e familjes, në edukimin e fëmijëve, si dhe në çdo gjë tjetër të ngjashme me këto sepse feja e Allahut është fe e gjerë që përmbledh çdo gjë. Ajo përmbledh rregullimin e jetës se njerëzve në këtë botë dhe në botën tjetër, përmbledh çdo gjë që u nevojitet njerëzve në jetën e përditshme në çështjet e tyre fetare apo shoqërore; fton në norma të larta morali dhe mirësjellje sikurse ndalon nga morali i ulët dhe sjellja jo e mirë.

Islami është:
- Adhurim dhe udhëheqje.
Muslimani është rob që i nënshtrohet dhe e adhuron Allahun sikurse është komandat në luftë dhe udhëheqës e drejtues në jetën e përditshme.

- Adhurim dhe drejtësi.
E adhuron Allahun, falet, agjëron ashtu sikurse gjykon me drejtësi duke zbatuar ligjet e të Lartmadhëruarit.

- Libër dhe shpatë.
Lexon Kuranin me vëmendje i përqendruar në urdhrat dhe këshillat e tij si dhe i zbaton ato me forcë dhe me seriozitet.

- Politikë dhe bashkim.
Ai fton në moral të lartë, në vëllazërim për hir të Allahut, në bashkim dhe lidhje midis njëri-tjetrit. Allahu i Madhëruar thotë: “Kapuni të gjithë për litarit të Allahut dhe mos u përçani.” (Ali Imran, 103)

Feja e Allahut fton në bashkim si dhe në një politikë të drejtë dhe të ndershme, e cila bashkon dhe nuk përçan, afron dhe nuk largon, thërret në pastrimin e zemrave, në respekt ndaj njëri-tjetrit, në bashkëpunim për të mirë dhe devotshmëri dhe jo në korrupsion dhe tradhti si dhe në këshillimin e robërve të Tij.

- Gjithashtu Islami fton në mbajtjen e amanetit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet Allahu ju urdhëron juve ta ktheni amanetin tek i zoti i tij, e n.q.s. gjykoni midis njerëzve, të gjykoni me drejtësi.” (Nisa, 58)

- Feja islame është adhurim, politikë dhe ekonomi.
Islami fton në ekonominë fetare, e cila ndryshon nga kapitalizmi shtypës, shfrytëzues dhe i padrejtë: kapitalistëve nuk u interesojnë gjërat që Allahu i ka ndaluar dhe përdorin çdo lloj mënyre për të fituar pasuri apo për të arritur atë që kanë për qëllim, sikurse ndryshon edhe nga ekonomia e përbashkët komuniste, e cila nuk e respekton pasurinë e njerëzve e as nuk e ka problem se u mohon atyre të drejtat.
As e para e as e dyta! Është e mesmja midis dy ekonomive, e mesmja midis dy rrugëve, e vërteta midis dy mashtrimeve.

Perëndimi e adhuron pasurinë duke e tepruar në dashurinë dhe grumbullimin e saj. E fitojnë atë me çdo lloj mënyre pa iu frikësuar fare asaj që e ka ndaluar Allahu. Ndërsa Lindja komuniste, ateiste dhe të gjithë ata që e ndoqën atë nuk e respektonin pasurinë e njerëzve, ua morën atyre duke i nënvlerësuar pa u interesuar fare personaliteti i tyre e as djersa dhe mundimi që kanë derdhur ata për këtë pasuri. Jo vetëm kaq; I kthyen ata në robër, i shtypën dhe i shfrytëzuan pa mëshirë, ua mohuan Zotin dhe fenë. Thanë nuk ka Zot, feja është opium … etj., etj. E shfrytëzuan pasurinë e njerëzve, zgjuarsinë e tyre, djersën dhe mundin e tyre si dhe çdo gjë që ua dhuroi atyre Furnizuesi i botëve dhe në fund i bënë ata armiq të vendit të tyre.

As e para e as e dyta! Islami urdhëron ruajtjen e pasurisë, fitimin e saj në mënyrë të lejuar; larg padrejtësive, mashtrimeve, dyfytyrësisë, marrjes nga e drejta e të tjerëve padrejtësisht. Islami është e mesmja midis dy sistemeve, midis dy ekonomive, midis dy rrugëve që përfundojnë me shkatërrim në këtë botë dhe në botën tjetër. Islami lejon pasurinë, fton në fitimin e saj në mënyrë që nuk të largon nga bindja e Allahut, të Dërguarit të Tij si dhe nga kryerja e asaj për të cilën je i obliguar. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë tuaj, midis jush padrejtësisht.” (Nisa, 29)
Profeti, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Çdo musliman e ka të ndaluar gjakun pasurinë dhe nderin e vëllait të tij musliman.”

Gjithashtu Profeti, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “N.q.s. ndonjëri prej jush merr litarin e tij, sjell një barrë me dru dhe e shet atë; e me këto para kryen nevojat e tij, është më e mirë për të sesa t'u lypë njerëzve; dikush i jep e dikush jo.”

Është pyetur Profeti, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se cila është puna (fitimi) më i mirë? Është përgjigjur: “Puna (fitimi) i njeriut nga dora e tij…”

Gjithashtu Profeti, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk do të hajë ndonjëri prej jush ushqim më të shijshëm sesa ai që ka fituar me dorën e tij. Profeti i Allahut Daudi, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, hante nga puna (fitimi) i dorës së tij.”

Këto argumente nga Kurani dhe Suneti i Profetit, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na tregojnë rolin e Islamit në ekonomi, i cili nuk pajtohet me kapitalizmin tiran të Perëndimit dhe ndjekësit e tij, e as me komunizmin ateist, i cili i ndaloi njerëzit nga pasuria e tyre dhe i ktheu ata në pronë të shtetit. Islami i jep njeriut të drejtat e tij. Njeriu është ai që zotëron dhe menaxhon pasurinë e tij, të cilën e ka fituar në mënyrë të lejuar pa e kundërshtuar Krijuesin e tij.

- Gjithashtu Islami fton në vëllazëri për hir të Allahut.
Islami fton në këshillim dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, sikurse ndalon nga smira, urrejtja, mashtrimi, tradhtia si dhe nga çdo sjellje morale e ulët. Allahu i Madhëruar thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë Eulija (ndihmues, mbrojtës e miq) të njëri-tjetrit.”
Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet besimtarët janë vëllezër…”

Profeti, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën atij padrejtësi, nuk e nënvlerëson e as nuk e poshtëron atë.”

Siç u përmend në hadith, muslimani është vëlla i muslimanit prandaj është i obliguar ta respektojë dhe të mos e nënvlerësojë atë, të flasë për të vetëm të vërtetën sikurse është i obliguar t’i japë atij të gjitha të drejtat që ia ka lejuar Allahu. Profeti, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë (pjesët e të cilës) mbajnë njëra-tjetrën.”
Gjithashtu Profeti, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Besimtari është pasqyrë e besimtarit.”

Atëherë ti o vëlla, pasqyrë e vëllait tënd, pjesë (bllok) në shtyllat mbi të cilat është ngritur ndërtesa e vëllazërisë për hir të Allahut, kije frikë Allahun në të drejtat e vëllait tënd musliman, mos ia humb atij të drejtat as mos i fshij atij të vërtetat duke u përqendruar vetëm në gabimet e tij, sillu me të me drejtësi duke e këshilluar me sinqeritet. Merre Islamin të plotë e jo merr diçka e lër diçka tjetër: ai ka ardhur i plotë nga Allahu, i Cili nuk ka të meta e as nuk gabon. Mos merr vetëm besimin duke i harruar kushtet dhe veprat e tij, e as vetëm veprat dhe sjelljet pa besuar. Merre besimin me të gjithë kushtet e tij dhe zbatoje atë në çdo gjë në familje, në shoqëri, në politikë, në ekonomi e në çdo gjë me të cilën ndeshesh në jetën e përditshme.

Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë (të besimit islam)! Hyni në mënyre të përkryer në Islam (duke iu nënshtruar të gjitha rregullave dhe ligjeve të tij) dhe mos i ndiqni gjurmët e shejtani. Pa dyshim që ai është për ju armik i hapur.”

Disa nga selefët (të parët tanë) thanë: “Allahu i Madhëruar ka thënë: “Hyni në mënyrë të përkryer në paqe (në Islam)…” (siç është kuptimi origjinal i ajetit) sepse paqe është Islami: për arsye se kjo fe është rruga e paqes, rruga e shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër.

Islami është feja e paqes; e ndalon gjakun e njerëzve dhe e mbron atë, vetëm në ato raste në të cilat e ka vendosur Allahu si dënim për disa vepra të rënda që shkatërrojnë jetën e njerëzve, si p.sh vrasja e një personi padrejtësisht. Si dhe në rastet kur obligohet mbrojtja e fesë, vendit, nderit dhe pasurisë.

Islami është paqe dhe nënshtrim (ndaj Allahut), siguri dhe besim. Prandaj Allahu i Madhëruar thotë: “Hyni në mënyrë të përkryer në paqe…”. Merrni të gjitha kushtet e besimit siç kanë zbritur nga Allahu dhe jo siç u interesojnë dhe ju përshtatet juve. Më pas Allahu i Madhëruar thotë: “ … dhe mos i ndiqni gjurmët e shejtanit…” Largohuni nga çfarë ka ndaluar Allahu sepse shejtani thërret në to dhe në largimin nga feja e Krijuesit. Prandaj duhet të kapeni për fenë e Allahut dhe të bashkoheni në litarin e Tij si dhe të largoheni nga çdo rrugë dhe shkak përçarjeje në çdo rast.

Nuk është prej cilësive të muslimanit të duash një person sepse është në të njëjtin mendim me ty në një çështje dhe të urresh dikë tjetër sepse të kundërshton në një çështje apo mendim, ose fare thjesht se ai merr mendimin e dikujt tjetër (muslimani) të cilin ti nuk e pranon ose nuk e pëlqen. Kjo siç e përmendëm edhe më lart nuk bën pjesë tek thënia e së vërtetës për vëllanë tënd musliman. Sahabët (shokët e Profetit), njerëzit që e mësuan në mënyrë më të përsosur fenë, kanë pasur kundërshtime në shumë gjëra midis tyre sepse kjo është nga natyra e njeriut; porse kjo nuk ndikoi në dashurinë, vëllazërimin dhe sinqeritetin midis tyre. Gjithashtu sot n.q.s. dijetarët nuk janë të gjithë në një mendim në një çështje, kjo nuk do të thotë që ne të pajtohemi me një grup dhe të urrejmë pjesën tjetër, duke i shpallur ato armiq, duke ndaluar leximin e librave, dëgjimin e kasetave të tyre…etj. Kjo gjithashtu nuk është prej cilësive të muslimanit, që përmendëm më lart.

Besimtari punon me ligjin e Allahut dhe gjykon me të drejtë. E prezanton fenë e tij tek çdo njeri me argument. Nuk i bën padrejtësi vëllait të tij, nuk flet keq për të nëse nuk pajtohet me të në një mendim rreth një çështjeje. Ti je i obliguar ta këshillosh atë, të duash për të mirën dhe të mos ushqesh në zemrën tënde armiqësi dhe urrejtje për ndonjërin prej tyre .

Islami është feja e drejtësisë, feja e gjykimit me të drejtë dhe mirësisë, feja e barazisë. Ai thërret për çdo të mirë, për moral sa më lartë si dhe për sjellje të mira: largim nga çdo e keqe dhe nga sjelljet e ulëta. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet Allahu urdhëron për drejtësi, të punosh mirë, në ndihmë dhe bujari ndaj të afërmve; ndalon nga politeizmi, ligësitë, imoraliteti, mosrespekti ndaj prindërve, gënjeshtra, nga gjërat e urryera si dhe nga çdo lloj shtypje dhe padrejtësie. Ai ju qorton dhe ju udhëzon në mënyrë që të vini mend.”

Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre e ju bëmë juve kombe dhe fise që të njiheni midis njëri-tjetrit. Pa dyshim më i nderuari juaj tek Allahu është ai që është më i devotshëm (që i frikësohet dhe i përkushtohet më shumë Allahut dhe të Dërguarit të Tij).”

Përmbledhje
Çdo thirrës në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, obligohet të ftojë në fenë e Allahut plotësisht e të mos i përçajë njerëzit. Të mos jetë fanatik i një medhhehi duke i urryer ose duke mos i pranuar medhhebet e tjerë e as një dijetari apo grup dijetarësh duke mos pranuar asgjë nga dijetarët e tjerë. Të marrë të mirat dhe të vërtetën nga çdo njeri, duke e lënë gjykimin për të tek Allahu, i vetmi Mbikëqyrës dhe Gjykues. Thirrësi obligohet për të përhapur të vërtetën për ta bërë atë sa më të qartë dhe për t’i forcuar njerëzit në të edhe n.q.s. e kundërshton mendimin e dikujt apo dikujt tjetër. Ky është qëllimi i tij parësor dhe përfundimtar. Baza e tij është Kurani dhe Suneti i Profetit, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Atëherë kur tek njerëzit u përhap fanatizmi për një medhheb nga një tjetër, për një personi nga një tjetër; atëherë kur njerëzit filluan të thoshin se medhhebi filan është i saktë dhe të tjerët kanë shumë gabime; se menhexhi i filanit është i sakti dhe të tjerët janë gabim; atëherë kur çdo person urrente vëllanë e tij musliman, atëherë kur muslimanët e lanë dijen dhe filluan të gjykonin sipas epsheve dhe kënaqësive të tyre, atëherë kur u larguan nga Suneti i Profetit, filloi përçarja midis muslimanëve derisa arriti gjendja këtu ku është sot .

Prandaj obligohet çdo besimtar që t’i japë të drejtën vëllait të tij, që të mos e urrejë atë për një gabim të tij apo për ndonjë mospajtim si dhe ta këshillojë atë nga injoranca, fanatizmi apo nga një imitim i verbër i cili ka përçarë dhe po përçan umetin (popullin) e Muhamedit, paqja e Allahut dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Gjithashtu thirrësi obligohet të ndjekë atë që ka argument më të qartë dhe më të saktë sepse kjo është feja jote, duhet ta kuptosh drejt dhe të jesh i kënaqur me gjykimet e saj si dhe t’i këshillosh të tjerët nëse kërkojnë diçka nga ti dhe t’i frikësohesh Allahut për çdo fjalë që nxjerr nga goja.

E lus Allahun që t’i bashkojë muslimanët kudo që janë!
Es selam alejkum ue rrahmetullahi ue berekatuhu!

 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 450068 visitors (1413891 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free