Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen

Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen
 
 
 
Një ditë prej ditësh, një njeri bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët dolën në udhëtim. Në rrugë takuan një njeri duke pritur dhe e pyetën se kush ishte. Ai u përgjigj: “Unë jam pasuria.” Njeriu pyeti bashkëshorten dhe fëmijët nëse e lejojnë të hyjë në automjet me ta. Të gjithë njëzëri u pajtuan dhe thanë se me pasuri mund të blejmë dhe të bëjmë çdo gjë dhe vazhduan rrugën.

Në rrugë, sërish takuan një njeri dhe e pyetën se kush ishte. Ai u përgjigj: “Unë jam pushteti dhe pozita e lartë.” Babai pyeti fëmijët dhe bashkëshorten nëse e lejojnë të futet në mjet me ta. Të gjithë njëzëri u pajtuan duke thënë se me pushtet dhe pozitë të lartë jemi në gjendje të bëjmë çdo gjë. E morën dhe kësisoj vazhduan rrugën duke takuar njerëz të shumtë me të gjitha kënaqësitë e kësaj bote, derisa takuan një njeri dhe babai e pyeti: “Kush je ti?” Njeriu u përgjigj duke thënë: “Unë jam feja.” Të gjithë thanë se tani nuk ishte koha e tij. “Ne duam këtë botë dhe kënaqësitë e saj, kurse feja do të na privojë nga shumë kënaqësi të tjera; do të na kufizojë dhe të na obligojë me mësimet e saj, me hallalle e harame, me namaz, agjërim... dhe kjo do të na rëndojë shumë. Mirëpo, ka gjasa që të kthehemi te ti përsëri pasi t’i shijojmë të mirat e kësaj bote.”

E lanë dhe vazhduan rrugën. Papritmas në rrugë hasën pikë-kontrollin e policisë dhe shenjën NDAL! Një njeri i bëri me shenjë babait që të ndalej, kërkoi që të zbriste dhe ta braktiste makinën. Babait i tha: “Udhëtimi yt mori fund! Zbrit dhe eja me mua!” Babai mbeti i shtangur dhe nuk foli asgjë. Njeriu i tha: “Unë kontrolloj për fenë. A ke fenë me vete?” Babai ia ktheu: “Jo, e lashë në rrugë. Më lejo të kthehem e ta marr.” Njeriu i tha: “Jo, këtë kurrsesi nuk mund ta bësh, udhëtimi yt me kaq përfundoi dhe kthimi yt është i pamundur.” Në këtë rast, babai i tha: “Mirëpo unë në makinë kam pasurinë, pushtetin, pozitën, bashkëshorten, fëmijët...” Njeriu i tha: “Ata nuk do të të bëjnë dobi asgjë tek Allahu Fuqiplotë, të gjithë këta duhet t’i lësh dhe askush nuk do të të bëjë dobi përveç fesë, të cilën e ke lënë në rrugë.” Babai e pyeti: “Po kush je ti?” Njeriu tha: “Unë jam vdekja, për të cilën ke qenë i pakujdesshëm dhe nuk e ke llogaritur fare.” Babai shikoi në drejtim të veturës dhe pa se makinën në vend të tij po e drejtonte bashkëshortja. Vetura nisi të lëvizë për të vazhduar udhëtimin bashkë me fëmijët, pasurinë, pushtetin dhe pozitën dhe asnjëri prej tyre nuk zbriti.

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.” (Tevbe, 24)

Gjithashtu thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Ali Imran, 185)
O Allah, na bëj prej banorëve të xhenetit!


Përktheu nga gjuha arabe: Almedin Ejupi

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 449621 visitors (1412801 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free