Feja apo kombi
Feja apo kombi
 
 
 
BISMIL-LAHIRR-RRAHMANIRR-RRAHIM
         Falenderojmë Allahun dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. E lusim Atë që Pejgamberin ta lavdërojë dhe ta sigurojë.
        Çështja e përkufizimit të fesë dhe kombit si nocione shoqërore, në kohën tonë është një temë tejet me rëndësi, për arsye se shumë prej njerëzve kanë rezerva të paarsyeshme ndaj përkufizimit të njërit nocion apo të dyve, dhe jo rrallëherë edhe i ngatërrojnë të kuptuarit e fesë dhe kombit deri në atë shkallë sa fillojnë të mendojnë se feja dhe kombi përballen dhe kundërshtohen njëri me tjetrin. Nganjëherë dikush anon nga njëra përballë tjetrës duke krijuar kështu një betejë mes dy gjërave që ato në realitet nuk atakohen fare.
        Feja dhe kombi janë dy çështje të një drejtimi që nuk konfrontohen ndërmjet veti assesi dhe nuk i hy njëra në përmbajtjen e tjetrës në asnjë mënyrë.
        Fe është programi i Allahut i zbritur për njerëzit, që u mëson atyre bazat e besimit si dhe mënyrën e jetësimit të atij besimi duke rregulluar raportet e njeriut me Krijuesin e tij, me vetën dhe familjen e tij si dhe  me shoqërinë në përgjithësi. 
         Komb është një bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës. Kjo që sot mund të jetë si sinonim i fjalës "etni".
Edhe pse nocioni komb bëhet i njohur shumë vonë në histori, domethënia e tij ekziston pas pasardhësve të Nuhut, alejhis selam. Ndërkohë që feja është e njohur dhe daton me njeriun e parë, babën e njerëzimit, Ademin, alejhis selam.
         Thash se këto dy nocione nuk përballën njëri me tjetrin. Edhe gjatë historisë një gjë e tillë nuk ka ndodh. Asnjëherë nuk ka ndodh që me emrin e ndonjë feje të ketë qenë për qëllim ndonjë bashkësi popullore e caktuar që flet një gjuhë të caktuar, në një territor të caktuar etj., por gjithmonë me fe është pas për qëllim besim i caktuar, me rituale të caktuara të adhurimit, me simbole të caktuara etj. E kundërta ka ndodhur. Me emrin e fesë së caktuar ka raste që njerëzit kanë emëruar edhe kombin e tyre, nga dashuria që kanë pasur për fenë e tyre. Siç është rasti me çifutët që e quajnë kombin e tyre me nocionin e fesë jehude, apo rasti i boshnjakëve që quheshin muslimanë. Në këto dy raste kemi një emër që mund t'i ketë të dy kuptimet; atë fetar dhe tjetrin kombëtar. Pra banori i Bosnjës mund të ishte musliman dhe musliman. Po të kishte besim tjetër p.sh. do të ishte qytetari i Bosnjës ortodoks me fe, musliman me komb. Pra shihet qartë se nocioni i kombit prapë nuk është ngatërruar me atë të fesë.
       Megjithatë feja dhe kombi janë çështje të ndara njëra me tjetrën dhe nuk kanë kundërshti në mes veti. Po ashtu  njëri nocion nuk mund ta zëvendësoj tjetrin, pasi që përmbajtja dhe kuptimet janë të ndara.
         Në botë kombe ka më shumë se fe. Shumë kombe (etni) mund të kenë dhe praktikisht kanë një fe. Po ashtu brenda një kombi mund të ketë pjesëtarë të feve të ndryshme.
Mund të bëhet një pyetje tani. Si u bë që Krijuesi i njerëzisë të jetë Një i Vetëm dhe pastaj të linden popuj (kombe) e fe të ndryshme? Kësaj pyetje do t'i përgjigjemi në pjesë të veçanta sa i përket feve dhe kombeve.
         Së pari krijimi i shumë kombeve, racave, gjuhëve etj. kjo gjë nuk është bë me rastësi. Gjithçka nga krijesat e Zotit është e krijuar në familje e lloje të ndryshme. Dhe kjo është prej begative që Allahu i krijoi për njerëzimin. Në Kur'an thotë: "A nuk e sheh se Allahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me te fruta, ngjyra (lloji) e të cilëve është e ndryshme." (Fatir, 27)
         A nuk e sheh mollën p.sh. sa lloje janë të këtij fryti, të cilat kanë ngjyra madje edhe shije të ndryshme jonatane, delishese, të gjelbër, të egër etj. Pastaj rrushi i bardhë e i zi, si dhe llojet e tyre. Pra nga çdo lloj i pemëve dhe i perimeve kemi lloje dhe ngjyra të ndryshme, me shije të ndryshme, speca të gjatë, dollma, pastaj djegës, jodjegës etj.
          Allahu në vazhdim të fjalës së Tij të sipërpërmendur thotë: "Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme." (Fatir, 28)
         E gjithë kjo llojllojshmëri nuk është gjë tjetër vetëm se një mjeshtri e përsosur e Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Dallimi i njerëzve në pamje, ngjyrë etj. nuk është rezultat i angazhimit të prindërve, ose vullnet i tyre. Si erdhi deri te ndryshimi i gjuhëve kur e gjithë njerëzia është prej një babe dhe prej nëne? Athua vallë, kanë komunikuar me fëmijët e tyre në më shumë se një gjuhë! Pa dyshim se këtu ka argumente të qarta për njerëzit që të kuptojnë madhërinë e Allahut siç thotë: "Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Pa dyshim në këtë ka argumente për shkencëtarë." (Err-Rrum, 22)
         Tani, llojllojshmëria e kulturave bujqësore është e qartë se është dhunti e madhe e Zotit për të poseduar njerëzit shije të ndryshme. Shtrohet e pyetja, pse të ketë llojllojshmëri në njerëz? A nuk ishte më mirë që njerëzit të jenë një lloj me një ngjyrë, më një gjuhë ose thënë më shkurt që e gjithë njerëzia të jetë një komb? Kësaj pyetje i përgjigjet Allahu në Kur'an kur thotë: "O njerëz, padyshim Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni." (El Huxhuratë, 13)
         Pra nga gjithë kjo u pa se Allahu ka dëshiruar që njerëzit të jenë kombe të ndryshme me gjuhë dhe ngjyra të ndryshme duke mos favorizuar ndonjë komb mbi një tjetër. Në këtë mënyrë të gjithë njerëzit janë të barabartë te Allahu. 
         Athua si qëndron puna me fetë, besimet? Përderisa Allahu i ka krijuar njerëzit në kombe të ndryshme a do të thotë kjo se Ai ka zbritur po ashtu programe të ndryshme të besimit dhe adhurimit?
          Një gjë duhet ta kemi parasysh se ndryshimi i gjuhëve dhe i ngjyrave të njerëzve nuk erdhi nga njerëzit dhe vullneti i tyre, por kjo ndodhi nga dëshira e Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Andaj çfarëdo vendimi lidhur me fetë, prapë duhet të jetë nga Allahu.
          Së dyti, sa i përket ekzistimi i shumë besimeve duke qenë një Krijues i  Vetëm, nuk është kjo çështje sikur që ishte me kombet. Pa marr parasysh shijet e ndryshme që i kanë fruta të caktuar të një familjeje madje të një lloji, të gjitha janë krijuar për një qëllim e ai është që njeriu si krijesë më e privilegjuar të ketë ushqime të mjaftueshme me shije jo monotone, por të llojllojshme. Ose pa marr parasysh llojllojshmërinë e kafshëve të ndryshme, të gjitha Allahu i krijuar në shërbim të njeriut si mjete bartëse, produkte ushqyese etj. Pra të gjitha krijesat e krijuara përpos njeriut janë krijuar për t'i shërbyer njeriut. Kështu qëndron puna edhe me njerëzit. Pavarësisht nga dallimet e njerëzve në baza gjinore, racore, etnike etj. të gjithë janë krijuar për një qëllim të caktuar e ai është jetesa duke e njohur dhe adhuruar Krijuesin Absolut, Allahun e Lartësuar. Siç thotë në Kur'an: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë." (Edh Dharijatë, 56)
Muxhahidi[1] ka thënë se fjala "adhurojnë" në ajetin kur'anor të përmendur ka për qëllim "të më njohin Mua".
           Në këtë kontest duhet të përmendim se Allahu i Madhërishëm asnjëherë nuk ka zbritur për njerëzimin në asnjë kohë fe tjetër dhe program tjetër të besimit pos Islamit. Ai nuk i ka dalluar njerëzit me besim të ndryshueshëm në qenien e Tij e as në jetën e pasvdekjes, në Ringjallje, kur dihet se këto gjëra janë të pandryshueshme dhe nuk mundet që për një popull të ketë paraqit vizion tjetër të ringjalljes, llogarisë, xhenetit, xhehenemit etj. në krahasim me popujt të tjerë vije fjala, kur dihet se të gjithë njerëzit përnjëherë do të ringjallën dhe në një vend. Prandaj edhe do t'i përjetojnë të njëjtat momente. Kështu qëndron edhe çështja e vetë Allahut. Nuk ka mundësi, që dikush të ketë lajme jo të njëjta për Krijuesin e tij si dhe raportet që duhet t'i ketë krijesa me Të, nga dikush tjetër kur dihet se Krijuesi i të gjithëve është Një i përbashkët. Kjo madje do të ishte e padrejtë. "E Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt." (El Kehf, 49) Pra Allahu gjithmonë ka zbritur një besim, një fe, edhe nëse kanë ndryshuar format e praktikimit, duke qenë të njëjtat baza të adhurimit.
          Ekzistimi i shumë feve sot në botë, nuk është fakt se Allahu i ka zbritur apo miratua të gjitha ato besime. Ato fe janë rezultat i pjellës së mendjes së njeriut, në të shumtën e rasteve, por edhe ndërhyrje e mendjes së njeriut në mënyrë të padrejtë në shtrembërimin e fjalës së Zotit, e cila edhe ashtu më vonë u shfuqizua me zbritjen e Kur'anit, siç është rasti me jehudizmin dhe krishterizmin. Në këto mënyra erdhi çdo besim, përveç besimit islam, i cili erdhi i zbritur nga Allahu dhe origjinaliteti i tij mbeti i garantuar nga Allahu deri në fund. Për këtë arsye Allahu ka thënë sa i përket Islamit: "Vërtetë fe te Allahu është Islami." (Ali Imran, 19) Pra fe të cilën e njeh, e konsideron, me të cilën veprat i pranon, me të cilën adhurohet Allahu është vetëm Islami.
        Me gjithë këtë që u tha vijmë në përfundim se ekzistimi i shumë kombeve, është prej begative të Allahut, por nuk është kështu edhe ekzistimi i feve. Pra Allahu i krijoi njerëzit në kombe të ndryshme, ndërsa ata i pranon me të vetmen fe të zbritur nga Ai me fenë islame. Ai thotë në vazhdim të ajetit ku tregoi qëllimin e ndarjes së njerëzve në popuj e fise: " O njerëz, padyshim Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni e s'ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër i përmbahet dispozitave. Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë." (El Huxhuratë, 13)
Sikur që tregoi në ajetet ku përmendi llojllojshmërinë e krijimi të frutave, kodrave, njerëzve, gjallesave dhe kafshëve, pasi i përmendi të gjitha këto, Allahu vazhdoi të thotë: "Po Allahut ia kanë frikën (i përmbahen dispozitave të Tij) nga robërit e Tij, vetëm dijetarët. Allahu është mbi gjithçka dhe është mëkatfalës." (Fatir, 28)
Vetëm dijetarët që e njohin realitetin e krijimit të tyre dhe raportet që duhet ndërtuar me Krijuesin e tyre, vetëm ata dinë t'i kenë frikërespekt të merituar Allahut Fuqiplotë. Pra të gjithë njerëzit para Allahut janë të barabartë në baza kombëtare apo etnike, por jo edhe fetare. Të pranuarit te Allahu në baza fetare janë ata që dinë t'i përmbahen dispozitave të Tij, modalitetet e të cilave janë sqaruar vetëm në Islam. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Nuk ka merita arabi mbi joarabin, e as joarabi mbi arabin, as nuk ka merita i kuqi mbi të ziun e as i ziu mbi të kuqin, përveç me devotshmëri."[2]
E gjithë kjo që u tha është e mjaftueshme për të kuptuar se Allahu nuk i pranon besimet e kota, të cilat nuk kanë baza të origjinalitetit se janë të zbritura nga Krijuesi i gjithësisë edhe pse ato përmbajnë program të besimit e të adhurimit. E çfarë është çështja me emërtime se një komb të jetë fe, i cili si komb madje fare nuk përmban asnjë element që t'i përngjajë ndonjë besimi qoftë edhe i rrejshëm? Si p.sh. të thotë dikush se feja e shqiptarit është shqiptaria. Shqiptaria apo shqiptarizmi nuk është fe dhe askush nuk ka pretenduar se ai të jetë i tillë. Shqiptaria është një tërësi kombëtare, të cilës i takojmë ne si komb, dhe krenohemi se jemi të tillë.[3] Shqiptaria si etni, nuk paraqet ndonjë vizion fetar se si të besohet, si do të jetë jeta e fundit, si është Krijuesi i gjithësisë etj.
          E sa i përket thënies së Pashko Vasës, i cili ka thënë: "mos shiko kisha as xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria", kjo thënie është politike subjektive assesi objektive. Me këtë thënie i përmenduri ka pasur për qëllim që të mos bëhen fetë shkak për përçarjen e kombit shqiptar. Ai ka qenë i ditur se shqiptaria, si dhe asnjë etnitet tjetër në botë, nuk e ngop ndjenjën fetare as të atyre që kanë fe dhe ideologji njerëzore, e lëre më të muslimanëve të cilët kanë esnafori në këtë drejtim.
         Pra të jesh shqiptar i mirë e i devotshëm dhe vetëm i tillë, kjo gjë nuk të ndihmon asgjë para Allahut pasi që të mungon adresa e drejtë e besimit. Ndërkaq të jesh musliman i mirë, me automatizëm do të jesh edhe kombëtar i mirë, cilësdo etni t'i takosh, madje kjo gjë nuk të atakon me etni të tjera dhe si i tillë do të jesh shumë paqësor. Nëse dikush thotë se edhe feja të atakon pra me fe të tjera edhe nëse je paqësor me kombet të tjera! Ne i themi se feja Islame nuk nxit konflikte as në baza të besimit. Por nëse një gjë të tillë e kërkon nevoja, atëherë ia vlen të atakohesh me fe të tjera kur të rrezikohet feja islame, sepse Allahu nuk të pranon me besime të tjera, por vetëm me Islam, ndërkohë që Allahu të pranon me çfarëdo kombi.
          Nuk guxon njeriu i thjeshtë e aq më pak ndonjë intelektual që t'i krijojë vetës një komoditet duke u mbështetur se është një atdhetar i mirë dhe kjo gjë do t'i mjaftojë edhe për Botën Tjetër. Besimi the feja të bën të qëndrosh i rehatuar edhe në këtë botë, edhe nëse i takon ndonjë kombi të përbuzur. Andaj kujdes të veçantë në këtë çështje para se të bëhet vonë.
Përgatiti:Muhamed Dërmaku
03.04.2006

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Komentues i njohur i Kur'anit nga gjeneratat e para
[2] Transmeton Ahmedi me nr. 22391
[3] Një proverb arab thotë: "Kush e mohon bazën e tij ai është fare i pabazë."
 
Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451482 visitors (1420230 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free