El Kahar – El Kahir (Mposhtësi)

El Kahar – El Kahir (Mposhtësi)
 
 
 
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: "Allahu është krijues i çdo sendi, ai është i vetmi ngadhënjyes!" (Ra’d, 16). Gjithashtu thotë: “Ai është mbizotërues ndaj robërve të Tij. Ai hollësisht di punët e Tij dhe të robërve të Vet.” (En’am, 18)
El Kahar: Mposhtësi i të gjitha botëve. Mposhtësi i të gjitha gjërave që i janë nënshtruar Atij. E gjithë kjo për shkak të Fuqisë së Tij të përsosur.
Ai është i Cili ka mposhtur të gjitha ekzistencat. Të gjitha krijesat i janë nënshtruar Atij, Fuqisë, Dëshirës së Tij. Nuk ndodh ndonjë ndodhi vetëm se me lejen e Tij. Ajo çfarë deshi, ka ndodhur, ndërsa ajo që nuk deshi, nuk ndodhi. Të gjitha krijesat kanë nevojë për Allahun, janë të paafta dhe nuk posedojnë për veten e tyre asgjë. Nuk i sjellin vetes as dëm e as dobi, as të mirën as të keqen.


El Latif (I Buti)

Allahu i Lartësuar thotë: “Të parët (e njerëzve) nuk mund ta përfshijë Atë, e Ai i përfshin të parët. Ai është shumë i kujdesshëm, hollësisht i njohur.” (En’am, 103)
Ndër emrat e bukur të Allahut të Lartësuar është edhe El Latif (I Buti). I Buti i Cili me diturinë e Vet i njeh të fshehtat dhe jo të fshehtat. Di atë që fshehin gjokset, atë çfarë ka nga farat e fshehura në tokë. Është i Buti me të afërmit e Tij dhe të zgjedhurit e Tij, ua lehtëson atyre gjërat e vështira, ua lehtëson të gjitha gjërat që çojnë në kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Ai i ruan nga çdo shkak dhe metodë që çon në hidhërimin e Tij, nga forma të cilat i njohin dhe i dinë dhe nga ato që nuk i dinë. Ai ua ka përcaktuar atyre gjërat që i urrejnë, përmes të cilave arrijnë atë që duan. Është i Butë ndaj tyre në gjërat të cilat janë jashtë kompetencës së tyre e në të cilat kanë mirësi dhe shpëtim. Emri El Latif është i përafërt me domethëniet e emrave El Habir (I Gjithinformuari), Er Reuf (I Dhembshuri) dhe El Kerim (Bujari).
Nga butësia e Tij ndaj robërve dhe të afërmve të Vet është kur dëshiron t’ua plotësojë mirësinë, t’i përfshijë me bujarinë e Vet, t’i ngrejë në pozita të larta dhe t’ua lehtësojë punët e lehta e t’ua largojë të vështirën. Sa e gjerë është butësia dhe bujaria e Allahut! Këtë logjika nuk mund ta kuptojë. Shpeshherë robi dëshiron dhe kërkon ndonjë prej kërkesave të kësaj bote, si udhëheqje, qeverisje ose ndonjë prej shkaqeve të dashura e Allahu i Lartësuar e largon nga ato dhe ato i largon prej tij nga mëshira e Tij për të, në mënyrë që të mos e dëmtojë në fenë e vet. Kështu që robi vazhdon të jetë i pikëlluar nga padituria dhe mosnjohja e Allahut të Lartësuar. Sikur të dinte atë çfarë ka ruajtur për të në gajb (fshehtësitë)- dhe Allahu dëshiron për të të mirat- do ta falënderonte Allahun e Lartësuar për këtë, ngase Allahu është i mëshirshëm për robërit e Vet, është i Butë ndaj të afërmve të Vet.
Në lutjen e transmetuar qëndron: “O Zot, atë që më ke furnizuar, të cilën e dua, bëje për mua forcë për atë që do Ti. Ndërsa atë që ke veçuar nga unë dhe unë e dua atë, bëje atë boshllëk për mua për atë që do Ti. O Zot, bëhu i butë me ne në vendimet e Tua, na begato në Fuqinë Tënde, që të mos duam shpejtimin e asaj që ke vonuar dhe as vonimin e asaj që ke shpejtuar!”


El Melik- El Malik- El Meliik (Sunduesi)

Për këtë emër kemi hadithin të cilin e shënon Buhariu: “S’ka sundues pos Allahut të Lartësuar.” Gjithashtu fjala e Allahut të Madhërishëm: “Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i plotfuqishëm (tek Allahu).” (Kamer, 55) Gjithashtu: “Ai është Allahu, që nuk ka zot tjetër përveç tij, sundues i përgjithshëm...” (Hashr, 23)
Sundues është Ai të Cilit i zbatohet urdhri gjatë sundimit, ngase jo çdo sunduesi i zbatohet urdhri në atë që posedon. El Melik është më i përgjithshëm sesa El Malik. Allahu i Lartësuar është Malikul Mulk (Pushtetmbajtësi Absolut), Atij i takon Pushteti. Ai është cilësuar me cilësinë e sundimit e ato janë cilësi të madhështisë, të mposhtjes, të rregullimit. Atij i takon veprimi i pakufizuar në krijim, në urdhërim dhe në shpërblim.
E Tij është e gjithë bota, të gjithë janë robër të Tij, të gjithë kanë nevojë për Të. Ai është që urdhëron dhe ndalon. Ai është Lartësues dhe Përulës i atij që do, vepron me robërit e Vet ashtu siç do, i sjell ata ashtu siç do. Atij i përkasin domethëniet e El Melik (Sunduesit), ajo që meriton nga emrat e bukur, si: Fuqiploti, i Gjithëfuqishmi, i Madhërishmi, Gjykuesi, i Drejti, Përulësi, Lartësuesi, Ngritësi, Nënshtruesi, Madhështori, Fisniku, i madhi, Llogarrimarrësi, i Nderuari, Mbrojtësi, i Gjithëlartësuari, Pushtetmbajtësi Absolut, Tubuesi dhe emra të tjerë që kthehen te domethëniet e emrit El Melik.
 

Husejn Serraxh
7.12.2007
 
 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 452367 visitors (1422933 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free