Çështja në të cilën duhet të ftojë thirrësi

Çështja në të cilën duhet të ftojë thirrësi
Toleranca në Islam
 
 
 
Një prej aspekteve ndriçuese në civilizimin tonë islam, që është regjistruar në historinë islame dhe me të cilën krenohemi, pa dyshim është aspekti i tolerancës. Ky aspekt dëshmon se Islami është fe e mëshirës, e bamirësisë, e drejtësisë dhe e paanësisë. Këto janë parime kulmore dhe cilësi fisnike, të cilat janë konsideruar faktorë të ngadhënjimit të Islamit.

Prej formave më të mëdha të kësaj tolerance është thirrja e të gjithë Profetëve, pa dallim, në një besim. Të gjithë janë dërguar me një thirrje, me një mesazh dhe me një synim. Allahu i Lartësuar thotë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!”1 Në këtë kontekst thotë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “Unë më së shumti kam të drejtë tek Isai, i birin i Merjemes. Pejgamberët janë vëllezër vetëm prej babai. Ndërmjet meje dhe tij nuk ka Pejgamberë.”2

Islami i fton të gjithë njerëzit në bashkëpunim dhe në ndihmë për njëri-tjetrin. Ai fton në veçanti muslimanët, por u drejton thirrje edhe të gjithë njerëzve në përgjithësi. Allahu thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.”3 Islami na mëson se dallimi në fe nuk ndalon në sjelljen e mirë me ta si dhe në këmbimin e dobive materiale në mes muslimanëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar.”4

Islami e ka përligjur luftën me qëllim të përhapjes së lirisë, vendosjes së drejtësisë dhe lirimit të njerëzve nga tirania e njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “Luftojini ata derisa të zhduket mosbesimi dhe deri sa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun!”5 Lufta është ligjësuar si mëshirë për të dobëtit, ngadhënjim për ata që u është bërë padrejtësi, drejtësi për të mposhturit, udhëzim për të hutuarit. Edhe pse kemi dëgjuar ose parë krime të armiqve të Islamit kundrejt popujve muslimanë në të kaluarën dhe të tashmen, kundrejt kësaj ne gjejmë forma të shkëlqyeshme të tolerancës së muslimanëve kur ata sunduan.

Toleranca e Islamit në gjendjen e luftës

Islami e ka ndaluar vrasjen e fëmijëve, të grave, të pleqve, të të dobëtëve, të të paaftëve, të klerikëve, të cilët nuk sulmojnë dhe nuk paraqesin rrezik. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, kur dërgonte ushtri ose ekspeditë ushtarake, i porosiste të jenë bamirës, tolerantë dhe të mëshirshëm ndaj grave dhe të dobëtëve. Burejde, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur caktonte dikë si komandant ushtrie, e porosiste atë në mënyrë të veçantë që t’i frikësohej Allahut dhe të ishte i sjellshëm ndaj muslimanëve që ishin me të. Ai thoshte: “Luftoni me emrin e Allahut dhe për hir të Tij. Luftoni ata që mohojnë Allahun. Luftoni dhe mos vidhni plaçkën e luftës, mos e thyeni premtimin, mos shpërfytyroni kufomat dhe mos vritni fëmijë…”6

Të tillë ishin edhe udhëheqësit e drejtë pas Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Ebu Bekri, kur e dërgoi ushtrinë e Usames, porositi: “O ju njerëz, ju porosis me dhjetë gjëra dhe mbajini mend nga unë: Mos vritni gra, as fëmijë dhe as pleq! Mos pritni pemë që prodhon fruta, mos prishni ndërtesa dhe mos therni dele e deve veçse për të ngrënë! Mos prisni asnjë hurme dhe as mos i digjni! Mos fshihni gjë nga plaçka e luftës dhe mos dezertoni!”7

Islami ka urdhëruar mbajtjen e premtimeve dhe zbatimin e marrëveshjeve, të cilat besimtarët marrin mbi vete. Allahu i Lartësuar thotë: “Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin, pasi ta keni bërë atë, sepse Allahun e keni bërë dorë-zënësin tuaj; vërtet, Allahu e di se çfarë bëni ju.” (Nahl, 91) Gjithashtu thotë: “Dhe përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.” (Isra, 34)

Përmbushja e zotimeve është cilësi e besimtarëve të sinqertë. Allahu i Lartësuar thotë: “dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” 8

Islami thërret në paqe, nëse jobesimtarët e kërkojnë dhe shfaqin dëshirë për të. Allahu i Lartësuar në kaptinën Enfal thotë: “Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse, vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.”9

Qëllimi i paqes në këtë vend është paqja e drejtë, e cila muslimanëve ua ruan krenarinë dhe respektin dhe ua ruan të drejtat e tyre. Islami është paqe nga aspekti i fuqisë, paqe e krenarisë dhe e respektit dhe jo paqe e të dobëtëve, të nënshtruar e të përulur. Islami dëshiron për pjesëtarët e vet fuqinë, krenarinë, sigurinë dhe respektin. Nuk ka kurrfarë vlere e ashtuquajtura paqe e ngritur mbi pafuqinë, dorëzimin, nënshtrimin, gënjeshtrën. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”10 Gjithashtu thotë: “Dhe mos u bëni të dobët e të kërkoni armëpushim, ndërkohë që jeni më të fuqishmit dhe Allahu është me ju. Ai nuk do t’jua pakësojë (shpërblimin për) veprat tuaja.”11

Toleranca e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të

I Dërguari, kur erdhi në Medinë, mbolli farat e tolerancës ndërmjet muslimanëve dhe të tjerëve. Ai bëri marrëveshje me çifutët, në të cilat ndër të tjerat theksohet toleranca, falja, bashkëpunimi për në mirësi dhe dobia e ndërsjellë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ruajti këtë marrëveshje, -marrëveshjen e bashkëjetesës në paqe- mirëpo çifutët e thyen kontratën.
Kur erdhi delegacioni i të krishterëve të Nexhdit, i Dërguari i vendosi në xhami. Kur iu afrua koha e lutjes së tyre, i la të luten në xhami dhe ata u lutën në një pjesë të xhamisë. Me ta ai bisedoi në formën më të mirë të mundshme. U ofroi argumente, mirëpo nuk i obligoi të hynin në Islam, duke i lënë të lirë të zgjidhnin çfarë dëshironin ata. Një pjesë e tyre e përqafuan Islamin pasi u kthyen në Nexhran.12

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, porosiste shumë që muslimanët të kujdesen për jomuslimanët që jetojnë në vende islame e që janë të siguruar, që të kenë parasysh të drejtat e tyre, të jenë të drejtë me ta, të jenë bamirës dhe mos t’i dëmtojnë.

Abdullah b. Amr ibn Asi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush vret një dhimij nuk do ta shijojë erën e xhenetit. Era e xhenetit dëgjohet që dyzet vite larg.” Shënon Buhariu.

Një herë, Pejgamberi ishte shtrirë vetëm e po flinte në hijen e një peme. Kur hapi sytë, pa mbi kokën e vet një beduin, i cili kishte nxjerrë shpatën nga këllëfi. Ai i tha: “O Muhamed, kush do të të shpëtojë tani nga shpata ime?” I Dërguari pa u tronditur u përgjigj: “Zoti.” Posa tha Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, këtë fjalë, atij i shpëtoi shpata nga dora. E mori Muhamedi shpatën dhe i tha: “Kush do të të shpëtojë ty tani nga duart e mia?” Ai e luti të Dërguarin që ta falte dhe ai e fali dhe e la të shkonte pa e dënuar. Kur beduini u kthye te njerëzit e vet, u tha: “Unë kam takuar Muhamedin, njeriun i cili është më i sjellshmi dhe më shpirtfalës se çdo njeri tjetër.” 13

Shembuj të tolerancës nga ana e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta                   
 
Tirmidhiu transmeton nga Muxhahidi se Abdullah b. Amri tregon se në familjen e tij është prerë një dele. Kur u kthye në shtëpi, pyeti: “A i keni dërguar mish komshiut tonë çifut? A i keni dërguar mish komshiut tonë çifut? Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Xhibrili vazhdimisht më porosiste për fqinjin, derisa mendova se do ta bënte trashëgimtar timin.”
Prej faqeve të ndritshme në historinë tonë islame është transmetuar se sahabët, kur hynë në Hims, i obliguan banorët me pagimin e xhizjes. Ndërkohë, sahabëve u erdhi urdhri nga Ebu Ubejde b. El Xherahu që të lëshojnë Himsin dhe t’i bashkohen ushtrisë muslimane në mënyrë që të luftojnë kundër romakëve në vendin e quajtur Jermuk. Ata ua kthyen xhizjen banorëve të Himsit duke u thënë se ne e kemi marrë këtë kundrejt mbrojtjes tuaj, kurse tani po largohemi dhe nuk kemi mundësi t’ju mbrojmë. Prandaj obligohemi t’jua kthejmë atë që ju kemi marrë. Banorët u çuditën shumë nga ky veprim dhe shpresuan fitoren e tyre kundër armiqve.
Ai që bën krahasim ndërmjet tolerancës së muslimanëve kur ata mbizotëruan  ishin udhëheqës dhe asaj që është regjistruar gjatë luftërave të kryqëzatave dhe gjatë etapave të zbulimeve gjeografike dhe kolonializimit, do të vërejë qartë dallimin ndërmjet fesë së vërtetë, fesë së tolerancës e të faljes dhe feve të devijuara.

Ahmed b. Muhamed Esh Sherkavi
Përktheu: Almedin Ejupi
14.12.2008
 


--------------------------------------------------------------------------------

1 Bekare, 285
2 Shënon Buhariu: Libri i Pejgamberëve: Kapitulli: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj…” (Merjem, 16) hadithi nr: 3258/3259. Gjithashtu shënon Muslimi në librin e vlerave. Kapitulli: Meritat e Isait, nr: 2365.
3 Maide, 2
4 Maide, 5
5 Bekare, 193
6 Shënon Muslimi në librin e Xhihadit.
7 Shënon Maliku në Muveta, hadithi nr: 10. Gjithashtu shënon Bejhekiu në Sunen Kubra, 9/89.
8 Bekare, 177.
9 Enfal, 61.
10 Ali Imran, 139.
11 Muhamed, 35.
12 Siretu Ibni Hisham 2/158. Shih gjithashtu: Esbab en Nuzul, Vahidij fq 66, Rehikul Mahtum, fq 532, 533.
13 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

 

Komente
 
Linqe
 
Kurani Fisnik - Shkarko!

Rijjadus-Salihin - Shkarko

Falja e namazit

Dëgjo Kuran online

Kuizi Islam
 
Numri i vizitoreve 451379 visitors (1419309 hits) klikime.=>

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free